Ballina Aktualitet Kultura LIRIM ALIJA – URA TIBETANE (POEZI)

LIRIM ALIJA – URA TIBETANE (POEZI)

LIRIM ALIJA
URA TIBETANE
POEZI

POETËT DHE POEZIA

Poetët janë ata që shkallët i mbështesin
në cep të yjeve
dhe ngjiten lart me tinguj violine;
Nuk harrojnë ta marrin me vete
shushurimën e pyjeve
dhe bukurinë e çdo stine

Dikush tha: poetët i ngjajnë një fëmije
Kur ulen në tavolinë,
këmbët nuk ju prekin në dyshemé;
Botën e mbërthejnë me korniza fantazie
Gjithçka e shndërrojnë në haré

Nëse poezia nuk lind natyrshëm, siç del një gjeth,
më mirë të mos lind fare;
Ose ta ruaj gjelbërimin gjithmonë, si një bredh
Në vjeshtë, stuhi
dhe acare

Poezia është mbretëresha e estetikës,
galeri me ngjyra e piktura,
nëse është me rimë;
Ndryshe, duket si një melodi pa partitura,
ekzekutuar vetëm
me fishkëllimë.

SHPËRBLIMI IM

Që nga mosha e njomë të pata pritur
Por ti nuk vije. Mendoja se nuk je fare.
Në atë botë që këmbët e mia patën çapitur
Nuk të gjeta:
as në vjeshtë,
as në dimër,
as në behare

Të kam dashur gjithmonë në imagjinatë
Edhe atëherë kur nuk e dija, je apo nuk je
Saherë që shirat gjallëronin tokën e thatë
Prisja të zbresësh:
si lumë,
apo e shtridhur
nga ndonjë re

Ndërkohë, tek vitet shtyheshin për të kaluar
Me tym vuajtjesh, që ma kujtonin kometën
Por unë, në këtë pikë të vetme isha fiksuar:
Për besë,
nëse nuk vonohet,
do ta pres
tërë jetën

Ndonjëherë më vriste një mendim i përhitur:
Si mund të vij ajo që gjatë kohë e pres
Njerëzit, gjërat që duan, kurrë s’i kanë arritur
Pse unë,
kaq i vendosur
dhe ta kem
këtë shpresë..?!

Pastaj ajo thënia sfiduese shpirtin ma ndriste
“Më mirë një ditë si ujk, se njëqind vjet dele”
Ndjeja brenda qenies sime diçka t’më fliste:
Ajo do vij,
patjetër,
një ditë,
si flladi i një ere

Pikërisht kështu ndodhi, më në fund erdhe
Atëherë kur natyra ime gati flakë kish marrë
Nëpër lëndinat e djegura si rrëke u derdhe
Gjithçka gjallërove,
oazë e bëre,
aty ku dikur,
ishte një saharë

Kam përshtypjen se jeta ndahet në dy pjesë:
E para, për disa, si dënim, tjetra si shpërblim
E unë sa me fat, këtë të dytën, deri sa të vdes
Me ty do ta jetoj,
do jem
në çdo çast,
në dije dhe përqafim

Tash më vjen të bërtas, të gjithëve t’ju them
Atyre që m’patën konsideruar si dështak i kotë
Vërtet jam dukur si peshkatar, pa karrem
Por sot,
kam njohur,
Vajzën më të mirë
në botë.

URA TIBETANE

Rrugët e jetës sime, si urë tibetane
Me litarë të kapur në dy maje malesh
Saherë që kaloja, sikur ecja me nallane
Nga lëkundjet mes dëshirash e hallesh

Kështu gjithmonë, por kurrë nuk u ndala
Ndonëse marramendjet qenë pa mbarim
S’më trembnin stuhitë, as poshtë ujvara
Se’ për një Ëndërr, kisha shumë besim

Më në fund ti u shfaqe, si një mrekulli
Në skaj të asaj ure, befas u takuam
Kur i ngjitëm, ëndrrat, u bënë dashuri
Atëherë më nuk ecnim, por…fluturuam

QERSHITË M’I KUJTOJNË…

Këtu qershitë janë pjekur, nuk e di atje
Edhe pse nuk jemi ende në qershor
Muaji im i lindjes mbaron pa diell, me re
Dhe me kujtimet për ty, t’bëra aureolë

I dëshpëruar, mbetur udhë e mbi udhë
Ndjej sikur më ka ikur çdo avion a tren
Gjithçka qenka mbyllur në këtë periudhë
Madje s’mund të vij as edhe si polen

Ku s’më çojnë fantazitë, ja unë, si fëmijë
Bëj anije prej letre dhe i lëshoj në lumë
I bindur se ndonjëra tek ti do të mbërrijë
Ta lexosh fjalinë:”…më mungon shumë…”

Mbrëmjeve të kthjellta shikoj qiellin me yje
I thërras të gjithë me emra një nga një
Pikturoj fytyrën tënde, me të vetmen arsye
Sepse edhe ti, e di që bën t’njejtën gjë

Kur më përcolle atë ditë, the, shpirtlënduar:
“Ja ca puthje rezervë, mbase do të duhen”
Por s’kisha durim, ato moti i kam harxhuar
Pyes veten, vallë, puthjet a mund të ruhen.?

Muaji im i lindjes po përgatit valixhet
Dhe do të ik larg, siç bëra unë atë ditë
N’mungesë të buzëve tua, që malli t’më hiqet
Sa mirë, them, që para kohe u poqën qershitë

SI KREM SOLAR

Oh zemër, befasia ime e shumëpritur
Që më erdhe në kohën më të vështirë
Saherë që në trupin tënd jam ngjitur
Si krem solar jam shkrirë

Dikur ishe vetëm shprehje dhe ide
Pastaj ëndërr që shfaqet edhe ditën
Derisa erdhi çasti, tërë kjo u ndërpre
Atëherë kur n’shpirtin tim ndeze dritën

Mua që gjithë jeta më shkoi me art
Pandehja se ajo kështu ishte e përsosur
Por ti që zbrite…si një yll nga lart
Me shkëlqimin tënd ma ke ngjyrosur

E dimë se pasionet e kanë vlerën e tyre
Ato prapë do t’i dua, mbase tepër
Por siç e shoh, në thelb të çdo dëshire
Qëndron dashuria dhe asgjë tjetër

Ti ma bëre të ditur, se dashuria
S’është vetëm në libra, siç ka thënë një poet
Nëse baskëdyzohen dëshira e simpatia
Ajo, nga një ëndërr, bëhet realitet

Nuk mund ta përshkruaj se si ndjehem
Me ty që më erdhe si fatamorganë
Një minutë të kalojë, tepër mallëngjehem
Dua të të kem vazhdimisht pranë

Oh zemër, befasia ime e shumëpritur
Që më erdhe në kohën më të vështirë
Saherë që në trupin tënd jam ngjitur
Si krem solar jam shkrirë.

ME ZEMËR TË NDEZUR SI ABAZHUR

E dashur, të shkruaj nga larg
Nga një vend perëndimor
Asnjë shigjetë s’më ka mbet në hark
Vetëm ajo që quhet Amor

Këto ditë mbushur me frymëzime
Të them thelbin e një të vërtete
Ti erdhe këndshëm në jetën time
Atëherë kur kisha pak shenja jete

Ti nuk më zgjove për dhimbje tjera
Por ishe një porosi nga dashuria
Për t’më treguar se doli pranvera
Dhe se mbaroi për mua letargjia

Edhe pse erdhe kaq me vonesë
(Se rrethanat kanë qenë të tilla)
Jetës sime i ke bërë një kthesë
Të mendoj vetëm për gjëra të mira

Të zotohem, për ty do bëj gjithçka
Dhe s’duhet të kesh aspak dilemë
Errësirën prej sot mos e përmend pra
Po le të mbetet një tabu-temë

Tash që ëndrrat dhe gjumin thej
Dhimbje s’do të kemi më kurrë
Që ta vras errësirën, dritën ta kthej
Zemrën do ta ndez si një abazhur.

DASHURI ME DUAR TË LIDHURA

Më shumë se krejt bota dikë ta dashurosh
Aq sa trupin shpesh e kapin të dridhura
Dhe t’mos mundësh njëherë ta përqafosh
A s’është kjo…dashuri me duar të lidhura..?

Kanë thënë, madje edhe dijetarë eminentë
Se dashuria është kulmi, s’ka tjetër përmbi
Kam përshtypjen se ka një tjetër sentiment
Që është më i madh, por, si quhet…s’e di

Sado që është përpjekur, dikush ta ndalojë
Kjo ka shembur mure, prangat i ka hëngër
Ata që duhen, kur ka dashur t’i bashkojë
Në mos si pranverë, u ka shkuar si ëndërr

Për këtë, nuk ekziston “mollë e ndaluar”
As nënshkrim fatesh nga dikush, si dikur
Gjënë më të shtrenjtë për ta përqafuar
Mbi male e dete është shndërruar në urë.

NË ÇFARË MOSHE JAM

Njeriu e kupton se është plakur, atëherë
kur s’jeton më me ëndrra, por me kujtime;
Çastet e kaluara duken si lule t’thata, pa erë
T’vëna në faqet e një fletoreje me shënime

Por kjo thënia më ka dhënë kurajo gjithmonë,
Si dritë e yllit polar, që vazhdimisht shkëlqen:
“Nuk mbetemi të vetmuar nëse dikush shkon,
por, atëherë kur dikush asnjëherë nuk vjen” .

Me sy nga dritarja, edhe pse vetëm groteske
Tek nëpër shkallët e jetës ngjitesha e zbrisja
Megjithëse vitet kalonin si pamjet burleske
Unë prapë shikoja dhe të prisja, të prisja…

Më në fund kjo ndodhi, pikërisht në pranverë
Me flatra dallëndysheje, më trokite në xham
Dhe si në mëngjeset, pas një gjumi të thellë
Më bëre të harroj se në çfarë moshë jam.

NUK MUND TË PAJTOHEM

Mbrëmjen e djeshme do ta kujtoj prore
Me ndjenja t’përziera si asnjëherë më parë
Sa afër të kisha…një të shtrirë dore
Dhe prapë s’mundesha n’krahë të të marr

Nata qe e këndshme, s’dua të ankohem
Ndonëse koha rrodhi si lumi nën urë
Por për një fakt nuk mund të pajtohem
Kaq dashuri, e mos të puthemi kurrë

Vuajtje më të hidhur, nuk paska jo
Se të kesh gjithmonë në zemër dikë
E mos mund ta ledhatosh në çdo kohë
Dallgët e mundimeve të mbysin pa zë

Dhe kur mendojmë se jemi të humbur
Prapëseprapë duke kujtuar Dashurinë
Ringjallemi ndër valë duke u shkundur
Për të dalë si zambakë në syprinë

Pse për disa, jeta qenka si një ciklon
E gjithçka pamëshirshëm përpin
Personin që aq shumë e dashuron
Për ta pasur pranë, s’ta jep mundësinë.

DO VIJ NJË DITË

Askënd më shumë s’e kam dashur
Askënd më shumë nuk do ta dua
Vuajtje tjetër kurrë s’më ka luhatur
Sa mungesa jote, që më bren mua

Ç’kisha të shpirtit të gjitha t’i dhashë
Çfarë kishe të shpirtit m’i fale edhe ti
Por, kur e kujtoj se nuk jemi bashkë,
Më grin përbrenda një melankoli

Saherë them: s’dua ta ngashërehem
Nga ky sentiment që po më shkallon
Por s’kalon shumë, sërish rrëmbehem
Përveç dashurisë, s’kam tjetër opsion

Në qytetin tonë dal e shëtis çdo ditë
Por më duket se endem ashtu vërdallë
Vetëm kur ndonjë shok më pëshpërit
Atëherë e kuptoj se s’të kam përballë

Ti këto ditë dëfrehesh në atë kaltërsi
Unë, i mërzitur trotuareve të qytetit
Por do vij një ditë, patjetër të vij
Të jemi të ngjitur pranë njëri-tjetrit

KAM ËNDËRRUAR

Ëndërroja sikur në çdo vend që të puthja mbinte nga një xhevahir
Dhe ti i mblidhje për të bërë gjerdan kujtimesh
Në mëngjes, që s’të kisha, pyesja veten, i përdëllirë:
Cilët lot do t’i lanin këto njolla dhimbjesh.?!

