Ballina Aktualitet Kultura XHOVANI BOKAÇO – “DEKAMERONI”

XHOVANI BOKAÇO – “DEKAMERONI”

Nga Xhelal Zejneli

Xhovani Bokaço (Giovanni Boccaccio, 1313-1375) – shkrimtar italian, një nga më të rëndësishmit e humanizmit. Supozohet se lindur në Çertaldo (Certaldo), si fëmijë jashtëmartesor i tregtarit fiorentin  Bokaçina di Kelina. Bokaçio thoshte se ka lindur në Paris. Kur në vitin 1348 u paraqit murtaja e zezë, ndodhej në Firence. Nga epidemia i vdiqën babai dhe njerka. Shkollimin fillestar e mori në Firence. Në moshën 12-vjeçare e dërguan në Napoli ku studioi të drejtën kanonike. Aty e filloi edhe zhvillimin letrar të vet.

Lidhjet familjare me shtëpinë bankare Bardi i mundësuan të hyjë në pallatin Anzhu (Anjou), kështu që gjatë ahengjeve fisnike dhe galante i lindi dashuria ndaj Marisë (Maria d’Aquino, ? – 1382), vajzës së jashtëligjshme të mbretit Robert (Robert d’ Anjou, 1277-1343) të Napolit. Atë do ta këndojë me emrin Fiameta (Fiammetta), duke shkruar për të edhe vepra letrare, si në vargje ashtu edhe në prozë.

Pas vitit 1348, për famën letrare dhe për pozitën shoqërore, nga komuna e Firences mori mirënjohje të ndryshme. Qëndrimi në rrethet aristokrate dhe në bibliotekën mbretërore, i mundësoi të njohë mirë jetën e aristokratëve. Gjatë dekadës së ardhshme, shkrimtari u mor me punë diplomatike zyrtare.

Dështimi i komplotit në dhjetor të vitit 1360 në të cilin ishin të përfshirë personalitete të afërta me Bokaçon, i ndryshoi raportet politike në komunën e Firences. Në atë periudhë, Bokaçon e larguan nga pozitat publike. I dëshpëruar nga mashtrimet dhe intrigat në jetën politike të qytetit, shkrimtari u tërhoq në Çertaldo ku nisi të meditojë dhe  vazhdoi të lexojë.

Në fazën e parë të acarimit politik, Bokaço mori detyra publike të reja. Prej muajit gusht deri në nëntor të vitit 1365 ishte në misionin e legatit, gjë që pati një rëndësi të madhe ngase papës Urbani V (Urbanus, 1310-1370) ia siguroi mbështetjen e Firences që selia papnore të kthehet në Romë. Nga udhëtimi i tij i fundit në Napoli, në pranverë të vitit 1371 u kthye në Çertaldo. Aty jetoi në skamje, i sëmurë dhe i rrethuar nga librat.

Në vitin 1373, komuna e Firences e ftoi që në kishën Santo Stefano della Badia të interpretojë 16 këngët e para të Ferrit të “Komedinë hyjnore”Dantes. Si një studiues i madh i tij, krenohej me veprën e tij, për ta quajtur edhe “Zot të tokës”.

Vdiq në Çertaldo më 21 dhjetor të vitit 1375.

*   *   *

VEPRA: Bokaço është përfaqësues i renesancës italiane. Shkroi tregime dhe romane. Shkruante në gjuhën popullore italiane por edhe në latinisht. Në ngritjen shpirtërore të Bokaços si dhe në punën letrare të tij ushtroi ndikim të madh poeti italian Petrarka (Francesco Petraca, 1304-1374) me të cilin Bokaço u njoh në Firence në vitin 1350. Që të dy, mbetën miq deri në fund të jetës. Autorin e Tingëllimës XC – Petrarkën, e kishte model.

