Ballina Aktualitet KQZ hoqi “Rithemelimin” nga “Shtëpia e Lirisë”, Çlirim Gjata: Formalitete, kandidatët janë...

KQZ hoqi “Rithemelimin” nga “Shtëpia e Lirisë”, Çlirim Gjata: Formalitete, kandidatët janë tanët

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve regjistroi sot koalicionin “Shtëpia e Lirisë”, duke hequr prej tij Komisionin e Rithemelimit të Sali Berishës. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi tha simbolet e PD nuk mund të pranohen në koalicion pasi cënohet interesi i Partisë Demokratike.

Ndërsa komentonte vendimet e marra sot nga KQZ, ish-sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Demokratike Çlirim Gjata u shpreh në “Radari Informativ” në ABC se bëhet fjalë për formalitete që nuk ndryshojnë asgjë në mënyrën sesi do të organizohet gara.

Për Komisionin e Rithemelimit rëndësi ka që koalicioni “Shtëpia e Lirisë” mes LSI-së dhe PDK-së garon me gjashtë kandidatët e tyre për kryetarë bashkie. Gjata tha se askush nuk i ndalon dot që ndërsa kandidatët bëjnë fushatë të pranishëm të jenë mijëra flamurë e logo të PD-së.

“Do ketë mijëra flamurë të PD aty, le të shkojnë e të ankohen….çfarë do u bësh mijëra demokratëve aty?”

Ndërsa tha se kryedemokrati Lulzim Basha është në pikë të hallit, Çlirim Gjata u shpreh i bindur se “Rithemelimi” do të dalë fitues në të gjashta bashkitë.

“Pika e tij me ardh dita që PD me e mund LSI-ja, që ka që nga 2005 e këtej që është e treta. Për të 6 bashkitë i kanë mundësitë, Dibra, Shkodra, Vora janë bastione. Durrësin, nga 2007 e këtej e ka qeverisur Rama me grupe kriminale. Do t’i përdorë prapë. Synohet t’i fitojmë të 6.”

Ish-sekretari ligjor i PD-së e hodhi poshtë mundësinë e krijimit të një partie të re nga grupi i Berishës. Sipas tij, PD po rithemelohet, po ngrihet nga hiri.

“Harrojeni të krijojmë parti të re. PD është dhe do të ngrihet.”