Dritan Rexhepi duket se do të jetë personi tjetër i shumëkërkuar nga drejtësia që pritet të ekstradohet nga Turqia dhe të përballet me akuzat e ngritura në Shqipëri.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë avokatja e tij gjatë seancës në Gjykatën e Posaçme ku Rexhepi po gjykohet për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës. Por nga ana tjetër, deri në këto momente as ministria e drejtësisë dhe as Prokuroria e Posaçme nuk e ka konfirmuar një fakt të tillë, pasi ende nuk kanë informacion zyrtar nga autoritetet turke. Dritani Rexhepi ishte në kërkim ndëkrombëtar pasi sipas SPAK ai është përsoni që ka dhënë urdhërin për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës.
Ndër të tjera, Rexhepi është dënuar me 25 vjet burg nga Gjykata për vrasjen e efektivit Durim Kasmit, ngjarje e ndodhur në vitin 1998. Edhe Itali e ka dënuar në mungesë Rexhepin me 20 vite burg për trafik ndërkombëtar droge.
Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja përpara gazetarëve u shpreh se institucionet ligjzbatuese kanë kryer të gjitha procedurat për ekstradimet e personazheve të botes së krimit, por shpesh herë këto esktradime nuk realizohen për shkak të ankimimeve të bëra prej tyre në vendet ku janë arrestuar.
“Jo çdo arrestim i atyre me qëllim ekstradimi finalizohet pozitivisht, sepse ka një procedurë të caktuar ekstradimi. Është procedura në rastin e ekstradimeve. Kemi filluar procedurat për të gjithë personat që janë arrestuar me qëllim ekstradimi. Ka kohën e vet. Këto persona i ankimojnë ne vendet përkatëse. Mos u çudisni që ka persona që janë arrestuar me qëllim ekstradimi dhe ende nuk janë ekstraduar”, tha Manja.
Ibrahim Lici është një tjetër person i shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare për vrasje dhe krime të rënda i cili u arrestua gjithashtu në Turqi. Krahas Licit dhe Rexhepit që priten të esktradohen, drejtësia është në pritje edhe të esktradimit të baronit të drogës Gëzim Çela i cili u kap në Kosovë si dhe të ish-kreut të bandës së Durrësit Lulzim Berisha qe u prangos në Spanjë në muajin dhjetor të vitit të kaluar.
Por kush është Dritan Rexhepi?
Shqiptari i cili ishte edhe një nga drejtuesit kryesor të kartelit shqiptar të kokainës të njohur me emrin ‘Kompania Bello’ u kap në një vilë luksoze në Turqi, pasi shërbimet italiane të sigurisë sinjalizuan homologët turq për mbërritjen e Rexhepit në Stamboll.
Dritan Rexhepi ishte futur në Turqi me një pasaportë të falsifikuar kolumbiane me emrin Benjamin Omar Perez Garcia. Gjatë operacionit atij iu gjetën një pistoletë, një sasi parash si dhe disa sende personale me vlerë.
Rexhepi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge në gjysmën e Europës. Ai vepronte si ndërmjetës dhe organizator në emër të dy grupeve kriminale shqiptare, duke patur akses në sasi të pafundme kokaine.
Por Dritan Rexhepi është në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare, si porositës i rrëmbimit dhe zhdukjes së Jan Prengës. Kjo, pasi vëllai i Janit, Astrit Prenga, kishte vjedhur një sasi kokaine në Britaninë e Madhe që i përkiste Rexhepit dhe nuk kishte kthyer as shumat e parave.
Jan Prenga u rrëmbye në Kamëz më 17 Janar 2020. Prej afro 4 vitesh trupi i tij nuk është gjetur ende. Pamjet e kamerave të sigurisë në Kompleksin ‘Golden’ në Shijak u kthye në skenë krimi, ndërsa policia mundi të arrestonte disa persona: Leonard Hajrin, Bajram Hajrin, Festim Bexhdilin, Olsi Turjan si dhe Ardian Docaj.
Aktualisht në burg ka mbetur i dënuar vetëm Festim Bexhdili, kopshtari i kompleksit. Ndërsa në kërkim është ende Altin Hajri.
Në ngjarjen kriminale të rrëmbimit dhe zhdukjes së Jan Prengës sipas SPAK është i përfshirë edhe Gentian Doçi, i cili ndodhet i arrestuar në Spanjë.
Dritan Rexhepi ka një të shkruar të pasur kriminale. Ai është akuzuar për vrasjen e dy policëve në vitin 1998. Më pas, ai është arratisur dy herë duke u larguar nga Shqipëria e duke u bërë një ndër bosët e trafikut të kokainës.