Ballina Aktualitet Opinione SI U FORMUA BASHKIMI EVROPIAN

SI U FORMUA BASHKIMI EVROPIAN

Xhelal Zejneli

Llogaritur me datën 31 janar 2020, Bashkimit Evropian ka 27 shtete anëtare: Austria, Belgjika, Bullgaria, Çekia, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Greqia, Gjermania, Holanda, Hungaria, Irlanda, Italia, Kroacia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Malta, Polonia, Portugalia, Qiproja, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Suedia.

Shtete kandidate për në BE janë: Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut; Serbia, Turqia, Ukraina; Moldavia, Kosova. 

Kandidate potenciale: Bosna dhe Hercegovina. 

Ish-anëtare: Mbretëria e Bashkuar;

Gjuhë zyrtare: 24 gjuhë zyrtare;

Këshilli i Evropës: Kryetar: politikani belg Sharl Mishel (Charles Michel, 1975-); 

Vendi kryesues i Këshillit të BE-së: Franca;

Këshilli i BE-së: Sekretariati kryesor: Bruksel (Bruxelles);

Komisioni Evropian: Selia: Bruksel; kryetare: politikania gjermane Ursula von der Leyen (Ursula Gertrud von der Leyen, e lindur Albrecht; Ixelles, Belgjikë, 1958-);

Parlamenti Evropian: Selia: Strasburg, Bruksel, Lukdemburg; kryetare: politikania malteze Roberta Metsola (Saint Julian’s, Maltë, 1979-);

Banka Qendrore Evropiane: Frankfurt-mbi-Majn;

Sipërfaqe: 4,233,262 km2 (më 1 shkurt 2020);

Popullsia: 447,206,135 (viti 2020);

Dendësia e popullsisë: 106 banorë / km2 ;

Valuta: euro; Valuta të tjera: lev-i (bullgar); kruna (çeke); kruna (daneze); forinta (hungareze);  kuna (kroate); zlot-i (polak); leu (rumun); kruna (suedeze);   

Himni: Himni evropian* 

Dita e Evropës: 9 maji;

Vazhdimi internetik: eu.

Shënim: Himn i Evropës është “Odja e gëzimit” (anglisht: Ode to Joy). Është kompozuar nga kompozitori dhe pianisti gjerman Ludvig van Betoven (Ludwig van Beethoven, 1770-1827). Bazë e himnit është pjesa e fundit e “Simfonisë së nëntë” të Betovenit, të kompozuar në vitin 1823. Betoveni e zhvilloi simfoninë e vet nga “Odja e gëzimit” (“Ode an die Freude”) e dramaturgut, poetit dhe eseistit gjerman Fridrih Shiler (Friedrich Schiller, 1759-1805). Këtë poezi lirike Shileri e shkroi në vitin 1785 dhe e botoi në vitin 1886 në magazinën “Thalia”. Supozohet se Shileri në fillim shkroi një ode kushtuar lirisë – “Ode to Freedom”, gjermanisht “Ode an die Freiheit”. Teksti i Betovenit nuk bazohet tërësisht në poezinë e Shilerit. Titulli burimor në gjermanisht i “Odes së gëzimit” është “Ode an die Freude”. Në vitin 1972, Këshilli i Evropës dhe BE-ja e miratuan si himn të Evropës. Ekzekutohet në BE dhe gjuhë nuk ka. Qëllimi i Këshillit ka qenë përfaqësimi i Evropës në tërësi dhe jo i ndonjë organizate. Këto vargje shpesh këndohen me rastin e ekzekutimit të himnit, por për shkak të numrit të madh të gjuhëve evropiane, ato nuk kanë status zyrtar. Himni ekzekutohet në raste zyrtare në të dyja organizatat, si për shembull me rastin e nënshkrimit të marrëveshjeve dhe është një prej simboleve të Evropës.      