Mungesa jote ma zë frymën, deri në hënë më dhemb
Pamundësitë e puthjeve ndjenjat m’i trazojnë
Si pëllumbat e bardhë të shesheve dëshirat m’i tremb
Dhe pa ngrënë asnjë grimcë dikah fluturojnë

T’kam ëndërruar, t’kam kujtuar, kam fjetur apo s’kam fjetur
E t’më arratisesh s’kam lënë asnjë shteg
Por, histeria që ende, ashtu siç dua, nuk t’kam prekur
Është ngashërim e dhimbje që më djeg

LETRËN TËNDE

Letrën tënde e kam lexuar, nuk e di sa herë
Mbrëmë deri vonë, para se gjumi t’më merr
Ato fjalë të magjishme, të ëmbla plot vlerë
Shpirtin tim të etur e mbushnin me pranverë

Sërish nga mëngjesi, aq sa kam mundur
E lexoja me ëndje dhe shpesh e kam puthur
Ndonëse ato fjalë, shpirtin ma kanë këputur
Për dashurinë që kemi, jam tejet i lumtur

NETËVE KUR NUK JAM ME TY

Një trishtim ma kaplon shipirtin, ndërsa mbytem në dallgët e heshtjes
Para syve të mi shfaqet vetëm portreti yt.
Mendimet rreth teje, të ngatërruara mes pikëllimit dhe buzëqeshjes
Dhe fjalët që dua t’i them më mbeten në fyt.

Kujtoj flokët tua të zeza, sytë vezullues dhe buzët si dy hemisfera
Në pritje për t’u bashkuar me botën time.
Duart tua që përkëdhelin ëmbël dhe kraharorin e begatë si vetë pranvera
Duke shpërndarë dashuri si petale në fushën plotë gjelbërime.

Të shoh teksa rri pranë meje, ndërkohë që flasim për gjërat tona paskaj;
Ndiej një largësi të thellë sa një oqean.
Ndërkohë që mendoj e të premtoj se asgjë nuk do na ndaj
Imagjinata ime shndërrohet në uragan.

Sa do doja, të mbjellësh tek unë shkëlqimin e magjishëm
Atë shkëlqim ylberor që askush nuk di ta jap.
Dua të më pushtosh në krahët e tu si shi që bie furishëm
Nga puthjet t’mos mundem as gojën ta hap.

Zgjatma dorën dhe eja, e bukur si hëna dhe qëndro këtu me mua
Ta vë kokën në prehër dhe kohën ta ndal.
Ta ndjej erën tënde, zërin e ëmbël kur më pëshpërit “shumë të dua!”
Zemrën time të mjerë ta bësh sa një mal.

Ne jemi përjetësisht një shpirt, plot ëndrra, përpjekje, vuajtje dhe gëzime
Të ngjizura në dashuri që askush s’e lëkund.
Të kam thënë, prapë do ta them, si nxënësit kur bëjnë hartime:
Princeshë e bukur, të dua pafund..!

SIRENAT

Sytë e mi kanë parë femra e femra
Të njoh nga më të ndryshmet, më ka rastisur
Për disa, zaten, më është dridhur zemra
Por asnjëra s’ka qenë, ajo që kam pritur

Ka pasur të mençura, të sjellshme, të bukura
Por, këmbësore të rëndomta në parakalim
Kanë ardhur e kanë shkuar shpejt si flutura
Pa u ndalur ta shijojnë nektarin tim

Ti e dashur, erdhe, ndryshe nga të tjerat
Mu atëherë kur edhe unë drejt teje vija
Në zemrat tona, befas, kumbuan sirenat
Ishin paralajmërime…po lindte dashuria

ÇDOHERË TË KAM DASHUR

Një frymë e ëmbël ma kënaq shpirtin tim
Si një bimë nga rrezedielli ngrohur
Enigma e kësaj s’ka tjetër zbërthim:
Të paskam dashur edhe kur s’t’kam njohur

Për këtë sentiment që më kaplon mua
Do huazoj thënien e një të preferuarit tim:
Dashuria nuk është vetëm shprehja: të dua
Por të dashuruar të jemi në t’njejtin drejtim

Kjo pra më bën të jem me ty prore
Duke mbledhur grimca për vargje poezish
Kur s’mund të gjej krahsime tokësore
Kaloj ilegal në teritore tjera fantazish

Nëse dëshiron të më gjesh, e ke fare lehtë
Mjafton ta kthesh kokën për të shikuar
Sepse nuk jam ndalur në asnjë moment
Kam qenë vazhdimisht duke të kërkuar

Siç ka thënë dikur poeti De Musset
Në një letër para shumë vitesh shkruar:
“Nëse nuk kam bërë asgjë në këtë jetë
Të paktën jam i lumtur që t’kam dashuruar”

TË GJITHA ÇELËSAT

Siç po e shoh, ti paske lindur
Të më thuash se jam: “gabim”!
Për disa gjëra që s’i kam ditur
Dhe jeta më kalonte në trishtim

Për atë që mendoja deri dje
Dhe e merrja si të vërtetë
S’ka dashuri…kisha këtë ide
Ajo ka vdekur në shekullin 18

Mirëpo befas, ardhja jote
Ndikoi të bëj ndryshim radikal
Çdo rrugë të errët shndërite
Nga një labirint më bëre të dal

U bëre sfidë bindjeve të mia
Që më parë pata krijuar
Më mësove të kuptoj ç’është dashuria
Dhe çfarë magjie ka kjo e uruar

S’mund të bëja asgjë tjetër
Por të pranoj, pa refuzime
Ngase ti i kishe të gjitha çelësat
Për të hyrë në zemrën time

PRANVERA MË NDRYSHE

Vështirë qenka të dashurosh n’këtë moshë
Kur jetën shikoj duke kthyer kokën pas
Si ndonjë plak që kërkon lëmoshë
I strukur skaj një rruge dhe s’mund të flas

Me të drejtë do të thoni: deri tani ç’bëra
Dhe a s’kam përjetuar të tilla ndijime?
Por, ajo që kisha pritur me vite të tëra
Shumë vonë erdhi në jetën time

Më parë kam qenë në gjysmerrësirë
Dhe aspak s’e kuptoja ç’më mungonte
Pastaj si vegim u shfaq kjo vajzë e mirë
Që më hapi shumë horizonte

Erdhi mu atëherë kur e ndjeja veten
Si një zog i mjerë, ngatërruar në therra
Ajo ma solli…ta them të vërtetën
Një Pranverë dryshe nga vitet tjera

Edhe më parë kam patur pjesë dashurie
Por ishin cop’ e grimë si një mozaik
Vetëm ardhja e saj ma bëri me dije
Si të jem në jetë romantik.

ASTRONOMIKE

Dashuria për ty nuk ka njësi matëse
S’mund ta defininojë asnjë teori
Për çdo instrument, e pakapshme
Se është e barabartë me pafundësi

Ashtu si disa gjëra astronomike
Ekziston e shpërndarë nëpër univers
Si rrezet gama apo valët radiofonike
Por krejtësisht me një tjetër frekuencë

Është një e vërtetë e padiskutueshme
Një aksiomë, ligj apo teoremë
Por në praktikë ende e pabesueshme
Sikur do mbetet përherë tabu-temë

Rrugët për tek ti s’janë nëpër livadhe
Për të ardhur patjetër ka Udha e Qumështit
S’kam frikë edhe po doli Arusha e Madhe
Do të mbrohem me Kashtën e Kumtrit

Ndjehem si Plutoni nga dielli i larguar
Nga astronomët i nxjerrë në “ligë të dytë”
Gjithmonë rreth teje kam për t’u rrotulluar
Edhe pse larg, me mijëra vjet dritë

E habitur, do pyesish me plotë arsye
Për gjërat e pamundshme dhe këto padrejtësi
Dije pra, se në qiell nuk ka vetëm yje
Po edhe Vrima të Zeza e tjera parregullsi

MJAFON TË JEM NJË KAPITULL…

Duke shëtitur pyjeve në këtë fillim vjeshte
Ca gështenja diku më ranë në sy
Më lindi kureshtja, dhe thashë në heshtje:
“Çfarë koinçidence, qenkan aq sa vjet ke ti”.

Pastaj u shkëputen nga druri gjethe
Ranë ngadalë mbi tokë siç bie nata
Një drithërimë më përshkoi, si në ethe
Se ishin të shumta dhe…sa të thata.

Ato fruta të njomë i mblodha me kujdes
Me gjethet e zverdhur i mbështolla
Por kot u përpoqa, më humbi çdo shpresë
S’i mbanin dot gështenjat, gjethet e holla.

Nga kjo e kuptova një realitet të hidhur
Siç është e ndërtuar edhe vetë kjo botë
Atë që ke dëshirë, po s’është për ty e lindur
Ta bësh për vete, është mundim i kotë

Ndoshta s’jam prolog libri i jetës tënde
As një përmbajtje romani në tërësi
Por një kapitull i bukur që me ëndje
Do ta lexosh, saherë…kur të kesh mërzi

Më mjafton të isha vetëm një fragment
Strofë poezie, o vetëm metaforë
Ta lexosh sa herë të bie ndër mend
Në çdo fillim muaji, jo vetëm në tetor

ZËNKA ME EROSIN
(Pjesë nga ditari i një të riu)

Jam nxënës në një shkollë të mesme
Në këtë moshë ku përzihen vrull e vullnet
Kjo që e rrëfej është histori në vete
Për një ndjenjë, që më jep tepër siklet

Bëhet fjalë…si të them…besoni apo jo?
I rrëmbyer tashmë nga valët e dashurisë
Shpirtin ma ka trazuar pikërisht ajo
Profesoresha jonë e letërsisë

E di se do më suleni, duke më thënë
Fjalë poshtëruese me shikime vëngër
Edhe unë për këtë, veten e kam ngrënë
Aq sa një natë, m’u shfaq Erosi ëndërr

U befasova, se edhe ai si gjithë të tjerët
Me kritika të rënda duke më qortuar:
“Nuk them se për ty ende është herët
Por, kujdes se gjërat të janë ngatërruar.!

Kur kjo ka ndodhur, të them të vërtetën
Në Olimp për një punë isha i zënë
Një çirakut tim ia dhashë shigjetën
Ai gabimisht ty këtë ta paska dhënë…”

Me Erosin isha gati të përleshem
Sepse biseda tepër ashpër rrodhi
Pasi u bind se aspak nuk stepem
Më pyeti:”të paktën, më trego si ndodhi?”

Kështu: atëherë kur erdhi ajo te ne
Meqë askush në klasë nuk e njihte
Kujtova se do ta kemi shoqe klase, të re
Pastaj e kuptuam se kush në fakt ishte

Në fillim më pëlqeu mënyra si ligjëronte
Gjithashtu eleganca dhe stili me klas
Pastaj sa më shumë koha po kalonte
Zemra për te, ndryshe, filloi të trokas

Dashuria ime e çiltër si ujërat e Drinit
U “aktivizua” më shumë nga këto sinjale:
Kur ma dha ta lexoj Ditarin e Pushkinit
Dhe plotë vepra tjera sentimentale

Viti i fundit, pra, kështu vazhdoi
Shiko e kënaqu, pastaj shkrehu në vaj
Ëndërroja, të paktën të ma mundësojë
T’i merrja nëpër duar ca flokë të saj

Eros i nderur, a s’keni thënë ju vetë
Se dashuria nuk njeh moshë as kohë
Tash pikërisht për mua, që digjem vërtetë
Rregulla tjera…e nga na dolën këto..?!

S’e kuptoj pse kaq shumë jeni tronditur
Dhe vetëm me mua të gjithë çuditen
Ke harruar se edhe ti vetë ke lindur
Nga dashuria e Aresit me Afroditën

Pse kaq i stuhishëm, si era e maestralit
Raste të ngjashme ka patur shpesh herë
Shembull: E kuqja dhe e zeza e Stendalit
Dhe Vuajtjet e djaloshit Verter

Kështu ka ndodhur gjithmonë dhe kudo
Andaj për këtë gjest duhet të keni turp
Siç kish thënë për të dashurën, i riu Rusó:
S’ndahem, edhe kokën të ma vënë në trup

Në fund do ta them një fjali serioze
Që e kam dëgjuar diku dhe e mbaj mend:
Në këtë botë të zymtë dhe skandaloze
S’ka gjë më të mirë, se ta duash dikend

Para se të ikte tha, pendët duke shkundur:
“Do shkrihesh, venitesh, si kandili kur s’ka vaj
Sepse për ty do jetë gati e pamundur
Atëherë kur do duhet t’ia shprehish asaj”

Të them seriozisht, lëri këto legjenda
As që e kam ndërmend të veproj ndryshe
Haj tash, mblidhi ato harqe dhe shigjeta
Dhe kthehu në prehistori, atje ku ishe

ELIKSIR

S’duhet të bëhemi të mjerë
Të na kap valë e ironisë
Edhe zënkat ndonjëherë
Janë pjesë e dashurisë

Fundi i fundit, një zemër
Mund edhe të lëndohet
Por të bëhet cop’ e grimë
Kjo nuk tolerohet

Nuk mund të rri i heshtur
Pa ty e kam shumë vështirë
Të ec mbi thëngjij të ndezur
Kam nevojë për eliksir

Duhet të bëhemi më objektivë
Njëri-tjetrit t’i kërjojmë falje
S’mund të pajtohem assesi
Me fenomenin “ndarje”…!

