Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali ka reaguar në lidhje me deklaratën e kryeministrit Dimitar Kovaçevski se për vdekjen e pacientit Bllagojçe Ilievski.
Në profilin e tij në Facebook Sali shkruan se është vërtetë i tronditur që ndodhi kjo tragjedi, ndërsa asnjë shpjegim ose deklaratë prej politikani nuk do ta kthejë në jetë atë.
“Megjithatë, nuk mund të hesht, as si njeri dhe as si ministër, kur mbi shpatullat e një tragjedie të tillë, bëhet përpjekje e ulët për pikë politike. Prandaj, ja faktet:
(1) Është fakt se Ministria e Shëndetësisë, që prej 27.01 ka kërkuar nga Qeveria të sigurojë mjete për furnizim të ri me terapinë për pacientët me fibrozë cistike. (2) Është fakt se përkundër kërkesës nga MSh-ja, as Qeveria e RMV-së, as personalisht kryeministri, deri dje nuk kanë vendosur që t’i sigurojnë ato mjete. (3) Është fakt se nuk ka terapi të mjaftueshme për shkak se nuk u soll ai vendim nga të tjerët, dhe jo për shkak të MSh-së.
Prandaj, nuk e kam të qartë tentimin që t’i hidhej faji MSh-së, kur as sigurimi i mjeteve dhe as furnizimi i terapisë nuk janë nën kompetencën tonë. Mjetet i siguron Fondi Shëndetësor, ndërsa furnizimin e bën klinika përkatëse. Por, as ata nuk mund të veprojnë pa vendim qeverie ose pa urdhër të kryeministrit.
Prandaj, mendoj se është e papërgjegjshme ta zhvendosim përgjegjësinë. Nëse do të donim të garonim me deklarata politike, unë poashtu do të mund të përgjigjesha me pyetje: ai i cili, përkundër kërkesës së Ministrisë së Shëndetësisë, nuk ka miratuar mjete për ilaç për pacientë me një sëmundje të tillë të rëndë, a vlerëson se mund ta vazhdojë mandatin?
Do të mund të pyesim edhe nëse ndoshta shumë kohë dhe vëmendje është harxhuar për bisedimet e koalicionit, derisa pacientët prisnin. Megjithatë, vlerësoj se deklaratat e tilla populiste janë të papërshtatshme në raste të tilla.
Unë e di se politika është profesion i paskrupullt, por ne megjithatë kemi obligim ta ruajmë dinjitetin dhe njerëzoren. Megjithatë të gjithë ne jemi pacientë potencialë në shëndetësinë publike dhe duhet të bashkëndjenjë për hallet e bashkëqytetarëve tanë, pavarësisht resurseve të kufizuara”, thuhet në reagimin e ministrit Sali.