Ballina Kronika Vdekja e 4 turistëve rusë, prokuroria e Kavajës del me njoftimin e...

Vdekja e 4 turistëve rusë, prokuroria e Kavajës del me njoftimin e rëndësishëm: Janë marrë deklarimet e personave që kanë dijeni për ngjarjen

Në përgjigje të interesimit mediatik mbi ngjarjen e rëndë të vdekjes së 4 turistëve rusë në ambientet e një hoteli në Durrës, prokuroria e Kavajës ka informuar opinionin publik në lidhje me ecurinë e hetimeve. 

Prokuroria bën me dije se janë marrë deklarimet e të gjithë personave që mund të kenë dijeni për ngjarjen, si dhe po vijon vlerësimi i provave në raport me njëra tjetrën për të hedhur dritë mbi atë që ka ndodhur.

Në deklaratë theksohet gjithashtu angazhimi maksimal i prokurorisë për zbardhjen sa më të shpejtë të kësaj ngjarjeje.

Njoftimi i plotë i prokurorisë

Kavajë, 25 nëntor 2021. Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, ka regjistruar procedimin penal Nr. 448/2021, parashikuar në Nenin 79 “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” të Kodit Penal, për ngjarjen e ndodhur datë 15.10. 2021, me pasojë vdekjen e 4 shtetasve rusë në mjediset e SPA të hotel “Gloria Palace”.

Në përgjigje të interesimit të medias informojmë opinionin publik se deri në këtë fazë të hetimit në dinamikë janë administruar një sërë aktesh e provash në funksion të çështjes të cilat janë në verifikim nga ana e prokurorisë. Janë marrë gjithashtu deklarimet e personave që kanë dijeni për veprën penale. Të gjitha këto prova po vlerësohen në raport me njëra-tjetrën për të përcaktuar dhe ecurinë e mëtejshme të hetimit.

Duke kërkuar mirëkuptimin e medias dhe opinionit publik në ruajtjen e sekretit hetimor, sigurojmë angazhimin maksimal të prokurorisë në përfundimin e hetimeve në një kohë sa më shpejtë.

NGJARJA

Katër anëtarët e një familjeje nga Moska u gjeten te pajetë më datë 16 tetor në zonën e SPA-se ne hotel, teksa punonjësi i hotelit kishte shkuar për t’i dhënë porosine qe ata kishin bërë.

Sergey Burenkov, 60 vjeç dhe gruaja Natalya Burenkova, 58 vjeç, nga Moska, ishin me pushime në Shqipëri së bashku me  vajzën e tyre Katya, 31 vjeç dhe partnerin e saj Nikita Belousov, 37 vjeç.

Një dëshmi e rëndësishme për grupin hetimor është ajo e punonjësit të pishinës, i cili ka deklaruar se e kishte pastruar të premten në mëngjes.

Në dëshminë e tij, ky punonjës ka treguar se turistët rusë kishin kontaktuar hotelin dhe kishin kërkuar që të bëhej gati zona e SPA-së, pasi kishin nevojë për t’u relaksuar, duke qenë se kishin udhëtuar përgjatë gjithë ditës së premte. Ata kishin qëndruar disa orë në Maqedoninë e Veriut, më pas janë kthyer dhe kanë ndaluar për pak kohë në Librazhd dhe në fund kanë mbërritur në hotelin që kishin rezervuar, në Qerret të Kavajës.

Punonjësi i pishinës, ka deklaruar se pishina ka qëndruar e mbyllur për afro një javë. Një natë më parë turistët kanë kontaktuar hotelin dhe kanë kërkuar që të bëhej gati zona e SPA-së. Ai thotë se në orët e para të mëngjesit të së premtes e ka larë pishinën, ka zbrazur gjithë ujin, e ka larë me furçë, ka përdorur klorin për ta dezinfektuar dhe e ka bërë gati, që ta përdornin turistët.