Nëse rrugës takon lumturinë
Do të isha lutur për një gjë
Jepja numrin tim të telefonit
Që të flas edhe unë me të…

DESHA T’I THEM…

Saherë që i shoh çadrat…buzëqesh
Juve ndoshta mund t’ju duket çudi
Do ju tregoj ç’më ndodhi një mëngjes
Atë ditë kur në Tetovë binte shumë shi

Duke udhëtuar me “autobusin urban”
I përhumbur në mendime diku thellë
Një vajzë, befas, ulet afër meje pranë
Me vete kish një çantë dhe ombrellë

Pasi e shtërngoi çadrën fort te këmbët
Filloi të fliste, madje si ujëvarrë
Tha: kot e ke, mos “i mpreh dhëmbët”
Këtë nuk e harroj dhe s’ke për ta marrë

Hapa gojën t’i them: më fal zonjushë…
Nuk më la të vazhdoj, por ma preu shkurt
Mos më thuaj ashtu, s’të dha leje askush
Ende s’e kam mbaruar, andaj rri urtë

Këtë që e kam paguar shumë lekë
S’e kam ndërmend dikund ta harroj
Askush s’guxon me dorë ta prekë
E le më për ta vjedhur, të tentojë

Desha t’i them: do ishte më mençur
Bisedës t’i vëndojmë një ekuilibër
Në jetën time asgjë nuk kam vjedhur
Vetëm si student, rrallë ndonjë libër

Desha t’i them, dëgjomë pak për hatër
Por ajo vazhdonte e nuk ndalej kurrë
Aq e bëri të rëndësishme atë çadër
Sa ajo m’u duk si shpata eskalibur

Desha të flas, t’i vëndoj një kapak
Me disa shprehje pak më të prera
T’i them, për këtë, të mos ketë merak
Se kam një dyqan që shes ombrella

Mirëpo, siç thonë, foli pa pikë e presje
Deri sa dikund autobusi u ndal
Unë këtu do zbres,-tha, ti po deshe
Eja në çadrën time dhe…më fal

Në atë çast nuk dija si të veproj
Do kisha shkuar, por isha në dilemë
Vetëm me një kusht, nëse do më lejojë
Disa fjalë që dua, shtruar t’ia them

I thash: falemnderit, unë zbres më tutje
Ajo u ngrit me elegancë dhe po ikte
Ndonëse u soll ashtu, nuk e di pse
Fjalët e saj m’u duken tepër simpatike

Sa keq, s’më dëgjoi t’paktën një minutë
T’ia them disa fjalë shumë me vlerë
Pas kësaj që ndodhi shpirtin ma ka këput
Pyetja: a thua do ta takoj edhe një herë

Për ta njohur s’do ta kem problem
Nëse nuk ka çadër apo flladitëse
Do ta dalloj atë princeshë pa diademë
Nga disa nishanka në qafë që i kishte

Shpresoj një ditë do ta takoj patjetër
Mbase do vij këtu prapë për t’u ulur
Nëse s’më le të flas, do i shkruaj në letër:
Para së gjithash ti je shumë e bukur..!

Desha t’i them: qenke tepër e zgjuar
Paske sens për shakà dhe humore
Nëse ende për studime nuk je përcaktuar
Do të sugjeroja të bëhesh aktore

FRENO FANTAZITË..!

Perëndia na fali jetën si dhuratë
Andaj duhet shfrytëzuar si e tillë
Por ti me fantazinë tënde të thatë
Sa herë që flet shkatërron nga një yll

Lumturia për ty qëndron e bazuar
Në dëshira luksoze e komoditete
Për mua jeta do ishte e shëmtuar
Pa ndjenja artistike e sentimente

Ti je e bukur, ok…të përgëzoj
S’mund ta përshkruaj, flas seriozisht
Por nëse jetën e merr si një lojë
Si dordolec do mbetesh e brishtë

Edhe dëshirat duhet të kenë ekuilibër
Për shembull, shëtitje buzë një liqeni
Kënaqësi është, të lexosh ndonjë libër
Të dëgjosh një simfoni nga Bethoveni

Që të jem i drejtë, sinqerisht të flas
Gjërat që ti ëndërron, i dua edhe unë
Por do të shkriheshin si bora në mars
Nëse ato nuk mbërrihen me punë

Freno fantazitë, ti tashmë je rritur
A ende s’e ke kuptuar se si bota ec
Ai që gjërat të gatshme i ka pritur
I brishtë ka mbetur si dordolec

“ETHET SPANJOLLE”

Mbrëmë ndodhi diçka e papritur
Ca fjalë të thëna duke u ngutur
Si sëpatë Liktori, me një të goditur
Shpirtin përgjys ma kanë këputur

Gabimin që bëra vetes kurrë s’ia fal
Meritoj dënim që u tregova naiv
Më mirë të shembet mbi mua një mal
Se sa ky mllef zemrën të ma grith

Filluan të më kapin “ethet spanjolle”
Dridhem siç valvitet në erë flamuri
Nga nxehtësi e madhe, si në shkritore
Në termometër gati të pëlcas merkuri

Për këtë, veten shumë e kam qortuar
Pse kjo sjellje tamam si një fëmijë
Për ta kapur lodrën që i ka munguar
Nga xitimi përplaset e bën thërmi

Kështu siç jam, këputur këmb’ e duar
Kërkoj falje për gabimin, si një film pa zë
Se më duket edhe emri është asgjësuar
I mbetur vetëm me shkronjën L…

TE OMBRELLA JOTE

Të gjithë e thonë, kjo s’është gjë e re
Jeta në këtë botë është e çuditshme
Ka gjëra të bukura që të çojnë mbi re
Por s’mungojnë edhe ato të dhimbshme

Sa dashuri janë grimcuar si rëra
Sa tjera si degë pemësh janë thyer.?
Dhe ne që duhemi me vite të tëra
Ende njëri-tjetrit s’ia kemi shkëmbyer

Asnjëherë në jetë s’kam qenë puthador
Aq më pak dikuj t’i jem përgjëruar
Por siç ka thënë dikur një aktor:
Nga ndonjë anë patjetër duhet filluar

Sa herë të shoh, t’i më çmend, për besë
Je e vetmja mrekulli e kësaj bote
Në këtë ditë me shi, e kam një kërkesë:
A ka vend për mua te ombrella jote?

MOS MË ZGJONI..!

Më kujtohen mëngjeset, si fëmijë,
kur më zgjonte nëna
për në shkollë a tjetër detyrë
Thosha: pse s’më le të fle edhe pak
ta përfundoj ëndrrën
se ishte shumë e mirë.

Ashtu edhe ti ishe për mua
Sa e ëmbël aq edhe e pakapshme
si ëndrrat në agim
Nga pamundësia që s’mund
të të kisha, trupin ma përshkonte
një drithërimë

Dhe ndonëse duheshim (në fshehtësi)
me zjarr të fuqishëm
si llavë vullkanike
Aq e pamundur të takoheshim
dhe ajo mbeti, siç thonë,
dashuri platonike

Edhe atëherë kur përpiqesha
të gjej mënyrën si ta shuaj
atë gjendje të prushtë
Ti më përfytyroheshe si fatamorganë
që shfaqen mbi asfalt
në muajin gusht

Nuk e kuptova kurrë çka ishe:
ëndërr e një nate të bukur,
ekstazë apo vegim
Por gjithmonë me ngashërim jam lutur
të mos më trazojnë
nga ky përjetim

VIOLINA E PARË

Si Diogjeni dikur, me fener të ndezur
Që kërkonte Njeriun dhe s’e gjente dot
Para disa vitesh kisha humbur shpresën
Se mund të ishte dikund në botë

Pas dëshpërimit të gjatë, pastaj u gëzova
Si minatori për ndonjë xhevahir të rrallë
Gjithandej kërkova, për habi e zbulova
Sa afër të kisha patur, mu aty përballë

Frika se gjithmonë i vetmuar do mbetesha
Pa asnjë arsye më ka mbushur me mllef
Atëherë i mërzitur…sa keq ndjehesha
Si orkestër, e mbetur vetëm me një def

Këtë bindje të dhimbshme jam detyruar
Ta mallkoj kështu: e marrtë vërshima.
Tash që shpirti im prej teje është ndriçuar
Nuk ndahem, deri sa t’më ndalet fryma

Do t’kisha lutur ta vësh një vëth tjetër
Këtë që do ta them vlen më shumë se ar
Dashurisë sime që është si orkestër
Ia ke dridhur telat e Volinës së parë

Ty, që të kam nga gjërat esenciale
E qarkullon në trup si limfa nëpër drunj
Më vjen ta them atë fjalën proverbiale:
“S’ke ku ik prej meje, t’jam bërë shushunjë”

FALEMNDERIT ME GERMË TË MADHE

Vendlindjes që më duket e shkretë
Kush do t’i jepte pak më shumë gjallëri
Kam thënë dhe e përsëris këtë të vërtetë:
Vetëm fakti, sepse ti je aty

Ndoshta kërkoj tepër prej teje
Por kështu më thotë gjaku në damarë
Bashkë me artin që e kam në deje
Në zemër më derdhen si ujëvarë

Më duhet diçka të më frymëzojë
Mrekullinë ta shndërrojë në poezi
Pse pra të endem, kudo të kërkoj
Kur të gjitha këto i gjej tek ti

Vetëm pak çaste me ty kam qëndruar
Por jam mirënjohës dhe ndjehem me fat
Vetes i bëj pyetje: Sa do kisha shkruar
Sikur të rrija një kohë më të gjatë..?

Falemnderit, e them me germë të madhe
Për frymëzimet që kam pasur këto muaj
Jam krenar që lirikës shqiptare
I shtohen poezitë që për ty i shkruaj

Ti s’e ke idenë, sa ndjehem i lumtur
Që të kam oazë, në at vend të thatë
Do të kisha sjellë, po të ishte e mundur
Gjysmën e Italisë…si dhuratë

O PIKA UJI…

O pika uji që atë trup përshkoni
Juve ndoshta u duket lojë
A e dini vallë cilën vajzë pastroni
Apo s’mund të flisni se nuk keni gojë.

Sikur të kishit pak ndjenja
Dhe të dinit cilin trup lani
Ju, nga pika uji të thjeshta
Do të bëheshit lot që qani

O pika uji që paski fat
Mbi lëkurë të njomë të rrëshqisni
Zbardhojeni sa më shumë at’ shtat
Por ngjyrën e flokëve, kujdes, mos ia prishni

O pika uji…sa kam dëshirë
Ju që më ngjani si margaritarë
Nuk them se do ju kisha pirë
Por edhe unë me ju do isha larë.

“PESHKU I ARTË”

Në fillim të pranverës, dy javë më parë
Për mua, të them, një epokë e re filloi
U shfaq një vajzë si xhevahir i rrallë
Që natyrën time madhërisht gjallëroi

Rrjetën e pasionit ajo kish lëshuar
Në detin e gjërë plotë letërsi e art
Qëllimi i saj nuk ishte i gabuar
Me mua kishte kapur “peshkun e artë”

Pikërisht ashtu siç vazhdon përralla
U luta të më lëshojë, me sjellje të mirë
Por s’donte të dëgjojë për këto andrralla
Para se t’ia plotësoj një dëshirë

Kërkoi t’i hap arkat e shpirtit tim
Ku kisha të fshehur thesare fjalësh
Një poezi të bukur, si dedikim
Me fraza të pastra si shkumë valësh

I gëzuar tejmase për këtë kusht të mirë
Mendova se do “shpëtoj” fare lehtë
Po shpejt e kuptova sa qenka vështirë
Të shkruash për një vajzë, të mirë vërtetë

Fillova gjithandej perlat t’i mblidhja
Në Detin tim të gjërë, poshtë në thellësi
Me fije frymëzimi me kujdes i lidhja
Ta bëj atë kurorë më shumë se poezi

I thirra të gjitha muzat, sa janë…nëntë
Që ta bëj një përshkrim sa më elegant
Por edhe ato thanë: është detyrë e rëndë
Bëhet fjalë për një vajzë tepër të veçantë

REPORTAZH POETIK

Nën rrezet e diellit të lazdruar të marsit
Në moshën e blertë si drunjtë halorë
Ju shkencëtarët tanë, të ardhshmit
Keni derdhur gëzimet tuaja mbi borë.

Sa bukur…të ndjekish ritmet e natyrës
Ta jetosh plotësishte, me ëndje çdo stinë
Të jesh besnik ndaj kohës dhe hapësirës
Dhe të mirë ta kesh shoqërinë

Të dalish gjatë javës, sëpaku një ditë
Ju këtë e dini më mirë se çdokush
Për ajër të pastër e për t’i kullotur sytë
Nuk rrihet vetëm poshtë në fushë

Ti me kolegët të dielën kishe dalur
Në bjeshkën e njohur të qytetit tonë
Atë ditë arsye shumë keni patur
Të rrini deri në mbrëmje vonë.

