Në shkollat fillore të Maqedonisë së Veriut në vitin shkollor 2022/23 do të angazhohen 720 asistentë arsimor, për çka është paralajmëruar së shpejti konkurs nga Ministria për Arsim dhe Shkencë, transmeton Portalb.mk.
“Duke pasur parasysh nevojat e shprehura të prindërve të nxënësve me pengesa, në vitin e ri shkollor 2022-2023 do të angazhohen gjithsej 720 asistentë arsimorë, ndërsa shpalljet publike për regjistrimin e të interesuarve do të publikohen në ditët e ardhshme nga shkollat fillore me qendra burimore të cilat gjithashtu dhe janë përgjegjëse për zbatimin e gjithë procedurës së përzgjedhjes”, deklarojnë nga Ministria.
Raportohet që në vitin 2021/22 ka pasur 500 asistentë arsimor, 260 prej të cilëve në Shkup, Kumanovë dhe Pollog.
“Në pajtim me Rregulloren për standardin, përshkrimin e kompetencave dhe detyrave të asistentit arsimor dhe personal, asistent arsimor mund të jetë personi i cili ka fituar titullin: edukator special dhe rehabilitues, pedagog, psikolog, punonjës social, pedagog social dhe rehabilitues me shkallën VII/1 të përfunduar d.m.th VIA sipas kornizës maqedonase të kualifikimeve MRK ose 240 EKTS, si dhe personi që i plotëson kushtet për mësimdhënës në grupin klasor (shkalla VII/1 d.m.th. VI A sipas MRK ose 240 kredi EKTS), gjegjësisht mësimdhënës në mësimin lëndor ( Shkalla VII/1 d.m.th. VI A sipas MRC ose 240 kredi EKTS)”, sqarojnë nga Ministria.