Në Komunën e Fushë Kosovës janë përmbytur shumë rrugë. Raportohet bodrumet e banesave janë mbushur me ujë ndërsa shumë vetura janë përmbytur si pasojë e përmbytjeve.
Banorët e një lagjeje të Fushë Kosovës thonë se dëmet që janë shkaktuar kanë qenë shumë të mëdha derisa sipas tyre ndihma e institucioneve shtetërore ka munguar.
“Uji që ka filluar të rrjedhë nga ora 1:00 pas mesnate na është futur nëpër bodrume. Rreth 200 vetura na kanë mbetur në bodrume të cilët i ka përmbytur tërësisht uji”, shprehet qytetari Arianit Dreshaj për RTV Dukagjinin.
“Shiu ka shkaktuar dëme të mëdha. Veturat komplet i ka përmbysur uji. Nuk dihet që ka vetura në garuzhda. Kemi pritur shtatë orë deri kanë ardhur zjarrfikësit që së paku ndonjë kerr me shpëtua”, thotë qytetari tjetër Mujë Zabeli.
Një tjetër qytetarë thotë se vërshimet kanë shkaktuar dëme në mall dhe pajisje.
“Këto vërshime më kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale. Vetëm në punëtori më ka shkaktuar dëm rreth 70 mijë euro”, deklaroi qytetari Rrustem Mustafa.
Për shkak të kësaj situate disa qytetarë u konfrontuan me ndërtuesit e banesave pasi sipas tyre ndërtimi i keq ua ka sjellë këto përmbytje.