Këto ditë është ndarë nga jeta një veteran i shquar i arsimit shqip në Tetovë, Ramadan Tairi. Ai ka qenë mbi 30 vjet mësues i gjuhës shqipe në shkollën qendrore të rajonit të Malit të Thatë në fshatin Grupçin dhe kujtohet me shumë respekt e dashuri nga breza të tërë nxënësish nga Grupçini, Kopaçindolli, Çifliku, Llërca, Novosella, Rogleja, Cerova, Merova dhë Dëbërca.
Aty nga viti 2003 u largua nga shkolla e Grupçinit dhe u emërua si drejtor i Shkollës Fillore Komunale “Istikball” në Tetovë.
Lajmin për ndarjen nga jeta të veteranit të arsimit e kanë bërë familjarët dhe Myftina e Tetovës.
„Sot, drita e ngrohtë e gjyshit tonë të dashur Ramadan Tairi shuhet pergjithmone në hijen e pavdekësisë, duke lënë pas një boshllëk të thellë në shpirtin tonë. Ai ishte si një drite që ndriçonte çdo hap të rrugës tonë, një burim i pafund i dashurisë dhe inkurajimit për të gjithë që e kishin fatin të përjetojnë praninë e tij. Me largimin e tij, po mbyllet nje kapitull i madh i begate i jeteve tona, duke na lënë të ndihemi me zemra jo te plota deri ne fund te jetës. Por edhe pse trupat tane do te jenë të ndare, shpirti i tij do të qëndrojë gjithmonë pranë nesh, duke na frymëzuar dhe mbajtur gjallë shpresën për një ditë të ritakimit ne boten e amshuar. Ai do të mbetet një kujtim i shenjtë dhe një shembull përjetë i dashurisë dhe mirësisë që do të ndriçojë rrugën tonë edhe në errësirën më të thellë.
Pusho i qete gjysh, qofsh nen meshiren e Allahut fuqiplote dhe shpirti yt i bardhe u prehte ne paqe dhe ne driten e pashterur pergjithmone“, shkruan Arlinda Tairi Memishi.
Sot, më 11.05.2024, Myftiu i Tetovës Prof. Dr. Qani ef. Nesimi, i shoqëruar nga ish Myftiu H. Alifekri ef. Esati dhe disa kolegë të tjerë, mori pjesë në varrimin e ish anëtarit të Myftinisë së Tetovës dhe ish myteveliut të Xhamisë së Rinisë, haxhi Ramadan Tairi.
Allahu xh. sh. e mëshiroftë rahmetliun, kurse familjes i dhashtë sabër, shkruan Myftina e Tetovës, transmeton Tetova News.