Nga faza e Napolit vjen romani në prozë “Filokolo” (Il Filocolo, 1336-38, në 5 libra), me përmbajtje dashurie-aventureske; romanet në vargje “Filostrato” (Il Filostrato, 1338) dhe “Teseida” (Teseida delle nozze d’Emilia, 1339-40, në 12 libra), ku e pabesa Mari është në rolin e Fiametës, shtjellon tema nga përrallat greke. Pasojnë epi “Gjahu i Dianës” (La Caccia di Diana); “Komedi për nimfat fiorentinase ose nimfale e Ametit” (Commedia delle ninfe fiorentine o Il ninfale d’Ameto, 1341-42), prozë me 19 këngë; “Vizion dashurie” (L’Amorosa visione, 1341-42). Romani autobiografik në prozë “Elegjia e zonjës Fiametë” (Elegia di madonna Fiammetta da lei alle innamorate donne narrata , 1343-44), flet për vejushën napolitane e cila rrëfen historinë e dashurisë së saj ndaj të riut dhe të pabesit Panfil (bazuar në përvojën e Bokaços, këtu bëhet fjalë për zëvendësim rolesh). Epi i vogël pastoral është  bazuar në shembullin e poetit romak Ovidit (Publius Ovidius Naso, 43 para K. – 18 pas K.) – “Nimfale e Fiezolit” (Il Ninfale fiesolano, 1344-46, me 7 këngë). Vjen romani mizogin “Korbaço ose Labirinti i dashurisë” (Il Corbaccio ose Labirinto d’amore, 1354). Pason vepra “Trakte për nder të Dantes” (Trattatello in laude di Dante, 1359). Si një humanist i arsimuar nxori veprën “Mbi gjenealogjinë e perëndive paganë” (De genealogiis deorum gentilium, 1350-66), që është një sintezë e gjerë e mitologjisë së deriatëhershme.

*   *   *

Veprimi i novelave te “Dekameroni” zhvillohet në një botë të cilën tregtarët italianë e kanë njohur mirë: në Firence, Napoli, Venecie dhe në mbarë Italinë, në Francë, në Mesdhe, në kështjella, në manastire, në shtëpitë e qytetit dhe në kasollet e fshatit, në anije, në sheshe dhe në rrugët e qyteteve të vjetra.

Heronjtë dhe heroinat i ndjekin instinktet e shëndosha dhe pa skrupull përdorin zgjuarsinë në luftën kundër fatit dhe rastit.

Bokaço i njeh edhe anët tragjike të dashurisë dhe të jetës, ndaj ehe novelat “serioze” të tij, për nga vlera artistike, qëndrojnë hijerëndë pranë atyre gazmore dhe humoreske.

Për dallim nga botët metafizike të Dantes, këtu kemi një pasqyrë të përditshmërisë së mesjetës, ndaj “Dekameroni” me të drejtë është quajtur “komedi njerëzore”.

Me veprën e vet, Bokaço çeli tematika të reja nga jeta e vet, përfshi edhe jetën intime dhe i vërtetoi pikëpamjet e reja të renesancës ndaj jetës së njeriut, duke ia përcaktuar novelës kornizat klasike të shprehjes.

Stili i novelës së tij do të jetë nëpër shekuj model i prozës artistike italiane, njësoj si përmbledhja poetike “Kanconiera” (Il Canzoniere) e Petrarkës në lirikë. Në këtë vëllim me 366 këngë autori punoi që nga viti 1342 e deri në fund të jetës.

*   *   *

“Dekameroni” (Il Decameron, 1348/49-53) është më i madhi libër i prozës tregimtare italiane. Ka qenë model për novelistët e shekujve që pasuan. Deri në fund të shekullit XVI ka pasur 25 përkthime në latinisht. Lindi si fryt i një përvoje të madhe jetësore dhe i njohjes së mjedisit piktoresk fiorentinas nga ku i merr dhe i thur artistikisht anekdotat dhe rrëfimet, disa nga personazhet, gjuhën popullore të figurshme, prirjen për shpoti të mprehtë e mahi spiritualë dhe mbi të gjitha frymën lucide të shtresës së qytetit.

“Dekameroni” përmban 100 novela në një kornizë unike. I rrëfejnë 7 vajza dhe 3 djem, që janë larguar nga Firencja e mbërthyer prej epidemisë së murtajës, për t’u vendosur në periferi të qytetit. Kohën e kalojnë në natyrë, duke rrëfyer njëra pas tjetrës nga dhjetë novela brenda dhjetë ditëve.

Veprimet e këtyre novelave zhvillohen në një botë të cilën tregtarët italianë e njihnin mirë (në Firence, në Napoli, në Venecie dhe në mbarë Italinë, në Francë dhe në Mesdhe), në kështjella, në manastire, nëpër shtëpitë qytetare dhe në kasollet e fshatit, në anije, në sheshe dhe në rrugët e qyteteve të vjetra.

