Me fillim në ora 13:00 në sallën e Operas dhe Baletit do të mbahet Kongresi IV i jashtëzakonshëm i Aleancës për Shqiptarët, i thirrur nga Sela. Kjo ngjarje është pjesë e zhvillimeve të fundit në partinë që dikur drejtonte Sela. Në statusin e tij në facebook Sela ka thënë se “Çdo informatë tjetër që qarkullon ndryshe nga kjo informatë zyrtare, është e rreme dhe tentim për mashtrim dhe defokusim të anëtarësisë”.
Kjo iniciativë e Selës vjen si kundërpërgjigje ndaj kongresit të organizuar nga Taravari, në të cilin delegatët që morën pjesë në konfirmuan kandidaturën e Arben Taravarit për president të vendit. Gjithashtu, ata kanë shfuqizuar vendimet që javën e kaluar miratoi Kuvendi partiak në krye me Ziadin Selën.
Ky moment është i rëndësishëm për subjektin politik dhe mund të ketë ndikim në politikën e vendit, pasi që dje ASh-ja nënshkroi deklaratën për bashkëpunim me bllokun opozitar shqiptar.
Aleanca për Shqiptarët krahu i Taravarit, mbajti kongresin e katërt të partisë. U quajt kongres i jashtëzakonshëm. Të pranishëm ishin 421 delegatë nga gjithsej 739 sa numëron partia. Në kongres u sollën disa vendime. Si pika e parë, u miratua kandidatura e Arben Taravarit për president në zgjedhjet presidenciale. U shfuqizuan vendimet e mbledhjes, siç e quajnë, jolegjitime të kuvendit të partisë që u mbajt nga krahu i Selës më 10 shkurt, si dhe u miratuan disa ndryshime të statutit partiak, me çka rikthehet në fuqi statuti paraprak i miratuar më 27 mars 2022 në kongresin e dytë të partisë.
“Prej gjithsej 739 delegatëve në nivel republikan, 421 delegatë ishin prezent. Si pika kryesore në rendin e ditës ishte miratimi i kandidaturë për president të kryetarit të partisë, z.Arben Taravari, shfuqizimi i vendimeve të mbledhjes së dytë të Kuvendit të partisë të mbajtur në Shkup më 10 shkurt 2024, dhe plotësim ndryshimet statutare”, tha Blerand Ramadani, zëdhënës i Ash-së.
Nga ana tjetër, Aleanca për Shqiptarët krahu i Selës, gjithashtu kanë thirrur kongres të jashtëzakonshëm për më 18 shkurt. Atje do të diskutohet përgjegjësia ndaj Taravarit dhe me shumë mundësi do të miratohet nisma e kuvendit për shkarkimin e kryetarit të partisë Arben Taravari. Nga atje paralajmërojnë
se të dielën mund të zgjidhet kryetar i ri i partisë. Por sipas Taravarit, kongresi i thirrur nga vet ai është legjitim, e për atë të Selës, thotë se nuk e ka as gjysmën e anëtarësisë së kuvendit.
“Nuk e di, ky kongres është legjitim. Tjetri duhet t’i ketë dy të tretat e anëtarëve të Kuvendit e ato nuk kanë as gjysmën e ku më 2/3-tën”, tha Arben Taravari, kryetar I Ash-së.
Por a mund të pritet një pajtim dhe ribashkim mes Taravarit dhe Selës?
“z.Sela vetëm se është anëtar i Aleancës për Shqiptarët. Shife, e rëndësishme është që edhe në Kuvendin tonë edhe në kongresin tonë ne nuk bëjmë përjashtime. Kryetari i partisë në çdo moment kishte të drejtë të shkarkon nënkryetarë të partisë të cilët nga njëra anë u plasuan në anën tjetër. Mirëpo kjo nuk ka ndodhur në asnjë moment”, shtoi Ramadani.
Përndryshe nga ndryshimet statutare që miratoi kongresi i organizuar nga Taravari, siç thuhet në njoftimin partiak, Ziadin Sela më nuk do të jetë kryetar i Kuvendit Qendror dhe atë vend do ta ushtrojë kryetari i partisë Arben Taravari.