Lidhja Europiane për Ndryshim e përbërë nga Lëvizja BESA, Lidhja Demokratike dhe Alternativa kanë bojkotuar sot në Kuvend votimin e kryeministrit të parë shqiptar, Talat Xhaferi. Sipas tyre, votimi i sotëm i kryeministrit teknik nuk është historik, por mashtrim, njofton Portalb.mk.
“Burgje plot shqiptarë. Rinia në ikje. Mediat serbo-maqedonase të shfrenuara me vokabular anti-shqiptar. Nëpër rrugët, lagjet, fshatrat shqiptare qarkullojnë automjete policore në aksione ndëshkimi dhe frikësimi të shqiptarëve. Në zemrën e Çarshisë së Shkupit instalohet amoraliteti. Nën diktat partie, media shqipfolëse garojnë në njollosje të të pandëgjueshmëve. Pabarazia etnike lulëzon kudo, nën petkun e “raporteve të mira ndëretnike”. Në ekrane televizive, paradon figura e përfaqësimit shqiptar të pazgjedhur, por të instaluar. Nëse mendoni se kjo është vetëm se një nga shumë përshkrimet e realitetit shqiptar sot në Maqedoninë e Veriut, do gaboni”, cilësojnë nga LEN.
Sipas tyre, ashtu siç nuk kishte asgjë historike në instalimin e Vullnet Starovës dhe Sinan Hasanit në vitin 1986, ashtu nuk do ketë asgjë historike në ceremoninë e instalimit të figurës teknike shqiptare të Talat Xhaferit.
“Në fakt, ashtu siç emërimi Starova-Hasani do të kujtohet si moment ahistorik që nuk kishte as kontekst përfaqësues dhe perspektivë historike, ashtu dhe instalimi i Talat Xhaferit do shënon jo triumfin e politikës së Ali Ahmetit, por fillimin e rrënimit të gënjeshtrës, mashtrimit, abuzimit, poshtërimit të kombit, profiterizmit nga lufta dhe tradhtisë të idealeve për të cilat kanë dhënë jetën aq shumë të ri, të njomë, të drejtë, të guximshëm dhe gatshëm të flijohen në vdekje për jetësim të idealit. Nuk ka zërim aq të zëshëm, duartrokitje aq shurdhuese, lëvdata aq përkëdhelëse që do mund të ndalojnë pyetjen që si hije turpi dhe poshtërimi do buçet në mendjen e udhëheqësit të penduar të UÇK-së: A ishte lufta për ardhmërinë e fëmijëve në Çashkë, Veles, Manastir, Prilep, Krushevë apo për farefisninë e familjeve të zyrtarëve të përjetshëm të BDI-së?”, thonë nga LEN.
Ndryshe, me 65 vota “për” dhe 3 “kundër” sot Kuvendi i Maqedonisë së Veriut e votoi përbërjen qeverisë teknike, e cila do të duhet t’i organizojë zgjedhjet e rregullta parlamentare dhe presidenciale në 100 ditët e ardhshme. Në krye të Qeverisë, për herë të parë në historinë e Maqedonisë së Veriut u zgjodh një shqiptar, Talat Xhaferi, i cili erdhi në këtë pozitë nga pozita e kryetarit të Kuvendit