Duke gumëzhitur si bletët në zgjua
Keni përhapur nëpër bjeshkë kënaqësi
Ti, herë pas here ke menduar për mua
Duke thënë:”sikur të ishte edhe ai..”

Sepse ti ke qenë e frymëzuar
Nga gjërat e bukura që të kanë magjepsur
Atëherë si mirazh të jam kujtuar
Dikund aty pranë, duke buzëqeshur.

Ti ke rrëshqitur dhe je rrëzuar
Si veturat që nuk kanë zinxhirë
Por të ka marrë në krahë, të ka ndihmuar
Ndonjë djalë që është, si unë i mire.

Tërë atë përjetim ndoshta ti ke dashur
Ta bësh një poezi, apo thjesht, reportazh
E thura unë, mos u bën për t’plasur
Edhe pse kam qenë vetëm si mirazh

PA MERAK

Fundja, gjithsecili ka të drejtë të dashurohet
Madje dikush merr guximin të ta shprehë
Edhe ndonjëri që as ka mundur të mendohet
Por ti mbaje ekuilibrin dhe mos u nxeh!

Sepse për dashurinë s’mund të flasim a priori
Ajo ka tjera embrione lindjesh, tjera formime
Nuk njeh kufij territoresh, është si re qershori
Pa shenja komunikacioni e pikësimesh

Dashuria ndonjëherë krahasohet me polen
Shpërndahet gjithandej shumë lule përpin
Por kur tenton dhe vend aspak nuk gjen
Ajo vetë tretet, ik dhe merr arratinë

Atyre që të vardisen, kanë apo s’kanë shkas
Mund t’ua thuash drejtpërdrejt apo në letër
Kuptohet, me sjellje të mirë, elegancë dhe klas:
“Më fal, por zemra ime, i takon dikuj tjetër”

Prapë mos harro, se rastet janë të ndryshëm
Dikush mund të të dashurojë sa të jetë gjallë
Por nuk do të thotë që t’i bëjë të arsyeshëm
Të futen në frekuenca që janë me tjera valë

S’e kuptoj pse brengosesh, pse kaq e vuan
Paçka nëse është një, dy apo edhe disa
Fakti që njerëzit sa më shumë të duan
S’të bën naive, fajtore, apo ku ta di se çka

Të thashë edhe më lart, mbaje një qëndrim
Petkun e të zgjedhurit tënd vetë e ke në dorë
Ata që të vardisen lëri në përgjërim
Burrin tënd të ardhshëm e ke edhe dashnor

Mos e ha veten pse dikush të ka simpati
Shpirtin e ke të tillë, ngjall efekte dehëse
Mjafton pak më gjatë të të shikojmë në sy
Vërejmë se prej aty, del ëmbëlsi rrjedhëse

SIKUR TË TË NJIHNIN

Sikur të të njihnin, si unë, të tjerët
Nuk e ke idenë, sa shumë do të donin
Çdo ditë do të zgjoheshin sa më herët
Vetëm me emrin tënd ditët t’i fillonin

Do ta shfrytëzonin ekzistencën tënde
Emrin, dhe pamjen e ëmbël n’imagjinatë
Për t’mos u mërzitur, ta kalonin me ëndje
Çdo gjendje të vështirë dhe çdo situatë

Por, atyre injoranca ua ka mbuluar sytë
Të verbuar…dhe kështu do të mbeten
Ose duan ndonjë gabimisht e pa meritë
Ose janë dashuruar vetëm në vetveten

Bota atje te ne, si gjithmonë, e ngrysur
Në gjendje latente, popull me shabllone
Si makina pa ndjenja, uniform t’kurdisur
Edhe dashuritë i kanë me konvencione

Prapë mirë, si ia del, është për t’u habitur
E rrethuar nga injoranca, smira dhe zilia
Sepse shpirti që ti ke, si kristal i çiltër
Ka nevojë për drita, jo për errësira

Sikur të të njihnin, siç unë të njoh ty
Do donin gjithmonë të t’kenë aty pari
Kur do ishin larg, s’do kishin qetësi
Për mungesën tënde, do t’i mbyste malli

MË TREGO ÇKA JE

Atëherë kur ndjehesha i dërmuar
Dhe nuk gjeja shteg nga t’ia mbaj
Veten time ia pata dorëzuar
Mirësisë tënde të paskaj

I mbetur shkretë, si Naimi te sheshi
Motivuar prej teje si kurrë më parë
Njeriu mund të bëj shumë, po deshi
Edhe sikur të ishte njëqindvjeçar

Ndoshta të dukem tepër romantik
Duke të lavdëruar, ia kaloj së vërtetës
Por mbaje mend një fjali me pikë
Me ty ia deshifrova një rebus jetës

Nëse them: je yll, plotë rrezatim
Mos mendo se flas si gjithë të tjerët.
Personaliteti yt më dha një mësim:
Për t’bërë diçka, është gjithmonë herët

Ndoshta prej teje kërkoj shumë
Duke ta rrëmbyer kohën si pirat
Kur duhet të flesh, të lë pa gjumë
Kur duhet të punosh, s’të lë rehat

I tillë jam, s’gjej tjetër mënyrë
Siç thotë populli “shtat’ kalemat kërkoj”
Por me ata si ti, kam shumë dëshirë
Të shkruaj, më fal…në fakt, të jetoj

Edhe pse shpesh më “lë pa frymë”
Edhe pse shpesh më lë pa fjalë
Nuk e ndjej veten si bari nën brymë
Përkundrazi, bëhem edhe më i gjallë

Për ty që kam hapur dyer e dritare
Dhe shpirtin “ma merr e ma jep prapë”
Më trego çka je, për besën shqiptare
Që pa t’kujtuar s’e bëj asnjë hap?!

Mes për mes fajlorëve u rashë
Të gjej ndonjë shprehje, apo metaforë
Në shkretëtirën tonë, më del si mirazh
Apo nëpër pyje, personazh përrallor
SHËTITJE BUZË LIQENIT

Fotot e fundit më kanë bërë përshtypje
Si kurrë më parë më kanë frymëzuar
Me kolegët kishit dalë në shëtitje
Në një vend shumë të preferuar

Jeni argëtuar aq sa keni mundur
Me miq e mikesha në atë kaltërsi
Ti mbi syprinë guralecë ke hedhur
Nga inati pse s’jam dhe unë aty

Me atë gjest, si fëmijë i lazdruar
Vetëm ke trembur ndonjë Troftë a Krap
Nga dëshpërimi për të më kërkuar
Ke dashur të ngjitesh në Malin Korab

Por, meqë askund nuk jam shfaqur
Mendimet dhe fjalët në gojë të kanë ngec
Nga mllefi, mbetur paksa e pakënaqur
Ke hedhur me inat, mbi liqen guralecë

Në atë mrekulli që njerëzit e kanë bërë
Te ai liqen i bukur atje lart në mal
Mos ta vërejnë të tjerët, bëhu zemërgjërë
Të paktën pik-niku të mbetet natyral

Atë thënien popullore të vjetër
S’duhet assesi ta fusish në harresë:
“Përherë gjërat që i duam më tepër
Nuk vijnë asnjëherë, apo me vonesë”

Për praninë time, përherë të kam thënë
Dhe nuk duhet ta kesh aspak dilemë
Kudo që të shkosh, mbase edhe në hënë
Do dal të të pres se aty do jem

Jam aty ku nuk ta merr mendja
Te ato lisa që sapo kanë nxjerrë gjeth
Aty ku lidhen frymëzimi dhe ndjenja
Në lulet që kanë çelë liqenit përreth

Atë ditë kemi qenë, si ti dhe unë
Në të njejtën lartësi mbidetare
Për dallim prej teje, unë i zënë me punë
Ti me kolegët, në çaste lozonjare

Te njëra nga fotot që më la përshtypje
E kthyer andej m’u duk shumë e fshehtë
Sikur me liqenin diçka pëshpërisje
Thellë në të ke mbjellë një sekret

Sa do kisha dashur në atë gjendje
Nga prapa t’i mbylli sytë në befasi
Dhe ti, e gëzuar, pa asnjë hamendje
Ta qëllosh me t’parën, se jam unë “ai”

Pas atij momenti, të dy të buzëqeshur
Do t’shtërngoja në krahët e mi fortë
Me një afsh nga emocionet ndezur
Ta ndjej trupin tënd të pastër si Troftë

Këtë po ta lexosh sa herë që të duash
Gjithmonë do të kap e njejta drithërimë
E magjepsur si unë, dy fjalë do t’i thuash:
Çka më bëre kështu, o “mizori im”..?!

DASHURIA SI DIADEMË

Dashurisë, më parë, aq shumë s’i besoja
Madje e përjashtova nga çdo lloj sentimenti
Më ngjante si kullë rëre, që sapo e ndërtoja
Rrënohej saora nga ndonjë dallgë deti

Ndonjëherë më është dukur si lëngatë
Ndonjëherë më bënte të kaloj në ekstazë
Nuk e kuptoja, kur ishte ditë e kur natë
Përjetime të ndryshme, si hëna fazë-fazë

Por, kur erdhe ti…siç lulëzon një pemë
Në pranverën e plotë, mars, prill apo maj
Dashurinë ma solle dhuratë si diademë
Për mbretërinë tonë ideale e t’paskaj

SINDROMI REBEKA

Ti më pyet shpesh për të kaluarën time
Kam patur apo jo ndonjë lidhje romantike
S’them se më kanë munguar këto përjetime
Por kanë qenë, le të themi: dashuri sporadike

Ndaj s’dua të vuash nga sindromi Rebeka
T’kesh xhelozi për dashuritë e dikurshme
Nga ato kuptova…se gjithë jetës që u rreka
Si ti s’ka në botë, je e pakrahasueshme

KA NJË ARSYE

Asnjë i marrë nuk do t’i afrohej zjarrit që djeg,
pos atij që ka një arsye pse dëshiron të digjet;
Dashuria nuk është mollë e kapshme, në degë
ta këpusim kur të duam, edhe para se të piqet

Asnjë mendjekrisur nuk do të zhytej në oqean,
pos atij që ka guxim të kërkoj margaritarë
Dashuria nuk është anije që e presim në liman
t’na vij nga larg, gati, e ne ta vjedhim si kusarë

A KA SHPJEGIME..?!

Ka dënime të rënda që na përmbysin
Por të gjitha do i kisha duruar, besoj
Ndërsa ai që do ma gërvisht shpirtin
…pa ty, kaq larg, si do jetoj..?!

Prej se u nisa, gjithçka m’u avullua
Nuk e vëreja përpara as hijen time
Ditë më të trishta nuk ka për mua
…si do jetoj pa ty, a ka shpjegime…?!

Në çdo petale që bie fytyrën tënde shoh
Çastet që kaluam, më vijnë si freski
E pyes veten: sa do të zgjasë kjo,
…sa vështirë e kam, si do jetoj pa ty..?!

MENDOJ SE…

Asnjë i marrë nuk do t’i afrohej zjarrit që djeg,
pos atij që ka një arsye pse dëshiron të digjet;
Dashuria nuk është si mollë e kapshme në degë
ta këpusim kur të duam, edhe para se të piqet

Asnjë mendjekrisur nuk do të zhytej në oqean,
pos atij që ka guxim të kërkoj margaritarë
Dashuria nuk është anije që e presim në liman
të na vij nga larg, gati, e ne ta vjedhim si kusarë

DASHURI NË ÇDO EPOKË

Nga ajo ditë, më vallëzojnë mendimet
E një prej tyre shpesh më roit në kokë:
Nëse do ishin të vërteta reinkarnimet
Atëherë, ne jemi dashur në çdo epokë

Jemi dashur që në kohët më të vjetra
Edhe kur dashuria ka qenë tabu-temë
Atëherë kur ende nuk kishte germa
Ne bënim vizatime apo ndonjë shenjë

Tash me imagjinatën n’lashtësi shkova
Kur në murin e shpellës në një shkëmb
Ditë të tëra më shkuan gjarsa i vizatova
Dy zemra, emrin tim dhe emrin tënd

Më vonë në Egjipt kur doli hieroglifi
Mesazhet i shkruanim me figura pra
Nga bukuria jote u mahnit dhe Nefertiti
Dhe si dhuratë, një piramidë na e dha

Në mesjetë unë isha princ i një krahine
Ti, një vajzë skofiare e një markezi
Të takova tek mblidhje gjethe dafine
Hirësia jote, shpirtin flakë ma ndezi

Pastaj, sikur neve, në një shesh mesjetar
Me njerëz plot për ta shikuar atë ngjarje
Duke lexuar në pergamenë një gjyqtar
Na shqiptohej dënimi kapital: me varje

Në mes të turmës, tek rrinim si të mjerë
Dëgjoheshin pjesë bisedash nga ca pleq:
“Vallë, për çfarë dënohen këta fatprerë?!”
Disa përgjigjen: “kanë bërë sakrilegj”

Më vonë, u shfaq një poetë vetullgjërë
Ishte Petrarka që i la të gjithë të mpirë:
“Sa e shoh, asgjë të keqe s’kanë bërë
Ata duan njëri-tjetrin, ndaj lëreni të lirë”!