*   *   *

Bashkimi Evropian (shkurtesa: BE) është union ekonomik dhe politik. Është bashkësi ndërqeveritare dhe mbinacionale unike e shteteve të Evropës. U themelua si rezultat i procesit të bashkëpunimit dhe i integrimit që filloi në vitin 1951 ndërmjet gjashtë shteteve (Belgjikës, Francës, Gjermanisë, Italisë, Luksemburgut dhe Holandës). Unioni Evropian u themelua formalisht më 1 nëntor 1993, me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Unionit Evropian, të njohur si Marrëveshja e Mastrihtit (Maastricht). Unioni Evropian është e vetmja organizatë e këtij lloji në botë. Për këtë arsye, ndonjëherë është vështirë për ta përkufizuar. Është organizatë e cila vazhdimisht i ndryshon dhe i plotëson politikat në të cilat vepron. Momentalisht mund të përkufizohet si federatë në marrëdhëniet monetare, në bujqësi, në tregti dhe në mbrojtjen e mjedisit; konfederatë në politikën shoqërore dhe ekonomike, në mbrojtjen e konsumatorëve, në politikën e brendshme; dhe si organizatë ndërkombëtare në politikën e jashtme.     

Anëtarë të Unionit sot janë 27 shtete. Shtrihet në 4.233.255 km2 dhe ka rreth 447 milionë banorë. 

Më 29 mars 2017, pas referendumit të mbajtur në qershor 2016, Mbretëria e Bashkuar paraqiti kërkesë për të dalë nga Bashkimi Evropian. Më 31 janar 2020 ajo doli nga BE-ja, duke u bërë shteti i parë që largohet prej saj.   

Historia e Bashkimit Evropian 

– Më 19 shtator 1946 – fjalimi i shtetari britanik, laureat i çmimit “Nobel” për letërsi (1953), Uinston Çërçill (Winston Churchill, 1874-1965), në Cyrih. Propozim për formimin e Shteteve të Bashkuara të Evropës;

– Më 9 maj 1950 – Ministri i Punëve të Jashtme i Francës, Robert Shuman (Robert Schuman, Luksemburg, 1886 – Scy-Chazelles, Moselle, 1963) propozon bashkimin e industrie franceze dhe gjermane të qymyrit dhe të çelikut, nën pushtet të përbashkët. Kjo ditë merret si Ditë e Evropës

– Më 18 prill 1951 – u nënshkrua në Paris Marrëveshja e Parisit për themelimin e Bashkimit Evropian për Qymyr dhe Çelik (Communauté européenne du charbon et de l’acier – CECA). Marrëveshja hyri në fuqi më 25 korrik 1952. Kryetar i parë i Autoritetit të Lartë (Haute Autorité), në vitet 1952-1955, është Zhan Mone (Jean Monnet, 1888-1979).  

Shënim: Politikani vizionar Zhan Mone (Jean Omer Marie Gabriel Monnet, 1888-1979) ishte nismëtar i themelimit të Bashkimit Evropian për Qymyr dhe Çelik, shkurtesa në frëngjisht – CECA. Ai është një prej etërve të themelimit të Unionit Evropian apo të Komunitetit Evropian (Communauté européenne).

*   *   *

– Më 3 qershor 1955 – Qeveria e Lartë e dytë. Kryetar Rene Mejer (René Mayer, 1895-1972). 

– Më 25 mars 1957 – u nënshkrua Marrëveshja e Romës për themelimin e Bashkësisë Ekonomike Evropiane (BEE) dhe të Bashkësisë Evropiane për Energji Atomike.  

– Më 1 janar 1958 – Hyri në fuqi Marrëveshja e Romës. U formua Komisioni dhe u zgjodh kryetari i parë. Ky ishte akademiku, diplomati dhe shtetari gjerman Valter Halshtajn (Walter Hallstein, 1901-1982).

