Kryebashkiaku Erion Veliaj ka uruar për 85-vjetorin shkrimtarin e dashur Ismail Kadare.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Veliaj fton qytetarët që në këtë ditë të shënuar, të vizitojnë “Studio Kadare”, në Rrugën e Dibrës.
“Gëzuar 85-vjetorin Ismail Kadare, xhevahiri i letërsisë moderne shqiptare! Nëse nuk e ke vizituar ende “Studio Kadare”, në Rrugën e Dibrës, sot është një ditë e veçantë për t’u njohur me shtëpinë ku shkrimtari ynë i madh krijoi veprat e tij të paarritshme”, shkruan Veliaj.
Me dakordësinë edhe të familjes Kadare, Bashkia e Tiranës vendosi që banesën e shkrimtarit ta kthejë në një muze i cili hapi dyert për publikun më 25 maj 2019.
Muzeu ka si qëllim të tërheqë një audiencë gjithëpërfshirëse dhe t’u paraqesë vizitorëve vendas dhe të huaj vlerat e veprave të Kadaresë dhe punën e jashtëzakonshme që ai ka arritur gjatë jetës së tij.