PDSH prezantoi mbrëmë para banorëve të Dobërdollit, programin zgjedhor për Vrapçishtit, që përfshin infrastrukturën, arsimin, politikën sociale, rininë e kulturën.
“Kemi vizion dhe projekte konkrete afatgjata. Do të përkujdesemi për përmirësimin e infrastrukturës rrugor, përmirësimin e mirëqenies sociale, përmirësimin e arsimit në shkolla me kuadro profesionale të përgatitura mirë. Në të gjitha vendbanimet ku mungojnë kanalizimi i rrjetit të ujësjellësit, do mundohemi t’i zgjidhim këto probleme”, deklaroi Irfan Sherifi, kandidati për kryetar të komunës së Vrapçishtit –PDSH.
Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi kërkoi votën që për siç ai tha, komunat të marrin paratë e merituara nga buxheti i shtetit.
“Buxheti i komunave ku jetojnë shqiptarë është shumë i vogël, për të pasur propozime të projekteve të mëdha kapitale. Për t’u rritur ky buxheti, duhet t’i jepni PDSH-së fuqi politike, që të mund të orientojmë për komunat pjesën e buxhetit të shtetit”, tha kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.
PDSH kërkon mbështetje për kandidatët e saj në çdo komunë ku garojnë. Thanë se nëse marrin mbështetjen e qytetarëve, do të tregojnë se kandidatët e tyre janë të aftë të menaxhojnë buxhetin komunal për projekte në të mirë të qytetarëve.