– Më 13 janar 1958 – Qeveria e Lartë e tretë. Kryetar politikani belg Paul Finet (1897-1965) 

– Më 19 mars 1958 – U mbajt seanca e parë e Parlamentin Evropian. Kryetar i parë, politikani francez Robert Shuman (Robert Schuman, Luksemburg, 1886 – Scy-Chazelles, Moselle, 1963).

– Më 15 shtator 1959 – Qeveria e Lartë (High Authority) e katërt. Kryetar politikani italian Pietro Malvestiti (1899-1964). 

– Më 22 tetor 1963 – Qeveria e Lartë (High Authority) e pestë. Kryetar politikani italian Rinaldo Del Bo, 1916-1999).

– Më 8 prill 1965 – U nënshkrua Marrëveshja për bashkimin e organeve të BEE-së, të Bashkësisë Evropiane për Qymyr dhe Çelik dhe të Euroatomit. Marrëveshja hyri në fuqi më 1 korrik 1967. Me nënshkrimin e marrëveshjes, hyri në përdorim emërtimi “Bashkimi Evropian” që nënkupton tri unionet. 

– Më 8 mars 1967 – Qeveria e Lartë e gjashtë. Kryetar, politikani dhe ekonomisti belg dhe evropian Alber Kope (Albert Coppé, 1911-1999). 

– Më 1 korrik 1968 – U vendos unioni doganor

– Më 1 janar 1973 – Zgjerimi i parë: Në Union hyjnë Britania e Madhe, Danimarka dhe Irlanda. 

– Më 1 janar 1981 – Zgjerimi i dytë: Në Union hyn Greqia.

– Më 23 shkurt 1982 – Grënlanda del nga Unioni, me të cilin ishte i lidhur nëpërmjet Danimarkës.

– Më 1 janar 1986 – Zgjerimi i tretë: Në Union hyjnë Spanja dhe Portugalia. 

– Më 17 shkurt 1986 – U nënshkrua në Bruksel Akti unik evropian. Paraqet revizion dhe plotësim të Marrëveshjes së Romës. Hyri në fuqi më 1 korrik 1987. – Më 7 shkurt 1992 – U nënshkrua Marrëveshja e Unionit Evropian në Mastriht (Maastricht). Hyri në fuqi më 1 nëntor 1993. 

– Më 1 janar 1995 – Zgjerimi i katërt: Në Union hyjnë Austria, Suedia dhe Finlanda. 

– Më 17 qershor 1997 – U nënshkrua Marrëveshja e Amsterdamit. Hyri në fuqi më 1 maj 1999. 

– Më 1 janar 1999 – Filloi etapa e tretë e Marrëveshjes për Unionin Ekonomik Monetar.

– Më 11 dhjetor 2000 – U nënshkrua Marrëveshja e Nicës

– Më 1 janar 2002 – Në 12 shtete, të njohur si eurozonë, vihet në përdorim valuta unike evropiane – euro

– Më 1 maj 2004 – Zgjerimi i pestë: Në Union hyjnë dhjetë shtete të reja. – Më 1 janar 2007 – Përfundon zgjerimi i pestë: Në Union hyjnë Bullgaria dhe Rumania. Sllovenia e vë në përdorim euron si mjet pagese. Gjuhë zyrtare të Unionit bëhen edhe bullgarishtja, rumanishtja dhe irlandishtja. Krahas alfabetit latin dhe alfabetit grek, edhe alfabeti cirilik bullgar bëhet alfabet zyrtar. 

– Më 1 janar 2008 – Qiproja dhe Malta, si mjet pagese vënë në përdorim  euron. – Më 1 janar 2009 – Sllovakia e vë euron si mjet pagese. 

– Më 1 dhjetor 2009 – Hyri në fuqi Marrëveshja e Lisbonës

– Më 1 janar 2011 – Estonia e vë euron si mjet pagese. 

– Më 1 korrik 2013 – Zgjerimi i gjashtë: Në Union hyn Kroacia. 

– Më 1 janar 2014 – Letonia e vë euron si mjet pagese. 

