Një pjesë e banorëve të fshatit Daullas në Fier kanë kundërshtuar ditën e sotme vendimin e qeverisë për ndërtimin e spitalit rajonal në tokat e tyre.
Disa prej tyre janë pro ndërtimit dhe disa të tjerë e kundërshtojnë këtë plan.
Sipas korrespodentit të Top Channel në Fier, janë 10 familje që preken dhe nuk janë dakord me çmimin prej 260 lekësh për metër katror. Banorët që preken nga plani i ndërtimit të spitalit thonë se ajo tokë është e vetmja burim jetese për ta dhe se çmimi është shumë i ulët.
Tokat bujqësore banorët i përdorin për mbjellje dhe të ardhurat familjare, pasi është i vetmi mjet jetese për këto familje. Aktualisht pranë fermerëve ka mbërritur kryebashkiaku Subashi, i cili po bisedon me ta për të gjetur një zgjidhje.
Pas dëgjesës publike që kanë pasur ditën e djeshme me kryebashkiakun Subashi, banorët që preken nga ndërtimi i spitalit rajonal janë indinjuar pasi sipas tij spitali do ndërtohet, duan apo s’duan banorët.
Presidenti i Turqisë, Recep Taypp Erdogan i premtoi kryeministrit Edi Rama gjatë vizitës së tij në Ankara, se më 7 prill spitali rajonal i Fierit do të jetë gati.
Më 9 janar, Rama shkoi në Fier për të caktuar vendin ku do të hidhen themelet e spitalit të ri.
Ai tha se për një periudhe kohe te pacaktuar, spitali i Fierit do të administrohet nga një staf turk e me pas kompetencat do i kalohen drejtuesve shqiptarë.
Rama theksoi se pas përcaktimit të zonës, me pronaret e tokës do lidhet marrëveshje për shpronësimin e tyre.