Heronjtë dhe heroinat i ndjekin instinktet e shëndosha dhe e përdorin inteligjencën në mënyrë të paskrupullt në luftën kundër fatit dhe rastit.

Bokaço i njeh edhe aspektet tragjike të dashurisë dhe të jetës, kështu që edhe novelat e tij “serioze”, për nga vlera artistike, qëndrojnë të paluhatshme pranë atyre që janë të kthjellëta dhe tallëse.

Shtatë vajza dhe tre djem takohen në kishën dominikane Santa Maria Novella të Firences. Bien dakord se rrëfimet do të jenë forca shpëtimtare që do ta mundin vdekjen. Ka mendime se të shtatë vajzat kanë qenë dashnore të Bokaços, që nga e para Pampinea deri te Eliza, të cilën e ka dashur në kohën kur e ka shkruar veprën.

Kritiku letrar italian, njëherazi dhe historian i letërsisë Françesko De Sanktis (Francesko De Sanctis, 1817-1883) vajzat e “Dekameronit” i përshkruan, si vijon: Pampinea – e zhurmshme, Fiameta – gjithmonë e gjen së kënduari, Emilia – lajkatare, mikluese, Laureta – Laura e Petrarkës, Nefila – përsëri e dashuruar dhe Eliza – Didona e Virgjilit. Vajza ka aq sa ka java ditë, planetë në qiell, shkathtësi teologjike.

Numri tre, sa ka djem, simbolizon parimin mashkullor dhe treshin e shenjtë: Panfilo – supozohet se e tërë dashuria përfaqëson Bokaçon e pabesë (jobesnik), Filostrato – i mundur nga dashuria, përfaqëson Bokaçon e flakur. Dioneo – është një nga nënshkrimet e shkrimtarit, ndaj ky rrëfyes i rrëfimeve të shfrenuara (amorale), mbase është vetë autori.

Rrëfimi i novelave është vetëm një pjesë e veprimeve të tyre. Ata nga kjo krijojnë ritual – ceremoni kurorëzimi, caktimi i temës dhe i rregullave të të rrëfyerit. Pjesë e veprimeve të tyre janë edhe shëtitjet.

Në ditën e parë: S’ka temë. Në ditën e dytë: Për situatat komplekse me fund të çuditshëm. Në ditën e tretë: Për njerëzit dredhakë. Në ditën e katërt: Për dashuritë e pafat. Në ditën e pestë: Për dashuritë fatlume. Në ditën gjashtë: Për ata të cilët janë hakmarrë ose kanë shpëtuar me veprime dinake. Në ditën e shtatë: Për gratë që i kanë tradhtuar burrat e tyre. Në ditën e tetë: Për batutat e femrave në kurriz të meshkujve dhe anasjelltas: Në ditën e nëntë: Temë e lirë. Në ditën e dhjetë: Temë e papërcaktuar.

*   *   *

Dita I – Nuk ka temë.

Novela e dytë; rrëfen Nefila

Një francez i quajtur Abraham, shkon në Romë për ta vizituar papën ngase ka dashur të konvertohet në fenë krishtere. Miku i tij Gjanoti me vite kishte tentuar ta bindë që nga judaizmi të kalonte në krishterim. Gjanoti kishte frikë se miku i tij, kur të vërente se sa i lig është kleri, do të hiqte dorë nga synimi për t’u konvertuar. Ndonëse kishte parë si ishin klerikët, megjithëkëtë Abrahami kishte kaluar në krishterim. Gjovani e kishte pyetur: Si munde të kalosh në fenë krishtere kur e pe mirë se në ç’gjendje ndodheshin klerikët e Romës? Abrahami ia kishte kthyer: “Krishterimi është një religjion i vërtetë për arsye se shtrihet e përhapet, përkundër deformimeve në radhët e krerëve fetarë të tij”.

Novela e tretë; rrëfen Filomena

Sulltan Saladini mëson se thesarin e ka të zbrazët. Njoftohet me një hebre të pasur  Melçizedek nga i cili do të mund të huazonte para. Por, mendon se hebreu është koprrac dhe si i tillë nuk do t’i japë para. Sultan Saladini e pyet Melçizedekun në është e vërtetë se të gjitha thëniet fetare vërtet janë fjalë të Perëndisë. Melçizedeku i përgjigjet me një rrëfim për një tregtar. Tregtari kishte pasur tre djem, por vetëm një unazë të çmuar. Ai vendos që ta ndajë pasurinë duke i dhënë secilit nga një unazë, ndaj iu desh të siguronte edhe dy të tjera. Tani, unaza e parë e humbi vlerën kështu që asnjëri prej djemve nuk mori më shumë se tjetri.

