Veç të mirave shëndetësore, domatja mund të ndihmojë edhe në ruajtjen e pamjes rinore, duke penguar plakjen e lëkurës. Kjo perime në të vërtetë është e pasur me një substancë të quajtur likopen, ajo e cila ia jep edhe ngjyrën e kuqe asaj. Efekti më i vlefshëm i likopenit është se bllokon veprimin e radikaleve të lira, të cilat janë substanca që trupi ynë i prodhon si mbetje. Radikalet e lira, në mesin e efekteve negative, nxitin plakjen e lëkurës duke dëmtuar qelizat. Veç kësaj, ato nxitin dhe shtojnë gjasat e prekjes nga lloje të ndryshme të kancerit. Në këtë aspekt, domatet janë shumë të çmuara për bukurinë e lëkurës, është një armë efikase në parandalimin e kancerit. Sipas ekspertëve, edhe më efektive se domatja e freskët në këtë aspekt. Sipas studimeve italiane, domatja ka edhe të mira të tjera shëndetësore, veçanërisht sepse është e pasur me shumë vitamina dhe kripëra minerale të domosdoshme për shëndetin dhe bukurinë. Domatja është një nga perimet më të njohura për vlerat e saj kuruese.
Perimet luajnë një rol të rëndësishëm në organizmin e njeriut në çdo kohë dhe për të gjitha stinët. Ato përmbajnë kripëra minerale, karbohidrate, proteina, acide organike, fitoncide (antibiotikë bimorë) dhe veçanërisht vitamina. Perimet nxisin veprimin e gjëndrave të tretjes dhe ndikojnë drejtpërsëdrejti në përvetësimin e ushqimeve që treten me vështirësi. Perimet janë të pasura me kripëra të kaliumit, fosforit, kalciumit, magnezit, hekurit etj., të cilat treten lehtësisht nga organizmi i njeriut. Disa nga perimet janë të pasura me proteina në sasi të barabartë me mishin, si për shembull bishtaja (që quhet mishi i gjelbër) dhe në përgjithësi bishtajoret. Sa për vitaminat, perimet mbajnë vendin e parë. Vitaminat luajnë rolin kryesor në shkëmbimin e lëndës (metabolizmit) në organizmin e njeriut, pa të cilat jeta do të ishte e pamundur. Janë tepër të rëndësishme për jetën e njeriut vitaminat A dhe C dhe nevojat e organizmit me vitamina plotësohen duke konsumuar jo sasi, por shumëllojshmëri perimesh.
Vlerat ushqyese të domates
Për vlerat e saj ushqyese, domatja ka gjetur përdorim të gjerë. Ajo është e pasur me vitamina C dhe A. Gjithashtu, domatja përmban kripëra minerale, acide organike etj. Ndër kripërat, vend të rëndësishëm zënë potasi, fosfori, kaliumi, hekuri, magnezi raporti i të cilave krijon një ekuilibër të përsosur të ushqimit. Domatja përmban edhe antibiotikë bimorë si tomatina, e cila shërben në shërimin e sëmundjeve të lëkurës dhe të aparatit tretës. Lëngu i domates ushtron ndikim të madh në shërimin e plagëve të infektuara si dhe të ulçerave kronike. Ai vepron gjithashtu mbi sëmundjet e zemrës dhe enëve të gjakut. Domatja ndikon në kurimin e formave të lehta reumatike. Gjithashtu, ajo ka veti kuruese edhe për nefritin, artritin dhe kapsllëkun.
Pas vitaminës C dhe antioksiduesve, zbulimet e fundit për të parandaluar kancerin e vënë theksin te glikopeni, që është dhe përbërësi kryesor i domates. Për të luftuar plakjen, për të parandaluar kancerin apo për të pasur një lëkurë të bukur, asgjë nuk do të ishte më e çmuar se sa marrja gjatë vakteve të ditës të një “ilaçi” me emrin domate. Atë mund ta përdorësh të “gjallë”, në salcë, gjellë, sallatë, makarona, rizoto, supa, koktejl (koktejli i famshëm “Bloody Mary” përgatitet me lëngun e domates) apo në gatime të ndryshme, për të cilat nuk është e nevojshme të konsultohesh me ndonjë mjek apo të kesh recetë për t‘i blerë.