Kryeministri Edi Rama nuk e ka fshehur miqësinë e tij me Presidentin e Turqisë as Greqi ku mori pjesë në forumin ekonomik të Delfit. Në një fjalim në panelin e politikës së jashtmes Rama foli me superlativa për punën e kreut të shtetit turk. I pyetur se si i shihte zgjedhjet që mbahen në 14 maj në këtë vend Rama tha se ishte i njëanshëm.
“Jam mik i ngushtë i Erdogan, ka bërë një punë të shkëlqyer për shndërrimin e Turqisë. Me apo jo Erdoganin Turqia mbetet faktor stabiliteti në Europë”- deklaroi Rama.
Rama u shpreh i pakënaqur me nivelin e investimeve greke në Shqipëri pasi sipas tij ka një potencial shumë të madh për përmirësim.
“Nuk është nevoja të jemi në BE që të shtojmë marrëdhëniet me Greqinë. S’kemi pse presim. Greqia tashmë ka kthyer sytë nga rajoni. Është humbur shumë kohë në të shkuarën”– deklaroi Rama.
“Ballkani perëndimor ka qenë pjesë luftërash dhe urrejtje. Ne jemi tani në pjesën më të mirë të historisë së rajonit dhe kjo falë BE dhe SHBA. Prej shekujsh ne nuk flisnim me njëri tjetrin. Tani 8-9 vitet e fundit ne po flasim. Nëse flasim për politikat e jashtme të vendeve ballkanike ne kemi një panoramë të përzier.
Shqipëri është tërësisht pa influencë ruse. Kosova plotësisht pa influencë ruse. Në Serbi dhe Bosnjë kemi një panoramë krejt tjetër. Marrëdhëniet tona me Rusinë janë të një lufte të ftohtë”- theksoi Rama.