Me këtë rrëfim Melçizedeku dëshironte t’ia bëjë me dije sulltanit se çdo thënie fetare është fjalë e Perëndisë dhe se çdo religjion duhet të respektohet njësoj. Sulltan Saladini u entuziazmua nga rrëfimi dhe iu lut Melçizedekut t’i huazojë para. Kështu, sulltani turk dhe hebreu u bënë miq të mëdhenj.

Dita II – Situata komplekse me fund të çuditshëm

Novela e shtatë; rrëfen Panfili

Një sulltan nga Babilonia kishte vendosur që njërën prej vajzave të tij t’ia dërgonte mbretit Algarve. Vajza e sulltanit, Alatiel, duhej të shkonte te burri i saj i ardhshëm, duke kaluar matanë detit. Katër vjet Alatiel u kënaq dhe u zbavit duke e kaluar jetën me meshkuj të tjerë. Pas katër vjetësh kthehet te babai dhe i thotë se ende është e virgjër. Babai vendos që përsëri t’ia dërgojë mbretit Algarve. Në fund ajo martohet me të.

Novela e nëntë; rrëfen Filomena

Veprimi i novelës së nëntë zhvillohet në Gjenovë. Bernabon e Gjenovës, si pasojë e një mashtrimi, i humbi të gjitha paratë që kishte. Duke pandehur se e kishte tradhtuar gruaja e vet, urdhëroi që ta vrisnin. Gruaja vendosi të largohej, por paraprakisht tha se do të tregonte se cili ishte fajtori i vërtetë. U vesh me rroba mashkulli dhe vajti në Aleksandri për të punuar në pallatin e sulltanit. U njoftua se burrin e saj e kishte mashtruar Ambrogjuolo. I çoi fjalë burrit të vet që të vijë tek ajo. Ndërkohë, mashtruesi u ndëshkua. Bernabos dhe gruas së tij iu kthyen të gjitha paratë. Pas kësaj që të dy u kthyen në Gjenovë.

Dita III – Për njerëzit dredhakë

Novela e gjashtë; rrëfen Fiameta

Rikardo Minutolo sajon një plan dredhak për të gjetur mundësinë e të shkojë në shtrat me gruan e Felipel Figinolfit. I thotë asaj se burri i saj dhe gruaja e vet do të shkojnë në hamam. Për ta parandaluar një gjë të tillë, ajo shkon në hamam. Shkon në dhomën ku mendonte se burri i saj do të takohej me gruan e Rikardos. Në shtratin e dhomës ndodhej, jo burri i vet Felipe, por Rikardoja. Duke menduar se është burri i vet, i hyn në shtrat dhe kryen marrëdhënie intime me të.

Novela e tetë; rrëfen Laurentina

Ferondo kishte pirë njëfarë pluhuri. Të afërmit menduan se ai kishte helmuar veten, ndaj e varrosën. Pas pak ai ishte zgjuar në varr. Kleriku e kishte nxjerrë nga varri dhe e kishte vendosur në një hapësirë të errët. I kishte thënë se ndodhet në purgator. Kleriku kishte vepruar kësisoj për arsye se gjatë tërë kësaj kohe kryente marrëdhënie intime me gruan e Ferondos. Pasi kleriku e la të lirë Ferondo mëson se gruan e ka shtatzënë. Njëherazi mendonte  se fëmija është i veti dhe e rriti atë si të ishte fëmija i vet.

Dita IV – Për dashuritë e pafat

Novela e dytë; rrëfen Pampinea

Kallogjeri katolik i quajtur Alberto kishte dëshirë të kishte marrëdhënie intime me një grua. Ai e bindi atë se engjëlli Gabriel është dashuruar tek ajo. Pastaj i thotë asaj se vetë ai është engjëlli Gabriel. Me pëlqimin e saj shkojnë në shtrat. Për të mos e parë dhe vrarë farefisi i saj, ai ikën nëpër dritare. Duke ikur, fshihet në një shtëpi ku edhe e kalon natën. Të nesërmen, për të mos e njohur, e ndryshon edhe pamjen. Megjithëkëtë, mu te sheshi e njohin se është pikërisht ai dhe e arrestojnë.

