Nga 1 korriku i këtij viti, qytetarët me gjasë do të kenë mundësinë të përdorin sërish tarifën ditore të lirë të energjisë elektrike, bëri të ditur sot zëvendëskryeministri i obliguar për Çështje Ekonomike, Koordinimin e Resorëve Ekonomik dhe Investimeve, Fatmir Bytyqi, raporton MIA.
“Po bëhen analizat përfundimtare nëse tarifa e lirë mund të kthehet dhe me shumë gjasa do të kthehet nga 1 korriku”, tha Bytyqi në paraqitjen e ftuar në “Programin e mëngjesit” në televizionin Telma.
Ai theksoi se vlerën e çmimit të energjisë elektrike përmes parametrave adekuat e përcakton Komisioni Rregullator për Energjetikë dhe Shërbime të Ujit (KRRE), i cili pritet ta sjellë vendimin përfundimtar kah fundi i qershorit.
“Kemi një muaj e gjysmë përpara dhe nuk varemi vetëm nga prodhuesit vendor të energjisë elektrike”, theksoi Bytyqi, duke shtuar se si të gjitha vendimet në një vit e gjysmë të fundit, edhe ky do të jetë në favor të qytetarëve.
Ndryshe, Tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH) për energjinë elektrike do të rritet gradualisht, do të marrim një vendim deri në fund të qershorit, tha zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, mëngjesin e sotëm në emisionin e TV Telma.
“Norma e TVSH-së 10% për energjinë elektrike gradualisht do të kthehet në 18%, analizat janë drejt fundit”, tha Bytyqi.
Kujtojmë se TVSH-ja gjatë vitit 2022 ishte 5% dhe më pas u rrit në 10%. 5% ishte një masë e qeverisë që synonte përballimin e krizës energjetike, ndërsa u ndryshua, kur u panë përllogaritjet e reja se ka vend që të kthehet në 10%, pa ndikuar në çmimin e energjisë elektrike për familjet dhe për konsumatorët e vegjël.