Një grua në Itali e cila ka lindur me gjysmë zemre ka sjellë në jetë fëmijë binjakë pak ditë më parë.
Agjencia e lajmeve ANSA raporton se binjakët kanë lindur në spitalin pediatrik Bambino Gesù në Romë me prerje cezariane.
Nëna e binjakëve ka lindur me zemrën që i mungon barkushja e djathtë, pjesa e muskulit të zemrës që shtyn gjakun në mushkëri për oksigjen. Është një sëmundje komplekse kongjenitale e zemrës që kërkon një sërë ndërhyrjesh korrigjuese brenda të vitit të parë të jetës.
Gruaja në fjalë i ishte nënshtruar një operacioni të vetëm në moshën 4 vjeçare për të ndërtuar një sistem qarkullimi alternativ, të quajtur Fontan, i cili e çon gjakun nga vena direkt në mushkëri, pa kaluar nëpër zemër, kusht që sjellin trupin në mbingarkesë të vazhdueshme, që kërkon trajtime dhe kontrolle gjatë gjithë jetës dhe që në 5% të rasteve çon në një transplant. /vizionplus.tv