Nga Lirim Alija
Befas ra perdja e zezë…janari u tkurr
Frymëmarrjet e ngrira, na mbetën pezull
Për ty, Shandani ynë, në këtë teatër obskur
S’mjafton një minutë, po heshtje një shekull
Kjo gjëmë e madhe, tepër na ka vrarë
Epoka jote u këput, në mes, si selvi
Gjysma n’kacafytje, me bisha e barbarë
Gjysma tjetër me dëshprime e distopi
Për popullin që e deshe, ke thënë disa herë:
Kam dëshirë ta shoh, të lulëzojë si zambak
Për këtë pra, na duhen personalitete me vlerë
Njerëz të dijes, mbi të gjitha, një Balzak
Ke shpërthyer nga mllefi, si burrë i zoti
Atëherë kur të nxirrnin nga takti të ligët:
Armikut ia kemi ndrequr samarin qëmoti
Po si t’ia bëjmë me mercenarët e kuislingët?!
Që atëherë kur njerëzit, përdornin eshkë
Dhe mezi pak bukë të thekrit haje
Kur punoje arat, apo me delet në bjeshkë
Ti me vete libra dhe fletore mbaje
Sepse ti shumë herët e ke vërejtur
Se injoranca nuk mposhtet me aq lehtësi
Shumë llamba tjera do duhej ndezur
Ndaj të është dashur pashtershëm energji
Jetove me dinjitet, mësuesi ynë, të lumtë!
Edhe malet rrafshoje me vepra e fjalë
S’të përballonin dot, servilët e shumtë
Të mposhtur iknin, me bisht nën shalë
Dialogjet me ty s’kishin të mbaruar
Admirues i dijes, i aftë në çdo lëndë
Elokuenca rrjedhëse si krua i kulluar
Punëtor i palodhur, kreshnik hijerëndë
Në këto ditë të vështira, siç do thoshe Ti
Tash e shoh, për kob, se sa shkon sahati
Për mungesën tënde, plot melankoli
Do vuan Derveni dhe jo vetëm fshati
Me shkuarjen tënde s’kemi për t’u mësuar
E dëshmojnë, ja njerëzit, te shitorja t’presin
Atë thënien filozofike, mbase “e ke harruar”
Persona si Ti, lindin pikërisht pasi vdesin.