– Më 1 janar 2015 – Lituania e vë euron si mjet pagese. – Më 29 mars 2017 

– Pas referendumit të mbajtur në qershor të vitit 2016, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar paraqet kërkesë për të dalë nga Bashkimi Evropian. 

– Më 31 janar 2020 – Në orën 23:00 sipas kohës vendore, Mbretëria e Bashkuar del pre Bashkimit Evropian.

*   *   *

Vende themeluese: Unionin Evropian për Qymyr dhe Çelik e themeluan gjashtë shtete nënshkruese të Marrëveshjes së Parisit të vitit 1951: Franca, Gjermania, Italia, Belgjika, Holanda dhe Luksemburgu.  

Me Marrëveshje e Romës të viti 1957, të njëjtat shtete e themeluan Unionin Ekonomik Evropian dhe Unionin Evropian për Energji Atomike. 

Zgjerimet e Bashkimit Evropian:

Zgjerimi i parë, viti 1973: Anëtare të BE-së bëhen Britania e Madhe, Danimarka dhe Irlanda

Zgjerimi i dytë, viti 1981: Anëtare e BE-së bëhet Greqia. Marrëveshjen për asoccim me BE-në, Greqia e ka lidhur qysh në vitin 1961, por anëtare e plotfuqishme është bërë pothuajse 20 vjet më vonë, ngase ndërkohë, me puçin ushtarak të vitit 1967, u ndërrua pushteti. Kjo e ngadalësoi hyrjen e saj në BE deri në vendosjen e demokracisë në vitin 1974.        

Zgjerimi i tretë, viti 1986: Anëtare të BE-së bëhen Spanja dhe Portugalia. Këto dy vende kanë shprehur interesim për t’u bërë anëtare të BE-së qysh në vitin 1960. Por, ia dolën të pranohen pas vendosjes së sistemeve politike demokratike që i zëvendësuan regjimet paraprake autoritare si dhe pas kapërcimit të vështirësive ekonomike. 

Zgjerimi i katërt, viti 1995: Anëtare të BE-së bëhen Austria, Finlanda dhe Suedia.

Zgjerimi i pestë – 1 maj 2004. Në këtë vit ka ndodhur zgjerimi më i madh i BE-së. U anëtarësuan dhjetë shtete të reja: Çekia, Estonia, Hungaria, Letonia, Lituania, Malta, Polonia, Qiproja, Sllovakia dhe Sllovenia.  

Vazhdimi i zgjerimit të pestë – 1 janar 2007: Anëtare të BE-së bëhen Rumania dhe Bullgaria 

  Zgjerimi i gjashtë, viti 2013: Anëtare e BE-së bëhet Kroacia

Zgjerimet e ardhshme – Vende kandidatë janë: Shqipëria, Mali i Zi*, Maqedonia e Veriut, Serbia*, Turqia*, Ukraina, Moldavia, Kosova.

Kandidate potenciale është: Bosnja dhe Hercegovina

*   *   *

Shënim

  1. Turqia është kandidate për BE që nga viti 1964. Autoritetet turke e kanë quajtur BE-në klub i krishterë.
  2. Këshilli i Evropës, i përbërë nga shefat e qeverive dhe të shteteve, në seancën e mbajtur në Bruksel më 17 dhjetor 2010 ia dha Malit të Zi statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Kandidaturën për anëtarësim, Mali i Zi e kishte paraqitur në dhjetor 2008. 
  3. Serbia u bë kandidate për anëtarësim në BE më 1 mars 2012. Liderët e BE-së, në samitin e Brukselit ia dhanë Serbisë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Lajmin e publikoi kryetari i Këshillit të Evropës, politikani belg Herman van Rompuj (Herman Achille, Count van Rompuy, 1947-). Konti apo grofi Van Rompuj, në vitin 1968 diplomoi filozofinë, ndërsa në vitin 1971 – ekonominë.

