Marco Romeo vijon ta shtojë dhimbjen e familjes së Sibora Gaganit, të rese me origjinë shqiptare e cila u gjet e murosur në apartamentin ku kishte jetuar me partnerin e saj italian, në Torremolinos të Spanjës. 22-vjeçarja u gjet e murosur, 9 vite pasi u zhduk pa asnjë gjurmë, vetëm pas një rrëfimi spontan të 45-vjeçarit Romeo, gjatë kohës që shoqërohej për vrasjen e partneres së tij të dytë.
Ai ndodhej në korridoret e stacionit të policisë kur pa foton e Siborës të afishuar në mur, si person i zhdukur dhe u tha oficerëve se e kishte vrarë ai, e trupin e kishte murosur në shtëpinë ku kishin jetuar.
2 javë më vonë ajo u gjet e futur në kuti brenda një muri, që siç mësohet së fundmi nga mediat spanjolle, e kishte ngritur një punëtor i pajtuar nga Marco Romeo. Personi në fjalë, ndonëse brenda hapësirës ku po ndërtonte murin kishte parë një qese të madhe plastike, nuk kishte dyshuar se në fakt brenda saj gjendej Sibora, që në atë kohë rezultonte e zhdukur prej më shumë se një jave
Pak ditë më parë, në një letër që Marco Romeo i nisi gjykatës, pranonte vrasjen e Paulës, 17 majin e vitit që lamë pas, por mohonte vrasjen e Siborës. Për këtë të fundit pranonte vetëm që e kishte murosur dhe madje shprehte pendesë për këtë veprim
Por kush e vrau Siborën sipas Marco-s? “Misterin” e zbardhi para gjykatës, dy ditë më pas. Më 30 Janar, ai dha dëshminë e parë autoriteteve, që po hetojnë këto dy krime në Torremolinos.
45-veçari dëshmoi për rreth 2 orë dhe dha versionin e tij për të dyja vrasjet. Por edhe përballë e mohoi vrasjen e Siborës, e cila humbi jetën me 4 goditje thike nga pas, në momentin që i dha fund lidhjes me Marco-n. Për herë të parë dha versionin e tij për këtë ngjarje: Sibora u vra nga mafia shqiptare. Trupin e saj e murosi për shkak të frikës.
Trupës hetuese u tha se Sibora kishte marrë borxh 25,000 euro nga bashkëkombësit e saj për të hapur një biznes, por ato para ia vodhën disa kolumbianë që kishte takuar gjatë një nate jashtë, ndaj ajo nuk mund ta shlyente më borxhin. Sipas 45-vjeçarit, shqiptarët nisën t’i bënin presion Siborës që t’u kthente paratë, deri në pikën që e reja, gjithnjë sipas Marco-s, planifikoi të arratisej.
Telefoni i Siborës reshti së transmetuari sinjal më 7 Korrik të 2014-s. Personi i fundit me të cilin kishte folur në WhatsApp ishte Marco, i cili kishte qenë gjithmonë në mesin e të dyshuarve kryesorë të hetuesve. Megjithatë në atë kohë, ata nuk arritën të gjenin prova kundër tij.
Vrasësi i dyshuar i tha gjykatës se ai e kishte ndihmuar Siborën që të largohej nga apartamenti i saj dhe e mori në apartamentin në Calvario ku kishin jetuar bashkë, pavarësisht faktit se ishin ndarë, për ta ndihmuar. Por 4 shqiptarë të armatosur erdhën në shtëpi për të kërkuar paratë e tyre.
Marco tha se shqiptarët e vrarë Siborën në sy të tij, duke përdorur një thikë dhe e urdhëruan që të fshihte trupin. Ai tha se dinte vetëm emrin e njërit prej autorëve, por refuzoi që ta tregonte./tvklan.al