Ballina Shëndeti Analizat dhe ekzaminimet që duhet të bëni, sëmundja kronike e veshkave, 9...

Analizat dhe ekzaminimet që duhet të bëni, sëmundja kronike e veshkave, 9 faktorët që shkaktojnë

Përsëritja e infeksioneve urinare, vlerat e pakontrolluara të tensionit të gjakut, si dhe shtimi i ndërlikimeve të diabetit, janë tre faktorët më të shpeshtë që çojnë në dëmtimin kronik të veshkës. Duke qenë se sëmundja zhvillohet në heshtje dhe pa simptoma lehtësisht të dallueshme që në stadet fillestare, fatkeqësisht pjesa dërrmuese e pacientëve vijojnë të zbulojnë sëmundjen në stadet më të rënduara, kohë në të cilën trajtimet mund të mos jenë efikase, pasi veshka ka humbur mbi 70 për qind të funksionit të saj. Sipas udhëzuesit këshillues të përgatitur nga mjekët e QSUT-së për parandalimin e këtyre ndërlikimeve, theksohet se çdo njeri mund të preket nga sëmundja kronike e veshkave, por pavarësisht kësaj, rreziku është më i lartë në rastet kur trajtoheni për sëmundjen e diabetit, keni vlera të larta dhe të pakontrolluara të tensionit arterial, si dhe keni të pranishëm në familje persona të tjerë që kanë vuajtur nga dëmtimet e stadit kronik të veshkave. Në këto raste është mirë që të mos neglizhoni ekzaminimet për zbulimin e hershëm të sëmundjes. “Diabeti shfaqet kur niveli i sheqerit në gjak është shumë i lartë dhe kjo shkakton dëmtime në shumë organe të trupit, si për shembull veshkave, zemrës, enëve të gjakut, syve dhe nervave. Po ashtu edhe në rastet kur presioni i gjakut nuk mbahet në vlerat e rekomanduara nga mjeku i familjes, vlerat e larta të tij mund të bëhen shkak për infarkt të miokardit, ishemi të trurit dhe sëmundje kronike të veshkave.

Ndërkohë që edhe vetë dëmtimi kronik i veshkave mund të bëhet shkak për vlera të larta të tensionit. Shkaqe të tjera mjaft të shpeshta që mund të çojnë drejt humbjes së funksionit të veshkave janë edhe faktorë të tillë, si: “Gurët në veshka dhe bllokimi prej tyre i rrugëve urinare, dëmtimet e lindura të rrugëve urinare, siç mund të jetë kthimi i urinës mbrapsht lart në veshka, lupusi dhe sëmundje të tjera të sistemit imun, sëmundjet e trashëguara siç është veshka polikistike, si dhe glomerulonefritet që janë një grup sëmundjesh që shkaktojnë inflamacion dhe dëmtim të nefroneve të veshkës”. Për të shmangur rrezikun që mund të vijë prej tyre, është mirë që të paktën një herë në vit të çdo njeri të ekzaminohet tek mjeku specialist në lidhje me gjendjen e funksionimit të veshkave, ndërsa në rastet kur keni të pranishëm faktorët e përmendur të rrezikut, kontrollet duhet të jenë edhe më të shpeshta.

Ndryshimi i simptomave në stadet e hershme dhe të rënduara të sëmundjes

Mjekët thonë se shenjat e hershme të sëmundjes kronike të veshkave janë të fshehta, çka bën që pacientët të mos e kuptojnë që në stadet fillestare sëmundjen. Ndaj apelojnë për mosneglizhim të kontrolleve mjekësore rutinë, veçanërisht në rastet kur konstatoni faktorët e rrezikut. Ndër shenjat që duhet të tërheqin më shumë vëmendjen tuaj për një dëmtim kronik të veshkave janë prania e simptomave të tilla, si: “Dobësi pa shkak, mungesë e theksuar përqendrimi, mungesë oreksi, pagjumësi, ngërçe gjatë natës, ënjtje të këmbëve dhe përreth syve sidomos në mëngjes, tharje të lëkurës dhe kruarje, urinim i shpeshtë dhe sidomos gjatë natës, si dhe etje e theksuar për ujë”. Në asnjë rast këto shenja nuk duhet që t’i konsideroni si kalimtare, sikundër ndodh rëndom. Nëse sëmundja ka arritur në stadin më të rëndë, ku veshka ka humbur më shumë se 70 për qind të funksionit të sajë, shenjat tipike që shfaq pacienti janë: “Anemia e theksuar, lodhja e vazhdueshme, dhimbjet e forta të kokës, të përzierat, rënia e oreksit, të vjella, ngërçe të muskujve, urinim i shpeshtë gjatë natës, kruarje, vlera të larta të presionit arterial, ënjtje, ndryshime të ciklit menstrual, pakësim të sasisë së urinimit, si dhe etje e theksuar.

Në këtë rast trajtimet janë mjaft të mundimshme për pacientin. Kjo pasi në këtë stad të sëmundjes është e nevojshme fillimi terapisë renale zëvendësuese, hemodializë, dializë peritoneale, apo transplanti i veshkës në rastet kur është e mundur. “Në shumë të sëmurë, edhe pse veshkat janë të dëmtuara, ato mund të vazhdojnë të prodhojnë urinë, por efikasiteti i tyre në eliminimin e toksinave (helmeve) nga gjaku, si p.sh. të uresë, është i dëmtuar. Për këtë arsye, këto substanca, do të vazhdojnë të qarkullojnë dhe të grumbullohen në organizëm. Prandaj ju nuk mund të vlerësoni funksionin e veshkës vetëm nëpërmjet sasisë së urinës së prodhuar. Disa të sëmurë edhe në stade shumë të përparuara të sëmundjes apo edhe në dializë mund të vazhdojnë të prodhojnë një sasi urinë. Në rastet kur dëmtimi i funksionit të veshkës avancon shumë bëhet i nevojshëm fillimi i terapisë renale zëvëndësuese me dializë apo transplanto”, bëjnë me dije mjekët e QSUT-së, kundrejt nevojës së theksuar për mosneglizhimin e kontrolleve rutinë për të zbuluar sëmundjen që në stadet më të hershme. .

