Natasha Prentiq, ushtruese e detyrës së drejtoreshës së Organizatën Joqeveritare, “Centar za Mir i Toleranciju Pristina” është arrestuar në aksionin e sotëm të Policisë së Kosovës në objektin e Policisë në Prishtinë.
Prentiq, që ushtron profesionin e doktoreshës tash e 23 vite është arrestuar pasditen e së mërkurës në vendin e saj të punës.
Për arrestimin e Natashas ka reaguar bashkëshorti i saj, Dragan Miriç.
Në një prononcim për Paparacin, Miriç është shprehur i dëshpëruar me veprimet e Policisë dhe Prokurorisë së Kosovës. Ai thotë se Natasha ka ushtruar profesionin e saj për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim, teksa shton se ai objekt ka funksionuar që nga paslufta.
Miriç thotë se është kërcënuar nga Policia e Kosovës, ndërsa deklaron se nuk ka asnjë njoftim rreth gjendjes së gruas së tij.
“Unë isha te Stacioni i Policisë edhe kam kërkuar që të takohem me gruan time, por Policia e Kosovës më ka kërcënuar se do të më arrestojnë. Thjeshtë i kam pyetur për gruan time, ata më thanë “hup prej ktu”. Nuk e di se si është. Sot e kanë telefonuar për të dhënë deklaratë në ora 13:30 dhe më nuk është kthyer. Djalin e kam të sëmurë dhe po e kërkon nënën e tij, ai nuk e di se çfarë është arrestimi e unë nuk e di se çfarë t’i them”, ka thënë fillimisht Dragan Miriç për Paparacin.
Miriç ka thënë se ambulanta në objektin e Policisë në Prishtinë ka funksionuar qe 23 vite. Ai pohon se aty janë mjekuar edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
“Ajo ambulant funksionin tash e 23 vite, shumë policë janë mjekuar e janë kontrolluar aty. Gruaja ime punon qe gjashtë muaj në këtë objekt, ndërsa profesionin e doktoreshës e ushtron qe 23 vite. Policët e qytetarët pa dallim janë mjekuar edhe para kohës së saj edhe derisa ajo ka punuar aty”, shtoi ai.
Krejt në fund, Dragan deklaroi se do të ankohet dhe nuk do të ndalet derisa të gjendet fajtori i këtyre veprimeve.
Në një njoftim për media, Prokuroria dhe Policia e Kosovës kanë njoftuar sot se kanë kryer bastisje në një lokacion ku dyshohet se janë duke u ofruar shërbime të kundërligjshme mjekësore.
Lidhur me aksionin e Policisë e Prokurorisë ka reaguar edhe ministri Xhelal Sveçla.
Ai e ka quajtur kërcënim për vendin veprimtarinë e kësaj organizate.
“Departamenti i Organizatave Joqeveritare në kuadër të MPB-së ka konfirmuar se organizata në fjalë “Centar za Mir i Toleranciju Pristina” nuk ka respektuar legjislacionin në fuqi mbi funksionimin e OJQ-ve. Pas bastisjeve është kuptuar që ajo hapësirë nuk është shfrytëzuar fare për natyrën e kësaj OJQ-je. Kësisoj, kemi njoftuar institucionet përkatëse të sigurisë dhe është konfirmuar se e njëjta ka veprimtari ilegale gjë e cila është vërtetuar pas hyrjes së Policisë dhe Prokurorisë brenda objektit. Një veprimtari e tillë në mes të tre institucioneve më të larta të sigurisë së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Kryeprokurorisë dhe Policisë së Kosovës është tejet e dyshimtë dhe paraqet rrezik për sigurinë e vendit”, thuhej në reagimin e tij.