Kohë të egra, por të gjitha i tejkaluam
Përndjekje, tortura, përbuzje dhe histeri
Në çdo periudhë ngadhënjyem, mbijetuam
Sepse dashuria na bënte apologji

Ishim ndërmjet dy luftërave botërore
Ti infermiere në një shoqatë humanitare
Unë si toger në skuadrilen ajrore
Mbrëmjeve takoheshim afër një ujëvare

Me Marigonën, kur ju tha Ismail Qemali
Duke e qëndisur flamurin për pavarësi
Pas një beteje, kalova si komit aty pari
Ti më shikoje ëmbël, unë ta bëra me sy

Në kohët moderne unë rilinda para kohe
Ti u vonove, por prapë të prita në heshtje
S’e patëm vështirë, nga shkrimet më njohe
Unë ty, nga flokët dhe në buzëqeshje

Siç e shoh prapë do kemi vështirësi
Ti në moshë, e re, unë brez më i vjetër
Më fal, por, pos teje, si të them…s’e di
E kam të pamundur ta dua dikë tjetër

Dashuria jonë ka qenë e përhershme
Si lumenjtë gurgullues, mbase më shumë
Kështu do të mbetet…e pashtershme
Sepse do të dua edhe n’këtë milenium

Edhe nëse në këtë epokë do mbetemi
Vetëm me një puthje e jo më tepër
Pas shumë vitesh, atëherë kur do tretemi
Përjetësisht do qëndrojë si një kryevepër

Ky bashkëdyzim ndjenjash në atmosferë
Mes qiellit dhe tokës do të qarkullojë
Si një fenomen që s’është parë asnjëherë
Të dashuruarit tjerë do t’i frymëzojë

Ndonëse vetëm aq, prapë jam i kënaqur
Sepse ajo puthje me asgjë s’krahasohet
Po të mundja, gjithëve do ua thoja hapur:
Askush sa unë, s’ka të drejtë t’lavdërohet

Vërtetë pak zgjati, një minutë, tamam
Por, beso, mjaftueshëm është për mua
Gjithë atë potencial të dashurisë që kam
E kam shkrirë tërësisht, në buzët tua

Nëse symbyllur do më bënin një garë
Buzët e mijëra femrave t’i kapërcej
Dhe nëse tuat do ishin në radhë të parë
Do i njihja menjëherë, s’do e çoja më tej

Ti s’je fajtore symjellma ime e dashur
As unë nuk jam, për këtë pamundësi
Që trethanat dhe fati janë kaq të ashpër
Të mos jemi bashkë në vazhdimësi

E di se kjo gjëmë e trishtë do më djeg
Por mësova e përjetova gjëra të qarta
Sepse ti ma mundësove ëndrrat t’i prek
Dashurinë ta shijoj, siç shijohet mjalta

E di se shumë për këtë gjë do vuaj
Të mos e mbush zemrën me dashuri
Por saherë që ndonjë varg do shkruaj
Para sysh, si muzë do më shfaqesh ti

Do ta ndez atë puplën, si nëpër përralla
Saherë që do më duhet prej teje ndihmë
Do më jesh pranë, për xhevahire të rralla
Për ndonjë metaforë, shprehje apo rimë

Ti je e re, një jetë përpara për ta bërë
Por e di se s’do më harrosh kurrë mua
E unë me zemër, si deti e gjërë
Vazhdimisht, pandërprerë…do të dua

FLOKËT TUA…

Kur t’i kam parë fotografitë
Çdo gjë rreth teje e kam vlerësuar
Fillimisht më kanë pëlqyer sytë
Pastaj flokët mbi supe lëshuar

Ato fije që mbulojnë atë kokë
Të bukur dhe të avancuar
Po të kem nundësi, me ato flokë
Trupin tim do kisha mbuluar

Asnjë fije s’dua të mungojë
Lëre më dikush të t’i pres
Pamjen që kam qejf ta ndryshojë
Më beso, hatri do më mbes

Për ato bukuri të shenjta
Çdo gjë do të veproja
Flokët tua të gështenjta
Vetëm një herë t’i ledhatoja

Asaj që do merrte ato gërshërë
Flokët tua për t’i prishur
Një mallkim do ia kisha bërë:
O Zot, gërshërët le t’i jenë dryshkur

POEZI BASHKËBISEDUESE ME NJË MIKE

F: Në çdo zemër lulëzon Një Emër,
që e mban atë gjallë.
L: E ata që nuk kanë emra,
a thua çka bëjnë vallë..?!
F: Më vjen keq, por ata janë pezull
apo sillen kot vërdallë
L: Deshe të thuash se tërë jetën,
sikur e çojnë zvarrë?
F: Ose, sikur kanë mbetur vetëm,
me një dërrasë mbi valë

L: Si thua për ata që emrat
ua ka vizatuar dikush tjetër?
F: Më mirë nuk flas, se ndonjëri
mund të preket në sedër
L: Megjithatë, për t’i ruajtur
ndonjë mënyrë kanë gjetur
F: Pastaj kur lindin fëmijët e tyre
i bëjnë kryevepër
L: Edhe pse bëj pjesë në këtë grup,
jam i lumtur tepër
F: Të përgëzoj, je ndër të rrallët,
moti e kam vërejtur

SI DEGËT E NJË SHELGU
(Mikes që befasisht u largua nga fb)

Në stinën më të bukur të jetës sime
Ti erdhe si petale, duke zbritur ngadalë
Me ëndjen se miqësisë i solle ngjyrime
Sikur të të njihja mijëra vjet më parë

Sa herë e hapja dritaren në net
Shfaqeshe ti, e buzëqeshur si përherë
Prania yte më bënte të ndjehem poet
Njeri i rëndësishëm, human, me vlerë

Shpesh ke hapur arkat e shpirtit tim
Ku kam të fshehura thesare fjalësh
Ato thellësi ku buron çdo frymëzim
Me fraza të pastra si shkumë valësh

Tash gjërë e gjatë fejsbukut i bie
Kapërcej kalimet e çdo shtegu
Meqë askund nuk dukesh, as edhe si hije
Më vjen të vajtoj si degët e një shelgu

Kjo që ke vendosur s’është gjë e re
Mbase ke të drejtë që je larguar
Por, ta them sinqerisht, idenë nuk e ke
Boshllëk të madh tek unë ke krijuar

Kam vetëm një grusht me dëshira
Të kthehesh në fejsbuk, si më parë
Të postosh thënie dhe poezi të mira
Ta gjallërosh këtë kopsht sa s’është tharë.

KUR POETJA VJEN NË TETOVË

Kur poetja vjen gjatë vjeshtës në Tetovë
Gjithçka gjallërohet dhe pret me lakmi
Ngaqë e dinë, se ajo, pa bërë asnjë provë
Vetëm me një shikim, i bën poezi

Me gëzim, shumë gjëra, dalin për ta pritur
Rrugët dhe ndërtesat i bëjnë homazhe
Në shenjë miradie, drunjtë, ashtu gatitur
Nëpër gjethet që bien i shkruajnë mesazhe

Edhe pse ajo, dikur e kishte thënë:
“Për ta parë vjeshtën, duhen dy njerëz”
Mirëpo fakti, që “shkon” shpesh në hënë
Do ta bëj këtë stinë, t’ia kalojë edhe verës

PARATHËNIE KOMPLIMENTI

O muzë, pse pikërisht tash më ke braktisur?
Për t’mos gjetur asnjë cilësim t’i ngjesh
Asaj vajzës së bukur, aq mirë të teletisur
Me syze dielli dhe një trëndafil në vesh

E di se ajo nuk ushqehet me komplimente
(Gjë që te femrat është fenomen i rrallë)
Por kur diçka gatuhet me sentimente
Atëherë ajo ruhet si e shkruar në ballë

Si t’ia rrëfej përshtypjen, sa është e bukur
Veçanërisht për sytë e magjishëm të saj
Ta shkruaj një mesazh, t’i ngjitet si flutur
Dhe në veshin tjetër si vëth ta mbajë

KUSH JE TI…?!

Duke i lexuar fjalët tua me vëmendje
Në zemër kanë depërtuar deri në thellësi
Me krenari detari, e them pa hamendje
Me ty kam zbuluar, një kontinent të ri

Edhe disa tjerë të njejtat m’i kanë thënë
Por në mënyrë…aq sa i kam anashkaluar
Ndërsa ti një goditje të fortë më ke dhënë
Nga një letargji shekullore më ke zgjuar

U përpoqa kot t’i bëj vetes pyetje banale:
Kush je ti…apo ku ishte më parë kjo.. ?!
Të m’i shkundish ndjenjat esenciale
E t’mos kem hapësirë të të them: jo

Prej sot do t’i lutem Perëndisë të më fal
Për veten që ia kam shkaktuar këto krime
Do filloj të botojë libra, të dal ku të dal
S’e lë t’më ik treni i fundit i jetës sime

KËRKIMFALJE PËR NJË GABIM (PADASHJE)

Atë mbrëmje shumë jam tronditur
Kur kuptova se ti ishe shqetësuar
Gjestin që kisha bërë, gjërat pa i ditur
Më vjen keq sa t’paskam lënduar

Kot u përpoqa të gjej justifikime
Sepse ishte një gabim që s’falet
Ma ka bërë zemrën copë e thërrime
Ende edhe sot, më rëndon sa malet

Filluan të më kapin “ethet spanjolle”
Dridhesha siç valvitet në erë flamuri
Nga zjarrmia mbytëse, si në shkritore
Në termometër pëlciste merkuri

I lodhur, këputur këmb’ e duar
Më dukej vetja si ndonjë film pa zë
Edhe emri im më dukej i asgjësuar
Imbetur veç me shkronjën L…

Pastaj si një fëmijë kur është në hall
Fillova lules t’ia heq petalet e saj
Me fjalët: do më fal, nuk më fal…
Apo do më bëj të mbetem në vaj

Mirëpo ti, si gjithmonë zemërarta
Me disa mesazhe e shprehe maturinë
Më qetësove, duke i bërë gjërat e qarta
Njëkohësisht ma shtove simpatinë

BREZAT QË S’NDRYSHOJNË SI DUHET

Shoqëria jonë, dikur
Përballej me shumë probleme
Ndërmjet gjinive kishte mur
Dhe plotë thashetheme

Në kohën time, kur isha i ri
Djemtë dukeshin më bandilla
Ndërkaq vajzat, për ironi
Ishin shumë pak të lira

Atëherë ishte paksà vështirë
Të krijoheshin lidhje
Por dashuria ishte e dëlirë
Me emocione e dridhje

Kohë të vrazhda…kur e kujtoj
Por kishte idealizëm
Si atdheun edhe vajzat njësoj
I donim me fanatizëm

Sot, gjërat kanë ndryshuar
Në mënyrë të papritur
Vajzat janë, siç kemi ëndërruar
Djemtë, tepër të babëzitur

Dikur Kopshtet ishin me “tel”
Por e çmonim, Lulen e zgjedhur
Sot të rinjtë, si kuajt hergjelë
Gjithçka duke shkelur

S’dua të gaboj, por për mua
Dashuria, lexuar si ndjenjë
Nuk është vetëm fjala: të dua
Por të dish e t’jesh i denjë

O ju djem, kuptojeni pra
Mos i çoni punët vërdallë
Se nga pasuritë më të mëdha
Femra është mbi çdo thesar

DIALOG ME SY

Në’ mendon se fjalët kanë mbaruar vërtet
të sugjeroj t’i sjellësh sytë e tu, unë sytë e mi
ke për të parë se çfarë dialogu do të ketë
Dhe sa harmoni

E bukura e të shprehurit me sy është se,
aty nuk bëhen gabime gramatikore
Shikimet janë fraza të përsosura dhe
kanë një çiltërsi engjullore

PERSIATJE TË KOTA VJESHTE

U ulëm. Ajo mori një gjeth të kuqremtë
E shikoi një çik, sikur lexonte një libër
Papritmas tha: “ja kështu jeni ju djemtë
Në fillim florid, pastaj humbni ekuilibër

Jeni si gjethet, në vjeshtë, pa pigment
Madhështinë e tregoni vetëm në pranverë
Se dashurinë e merrni, si një fragment
Jo një kryevepër që s’mbaron asnjëherë

I befasuar tejmase, mora në dorë një gur
Fillova ta “shfletoj” derisa gjeta diçka:
Juve vajzave nuk do ju kuptojmë kurrë
Edhe vetë s’e dini çfarë kërkoni pra

Në fillim pajtoheni edhe me një kasolle
Më vonë princin s’e doni të jetë me kalë
Por të ketë vetura, pallate me ashensore
Se dashurinë e mendoni si një përrallë.

