Ballina Aktualitet Nëna e saj humbi jetën pak ditë më parë, Fiori Dardha përlot...

Nëna e saj humbi jetën pak ditë më parë, Fiori Dardha përlot sërish: Buzëqeshjen e fundit, ia dhuroi 1 mjeku

Gazetarja Fiori Dardha, ka përlotur sërish nëpërmjet një postim në rrjetin social ‘Facebook’, mbi ndarjen nga jeta të nënës së saj.

Gazetarja shkruan se ka lexuar çdo mesazh dhe shpreh falënderime të sinqerta për miqtë real dhe ata virtual.

Në këtë mesazh të gjatë në mes falënderimeve për çdo njeri që u solidarizua me këtë humbje të madhe, moderatorja kujton momente të rëndësishme që ka ndarë me nënë e saj të ndjerë.

Dardha thotë se për vite me radhë nëna e saj luftoi me kancerin, por gjithmonë ka qenë një paciente shembullore.

Sipas saj, ajo gjithmonë zbatonte me përpikëri këshillat e mjekëve dhe buzëqeshjen e fundit, ia dhuroi një mjeku.

Postimi i plotë

Gjatë viteve që nëna ime luftonte me të mallkuarin kancer, herë pas here kam ndarë me ju foto, ndjesi, gëzimin kur fitonim një betejë dhe guximin për t’u përballur me një tjetër sfidë. Mbrëmjeve, i lexoja mamit komentet tuaja. Emocionohej, përlotej, motivohej dhe merrte kurajë nga fjalët tuaja!

Të njëjtën gjë kam bërë edhe këto ditë.

Mbrëmjeve, kur miqtë largoheshin dhe shtëpia dukej më bosh se kurrë ndonjëherë, kam lexuar mesazhet tuaja. Jam përlotur dhe emocionuar pafund, por mbi të gjitha jam ndierë krenare për nënën time!

Ju falenderoj që më jeni gjendur pranë (qoftë edhe virtualisht)! Janë me mijëra komente dhe mesazhe që më kanë ngrohur shpirtin në këto ditë tepër të vështira!

Mami im më ka dhënë një nga leksionet më të rëndësishëm në jetë: të jem mirënjohëse!

Më thoshte përherë:

“Kur të mos jem më, mos pyet Zotin ‘Pse?’, mos e mundo veten me ‘Po sikur…’

Mos qani me ulërima! Mos mallkoni! Mos mbani zi! Mos lejoni t’ju mposhtë trishtimi! Më kujtoni përherë duke qeshur!

Njeriu duhet të tregojë dinjitet edhe në dhimbje!”

Sot, me sytë nga qielli them:

“Faleminderit Zot për kohën që e patëm mes nesh Syshkruarën tonë!”

Dua të shpreh publikisht mirënjohjen time për të gjithë mjekët, infermierët dhe personelin spitalor (të Shërbimit Onkologjik, por edhe gjithë shërbimet e tjerë), që u kujdesen për kaq vite për shëndetin e mamit tim!

E shtrenjta ime ishte një paciente shembullore që zbatonte me rigorozitet çdo këshillë të mjekëve.

Edhe buzëqeshjen e fundit, ia dhuroi një mjeku, dr.Maksi Bashos, të cilit i jemi mirënjohës përjetë!

Këto ditë jam ndierë me fat që jam e rrethuar nga miq të mirë dhe mbi të gjitha, që Zoti (përveç motrës biologjike), më ka dhuruar edhe një motër tjetër (#MeTyeKamELONA)

FALEMINDERIT TË GJITHËVE!

Përpiquni t’i bëni të lumtur prindërit sa kohë i keni pranë!

Prindërit nuk kanë nevojë për para, por për kohën, vëmendjen dhe përkushtimin tonë!

P.S: Këto net, kur gjumin ma ka vjedhur dhimbja, kam lexuar tek – tuk, edhe komente te tipit: “Nëna i ka ndërruar jetë, kjo ka shkruar status… si i ka shkuar në mend të postojë në FB dhe Instagram?”

Për këto lloj gjallesash kam vetëm një përgjigje:

“Shpresoj që ju të keni bërë, ose të bëni për nënat tuaja, qoftë edhe çerekun e përpjekjeve që kam bërë unë për ta patur sa më gjatë pranë mamanë time!”