Ballina Aktualitet Rektori Vullnet Ameti: Lamtumirë profesor, pushofsh në paqe!

Rektori Vullnet Ameti: Lamtumirë profesor, pushofsh në paqe!

TELEGRAM NGUSHËLLIMI

Me pikëllim të thellë e pranova lajmin për ndarjen nga jeta të profesorit tonë, ligjëruesit shembullor në Fakultetin Filozofik, Prof. Dr. Galip Veliut.

Profesori ynë i respektuar, anëtar i Senatit në Universitetin tonë, mësimdhënës në programin studimor të Filozofisë, angazhohej në vazhdimësi si në mësimdhënie, punë praktike, në edukimin e studentëve, por me një përkushtim të rrallë edhe në hulumtimet shkencore.

Prof. Dr. Galip Veliu si anëtar, bashkëpunëtor në shumë asociacione, shoqata dhe institucione të tjera, i ka shërbyer më tërë qenien e tij komunitetit akademik dhe interesit qytetar në vendin tonë dhe më gjerë.

Ishte autor dhe bashkëpunëtor i një numri të madh projektesh me karakter civil, arsimor-shkencor.

Profesor Galipi ndërroi jetë si mësimdhënës i arsimit sipëror në gjuhën shqipe, si njëri nga ligjëruesit e respektuar në institucionin tonë, duke na lënë pas kujtimin më të mirë, sidomos neve që patëm nderin ta kemi në stafin akademik.

Familjes Veliu, kolegëve, studentëve dhe miqve të tij, u shprehim ngushëllimet më të thella për ndarjen nga jeta të profesorit dhe intelektualit të nderuar.

Lamtumirë profesor, pushofsh në paqe!

Prof. Dr. Vullnet Ameti
Rektor i Universitetit të Tetovës

“Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi”

Me dhimbje të thellë morëm lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të profesorit, mikut, dostit dhe shumë të dashurit tonë prof. dr. Galip Veliu.
Në emër të BFI-së Myftinia e Tetovës, në emrin tim personal dhe në emër të të gjithë besimtarëve, shprehim ngushëllimet më të sinqerta, stafit akademik të të gjitha universiteteve ku ka vepruar, të Universitetit të Tetovës, në veçanti, familjes, shokëve dhe miqve të tij. E lusim Allahun Fuqiplotë, që rahmetliun ta shpërblejë me xhennet, ndërsa familjarëve t’u japë sabër.

“Çdo mendim nuk është dije, ndërsa çdo dije është një mendim. Çdo shprehje nuk është dije, as çdo gjë e shkruar nuk prezanton dije. Pasi që çdo mendim nuk është dije, atëherë, si do t’i klasifikojmë mendimet, cilin mendim do t’a quajmë dije e cilin jo?”

Ky ishte një ndër problemet e shumta filozofike që shtronte Profesor Galip Veliu, i cili mbrëmë u nda nga kjo jetë. Dorëzoi shpirtin me fytyrë të buzëqeshur, i ulur në karriken e tij të punës, në zyrat e Fondacionit DITURIA.

Ky njeri ka shkolluar me mijëra studentë. Ishte i pari mes nesh, ishim nxënësit e tij.

Zemrat tona janë të thyera sot, por jo edhe morali ynë. Na mësoi se vdekja nuk është mallkim e as fund, përkundrazi.
Një jetë të tërë kushtuar diturisë.

Veprat e Profesor Galip Veliut nuk përfundojnë me të, do të zgjasin deri sa të shuhet nxënësi i tij i fundit. Çdo punë të mirë që do ta bëjmë ne, një pjesë e meritës do t’i kalojë edhe atij.

I përkiste grupit të dijetarëve, e për dijetarët dihet se çfarë ka premtuar Zoti i botrave!