Pasi i thamë të gjitha aforizmat që i dinim
Thënie të urta, grimca filozofish
Se kur ra muzgu dhe nisëm të mërdhinim
Lamë gurin mbi gjeth, u ngjitëm sërish

NJËQIND HAPA NËN OMBRELLË PËR TE DASHURIA

Dhe ndodhi çasti i shumëpritur
Pikërisht atë ditë kur rrugë do merrja
Meqë binte shi, më pate grishur
Në ombrellën tënde…dhe unë erdha

Atëbotë, në vete, tjetër nuk mendoja
Me siguri edhe ti të njejtat gjëra:
Ato që deri dje vetëm i ëndërroja
Pas pak do preken e shijohen të tëra

Sa me fat ishim, na ndihmoi dhe shiu
Ecnim të lumtur nën atë ombrellë
Nga njëzetetetë emocione sa ka njeriu
Na qenë aktivizuar të gjitha përnjëherë

Në ato njëqind hapa sa patëm ecur
Nga lakmia e pashoq, deri te makina
Siç e përdorin biologët e regjur
Vazhdimisht na shtohej serotonina

Afrimit të buzëve, s’di t’i jap shpjegim…
Ndjeva sikur kam një gotë me mjaltë
Dhe më fal, që të kapa me rrëmbim
Por s’mund ta frenoja dëshirën e zjarrtë

Ndonëse u puthëm vetëm ca sekonda
Por shijuam kulmin e kënaqësisë
Ndaj njëri-tjetri lëshonim “sonda”
Për t’i gjetur thesaret e dashurisë

Nuk do ta harroj asnjëherë atë ditë
Kur i gdhendëm ëmbël buzët tona
Edhe pse i kisha të mbyllur sytë
Sikur shihja yje me miliona

Një natë më parë ishim në dëshpërim
Se do të ndaheshim pa u puthur
Por ndodhi e papritura, si në film
Që na bëri të jemi, si askush, të lumtur

DASHURI SHUMËKATËSHE

Dashuria jonë vuri themel në maj
Duke e ndërtuar, e bëmë si pallat
Por ëmbëlsinë e shijuam më pastaj
Vetëm në katin e saj më të lartë

Njëri-tjetrin duke puthur pa takt
Në orën një të asaj dite të përhitur
Nga padurimi dhe koha e paktë
Ngjanim si dy arinj të uritur

Dhe tek po linim në buzë gjurmë
Stolisnim dashurinë me medaliona
M’u duk se shiu nuk bënte zhurmë,
por ishin rrahjet e zemrave tona

Rrahje që i ndjenim deri në thembër
Diçka që e provonim për herë të parë
Unë po e puthja, si duhet një femër
Ti, një të dashur, që digjet si zjarr

Në atë çast bota u nda në dy pjesë
Gjithçka jashtë dhe ne brenda veturës
Më në fund prej teje mora një dëftesë
Që s’do ta harroj kurrën e kurrës

Ishte fillimi dhe siç ndodh rëndom
U kënaqëm lart, vetëm pak zbrita
Por do vij koha, në çdo kat e dhomë
T’i shijojmë me ëndje…të gjitha

MESAZHE POETIKE

AJO:
Në fjalët e poezive tua dëgjohet tingulli i mërzisë dhe mallit
E më duket sikur ato shkaktohen nga gishtat e mi në violinë
Ka kohë që s’kemi shkruar letra, e kjo më çon në fund të oqeanit
Ndonëse shpresa ka hapur krahët për t’më nxjerrë mbi syprinë

Por kjo nuk është ditë zie, as vuajtjeje, as ndonjë e qarë
Është dita kur yjet për ditëlindjen tënde festë zhvillojnë
Pikërisht ato yje që kanë ndriçuar dhe janë dëshmitarë
të rrugëtimit tënd deri më sot, e të cilët kështu do vazhdojnë

Tekstshkrues i hënës, a nuk e meritojnë ata një këngë nga ti?
Le të kenë parasysh fjalët e mia, që përshkojnë orbitat e çdo planeti
Mos shpreh dëshira, lëre nën rrjedhën e jetës, o më i miri njeri
Jam unë shpërblimi yt i merituar dhe çdo fjalë e atij teksti

Lëre veten në duart e fatit dhe uratave si shkumë valësh
Dije, se unë të dua shumë derisa shpirti të frymojë
Dhuratën e ke të paketuar në një cep qielli, mos harro ta marrësh!
Të kam lënë shumë dashuri, pra…kjo do të mjaftojë

UNË:
Dashurisë, më parë, aq shumë s’i besoja
Madje e përjashtova nga çdo lloj sentimenti
Më ngjante si kullë rëre, që sapo e ndërtoja
Rrënohej saora nga ndonjë dallgë deti

Ndonjëherë më është dukur si lëngatë
Ndonjëherë më bënte të kaloj në ekstazë
Nuk e kuptoja, kur ishte ditë e kur natë
Përjetime të ndryshme, si hëna fazë-fazë

Por, kur erdhe ti…siç lulëzon një pemë
Në pranverën e plotë, mars, prill dhe maj
Dashurinë ma solle dhuratë si diademë
Për mbretërinë tonë ideale e t’paskaj

AJO:
Je zgjedhur president i zemrës sime
Por jo me zgjedhje demokratike
Procesi i hatashëm në mendjen time
Të zgjodhi ty në mënyrë monarkike

E mund të mendosh si zgjidhet monarku,
A nuk trashëgohet posti i tij,
A nuk ke mundur ta vëresh prej së largu
Se nuk ka paraardhës në dashuri?

UNË:
Jo gjithmonë monarku e trashëgon
Mbretërinë apo principatën
Ndonjëherë fronin vetë e fiton
Si Cezari Romën, pastaj Kleopatrën

AJO:
A nuk u bë Napoleoni vetë perandor?
Që kishte tronditur botën në epokën e tij
Por aq sa ishte në beteja mizor
Para Zhozefinës qante si fëmijë

UNË:
Ti e lagur nga drita e hënës
Unë i mundur nga errësira
Përballë teje si një nxënës
E pazgjidhur më ngeli detyra

Atë natë të kthjellët në qytet
S’e kuptova ç’ndodhi me mua
Pse më kaploi gjithë ai siklet
Mezi e thashë fjalën “të dua”

Edhe flokët nuk t’i përkdhela
Duart dhe qafën jo se jo
As një hap më afër s’të erdha
Sytë me lakmi të t’i shoh

Atë natë yjet ishin në heshtje
Duke pritur puthjen tonë të parë
Por u mbyll vetëm me buzëqeshje
Edhe pse brenda digjeshim zjarr

AJO:
Jam e lagur nga drita e hënës
dhe shikimi yt ka mbetur mbi trupin tim
Nga mllefi jam zverdhur si lulja e thënës
Për faktin që s’të putha, i dashuri im

UNË:
Kur të pashë për herë të parë, u shtanga
Nga pamja jote dhe çiltërsia si e kristalit
Emocionet sikur u mbërthyen në pranga
Me orë i kapluar nga Sindromi i Stendalit

Kisha marramendje, gëzim, eufori
M’u ngatërruan ndjenjat, isha në ekstazë
S’mund ta rimerrja veten, ç’ndodhi s’e di
Ndaj atë ditë, s’e shkruajta, asnjë frazë

AJO:
Kanë thënë: “atij që ju beson ëndrrave të veta,
vetëm një shkallë i mungon
për t’i kapur yjet”. Unë isha njëra nga ata.
E kam ndjekur një ëndërr të vetme ngahera
që më shfaqej edhe në mesditë,
mjaftonte t’i mbyllja sytë paksà.

UNË:
Sa mirë u bë që ta thashë edhe me gojë
Atë që shpesh e kam përsëritur në vete
Edhe pse, s’di si, por më kaploi një drojë
E ke parasysh..? Si në vitet adoloshente

Nuk kam besuar se kjo do më ndodhë
(Sikur mbi kokë t’më ketë rënë qielli)
Dashuria si “e trembur” në shpirt u krodh
Para teje u ndjeva, si statujë mermeri

S’e kuptoj ç’u bë, pse ashtu u stepa
Mos vallë nga bukuria, apo ishin sytë
Vetëm “të dua”, pastaj në gojë u qepa
Të mbërthyera në shpirt mbetën fjalitë

AJO:
Fjalë më të ëmbël nuk kisha dëgjuar kurrë
E bukur si bora e posa rënë në male
Mes vështrimesh tona u krijua një urë
Dukej sikur nga sytë të rridhnin petale

Pate thënë se fjala “të dua” është e njëjtë
Ndryshon varësisht buzëve që e shqiptojnë
Nuk e besova se do më kaplonte kjo ndjenjë
Por ja që me kohën, edhe gjërat ndryshojnë

As dy sekonda nuk u deshën për dashurinë
Që të dilte në front me mua, fyt më fyt
Yjet kureshtarë në qiell filluan të ndrijnë
Nga duart e tyre magjike, errësira u mbyt

E qeshura e hareshme e ngacmoi hënën
Ajo hapi sytë e ma hodhi rrezen mua
Unë bëja sikur nuk e kuptoja lëndën
Se ç’studion konkretisht, fjala “të dua”

UNË:
Asnjë uragan s’do ia kish arritur
Të marr dashurinë që kam për ty
Sepse edhe yjet i kam bindur
Të pikturojnë diçka që të ngjan ty

AJO:
Një zjarrshmëri në brendësinë e trupit
E ndezur nga shkrepëtimat e dashurisë
Një hije e vizatuar mbi sipërfaqe të murit
Gjen prehje në sinjalizimin e bukurisë

Frika e ndeshjes sonë më ndjek pas
Lënia e gjurmëve të vështrimit në ty
E kyçur në rrjetë mendimesh bërtas
Më kaplon zjarri i një kontakti sysh

Edhe sa kohë duhet të paguaj kamatë
Për çdo buzëqeshje që ma ofron ti
Apo mos duhet që për ditë të martë
Ta lë peng të madhërishmen dashuri

UNË:
E shikoj në hartë dhe i bëj një trajektore
Më del se jemi njëmijë kilometra larg
Madje nëse e masim në vijë ajrore
Edhe më pak, e dashur, edhe më pak

AJO:
Këto net, burime frymëzimi më kapin për krahu
e më ftojnë në aheng këngësh e vallesh,
Por, në mesin e 36 shkronjave me uniforma gjahu
Plandosem e s’arrij të gjej dot division fjalësh

Mundohem t’i rreshtoj në shenjë nderimi,
por sikur s’janë të denja për t’u rregulluar para syve tu
I bëj, i zhbëj, i lidh, i çlidh, prapë më kap një ndjenjë trishtimi
Pse frymëzimet më dalin të zbehura, ç’ndodh me mua kështu?!

Çthurrem e tëra dhe ngatërruar nëpër fraza e vija,
nga inati më vjen t’i dorëzohem gravitetit tokësor
Sa e rëndësishme është, por më mungon aftësia
për ta plasuar frymëzimin në tregun tënd shpirtëror

UNË:
Nuk kam besuar se do ketë janar
Që unë me dikend të shkruaj letra
Me atë që do ta dua si i marrë
Më shumë se gjithçka, më shumë se vetja

Janaret tjera i kam kaluar si përherë
Duke lexuar, së voni edhe në internet
Me të afërm kur mblidheshin ndonjëherë
Por pa dashuri, kisha shumë siklet

Sa mirë u bë që ti më erdhe
Muajit të mërzitshëm i dhe kuptim
Si pëllumbeshë të mora në çerdhe
Për t’ma ngrohur shpirtin deri në amshim

AJO:
Pesë orë e lumtur me atë që më tregove
Pesë orë…me notat që ke marrë
Shumëfish dashurinë ma shtove
Tërë jetën me ty krenar

UNË:
Është arritja më e madhe që një neri mund ta imagjinoj
Një vajzë të mrekullueshme si ti, ta bëjë t’më dashurojë

AJO:
Dashuria jote është vatra e zjarrit poetik
Një varg ma thurr në vesh e pastaj më ik

UNË:
Ahh, më dogje tani me këto fjalë
Më bëre të përpëlitem si peshku në zallë
E shikoj Detin, e vazhdoj të përpëlitem
Sa afër e kam, por prapë s’arrij të zhytem

AJO:
Vij unë pranë teje së bashku me detin
Dhuratë do ta bëja të gjithë kryeqytetin

UNË:
Sa më gëzon që e kuptove sensin
E meriton të ta dhuroj tërë universin

AJO:
Ti ma jep një yll si dëshmitar të dashurisë
E më pastaj ta stolis si titull të poezisë

