Ballina Aktualitet Vjosa Osmani: Objektiv i Kosovës mbetet anëtarësimi në NATO

Vjosa Osmani: Objektiv i Kosovës mbetet anëtarësimi në NATO

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani zhvilloi një takim me drejtorin në largim të ekipit këshillues dhe ndërlidhës të NATO-s, gjeneral brigade Joachim Hoppe dhe drejtorin e ardhshëm të NALT-it, gjeneral brigade Ralf Peter Hammerstein.

Osmani diskutoi një varg temash me të dy gjeneralë brigadash, duke u fokusuar në rëndësinë e maksimizimit të të gjitha përpjekjeve për zhvillimin, trajnimin dhe dërgimin e misioneve jashtë vendit të FSK-së në përputhje me standardet e NATO-s, e me qëllim përfundimtar anëtarësimin në këtë organizatë.

“Gjatë takimit, Presidentja Osmani diskutoi një varg temash me të dy gjeneralë brigadash, duke u fokusuar në rëndësinë e maksimizimit të të gjitha përpjekjeve për zhvillimin, trajnimin dhe dërgimin e misioneve jashtë vendit të FSK-së në përputhje me standardet e NATO-s, e me qëllim përfundimtar anëtarësimin në këtë organizatë. Ky objektiv mbetet prioritet kryesor strategjik i politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare për Kosovën në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.

Presidentja shfrytëzoi rastin për të shprehur vlerësimin e saj për mbështetjen e rëndësishme, si dhe asistencën zhvillimore të ofruar nga NALT-i, në kuadër të misionit dhe mandatit të vet. Presidentja Osmani theksoi se mbështetja e dhënë nga ekipi i NALT-it ka qenë e rëndësishme për ta ndihmuar Kosovën të arrijë përparim të dukshëm drejt synimit të saj për anëtarësim në NATO”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentes.