Ballina Aktualitet Kultura Dy tregime nga Nurie Emrullai

Dy tregime nga Nurie Emrullai

Rruga Pranvera

Vjeshta filloi të hyjë në zemrën e të gjithëve, ngadalë n’fytyrën e saj ravijëvizohet jeta. Këlthitjet e pulëbardhave mbushin qiellin teksa marrin fluturimin drejt tij e sikur duan ta shpojnë. Qielli gati të lëshojë stuhinë, apo gjithë ato pulëbardha që iu kansën pafundësisë së tij. Gjatë këtij shtatori çfarë s’ka ndodhur brenda kësaj rrugice e cila është pagëzuar si Rruga e Pranverës… Vendi është ndarë në dy faltore, njëra anë i bie zotit në gjunjë, tjetra anë ngre duart lart dhe midis ujit, Zoti bën not. Këtu për çdo natë ndodh nga një histori e zakonshme, ndonëse dritaret e shtëpive rrinë mbyllur dhe unë s’kam parë asnjë njeri që të di saktësisht se ç’histori mund të mbajnë shpinat e tyre.

Nga askundi më ra të jetoja me një plakë, së cilës iu kujtua për rrënjët e saj vetëm kur më takoi mua. Nga gjuha shqipe mban mend vetëm ca fjalë të këngës “Vaj, vaj, vaj gishtat me kajmak, o moj goce vogël…” por, nuk ankohem, sepse ishte ajo që më vonë më takoi me Mohsen Namjoo… Ajo është e ftohtë. Si të thuash nuk ka frikë nga vetmia. Ndaj unë, meqë ndodhem në shtëpinë e saj, përpiqem që për të, të jem sa më pak e dukshme. Ajo shqetësohet për mua, më vjen nga pas që të shikojë nëse jam aty apo kam dalë dikund, ndërkohë unë bëj lëvizjet e mia, kur ajo del në ballkon që të pi cigare, atëherë unë shkoj në banjo, kur ajo del të bëjë pazar unë shkoj të lahem dhe kur ajo fle, unë marr për të ngrënë shpejt e shpejt. Më ngjan se bëj jetë miu, gjithë këta muaj të gjatë…

Ajo fle me orar, përkundër meje që jeta ime është në përmbytje… Sonte përsëri i ra alarmi për ta kujtuar që të pijë barnat para se të flejë. Në orën njëzet e dy e dyzet e pesë minuta piu barnat, derisa duke u zvarriutur shkon që të mbushë ujë. Në orën njëzet e tre e dhjetë minuta shtrihet për të fjetur. E kuptoj që atë e zë gjumi, kur thërret me zë “Baba, baba, pritëm…” i del theksi i bukur, një gegnishte e ambël. Pasi thërret kështu shumë herë do të fillojë këngën e saj “Vaj, vaj, vaj…” që e di të gjithën dhe qesh me të madhe…

U bë ora tre e mëngjesit. Ajo tashmë fle e qetë. Macet bëjnë sfilatë në ballkon, ecin duke parakaluar njëra‒tjetrën dhe afrohen bri dritares sime sepse ende e kam dritën e dhomës ndezur. Ora vajti katër dhe tashmë nuk ndodh asgjë e jashtëzakonshme. E njëjta e mërkurë përsëritëse vjen midis jave. Në orën pesë të mëngjesit bie telefoni i saj. Nuk është alarmi, por është telefonatë. Aq e gjatë qe pritja nëse dikush do t’i përgjigjej asaj dreq telefonate…

“Alo” ‒ thotë ajo me një frikë përzier me përgjumje.

Një alo kërcënuese dëgjohet nga ana tjetër. Çfarë veshësh ka nata!

“Por, mos më kërko para se nuk kam ku të t’i gjej. Nuk kam, nuk e di pse s’kupton sa herë të kam thënë.”

“Unë po vij atje.”

“Si, nënën tënde nuk beson kur të thotë se nuk ka? Ç’bën kështu?! Mos eja, nuk kam ku të të gjej para. Pastaj, pse e le punën, e braktise familjen…”

Por, sinjali kishte rënë…

Hapa të rëndë dëgjohen teksa ngjisin shkallët dhe frymëmarrje e rënduar kaplon hyrjen… mban të ngrirë gjithë rrugën Pranvera.

Dikush po i bie ziles aq gjatë sa arrij të mendoj se si gishti i tij është mpirë nga trusja me forcë e ziles dhe stuhia ka mbaruar dhe pulëbardhat kanë nisur përsëri rrotullimet e tyre rreth qiellit..

Ora gjashtë… dikush po troket me shumë forcë në derë… macet përcjellin dashnorët e tyre, erë duhani dhe afshi lanë pas. Ora gjashtë e dhjetë minuta, dikush është te dera.

Në gjashtë e tridhjetë minuta bie alarmi për pirjen e barnave. Dy këmbë zvarriten. Dy të tjera lënë shenjën.

Është mesi i javës dhe unë tashmë duhet të flej….

I mistershëm mesi i javës si poeti,

vend ka për të gjithë, por s’pranon asnjë në vetminë e tij.

Princesha e peshqve

Dikur… dikur mund t’jetë një kohë shumë e largët, por, jo dhe aq e largët, pasi si princeshat, si vetmia i takojnë kohës së përhershme, pra të tashmes.

Dikur jetonte një princeshë e quajtur Kica. Pallati i saj i largët qe vendosur mbi një kodrinë, me pamjen më të bukur që mund të imagjinonte dikush. Si me lindje të dielli, ashtu dhe me perëndimin e tij, aty krijoheshin aurat më magjike të universit. Pas vdekjes së prindërve, ose braktisjes së saj, Kica jetonte tashmë e vetme. Sot e kësaj nuk pati as mundësinë më të vogël që të dilte jashtë atyre mureve, se shtëpia e saj gjithnjë ruhet nga dy desh me brinj magjikë, të cilët ishin rojet e familjes tashmë breza e breza. Nga jashtë gjithë njerëzit e dinin këtë lloj historie, madje pretendonin se brenda pallatit fshihet aq shumë ar (si në çdo përrallë që na ështe treguar deri më sot). Por, askush nuk hamendësonte se brenda saj ndodhet një vajzë e bukur. Për Kicën nuk dinte njeri se jetonte aty. Por herë pas here vinte një lloj vale me zëra se aty jeton një vajzë e bukur, dikush thoshte me ftohtësinë më të madhe se ka vdekur, por njeri nuk guxonte të afrohej e të ngjiste atë kodër. Thoshin dhe për këtë ishin mëse të bindur se kush kishte hyrë brenda asaj porte nuk ishte parë që të dilte jashtë.

Kica nuk dinte të fliste, përveç një mërmërime që e këndonte thuajse pa e hapur gojën fare, nuk e dinte prej ku i kishte mbetur kjo mërmërimë, por ne e dimë se ishte kënga me të cilën nëna ia këndonte para gjumit. Brenda dhomës së saj tashmë gjendet një vrimë e madhe, e cila ngjan me një lloj gremine, që shtrihet në sipërfaqen më të madhe të dhomës, tashmë aty nuk ka mbetur asnjë orendi tjetër përveç shtratit, këmbët e së cilit dita‒ditës janë më pranë greminës.

Dikur mbante mend Kica se ajo greminë qe veç një vrimë e vogël, që kjo kishte filluar ta gërryej me thonjtë e saj të imët. Ajo filloi ta gërryente gropën se u mu aty rrinin rrezet më të forta të diellit dhe Kica mendonte se mund ta ruante dritën aty. Ma vonë ajo gropë filloi ta zgjerojë veten e filloi të mbushej me ujë, e me ujin erdhën dhe shumë peshq me ngjyrat nga më të jashtëzakonshmet, që i ngjanin perëndimit të diellit. Kur qielli ishte i kthjellët mbi pus reflektoheshin yjet me pesë cepa të cilët futeshin nga një e plasaritur e çatisë.

Ajo filloi të jetë më pak e vetmuar.

Peshqit e ushqenin atë, ajo i rriste dhe i ushqente ata, duke mërmëritur vazhdimisht melodinë e gjumit, më pas i mbyste veç për të trazuar qetësinë e asaj kodre.

Në cepin më të largët të dhomës luhatej një këmbanë, së cilës Kica i binte sa herë që hija shkëputej prej trupit të saj. Dhe lutej për dritën e së nesërmes… nuk e dinte derisa do të zgjaste kjo as nuk e dinte se prej kur kishte filluar…

Disa duar kërkojnë brenda pusit diçka që jetonte kohë të gjatë aty, peshqit a princeshën.

Edhe sot e kësaj dite nuk dihet nëse ajo vrau vetminë a vetmia vrau atë.

@tn.lajmelokale
@tetovanews