UNË:
Vetëm më trego cilin yll e dëshiron
Të nisem ta marr sa s’është bërë shumë vonë
AJO:
E dua yllin më të shndritshëm në qiell
Shkëlqimi i tij, kujtimin tënd të ma sjell

UNË:
Më ke bërë të merrem me këtë seriozisht
Ylli polar është ai që shndërit vazhdimisht

AJO:
Nëse jo yllin, të paktën ma dërgo një fije bari
Mes faqesh libri ta shoh kur të më merr malli

UNË:
Ah kjo për mua është fare e lehtë
Do të vëndoj nga një petale në çdo fletë

AJO:
Mos harro ta shoqërosh me ndonjë frazë romantike
Nxehtësia e së cilës shkrin dhe botën metalike

UNË:
Romantika nuk do mungojë, kjo s’diskutohet
Në çdo qelizë tënden do të regjistrohet
Këto do të jenë si një botë në vete
Që s’do të hiqen edhe po t’i bësh “delete”

AJO:
Patjetër se ruajtja e tyre në memorie
është permanente
Leximi i tyre në zemër mund
të shkaktojë aksidente

UNË:
Nuk besoj që të ndodhë diçka e tillë
Madje ato për zemrën do jenë eliksir
Tash nuk do mundem të ta kthej
Se…më fal, por do duhet të flej

AJO:
Kur të flesh, të lutem mua më ëndrro
Më puth në buzë fort dhe më përqafo

UNË:
Dihet se çka do bëj, nëse të ëndërroj
Do të marr në prehër dhe nuk të lëshoj

UNË:
E dashur, ti tani me libër në duar
Për seminarin je duke u përgatitur
E unë të afrohem, pa më hetuar
Ta shoh te cila faqe ke mbërritur

Gjersa vazhdon me ato mësime
Të evidentuara aty-këtu me bojë
Unë ngadalë t’i bëj ca ledhatime
Në flokë dhe duart t’i shtrëngojë

AJO:
M’u vare në mendime si një degë qershie
Mbi dritare krijon pasqyrim të bukur
E vërej ardhjen tënde në çaste vetmie
E seç e ndjej veten përnjëherë të lumtur

Sa letra tua mora nga postieri në lagje
Si trëndafila i futa në vazo kujtimesh
Ngahera ndjej sytë e fqinjës shëmtaraqe
Që sulmojnë me shënjestra paragjykimesh

Figura e Florentinos në ty shëmbëllehet
Ndonëse tek unë s’ka grimcë Fermine
Me një të hipur në anije do të vërehet
Shkuarja e jetës reale në pushime

Mbi detin Adriatik do të lexojmë poezi
Ti do të më thurrësh përqafime të ngrohta
Mbi dallga do të më shikosh sikur s’e di
Se nga një puthje, shembet e tërë bota

UNË:
E dashur, t’përshëndes nga Roma
Nga qyteti i madh i amshuar
Pa ty veten e ndjej si në koma
Nga malli që më ka përvëluar

Kam ardhur te Fontana di Trevi
Në këtë krua mijëravjeçar
Një qindarkë këtu do ta hedhi
Që fati t’na bashkojë sa më parë

AJO:
Më parë, tjetër nuk doja, vetëm librin
dhe ca gjëra që ma ëmbëltonin jetën
Erdhi ti, si të them…ma humbe ekuilibrin
që të të dua më shumë se vetveten

Ah kush të solli, si erdhe, nga zbrite
Nga ç’qiell, nga ç’kopsht i panjohur..?
T’më hysh në zemër me aftësinë e një drite
Të të dua…e mos t’kem të ngopur

UNË:
Sa do doja të jem pranë buzëve tua
Ta shijoj atë ngjyrë e aromë trëndafili
Sa herë të të puth të them “të dua”
Si bleta për nektarin në një ditë prilli

Do doja t’isha krëhër që çdo mëngjes
Mbi flokët tua të zeza të rrëshqisja
Një vath i gjatë, i varur në vesh
Qafën si mjellmë të ta gudulisja

UNË:
Dje e kuptova…sa keq kishte qenë
Të të lë vetëm në ato humbëtira
E rrethuar me dhelpra, dhi e dhenë
Me karaktere gjithfarëlloji si egërsira

Hamendjet vinin si në film pasazhet
Ku s’më shkonte mendja nga sikleti
Me pyetjet: pse nuk t’arrinin mesazhet
Çfarë ka ndodhur, pse kështu, ç’të gjeti..?

Vetëm një pasdite, por sa m’u duk e trishtë
Si në pyjet e pashkelura Amazonike
Mungesa jote…e them seriozisht
Më bën sikur qëndroj mbi maje thike

Por atëherë kur shfaqesh e shkruan diçka
Mijëra horizonte shtrihen para meje
Kënaqësitë dhe dëshirat ngriten si kalà
Shpirti ledhatohet nga një puhi hareje

UNË:
Sa mirë që kalon koha, ja sot një fror
Edhe pse malli vazhdimisht më mundon
Por që t’i shndërrojmë, këto në luleborë
Ta bëjmë që ky muaj, të jetë epoka jonë

AJO:
Vazhdimisht të kam menduar
Krijoja skenare të takimeve tona
Por sa keq që dot nuk kam shkruar
U dalldisa në ëndërrimet e netëve të vona

Sa për letrën do ta dërgoj sot,
Ta lexosh me ëndje si e kam shkruar
Një ditë mbase do ta jap edhe në dorë
E ta shohësh se sa të kam menduar

UNË:
Pse, a të mbet hatri pse thashë ashtu
Kërkoj falje nëse e ekzagjeroj
Por një pyetje më erdhi kuturu:
Si rri pa mua?…s’mund ta kuptoj

E sheh, edhe në ëndërr t’kam ardhë?
Përveç në mendime që janë si zinxhir
Dua të dal gjithmonë faqebardhë
Ta dëshmoj veten: sa jam i mirë

Të ta them të drejtën, e kam siklet
Ta ndërpres bisedën Natën me ty
Mirë e the mbrëmë, tjetër s’ka mbet
Veç ta bëjmë një lutje, të sjell Zoti shi

AJO:
Unë mendoj se nuk duhet kërkuar
S’ka nevojë për arsye të lind dashuria
Meqenëse kam rënë këmbë e duar
E kotë të mirrem me arsyetime të mia

Një dashuri si ti vjen njëherë në jetë
Pikërisht atëherë kur nuk e presim
S’dallojmë dot a është liqen a det
Me rëndësi është që aty mbesim

UNË:
Edhe unë për këtë nuk kërkoj arsye,
Sepse, si të them, janë me miliona
Por mendoj se ne fund e krye
Jemi të dirigjuar nga zemrat tona

AJO:
Sa mirë që më kujton
Edhe në ëndrra më vjen
Nuk pyet a herët a vonë
Aromën time ma ndjen

UNË:
Më fal që mbrëmë vetëm të lashë
Pikërisht në orët tona më të frytshme
Por s’më zuri gjumi edhe pse rashë
Më kapluan befas ethe të çuditshme

Nuk mund të shkruaja, por të kujtoja
Po e pyesja veten “vallë çka është kjo”
Nën zë, për ndihmë, ty të kërkoja:
“Dashuria ime, eja më ledhato”

Në mëngjes sapo u pata zgjuar
Telefonit si zakonisht i hodha një shikim
Por, sa keq, nuk ma kishe dërguar
Atë letrën që e bëre dje në dorëshkrim

AJO:
Në shiun e dimrit lundron kujtimi për ty
Në varkën time u strehua një poezi
Strofat e saja flisnin për ne të dy
E në skutat e rimave i fshehur më rrije ti.

Dëshirova të jem gruaja e një poeti
Të më thurr lavde pena jote e artë
Në kohërat e mesjetës si bijë mbreti
Virtytet e mia t’i ngris sa më lart.

E ti princ i bukur që më vështron fshehur
Një trëndafil ma lë në shkëmbin malor
E marr nëpër duar dhe ëndërroj e heshtur
Fija më delikate në sistemin tim nervor.

Si ma mbolle këtë ndjenjë, nuk e di
Më dukesh iluzion, diçka e pamundur
Por bashkë me shiun më vjen dhe ti
E zhytemi në imagjinatë si dy të humbur.

UNË:
Këtu, shumë i bukur është moti
Hëna dhe dielli njëri-tjetrit ia bëjnë me sy
E unë sërish, ha veten pse nuk jam i zoti
Të jem mëngjes e mbrëmje me ty

Më bëre të kuptoj, sa e bukur është jeta
Tash madje them: ani, edhe nëse vdes
Por sa i lumtur jam që më në fund e gjeta
Kujt ti them Natën e mirë, kujt Mirëmëngjes

AJO:
Në çastin kur zgjohem mendja më rri te ti
Pyes veten se sot ç’më ke shkruar
Para se të nis ditën të mbushem me dashuri
Të lexoj ndonjë varg a letër nga ata duar

UNË:
Nëse s’i ke vathët, akoma më mirë
Në vend të tyre, vare në vesh këtë fjalë
Të të shushuris si zogjtë në natyrë
Apo si një barkë, kur lundron mbi valë

AJO:
I gjithë qyteti sheh mallin e fshehur në sytë e mi,
e me ftohtësinë e tij nxit lotët të dalin në pah
Kohë e mërzitshme…por të paktën kur të kujtoj ty
Më duket sikur vjen si pëllumb e m’ndalesh në krah

Ndjehem si mace e braktisur në rrugët e qytetit,
e ngjitur në mur, vëzhgon kalimtarët në heshtje
e mbledhur në vetvete, e vetmuar, prej sikletit,
me shpresë se ndonjëri do ta marrë me vete

Sytë e mi të kërkojnë ty, madje gjithçka imja
Sa gjatë nuk kemi biseduar…them në vete
Pse dashuria jonë kështu, si lumi Nerodimja
E ndarë në dy rrjedha, për t’u derdhur në dy dete

Më vjen ta çjerr fatin…pse s’mund të të përqafoj
Shikoj fotot vazhdimisht, joshem, lexoj poezitë
Ti që zemrën time e njohe tellë…sa të dëshiroj
S’paska tjetër, kjo qenka lumturi mbi lumturitë

UNË:
Do kisha dashur të shkruaj një mesazh
E ta var te ai vathi yt i gjatë
Sa herë që ta prekësh, të shfaqem si mirazh
Kudo që të jesh, në rrugë apo ligjëratë

Si nuk jam një flutur të nisem menjëherë
E të ngjitem në flokun tënd apo në buzë
Ta ndjesh dashurinë, që kam për ty përherë
E unë nga gëzimi të notoj si meduzë

Ti sot qenke veshur krejt me të zeza
Teshat dhe flokët në përputhshmëri
Pastaj buzët e kuqe, si dy dredhëza
Më bëjnë apel mua, sa më shpejt të vij

Ato vathë që më shumë, të japin hijeshi
Le të rrijnë ashtu edhe disa javë
Se kur të vij atje, ti sigurisht e di
Do t’i heq menjanë, të të puth në qafë

AJO:
Edhe sa agime do zbardhin në këtë mënyrë
Edhe sa mëngjese do fillojnë kështu të rënda
Edhe sa ditë do vuajmë që në të gdhirë
Pa përqafimet tona dhe puthjet e ëmbla

UNË:
Sido që të shkruaj, ti ma kthen njësoj
Unë poezi me rima, ti gjithashtu
A s’është njëri nga faktet pse të dashuroj
Që më bën të lundëroj mbi valët blu

Sa gëzohem kur ti thua “më kënaqe”
Sa gëzohem që me fjalët e mia shkrihesh
Po kur do t’i puth qafë, buzë e faqe
Nuk e ke idenë atëherë si do ndihesh

AJO:
Edhe sa net do kalojnë së menduari për ty
Edhe sa do kridhem në valët e imagjinatës
Edhe sa do të krijoj skena për ne të dy
Me përqafime e puthje, në errësirën e natës

UNË:
Të kujtoj 59 minuta për një orë.
Si një lumë që rrjedh në vazhdimësi
Minutën e fundit them, si fëmijë gazmor:
sa mirë që të kujtova vetëm ty

AJO:
Në këtë mbrëmje të qetë mërkurore
Nuk mundem tjetër, pos të mendoj për ty
Më shfaqet fytyra jote engjullore
Që më frymëzon, më jep gjallëri

UNË:
Erdhe kur gjithçka më dukej e kotë
Dhe kur mbijetoja nga arti e poezia
Ma bëre me dije se tërë këtë botë
E bën të këndshme vetëm dashuria

AJO:
Shiu më ngjall poezinë në shpirt
E malli për ty nuk më lë të shkruaj
Sa e fuqishme mungesa jote këto ditë
M’i ngurtëson mendimet, e unë vuaj

Ajo nuk i lë të rrjedhin nëpër gishta
E të formuloj fjalë për të t’i nisur
Shpesh më vjen të them “sa çaste të trishta”
Në çfarë gjendje kështu jam molisur

Përpara kësaj fuqie si në dyluftim
Zbehet aftësia si shkuma me valët
Gjithçka që më duhet është një përqafim
Të ma ngroh shpirtin, t’më kthehen fjalët

AJO:
Kur shkronja s’hidhet dot në letër,
Mendimet luajnë tango nën lëkurë
Një hap para, e dy…si në kohën e vjetër,
Frymëzimet vezullojnë si abazhur

Dhe ja një fjalë në fushën e bardhë,
Ja dhe një ndjenjë nga brendësia
Fillojnë e vijnë të gjitha me radhë,
Deri sa, në fund, ngjizet dashuria

UNË:
O muzë, pse pikërisht tash m’ke braktisur
Për t’mos gjetur asnjë cilësim ta gdhend
Për vajzën e bukur, aq mirë të teletisur
Kur e di se, si ajo, nuk ka në asnjë vend..?