Novela e nëntë; rrëfen Filostrati

Ser Gilom Rusilon mëson se gruaja e tradhton me Ser Gilom de Kabestanin. Vendos t’i hakmerret duke e vrarë dashnorin e gruas së vet. Për të qenë rasti edhe më i neveritshëm për gruan, zemrën e dashnorit të saj ia shtron në darkë. Me të mësuar se në darkë e ka ngrënë zemrën e të dashurit të vet, hedhet nëpër dritare. Në fund e varrosin pranë dashnorit të saj.

Dita V – Për dashuritë fatlume

Novela e dytë; rrëfen Emilia

Gostancës i vjen një lajm se Martuçi i saj i dashur ka vdekur. Me të dëgjuar këtë, me një barkë të vogël merr detin në sy. Rastësisht mbërrin në qytetin Sus. Papritmas, mëson se Martuçi ndodhet pikërisht në këtë qytet, ndaj mezi pret ta takojë. Me t’u takuar, vendosin të martohen. Në fund, me paratë që kishte kursyer ai, u kthyen në Lipario ku e vazhduan jetën fatlume.

Novela e nëntë; rrëfen Dionei

Fisniku i ri Federigo dashurohet te Mona Gjovani, ndonëse e di se ajo është e martuar. Për t’ia tërhequr vëmendjen dhe për ta bërë për vete organizon gosti dhe gara. I blen edhe dhurata. Në fund i mbetet vetëm një fajkua dhe një copë prone. Ndërkohë, burri i Mona Gjovanit vdes. Tani ajo shpërngulet në një pronë që ndodhej afër asaj të Federigos. Pas një kohe vendos ta vizitojë. Ka ndërmend ta lutë që t’ia dhurojë fajkuan për djalin e saj të sëmurë.  Shpreson se kjo do ta gëzonte atë, mbase do t’ia shpëtonte edhe jetën. Vjen bashkë me shërbëtoren. Federigo dëshiron t’i shtrojë drekë. E ther fajkoin dhe e pjek. Pasi hanë drekën Mona Gjovani ia kërkon fajkuan, ndërsa Federigo ia kris vajit. Kur mëson se për drekë e kishin ngrënë pikërisht shpendin e kërkuar, Mona Gjovani bëhet për t’u vrarë. Me dhimbje në shpirt kthehet te prona e vet. Pas dy javësh djali i vdes. Vëllezërit duan ta martojnë për një të pasur, por ajo u kundërvihet duke u thënë se Federigon e do më shumë se çfarëdo pasurie. Në fund, që të dy martohen dhe me dashuri të vërtetë, jetojnë të lumtur.

Dita VI – Për ata të cilët janë hakmarrë apo kanë shpëtuar me veprime dinake

Novela e shtatë; rrëfen Filostrati

Burri mëson se gruaja e vet Madona Filipe e tradhton. Në gjykatë ajo është mbrojtur vetë. Ia del të arsyetohet dhe t’i ndryshojë ligjet për shkeljen e kurorës. Në atë kohë, ligjet për tradhti bashkëshortore, ndaj grave kanë qenë më të ashpra se ndaj meshkujve. Ajo arrin që ligjet e tilla t’i trajtojnë njësoj, si gratë ashtu edhe burrat.

Novela e tetë; rrëfen Emilia

Fresku është lodhur nga sjellja arrogante e mbesës së tij. Donte që ta zbret në tokë. I thotë asaj që tani e tutje të mos shikohet në pasqyrë për arsye se është neveritëse të shohësh njerëz të neveritshëm.

Dita VII – Për gratë që i kanë tradhtuar burrat e tyre

Novela e parë; rrëfen Emilia

Gjatë natës dashnori i Gjana Loteringut vjen dhe troket në derë. Sapo dëgjon, Gjana e zgjon burrin e vet. Ajo synon ta bindë se mund të jetë ndonjë përbindësh, ndaj për ta larguar duhet të luten bashkërisht. Me të kuptuar si qëndron puna, dashnori largohet sakaq.

