Me tubimin e sotëm më Komunën e Zhelinës, Bashkimi Demokratik për Integrim ka vazhduar fushatën parazgjedhore duke prezantuar kandidatin për kryetar të kësaj komune Fatmir Izairi, listën e kandidatëve për këshilltarë të kryesuar nga Sheval Sulejmani, si dhe programin zgjedhor që është përbetimi i tyre për ndryshimin dhe zhvillimin në Zhelinë.
Banorëve të Zhelinës iu drejtuan kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, Zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, kandidati për kryetar komune Fatmir Izairi dhe bartësi i listës së kandidatëve për këshilltarë Sheval Sulejmani.
Kryetari i B D I-së, Ali Ahmeti në fjalimin e tij ka shprehur përkrahjen maksimale ndaj kandidaturës së Fatmir Izairit duke e vlerësuar lartë punën e tij tashmë të dëshmuar në kohë kur ishte në krye të kësaj komune duke thënë se është njëri nga kryetarët që ka realizuar më së shumti projekte në Zhelinë.
Kandidati për kryetar të komunës së Zhelinës prezantoi objektivat e programit të tij për zhvillim dhe jetë cilësore në Zhelinë.
“Bashkimi Demokratik për Integrim vendosi që të shpalosë agjendën e gjelbër, një agjendë e cila është në përputhje të plotë me të gjitha vendet e zhvilluara. Kjo nuk është thjeshtë një fjali, por në vete ngërthen një mori veprimesh të studiuara e të përpiluara mirë se si të realizohet ajo. Kryefjala e programit tim është uji i pijshëm për çdo shtëpi, eleminim të ujërave të zeza, rrugë të asfaltuara, shkolla, shëtitore, salla sportive, gjelbërime etj. Një program tek i cili do keni qasje të gjithë.” – tha mes tjerash Izairi në fjalimin e tij.