Ballina Aktualitet Kultura Qerim Panariti, një leksion par excellence, gazetarisë së sotme shqiptare

Qerim Panariti, një leksion par excellence, gazetarisë së sotme shqiptare

Petrit F. ZENELI

Ishte i pari gazetar shqiptar i diplomuar në SHBA, në Universitetin Clark të Worcesterit, më 1926, në moshën 34-vjeçare, duke marrë dhe medaljen “W. Franklin” për rezultate të shkëlqyera.

Qerim Panariti quhej, nga Panariti i famshëm i Korçës, i djemve të talentuar e virtuozë; gazetar profesionist, editor, historian, biograf, analist dhe militant veteran i orëve të para të “Vatrës. I gjendur atëhere në mes dy titanëve të mendimit dhe letrave shqipe, i dy kundërshtarëve më të ashpër por dhe më të dashuruarit e vlerave gjeniale respektive, Fan Nolit dhe Faik Konicës, asnjëherë nuk qëndroi nën hijen e tyre, por ruajti personalitetin e tij të pacënuar, duke u njohur korifejve çdo vlerë e meritë, por dhe kritikuar çdo të metë e gabim.

Vetëm në këtë mënyrë ai bëri emër të madh si gazetar patriot e demokrat, por dhe si intelektual klasi, jo vetëm për nga mençuria, urtësia, kultura e gjerë e solide, por edhe nga mendimet e pavarura e tepër të guximshme, që flisnin qartë për karakterin dhe dinjitetin e tij. Çfarë mendonte konkretisht ai për Fan Nolin, shprehur në ditarin e tij:

– 21 janar 1936, – Pata një bisedë me F. Nolin. Ai është njeri interesant, i kulturuar dhe i mirëinformuar, por rrëshqitës dhe inatçi.

– 19 korrik 1938, – Fan Noli është deri diku i pakënaqur, lidhur me një artikull timin për të, ku unë e akuzoj për mosçuarjen deri në fund të Reformës Agrare, propozuar prej tij.

– 31 tetor 1944, – F. Noli është duke punuar për organizimin nga të gjitha kishat që të dërgojnë telegrame forcave aleate për njohjen e qeverisë shqiptare të Beratit. Noli ish një person kompleks dhe ekstraordinar i shumanëshëm nga çdo pikëpamje, i thellë dhe i gjerë nga mejtimet, enciklopedik nga dituria, “rebel” që nga vegjëlia dhe një gjigant intelektual.

Shtrohet pyetja, cili gazetar apo lider politik tek ne, analizon me kaq kulturë kundërshtarin, duke e goditur pa e denigruar, duke i njohur meritat dhe te metat. Shumë rrallë, për të mos thënë fare! Gazetaria tek ne bëhet nul, kur i drejtohet liderit të opozitës: ju keni vjedhur 250 milion euro tek rruga e kombit, përse i shmangeni gjykimit….etj (duke e bërë fakt të kryer), në vend që të thotë, flitet ose akuzoheni nga kundërshtarët se, etj etj. Apo e kundërta. I drejtohen liderit të maxhorancës: ju jeni kriminel e hajdut pasi bashkëpunoni me bandat.. etj, pa përdorur fillimisht fjalën, akuzoheni se… etj etj.

A s’është tek ne sot problem i madh realizmi, pavarësia dhe paanshmëria e gazetarisë dhe medjave në tërësi?! Sigurisht që po! Pse gazetarët tanë, pasi braktisin çdo etikë profesionale (jashtë dëshirës), pozicionohen në dy llogore të kundërta, në luftë për jetë a vdekje me njëri-tjetrin, duke u shërbyer me verbëri sponsorve politikë, pozitë-opozitë!

A nuk është medja pushteti i katërt i një shoqërie demokratike, pas atij legjlislativ, ekzekutiv e gjyqësor, e që ka për funksion të informojë me vërtetësi publikun dhe të krijojë një tribune, ku publiku të thotë lirshëm fjalën e tij?! Pooo! Veçse në teori është kështu, pasi në praktikë, tek ne, ai gati-gati është pushtet i parë, që nuk dallohet fare nga tre të tjerët, e që i merr frymën popullit nga mëngjesi në mbrëmje, duke u kthyer në hetues, prokuror e gjyqtar në shërbim të pronarit të medjas (që i jep rrogën) prapa të cilit qëndron x parti. Shkurt, shkaku është paraja! Pamundësia për të mbijetuar financiarisht, i detyron mediat të futen nën ombrellën e dikujt e të vdesin profesionalisht, duke mbjellë urrejtje, kaos e anarshi në vend, që u shkon shumë përshtat partive të mbijetojnë!