Novela e dytë; rrëfen Filostrati

Peroneli dhe gruaja e tij kanë pasur ndërmend ta shesin fuçinë. Gruaja e kishte në shtëpi dashnorin e vet. Kur i vjen burri, ajo e fsheh dashnorin në fuçi. Burri i thotë se kishte gjetur blerës për fuçinë. Të njëjtën ia thotë edhe gruaja, duke shtuar se blerësi që kishte gjetur ajo, tanimë kishte hyrë në të për të parë se në ç’gjendje ndodhej. Del dashnori nga fuçia dhe thotë se do ta blinte fuçinë, por paraprakisht Peroneli do të duhej ta pastronte. Derisa ai e pastronte fuçinë, gruaja dhe dashnori bënin dashuri.

Dita VIII – Për batutat e femrave në kurriz të meshkujve dhe anasjelltas

Novela e shtatë; rrëfen Pompinea

Një student i ri tërë natën kishte qëndruar në dëborë duke e pritur vajzën që dashuronte. Pas kësaj, ai kishte planifikuar sesi t’i hakmerrej. E kishte lënë lakuriqe mbi kullë, gjatë tërë një dite të nxehtë. Gjithë ditën e kishin sulmuar mizat dhe e kishte përcëlluar dielli.

Novela e tetë; rrëfen Fiameta

Një burrë kishte kuptuar se gruaja e tradhtonte me një tjetër. Për t’iu hakmarrë dashnorit të gruas së vet, ishte marrë vesh me gruan e tij. E zënë dhe e mbyllin në arkivol. Për të qenë hakmarrja edhe më e rëndë, burri i tradhtuar dhe gruaja e të mbyllurit në sënduk bëjnë dashuri mbi sënduk.

Dita IX – Temë e lirë

Novela e parë; rrëfen Filomena

Një grua e cila kishte pasur dy dashnorë kishte dashur t’i heqë qafe që të dy. Madona s’kishte qenë e dashuruar tek asnjëri prej tyre. Kishte planifikuar t’u japë detyra që të dyve duke e ditur se nuk do të mund t’i kryejnë. Njërit i kishte thënë të shtrihet në varr dhe të hiqet se ka vdekur, ndërsa të dytit i kishte thënë ta nxjerrë trupin e tij. Duke qenë se asnjëri prej tyre s’kishte mundur ta bënte atë që kishte kërkuar ajo, kishte gjetur arsye për t’i ndërprerë lidhjet me ta.

Novela e nëntë

Te mbreti Solomon vijnë për t’u këshilluar, dy të rinj. Njëri prej tyre kishte dashur të dijë se ç’duhej të bënte për ta dashur njerëzit. I riu tjetër donte të dijë se si mund ta detyronte gruan për ta dëgjuar. Djaloshit të parë Solomoni i thotë: “Që të të duan njerëzit, së pari duhet të duash ti”. Që atëherë, ky kishte shprehur dashuri ndaj të tjerëve dhe tash e tutje, edhe të tjerët ndaj tij. Tjetrit mbreti i kishte thënë të shkonte te Ura e Patës. Ky kishte vajtur atje dhe kishte parë një gomar i cili, pa i mëshuar i zoti, nuk e kalonte urën. Burri e kishte kuptuar porosinë e mbretit. Kishte vajtur në shtëpi. Gruas që s’kishte dashur ta përgatisë darkën, i kishte mëshuar shuplakë. Që atë ditë ajo e dëgjonte dhe ia përgatiste mëngjesin. Kur kthehej nga puna, gjithmonë darkën e gjente gati.

Dita X – Temë e papërcaktuar

Novela e katërt; rrëfen Laureta

Kur Meser de Karidendi mësoi se gruan që e donte e kishin varrosur të gjallë ngase kishin menduar se ishte e vdekur, menjëherë e kishte zhvarrosur. Pasi e kishte marrë veten, ajo kishte lindur djalë. Gruan dhe fëmijën, Meseri ia dërgoi burrit të saj, Nikolucios.

Novela e pestë, rrëfen Emilia

Një grua e pasur e quajtur Madona Dianora kishte dashur të ketë një kopsht i cili gjatë tërë vitit do të ishte i bukur dhe përplot me lule. Për t’ia sendërtuar dëshirën, Meser Ansaldo e kishte angazhuar ftuesin e shpirtrave. Kopshti ishte ndërtuar. Burri i Madonës e kishte e lejuar atë që t’i falënderohej Meserit, por me ta mësuar këtë, thirrësi i shpirtrave kishte ikur sakaq.