Ballina Aktualitet Kultura Festivali i Folkut në Vlorë, marrin pjesë 300 artistë nga e gjithë...

Festivali i Folkut në Vlorë, marrin pjesë 300 artistë nga e gjithë bota

300 artistë të ardhur në Vlorë, në edicionin XVI të “Aulona Inter Folk Festival” nga vende të ndryshme të botës prej tri ditësh i kanë dhënë gjallëri qytetit të Vlorës me këngët, vallet dhe kostumet tradicionale.

Të tri netët janë ndjekur nga artdashës të shumtë vendas dhe të huaj. Koncertet u zhvilluan para stadiumit të qytetit bregdetar. Në skenë janë ngjitur grupet nga Shqipëria, Rumania, Hungaria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Greqia, Italia dhe Ukraina. Kupën e festivalit e ka rrëmbyer Ansambli “Romanasul” nga Rumania.

Qytetarë vlonjatë I preferojnë aktivitetet e tilla, të cilat promovojnë traditat dhe kulturat e vendeve të ndryshme, por patriotizmi për vendlindjen mbizotëron.

Ndërsa përshtypja e të huajve për festivalin ishte pozitive. Ata vlerësojnë shumë Vlorën dhe aktivitete që përcjellin vlerat kulturore të Shqipërisë.

“Jemi nga Italia. Prej një jave kemi ardhur për pushime në qytetin e Vlorës por këtu po ndihemi shumë mirë. Është shumë bukur dhe njerëzit janë shumë të mire”, thotë një turiste.

“Jam nga Ukraina, jetoj prej 2 vitesh në Vlorë dhe këtë aktivitet e kam ndjekur edhe vitin e kaluar. Më pëlqen të shoh dhe ndjek kultura të ndryshme, por këtu takoj dhe miqtë e mi nga Ukraina. Më pëlqejnë shqiptarët, e çmoj kulturën tuaj dhe ndihem si në shtëpinë time”, shprehet një tjetër.

Grupet pjesëmarrëse nuk u ngjitën vetëm në skenën e festivalit të vendosur në sheshin përpara stadiumit të futbollit “Flamurtari”, por edhe në mjediset e shumta publike, rrugë e sheshe, që mbajtën peshën e rëndë të ngjyrave të kostumeve, tingujt e këngëve dhe ritmet e valltarëve.