Nëse mediat tek ne do të ishin fitimprurese e të pavarura, ato me siguri do shkëlqenin në profesionin e tyre, pasi gazetarë të ditur e të zot nuk i mungojnë këtij vendi. Megjithatë, gazetaria kurrësesi nuk është vend pasurimi, por vend misioni të shenjtë, patriotizmi, sakrifice e idealizmi.

Është kjo arsyeja që gazetari i shquar italian, Indro Montaneli, në leksionin e tij të fundit për gazetarinë, mbajtur në Universitetin e Torinos, në 12 maj 1997, shkruan: “Po, ne jemi përherë të paguar pak, sepse ky zanat nuk bëhet për lekë. Përkundrazi, në rast se takoni një gazetar të pasur, mos e besoni! Gazetaria nuk të çon në pasurim, mund të të çojë në mirëqenie, për hir të së vërtetës. Unë nuk ankohem, kam aq sa më mjafton, bile edhe më shumë për të jetuar mirë. Por, një gazetar i pasur është një gazetar që qelb erë, sepse ka shfrytëzuar zanatin për të arritur qëllime të tjera. Një gazetar që skllavëron zanatin, – duke i kërkuar ndjesë Prokurorit, – unë do ta pushkatoja”.

Po Qerimi, cili ishte, sipas studjuesit Nasho Jorgaqi?! E nisi nga hiçi dhe falë vullnetit të hekurt e inteligjencës, etjes për dituri dhe krenarisë së origjinës, i frymëzuar gjithnjë nga një ideal patriotik, arriti, përmes sakrificash e mundimesh të panumërta, të studiojë, të krijojë personalitetin e vet dhe të çmohet lart, pa arritur të bëhet kurrë i pasur.

I lindur në Panaritin e thellë malor, më 1892, pasi njohu mjerimin dhe shtypjen e një fshatari të varfër, shkoi në Amerikë në moshën 14-vjeçare për të fituar bukën e gojës. duke punuar rëndë si argat në ndërtim e bujqësi, si kovaç e bari, pa lënë mënjanë formimin dhe shkollimin e tij. Ndërkaq, duke përjetuar fatin e atdheut të robëruar, më 1911, hyn në një çetë vullnetarësh dhe vjen në Shqipëri për të luftuar, si një ushtar besnik i lirisë së atdheut.

Në 1916-ën, kthehet rishtas në SHBA dhe vendoset në Boston, ku njihet me motrat Qiriazi. Ato do ta ndihmojnë, që pa u shkëputur nga puna si punëtor hekurudhe dhe ferme, të ndjekë Akademinë e Lirë të Hitchcock të Brimsfildit. Edhe kur e morën ushtar dhe e çuan në Teksasin e largët, ai nuk do t’i ndante librat, deri sa kreu universitetin për gazetari.

Zgjedhja e gazetarisë si profesion, nuk ishte e rastësishme për Qerim Panaritin. Duke qenë i lidhur ngushtë me lëvizjen kombëtare dhe aksionet e saj patriotike, ai e vështronte shtypin si sferën më të rëndësishme të jetës politike dhe shoqërore të shqiptarëve të Amerikës.

Për afro 25 vjet (1940-1963), “Dielli” do të botohet nën drejtimin e tij, duke shënuar kështu një nga periudhat e veta më të frytshme dhe mbetur kryeredaktori më jetëgjatë i “Diellit”. Në qoftë se në vitet ’40-‘50, gazetari demokrat, i entuziazmuar nga heroizmi i popullit shqiptar në luftën për çlirim dhe rindërtim, do të vihet ne mbrojtje të shtetit të ri shqiptar, duke e pasqyruar gjerësisht në gazetë, më pas, ai do të zhgënjehet dhe do të vihet në opozitë e konflikt të hapur me të, kur mori vesh pushkatimet pa gjyq dhe shkeljen flagrante të të drejtave të njeriut. Ky është gazetari model, që lind e vdes si rob i së vërtetës!

Qerim Panariti jetoi 84 vjet dhe mbylli sytë në mërgim, në vitin 1976, i zhuritur nga malli dhe dëshira e zjarrtë për të parë atdheun e dashur për të cilin ai kish shkrirë tërë jetën! Ky është Panariti, që ne vakëfllinjëve na bën të ndihemi krenarë, jo vetëm para Korçës, por para gjithë kombit!

@tn.lajmelokale
@tetovanews