Duket se sezoni i ardhshëm do ta gjejë Bayern Munich me shumë “fytyra” të reja në skuadër, teksa në merkaton e verës bavarezët do të jenë të detyruar për të zbatuar një mini-revolucion.
Robert Lewandowski ka bërë të qartë dëshirën për t’u larguar nga Gjermani e së bashku me polakun, edhe Serge Gnabry mund të përfitojë një eksperiencë të re pasi nuk ka bindur stafin teknik dhe drejtuesit e klubit ndërsa ka ende një vit kontratë.
Por, për të zëvendësuar dy yje, drejtuesit e klubit janë “hedhur” në sulm për të siguruar firmën me katër lojtarë të tjerë ku sigurisht objektivi më i spikatur është Sadio Mane.
Së fundmi, ka pasur zëra se agjenti i lojtarit të Liverpool është takuar me përfaqësuesit e Bayern Munich teksa senegalezi është futur në vitin e fundit të kontratës me Liverpoolin.
Nga ana tjetër, një objektiv që mund të zëvendësonte Lewandowskin është Sebastian Haller i Ajax. Sulmuesi shtatlartë ka statistika shumë të mira në sezonin e fundit, por këtu Bayern mund të hasë në konkurrencën e Dortmund që gjithashtu po kërkon zëvendësues për Haaland.
Nga ana tjetër, një tjetër preferencë e Bayern Munich është lojtari i Barcelonës, Ousmane Dembele. Francezi dukej me “një këmbë” jashtë Camp Nou-t, megjithatë tashmë situata ka ndryshuar dhe sulmuesi duket i lumtur në Spanjë.
Gjithsesi, Bayern Munich do të tentojë të firmosë me anësorin, për sa kohë nuk ka rinovim të kontratës me Barcelonën. Në fund, një tjetër synim i Bayern Munich është lojtari i Stuttgart, Sasa Kalajdzic sulmues 24-vjeçar./ SuperSport