Komiteti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Mbrojtjes së Dhomës së Lordëve në Britani të Madhe i ka dërguar një letër Sekretarit të Jashtëm, Lordit David Cameron, pas përfundimit të një hetimi të shkurtër për Ballkanin Perëndimor. Ky Komitet thotë se tensionet në Ballkanin Perëndimor janë përshkallëzuar së fundmi.
“Ka pasur përleshje të dhunshme në veri të Kosovës dhe protesta në Serbi. Në Bosnje dhe Hercegovinë, Millorad Dodik ka rritur përdorimin e retorikës secesioniste, duke vënë në rrezik paqen ndëretnike të fituar me vështirësi të arritur përmes Marrëveshjes së Dejtonit”, – shkruan ky Komitet në letër. Më tej thuhet se pushtimi i plotë i Rusisë në Ukrainë vazhdon të ndikojë në kontekstin e sigurisë evropiane dhe se kjo ka pasoja të rëndësishme për vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Ne jemi veçanërisht të shqetësuar për shkallën dhe natyrën e fushatave dezinformuese ruse. Dëgjuam gjithashtu se përpjekjet për të trajtuar korrupsionin, për të integruar sundimin e ligjit, për të garantuar lirinë e shtypit dhe për të mbrojtur të drejtat e të kthyerve janë përkeqësuar. Në këtë situatë dinamike, ne besojmë se Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar duhet të rishikojë qasjen e saj ndaj Ballkanit Perëndimor dhe ne kemi bërë një sërë rekomandimesh për të lehtësuar prosperitetin, sigurinë dhe stabilitetin në rajon”, – shkruhet në letrën e Komitetit të lordëve.
Ndër rekomandimet kryesore të këtij Komiteti për Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar është edhe presioni që duhet bërë Kosovës dhe Serbisë për të zbatuar marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe Ohër.
“Vazhdoni t’i bëni presion lidershipit të Kosovës dhe Serbisë për të zbatuar zotimet e përcaktuara në marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit, për të cilat të dyja palët kanë rënë dakord verbalisht. Është jetike që Mbretëria e Bashkuar, me aleatët e saj në BE dhe Quint (ShBA, MB, Franca, Gjermania dhe Italia), të mbajë presion të koordinuar dhe të balancuar diplomatik për të inkurajuar të dyja palët për të normalizuar marrëdhëniet”, – thuhet nga ky Komitet.
Anëtarët e këtij Komiteti kanë kërkuar po ashtu që të sigurohen fonde për krijimin e Shërbimit Shqiptar të BBC-së, ekuivalent me dispozitën serbe të BBC-së, “që do të ndihmonte për të luftuar përhapjen e dezinformatave në rajon”. Duke komentuar letrën, Lordi Thomas Henry Ashton (Lordi Ashton i Hyde), kryetar i Komitetit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Mbrojtjes, tha se është në interesin e MB-së të promovojë paqen, prosperitetin dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Po ashtu, kërkohet promovimi i rritjes ekonomike dhe lufta kundër korrupsionit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar duhet të thellojë lidhjet e saj ekonomike me rajonin për të nxitur rritjen afatgjatë dhe të plotësojë përpjekjet e BE-së për të stabilizuar rajonin dhe për ta integruar atë me institucionet euroatlantike. Ajo duhet të bashkërendojë sanksionet dhe programet kundër korrupsionit me partnerët e saj ndërkombëtarë për të rrëzuar kleptokracinë”, – thuhet në letrën e Komitetit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Mbrojtjes së Dhomës së Lordëve në Britani të Madhe. /LAPSI.al