Halima Aden, një modele somalezo-amerikane, ka njoftuar se po largohet nga sfilata sepse industria e modës po e detyron atë të heqë dorë nga besimi i saj fetar.
Në një seri postimesh në Instagram, modelja 23-vjeçare përshkroi se si puna në industrinë e modës e ndau atë nga identiteti i saj.
“Mund ta fajësoj veten time duke i kushtuar më shumë vëmendje mundësisë që më paraqitej sesa asaj që ishte në të vërtetë në rrezik,” shkroi Aden, një nga modelet e para që mbante hixhab ndërsa prezantonte produktet e industrisë së modës.
Pavarësisht se përbënte një sukses si një grua muslimane me lëkurë të errët, Aden pretendon se ajo shpesh ndihej nën presion dhe se kishte përjetime të pakëndshme gjatë seksioneve fotografike.
Ajo deklaroi se pushimi për shkak të pandemisë së virusit koronar “i hapi sytë”.
“Më në fund e kuptova se ku gabova”, tha Aden, e cila lindi në një kamp refugjatësh në Kenia dhe erdhi në SHBA në moshën 7-vjeçare.
Gruaja e parë e mbuluar në konkursin Miss Minnesota
Në një postim të veçantë, me një foto të saj dhe nënës së saj, Aden shkruajti: “Unë reagoj për veten time, por edhe për të gjithë njerëzit që kanë humbur shpirtrat për shkak të modës”.
Aden u bë e famshme katër vjet më parë, kur ishte gruaja e parë që mbante hixhabin, duke kandiduar për Miss Minnesota.
Ajo më pas u shfaq në kopertinën e British Vogue, dhe së shpejti në pistën e Javës së Modës në New York.
Ajo ishte modelja e parë me një hixhab me rroba banje burkini me trup të plotë në edicionin vjetor të Sports Illustrated.
Përdorues të shumtë të Twitter-it e lavdëruan Aden për qëndrimin kundër industrisë së modës.