Ballina Shëndeti Sa duhet të jenë normalisht rrahjet e zemrës në 1 minutë?

Sa duhet të jenë normalisht rrahjet e zemrës në 1 minutë?

Ritmi i zemrës është numri i herëve që zemra e një personi rreh në 1 minutë. Sipas Klinikës Mayo ne SHBA, pulsi normal i zemrës në gjendje qetësie për të rriturit varion nga 60 në 100 rrahje në minutë. Ritmi i zemrës së një individi në gjendje qetësie, ndryshon në varësi të moshës, madhësisë së trupit, sëmundjeve të zemrës dhe përdorimit të ilaçeve, por edhe temperaturës së ajrit rreth tyre.

Tek rrahjet e zemrës mund të ndikojnë edhe emocionet e forta, si për shembull frika. Marrja e vazhdueshme me ushtrime fizike, mund të ulë rrahjet e zemrës, duke i bërë muskujt e saj të punojnë në një mënyrë më efikase. Sipas Shoqatës Amerikane të Zemrës, një sportist i stërvitur mirë, mund të ketë një rrahje zemre në qetësi prej 40- 60 rrahjesh në minutë.

Thuhet se në kulmin e karrierës së tij, çiklisti Migel Indurain thuhet se kishte në 28 rrahje zemre në minutë në gjendje qetësie. “Zemra juaj është tek e fundit një muskul, dhe ashtu siç forconi muskujt e tjerë duke bërë aktivitete, mund të bëni të njëjtën gjë me zemrën tuaj”- thotë dr.Meri Bauman, mjeke në Qendrën Mjekësore “Integris Baptist” në Oklahoma, SHBA.

Monitorimi i rrahjeve të zemrës, mund t’ju ndihmojë të vëzhgoni formën tuaj fizike, dhe të dalloni zhvillimin e problemeve shëndetësore, nëse jeni duke përjetuar rrahje zemre shumë të shpejta, të ngadalta apo të parregullta.

Disa njerëz e ngatërrojnë presionin e lartë të gjakut me rrahjet e larta të zemrës. Presioni i gjakut është matja e forcës që ushtron gjaku tek muret e arterieve, enëve kryesore të gjakut, ndërsa rrahjet e zemrës matin sa herë rreh zemra në minutë. Pra nuk ka asnjë lidhje të drejtpërdrejtë midis presionit të gjakut dhe rrahjeve të zemrës.

Ndaj nëse keni presion të lartë të gjakut, apo hipertension, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se keni rrahje të shpejta të zemrës dhe anasjelltas. Ritmi i zemrës rritet gjatë aktiviteteve të rënda fizike, por një stërvitje e fuqishme mund të rrisë paksa edhe presionin e gjakut.

Vendet më të lehta për të matur rrahjet e zemrës, janë kyçet e dorës, brendësia e bërrylit, në anën e qafës, apo majën e gishtave të këmbës. Ekspertët rekomandojnë matjen e rrahjet e zemrës në gjendje qetësie në mëngjes, para se të ngriheni nga shtrati.

Për të rriturit 18 vjeç e lart, rrahjen normale të zemrës në gjendje qetësie cilësohen midis 60-100 rrahjeve në minutë, në varësi të gjendjes fizike por edhe moshës së personit. Nëse rrahjet janë nën 60 të minutë, kjo mund të jetë rezultat i marrjes së medikamenteve të caktuara. “Shumë medikamente që marrin njerëzit marrin, sidomos ilaçet për presionin e gjakut, siç janë bllokuesit beta, e ulin numrin e rrahjeve të zemrës”- thotë Bauman. Nëse shoqërohen me simptoma serioze, rrahje e ulëta të zemrës mund të sinjalizojë një problem që duhet analizuar. Për shembull, bradikardia është një gjendje ku rrahjet e zemrës ulen shumë, zakonisht nën 60 të rrahura në minutë, dhe ky mund të jetë rezultat i problemeve me nyjen sinoatriale, e cila vepron si stimulues i zemrës, apo nga dëmtimi i funksionimit të zemrës si pasojë e një ataku kardiovaskular apo sëmundjeje kardiovaskulare.

Në anën tjetër të spektrit, të rrahurat vazhdueshmërisht të larta mund t’i shkaktojë shumë stres zemrës dhe organeve të tjera. Nëse një person ka një ritëm të lartë të zemrës në pushim dhe po përjeton simptoma të tjera, mund të jetë e nevojshme që ai të shkojë për një vizitë tek kardiologu, thotë Bauman.

Harvard Health, thotë se në përgjithësi, të rrahurat e zemrës në nivelin 90 në minutë konsiderohen një normë e lartë. Në një studim 10-vjeçar me më shumë se 29.000 njerëz, i botuar në vitin 2011 në “The Journal of the American Medical Association”, ata tek të cilët rrahjet e zemrës u rritën nga më pak se 70 rrahje për minutë, në më shumë se 85 rrahje për minutë në gjendje qetësie, kishin 90 për qind më shumë gjasa të kishin vdekur deri në fund të studimit, krahasuar me ata të cilëve rrahjet e zemrës ishin vazhdimisht nën 70 rrahje për minutë në gjendje qetësie.

Ritmi i zemrës mund të rritet për shkak të nervozizmit, stresit, dehidratimit dhe sforcimit të tepruar. Ulja, frymëmarrja e ngadaltë dhe e thellë dhe hidratimi, mund të ndihmojnë në këto raste në uljen e rrahjeve të zemrës.

Në planin afatgjatë, kryerja ushtrimeve të rregullta fizike mund të ndihmojë me kalimin e kohës në uljen e rrahjeve të zemrës suaj në gjendje qetësie. Sipas Harvard Health, pirja e duhanit shton rrahjet e zemrës, pjesërisht për shkak të efekteve të nikotinës tek enët e gjakut. Ndaj lënia e duhanit, mund të ndihmojë gjithashtu në uljen e rrahjeve të zemrës në një normë të shëndetshme. / Livescience – Bota.al