Bota aktualisht është duke u përballur me probleme kibernetike globale, të cilat kanë vënë jashtë funksionit apo kanë vështirësuar funksionimin e komunikimit dhe rrjedhimisht edhe afarizmin në gjithë botën.
Ky kolaps kibernetik global ka prekur edhe Kosovën, qytetarë kanë raportuar se po kanë probleme me qasje në aplikacionet e ndryshme. Po ashtu po raportohet edhe për probleme me qasje në ATM-të e bankave.
Poashtu në KESCO kërkesat e konsumatorëve po hasin në vështirësi për t’u procesuar te departamentet përkatëse për shkak të rënies së sistemit të IT-së, transmeton Paparaci.
Me këtë rast KESCO i është drejtuar publikut me kërkesë për mirëkuptim:
“Të nderuar konsumatorë,
Për shkak të një kolapsi kibernetik, i cili ka prekur shumë sektorë në shumë vende të botës, ka afektuar edhe Kosovën ku, nga mëngjesi i sotëm, të gjitha kërkesat tuaja po hasin në vështirësi t’i procesojmë te departamentet përkatëse për shkak të rënies së sistemit të IT-së.
Sistemi i Sigurisë Kibernetike #“Crowdstrike Global” ka lajmëruar opinionin e gjerë për një gabim në sistemin e tyre. Rrjedhimisht, ky problem nuk është specifik në KESCO, por është problem që ka afektuar të gjitha kompanitë e mëdha globale.
Ekipet përkatëse janë në kontakt me kompanitë botërore, si #Microsoft, #Crowdstrike Global etj. dhe po punohet në zgjidhjen e këtij problemi.
Kërkojmë mirëkuptimin tuaj, dhe shpresojmë që së shpejti të gjitha kërkesat tuaja do të procesohen”, shkruan në kumtesën e KESCO-s.
Në ndërkohë shumë kompani të mëdha ajrore në Shtetet e Bashkuara, i kanë anuluar fluturimet të premten, duke cituar probleme me komunikim, derisa kompani tjera mediale, banka dhe spitale në shumë vende të botës, kanë raportuar që kanë probleme me sistemet kompjuterike dhe që po u pamundësohet puna, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Në Kroaci raportohet të ketë rënë Sistemi Qendror Informativ Shëndetësor.
Televizioni britanik Sky News ka qenë për pak kohë jashtë transmetimit.
Policia në shtetin amerikan të Alaskës ka raportuar për bllokim të linjës për emergjenca – 911.
Në Australi, mediat, bankat dhe kompanitë kanë thënë se kanë hasur në probleme me internet, për të cilat Qeveria ka thënë se duket që lidhen me kompaninë globale për siguri kibernetike, Crowdstrike.
Kjo kompani krijon softuerë për të luftuar viruset kompjuterike dhe ka raportime që një përditësim në sistem ka shkuar keq.
Faqja Downdetector e kompanisë Crowdstrike ka gjetur probleme në qasje në shumë banka dhe kompani telekomunikimi.
Crowdstrike e ka lëshuar një mesazh të incizuar telefonik, me njoftimin se kompania është e vetëdijshme për raportimet e problemeve në sistemin operativ Windows të Microsoftit.
Nuk ka informacione që sugjerojnë që kjo ndërpreje përbën incident të sigurisë kibernetike./Paparaci.com