Analizat dhe ekzaminimet që duhet të kryeni

Ekzaminimet e nevojshme janë: “Matja e presionit arterial, si dhe analiza e urinës. Proteinat janë substanca që normalisht nuk eliminohen me urinë. Diagnostikimi dhe vlerësimi i funksionit të veshkës do të ndihmojë për ndjekjen dhe fillimin e mjekimit me qëllim ngadalësimin e dëmtimit të funksionit të saj. Në rastet kur veshkat tuaja janë të dëmtuara, atëherë proteinat, apo albumina kalojnë në urinë. Prania e vazhdueshme e albuminës në urinë mund të jetë një shenjë e hershme e dëmtimit të veshkave. Gjithashtu, duhet që të bëni një analizë gjaku për matjen e nivelit të kreatinemisë, matja e filtracionit glomerular, apo GFR, që tregon nivelin e funksionit të veshkës, ekografi të aparatit urinar. Ky ekzaminim jep të dhëna mbi madhësinë dhe formën e veshkës, praninë ose jo të bllokimit të rrugëve urinare, të gurëve në veshkë, apo tumoreve të aparatit urinar, si dhe një analizë e gjakut komplet. Sa më herët të kryhen këto kontrolle aq më të larta janë shanset për të parandaluar kalimin e dëmtimit të veshkave në stad kronik.

Masat që duhet të merrni

Janë një sërë masash që mund të merrni për të parandaluar dëmtimin kronik të veshkave. Ndër më kryesoret është kontrolli i tensionit të lartë të gjakut. Sipas bluzave të bardha të QSUT-së, përveç mjekimit me medikamenteve që ulin presionin e gjakut, duhet domosdoshmërish të ndryshoni mënyrën e jetesës. Duhet të respektoni dietën e rekomanduar nga mjeku, të pakësoni sasinë e kripës në ushqim. Duhet të masni rregullisht tensionin disa herë në javë, t’i shënoni këto të dhëna dhe t’ia tregoni mjekut tuaj në vizitën e radhës për të vlerësuar si duhet rrezikun që mund të keni për dëmtim të veshkave, apo organeve të tjera. Një masë tjetër që duhet të merrni është edhe mbajtja e niveleve të duhura të sheqerit në gjak. Kjo është e domosdoshme sidomos për ata të sëmurë që vuajnë dhe nga diabeti.

Matja e nivelit të hemoglobinës së glukozuar (HbA1C) tregon nëse niveli i sheqerit në gjak ka qenë brenda vlerave të normës gjatë tre muajve të fundit. Nëse ky nivel është mbi vlerën e rekomanduar atëherë duhet të konsultoheni me mjekun për të bërë ndryshimet e duhura në dietë dhe në terapi. HbA1C duhet të jetë më pak se 7 në të sëmurët që janë në stad të avancuar të sëmundjes. Këshilla të tjera që nuk duhet neglizhuar janë edhe pakësimi i sasisë së proteinave në dietë, ruajtja e nivelit të yndyrave në gjak. Konkretisht, niveli i yndyrave në gjak shikohet në një analizë gjaku të bërë esëll në mëngjes. Në rast se e keni nivelin e kolesterolit mbi 240 mg/dl keni risk më të lartë për sëmundje të zemrës. Trigliceridet duhet gjithashtu të maten. Ushqimet që përmbajnë shumë trigliceride janë: gjalpi, margarina, vaji, alkoli. Nuk duhet të pini duhan, teksa duhet të bëni kujdes edhe me përdorimin e disa medikamenteve, për shkak të efekteve anësore që mund të kenë.

Dëmtimi kronik i veshkave shkaktohet nga:

Infeksionet urinare të përsëritura.
Diabeti .
Presioni i lartë i gjakut.

Faktori gjenetik..
Gurët në veshka dhe bllokimi prej tyre i rrugëve urinare.
Dëmtimet e lindura të rrugëve urinare, për shembull kthimi i urinës mbrapsht lart në veshka.

Lupusi dhe sëmundje të tjera të sistemit imun.
Sëmundjet e trashëguara si p.sh. veshka polikistike.
Glomerulonefritet, që janë një grup sëmundjesh që shkaktojnë inflamacion dhe dëmtim të nefroneve të veshkës.

Për të ngadalësuar dëmtimin kronik të veshkave këshillohet:

Trajtim i kujdesshëm i tensionit arterial.
Evitim i medikamenteve që mund të dëmtojnë funksionin e veshkës.
Ruajtjen e nivelit të sheqerit në gjak në rast se vuani nga diabeti.

Ndryshim i mënyrës së ushqyerjes dhe qasjen drejt një diete të shëndetshme.
Kryerjen e kontrolleve mjekësore rutinë.

Marrjen e ndihmës mjekësore menjëherë pas konstatimit të simptomave të përmendura

Kryerjen e aktiviteteve fizike të rekomanduara nga mjeku.

Medikamentet të cilat duhet t’i evitoni

Duhet të evitoni përdorimin e:

Antiacidet që përmbajnë magnesium.
Përdorni aspirin vetëm nëse iu rekomandohet nga mjeku.

Anti inflamatore jo asteroide, si përshembull “Ibuprofen”.
Vitaminat apo suplementet ushqimore që përmbajnë kalilum dhe magnesium.
Preparatet me origjinë bimore.