Mediat italiane kanë publikuar të plotë dëshminë e shqiptarit Taulant Malaj që mbrëmjen mes të shtunës dhe të dielës vrau vajzën e tij 16-vjeçare, një shtetas italian dhe plagosi bashkëshorten e tij. Përpara hetuesve ai ka rindërtuar të gjithë atë që ndodhi mbrëmjen e krimit. 45-vjeçari ka thënë se prej kohësh dyshonte për lidhjen e bashkëshortes së tij me fqinjin italian.
Atë mbrëmje ishte shtirur sikur po flinte dhe ka dëgjuar gruan që po bisedonte me dikë në telefon. Ai thotë se i ka marrë telefonin dhe ka parë mesazhet. Më pas ka dalë nga banesa dhe ka pritur derisa 51-vjeçari është kthyer nga lokali ku punonte. E ka goditur disa herë me thikë në mes të shkallëve dhe më pas është kthyer në banesë. Hyri në dhomën e gjumit ku ishte gruaja e tij dhe i tha: “E vrava atë”.
Në atë moment ai tha se hyri në dhomë Xhesika për të mbrojtur nënën. “Kështu që edhe unë e godita edhe Xhesikën dhe e vrava. As që e kuptova se ishte ajo. Fatkeqësisht, Xhesika u ndodh në kohën e gabuar. Unë e doja atë”. Kështu e ka shpjeguar ai kasaphanën e pakuptimtë që zgjati gjysmë ore, pas së cilës bukëpjekësi 45-vjeçar bëri një video për të përjetësuar atë që kishte bërë.
Djali i vogël, Leonardo, 5 vjeç, ishte në shtëpi. “Kur kuptova se çfarë kisha bërë e mora atë në krahë” – ka thënë Taulant Malaj në procesverbal. “Kam bërë videon pranë kufomave, por nuk kishte ndonjë arsye të veçantë. Pasi i vrava, thirra vëllain tim, të cilit i tregova se çfarë kisha bërë. Nuk erdhi menjëherë, kishte frikë, mbërriti pas ambulancës” – ka thënë Taulant Malaj. Bashkëshorten e tij, Teftën, 39-vjeçare, të cilën vazhdon ta akuzojë se ka pasur një lidhje romantike prej më shumë se një viti me Massimon.
“Të dy ishin takuar pas një aksidenti automobilistik. Që atëherë kishin filluar të flisnin dhe të dilnin. Ata hëngrën edhe bashkë. Këto takime i kam regjistruar me celular. Një ditë Massimo mori gruan time me Maserati-n e tij” – ka thënë ai. Djali 5-vjeçar është tashmë në kujdesin e xhaxhallarëve të tij nga babai. “Kur karabinierët na e besuan, ai ishte ende në shok” – tha për mediat gruaja e vëllait të autorit.
“Si nuk flet më për atë që dëgjoi atë natë. Ishte fshehur pas divanit nga frika, të paktën kështu na shpjeguan karabinierët që e gjetën të përkulur aty. Por ne nuk i flasim për atë që ka ndodhur” – tha ajo. “Ne i thamë se do të kthehet për të qëndruar me nënën të sapo ajo të dalë nga spitali. Dhe ai nuk bën më pyetje. Është i qetë këtu me ne. Atëherë kunata do të kujdeset për gjithçka. Unë dhe bashkëshorti im Qemal nuk kemi fëmijë dhe për këtë arsye jemi shumë pranë nipërve. Edhe për Leonardon, edhe për Xhesikën” – thotë ajo.
“Nuk mund ta besoj se ajo ka ikur. Xhesika ishte zemra ime, ajo ishte drita ime. Sot djalin nuk e çova në kopsht. Po pres disa ditë. E çova në treg këtë mëngjes dhe i bleva disa lodra. Prej 8 vitesh pastroj shtëpinë e një familjeje që ka kuptuar gjithçka. Më thanë “qëndro në shtëpi me nipin derisa të kthehet nëna për ta marrë”. Dhe kështu po bëj. Ne e kalojmë kohën duke luajtur, herë pas here duke parë filma vizatimorë dhe duke pritur të kalojë koha” – thotë Rosela.
Ajo është një grua shumë e sjellshme dhe ndonjëherë përpiqet të buzëqeshë. Por duket qartë se edhe ajo është tronditur nga ajo që ka ndodhur. Dhe nuk mund të ishte ndryshe. E tronditur dhe e frikësuar. Si nata e vrasjes. “Taulanti i telefonoi bashkëshortit tim duke i bërtitur: “I vrava të gjithë, i vrava”. Kështu që ne nxituam në shtëpinë e tij. Por më duhet të rrëfej të vërtetën. Nuk u futëm menjëherë. Kishim frikë se mos na bënte keq edhe neve dhe pritëm të vinin ambulanca dhe karabinierët. Vetëm pas kësaj kemi hyrë në shtëpinë e tij. Ne ishim të tmerruar” – thotë ajo.
“Asnjëherë nuk kishte shfaqur shenja dhune në të kaluarën. Nuk mund të dyshonim asgjë dhe nuk dimë asgjë as për xhelozinë e tij. Ata thonë shumë gjëra, por vetëm mes burrit dhe gruas e dinë se çfarë po ndodh. Vetëm mes të dyve e dinë të vërtetën. Unë dhe bashkëshorti im jemi të shkatërruar nga ajo që ka bërë Taulanti. Nuk është e drejtë” – thotë ajo. “Kunata ime Tefta e di që mund të mbështetet tek ne. Burri im e vizitoi atë në spital. Unë jam këtu në shtëpi me Leonardon. Le të shpresojmë që koha të kalojë” – thotë ajo. ©LAPSI.al