Pas tij pasoi edhe njoftimi i kryetarit të Komisionit Evropian, politikanit portugez Zhoze Manuel Barozo (José Manuel Duräo Barroso, 1956-). Në vitet 2002-2004 Barozo ka qenë kryeministër i Portugalisë.

  1. Greqia, Irlanda dhe Portugalia qëkur janë në BE. Megjithëkëtë, bankrotuan.

*   *   *

Po të ishte bashkuar Moldavia me Rumaninë, edhe ky shtet do të ishte bërë pjesë e BE-së, njësoj si ish-Republika Demokratike Gjermane. Këtë opsion, në vitin 2010 e ka mbështetur kryetari i atëhershëm i Rumanisë.    

Kriteret për anëtarësim Në mbledhjen e Këshillit Evropian në Kopenhagë, të mbajtur në qershor të vitit 1993, përcaktuan tre kritere që duhet t’i plotësojnë të gjithë kandidatët e ardhshëm për t’u bërë anëtarë të BE-së. Këto kritere që njihen edhe si Kritere të Kopenhagës janë:

Kriteret politike: qëndrueshmëria e institucioneve që sigurojnë demokraci, sundimin e së drejtës, respektimin e të drejtave të njeriut dhe të të drejtave të pakicave si dhe miratimin e objektivave të Unionit;      

– Kriteret ekonomike: Ekzistimi i tregut efektiv të ekonomisë dhe aftësia e faktorëve të tregut për t’u përballuar me trysnitë konkurruese dhe me ligjet e tregut brenda BE-së;  

Kriteret juridike: Aprovimi i tërë pasurisë juridike të BE-së (acquis communautaire). 

*   *   *

Edhe pse aprovimi i strukturës juridike të BE-së është e rëndësishme, akoma më e rëndësishme është të sigurohet zbatimi dhe aplikimi efikas, nëpërmjet organizimit administrativ përkatës. Për këtë arsye, në mbledhjen e Këshillit të Evropës të mbajtur në Madrid në vitin 1995, si parakusht për t’u bërë anëtar, u përcaktua kriteri i katërt, që njihet edhe si kriteri i Madridit.      

Kriteri administrativ: Përshtatja e strukturave administrative përkatëse me qëllim të sigurimit të kushteve për integrim shkallëzor (gradual) dhe të harmonishëm. 

Institucionet e Bashkimit Evropian: Bashkimi Evropian ka një sistem institucionesh tejet të ndërlikuar. Sipas nenit 13 të Marrëveshjes për Bashkimin Evropian, institucione të Bashkimit Evropian janë: 

Parlamenti Evropian, Këshilli i Evropës, Këshilli, Komisioni Evropian (“Komisioni”), Gjykata e Bashkimit Evropian, Banka Qendrore Evropiane, Gjykata Revizore.  

Ekzistojnë edhe forume dhe institucione të tjera, si dhe një numër i madh agjencish të specializuara.

  Politika e përbashkët e jashtme dhe e sigurisë – Politika e përbashkët e jashtme dhe e sigurisë, po ashtu është përcaktuar me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Mastrihtit (Maastricht) të vitit 1993. Pesë qëllimet kryesore të politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë janë: 

Të mbrohen vlerat e përbashkëta dhe interesat themelore të BE-së; 

– Të forcohet siguria e BE-së; 

– Të ruhet paqja dhe të përforcohet siguria ndërkombëtare; 

– Të nxitet bashkëpunimi ndërkombëtar;

– Të zhvillohet demokracia dhe sundimi i së drejtës, duke përfshirë edhe të drejtat e njeriut.   

  Përveç kësaj, një prej qëllimeve të BE-së është të forcosh identitetin tënd në skenën ndërkombëtare, posaçërisht nëpërmjet zbatimit të politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, duke përfshirë edhe krijimin progresiv të politikës mbrojtëse të përbashkët, gjë që do të mund të shpinte në mbrojtje të përbashkët.      

@tn.lajmelokale
@tetovanews