Një polumbar humbi jetën mbrëmjen e së hënës në Sarandë pasi dyshohet se i shpërtheu bombula e oksigjenit gjatë zhytjes në det.
Por teksa kanë kaluar më shumë se 12 orë nga ngjarja e rëndë, policia ende nuk ka arritur të identifikojë viktimën për të përcaktuar nëse është shqiptar apo shtetas i huaj.
Viktima u gjet nga dy turistë. Ata e kanë nxjerrë menjëherë nga uji dhe e kanë transportuar drejt Portit të Sarandës, ku më pas është marrë nga ambulanca për ta dërguar në spital.
Por pavarësisht përpjekjeve për ta shpëtuar, zhytësi nuk ka arritur të mbijetojë.
Ndërkohë policia ka ushtruar kontrolle të shumta në gjirin e Sarandës por nuk ka gjetur as një mjet lundrues të braktisur që mund të lidhet me viktimën.
Trupi ndërkohë është nisur drejt Institutit të Mjekësisë Ligjore në Tiranë ndërsa policia po vijon hetimet intensive për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes së rëndë./vizionplus.tv