E di se, nuk ushqehet me komplimente
(Gjë që te femrat është fenomen i rrallë)
Por kur diçka qëndiset me sentimente
Atëherë ajo ruhet si nishankë në ballë

Si t’ia rrëfej përshtypjen, sa është e bukur
Veçanërisht për sytë e magjishëm të saj
Ta shkruaj një mesazh, t’i ngjitet si flutur
Te veshi, nën flokë, si vath ta mbajë

O muzë poetike, mos vallë ke ngrirë..?!
Se bora që ra tash, të gjithëve na befasoi
Si t’ia bëj me zemrën, për këtë dëshirë
Aq shumë më troket, sa s’mund të duroj

AJO:
Nga gjumi zgjohem e ç’të shoh,
Ti më paske dërguar shkronja,
Me siguri një letër që të më ngroh
Por nuk doli ashtu siç ëndërroja.

Mungesën e letrës e ndjeja pa masë
Këtë herë kushedi ç’kam për të lexuar
Por më duhej patjetër kureshtjen ta vras
Fundja nuk jam kryevepër për t’u qortuar.

Hap mesazhin e më gjallërohen sytë,
Në vend të letrës janë ca vargje,
“Ky djalë mua dëshiron të më mbytë
Rimat në zemër më duken si harqe”.

Në degët e rimave gjeta lumturinë,
E lexova me ëndje teksa rrija nën hije,
Në vend të letrës tënde gjeta poezinë,
Sikur bashkë me vargjet edhe ti të vije…

UNË:
Heshtni o njerëz që ju kam afër
Heshtni edhe ju që jeni atje
Ju lutem pa zhurmë, në keni hatër
Se Ajo tash, ëmbël, në shtrat po fle

Paçka se u bë vonë, Ajo le të fle
Përndryshe, me mua, do bini në hall
Se ndoshta në ëndërr mua më sheh
E kur të zgjohet do ndjej shumë mall

Asgjë tjetër nuk dua të mendoj
Kur të zgjohet, në radhë të parë
Me sy të përgjumur ta shikojë
A i kam shkruar diçka në celular

Ajo me siguri do pres një letër
Ose mesazh, siç i shkruaj unë
O Zot, si t’i them, a bën një ditë tjetër
Si t’i them: se kam shumë punë

Do kisha dashur të të marrë në krahë
Çdo ditë kur do dilnim nëpër qytet
Për aq sa të dua, le ta dinë pra
Në çdo shesh do bëja nga një piruetë

AJO:
Pse më ngacmon kështu, ëmbëlsirë..?
Pse më bën të çmendem vërtet.?
Kur e di se pa ty e kam shumë vështirë
Mos ma shto vuajtjen, se kështu më vret

UNË:
S’ka poezi që s’na tundon në zemër
Nuk ka varg që s’na dridh në sy
Kur lexojmë nga autorë me emër
Fjalët e veçanta që i pëlqejmë të dy

AJO:
Në zymtësinë e ditës lind malli
Mendja nuk shkëputet dot prej teje
Nga mungesa jote dridhet edhe mali
Sa thellë më ke depërtuar në deje

Me qiellin e bëmë një marrëveshje
Propozimin tim e pranoi me kënaqësi
I thashë: do ta pi shiun pas çdo rreshje
Ti atij, prej meje, dërgoji dashuri

UNË:
Ti nuk më shkruajte edhe mbrëmë
Ke shumë angazhime, e di, të kuptoj
Por pikërisht dje që përjetova një gjëmë
Të flisja me ty…ah sa kisha nevojë

Të bisedoja me ty, do më ndihmonte
Mjaftonin ca fjalë, t’më hiqej një siklet
Dhimbjen e plagës do ma qetësonte
Dhe me siguri do ta kisha më lehtë

Mbase prej teje jam duke kërkuar tepër
Nuk të lë rehat, për këtë kërkoj ndjesë
Por çfarë të bëj, si ti nuk kam tjetër
Me të cilën e ndajë shpirtin në dy pjesë

Nga dhimbjet dhe mërzia që më kaploi
Kisha nevojë për kurajë, apo ndonjë fjalë
Meqë s’kisha tjetër, nisa sërish t’i lexojë
Letrat që kemi shkruar tre muaj më parë

Atëherë sa mirë, të shkruaja pa përtim
Saherë dëshiroja, çdo natë e çdo ditë
Tash, të vij mbrëmja, pres me padurim
Të më shkruash ti, të më sjellësh dritë

Në atë botën tonë hyra të të kërkoja
Por çuditërisht as edhe aty nuk ishe
Te shilarësi n’oborr u shtriva të pushoja
Prisja të kthehesh si një dallëndyshe

Dje, fatkeqësia shumë më ka tronditur
Por shyqyr Zotit, tash më mirë jam
Nuk e di sa herë, këtë e kam përsëritur:
Ah e dashura ime, sa mirë që të kam

TEKSTE KËNGËSH

(PËR GRUPIN ELITA 5)

MBREMJE SHOQËRORE

Të shkojmë së bashku
Në mbrëmje shoqërore
Të vallëzojmë tango
O vash’ engjullore
Me muzikë të bukur
Të bëjmë vallëzim
Të prehet si flutur
Ky shpirti im
Refreni:
Djem e vajza bukur vallëzojmë
Shoqi-shoqit duart i shtërngojmë
2.
Pastaj të ulemi
Që të pushojmë
Në shenjë dashurie
Gotat t’i cakërrojmë
Për dashurinë tonë
Të ngel dëshmitar
Kjo mbrëmje rinore
E herës së parë
Refreni: (i njejti)

MOS ME MERZIT
1.
Mos më mërzit, të lutem shko
Dikent tjetër ti dashuro
Edhe pa faj, mos më akuzo
Se ti mua më s’më do
Refreni:
Mundem edhe vetë
T’i kaloj këto netë
Se ti kishe qenë
Endërr me fletë (flatra)
2.
Do të ish sa më mirë
Zemra i me ka dëshirë
Të të thotë:lamtumirë
Si shpirti në shkretëtirë
Refreni: ( i njejti)

KTHEHU TE LUTEM…
1.
Kthehu te lutem e dashur
Se nuk mundem pa ty
Kthehu te lutem e dashur
Se m’shkoi jeta n’vetmi
Refreni:
Fjalët që m’i thoshe, shpejt i harrove ti
Më thoje se më doje e më tradhtove ti
2.
Gjithmonë unë mendoj për ty
Dhe ëndërroj ata sy
Gjithmonë unë mendoj për ty
Dhe qaj, në vetmi
Refreni: (i njejti)

TE PRES
1.
Në vendtakimin tonë
Të pres si gjithmonë
Por ty pastaj, të lind një ide
Edhe më thua: mos me prit atje
Përsëri të pres
I jap vetes shpresë
Pasi jam zotuar
Se kemi me u takuar
Refreni:
E di se do t’vish
E di se s’mund të rrish
Ndryshe ti gabon
Nëse ashtu vepron
2.
Kaloi kohë e gjatë
U bë orë e natë
Tani është vonë
S’erdhe si gjithmonë
Mendoj, i vetmuar
Ndoshta je penduar
Do duhet të pres
I jap vetes shpresë
Refreni: ( i njejti)

SIMFONIA E DETIT

Vezullojnë ngadalë kujtimet e mia
Dal pranë detit më përmbyt vetmia
Me kitarë në duar, pëshpëris ca fjalë
Me kaltërinë e detit, dua me u çmall
Qaj pranë detit, mbi atë breg
Deti e hap zemrën, edhe ai flet
Shiko ti or mik, këtë zemrën time
Edhe unë i kam po ato mjerime
Vazhdoj i dëshpëruar si një lumë pa urë
Se ajo që desha s’u bë e imja kurrë
Asgjë s’ka mbetur në jetën time
Veç dashurisë së dështuar dhe ato kujtime

AL KAPONE
1.
Ç’më shikon ashtu, si ndonjë skifter
Që zogjtë e vegjël, në kthetra i merr
Je tepër xheloze, për të qenë e mirë
Andaj më le të qetë, kur jam duke pirë

Refreni:
Ti s’mund ta pushtosh
Aq lehtë zemrën time
Si konkuistadori
Amerikën Latine

S’ta kam vjadhur zemrën
Unë ty me revole
Pasi shpesh më thua
Se jam Al Kapone
2.
Më dukesh si bleta, që m’ushqen me mjalt
Dhe pastaj më djeg, me therrën e zjarrtë
Këshillat e mia, vashë mos i harro
Andaj korrigjohu, dhe mos më zemëro

Refreni: (i njejti)

NORA

Mos më pyet të lutem
Miku im i shtrenjtë
Ç’më ka ndodhur mua
S’mund ta marrë me mend
Dje në shëtitore
Më tha Nora vetë
Mos m’u zvarris kot
Por më le të qetë

Refreni:
Ah ty të marrtë djalli moj Nora
Zemrën time t’zjarrtë e shkrive si bora

2.
Mos më pyet të lutem
Shoku im i shtrenjtë
Nora lozonjare
M’i ka marrë mendtë
Më në fund vendosa
Këngë t’i këndoj
Duke pasur shpresë
Se do t’më dashuroj

RREZET E DASHURISE
1.
Dallëndyshe shko e thuaj
Se pa të unë s’mund të rri
Ditë e natë për të vuaj
Ah ç’më bëri kjo dashuri

Refreni:
Kujtoj çastet e vjetra
S’di çka të bëj prej mërzisë
Dhe lexoj ato pak letra
Që ishin rreze të dashurisë

2.
Ditë e natë gjithmonë kështu
Asnjeherë nuk jam i qetë
Ah s’më rrihet mua këtu
Do të vij në atë qytet
Refreni: (i njejti)

DON KISHOTET NE KORZO

S’kemi kohë e dashur
Të dalim këtë natë
Sëpaku të bëjmë
Një promenadë

S’do të kishim mundur
Sonte te barisim
Se po vijnë rrebelat
Që të na bastisin

Refreni:
Ja kjo mizori, paska vend në botë
E mbuluan korzon, njerëz donkishotë

2.
S’kemi kohë e dashur
Të bëjmë një shëtitje
Sepse donkishotët
Kanë dalë në stërvitje

Venero qytetin
Si lulja pa vesë
Të rinjtë e të rejat
Janë bërë pyk-e-pesë

Refreni: (i njejti)

ARKIMEDI
1.
Ti e njeh natyrën time
Se shpesh zhytem në mendime
Mos kujto se jenë zemërime
Por janë dehje, plot gëzime
Ti dhe unë të bashkuar
E bëjmë natën të ndriçuar
Ndizen yjet për mrekulli
Era e lehtë na bën freski

Refreni:
Asnjëherë nuk jam i qetë
Optimizëm më është kjo jetë
Se si Arkimedi e kam gjetë
Vajzën që e dua me t’vërtetë

ZEMER E THYER
1.
Radioja që më shoqëron
Një këngë të bukur lëshon
Me plotë prekje, mallëngjime
Se ma di dhimbjen time
Ajo nxjerr tinguj nga shiriti
Dhimbjen që vuan shpirti
Dhe sa ëmbël i ndjej fjalët
Sikur nga deti të jenë valët

Refreni:
Kjo këngë e mallëngjyer
Që më bën shoqëri
Zemrën time të thyer
E ka ripërtëri

2.
E ngrej gotën për të pirë
Por asaj nuk i vjen mirë
Dhe në tokë do të hidhet
Sepse dora shpesh më dridhet

Disa herë këtë këngë e kthej
Se në shpirt një zbrazëtirë e ndjej
Mungesa yte më dëshpëron
Andaj rri pa gjumë, deri vonë

Refreni: (i njejti)

(PËR GRUPIN OBJECTIVE)

PANTOMIMA
1.
Nuk mund t’i gris fletët e jetës
Në një moment
Vështirë t’kaloj në faqe tjetër
Pa asnjë koment
Nuk qëndron, jo s’ka kuptim
Ta pranoj këtë propozim, s’ka kuptim
A ishim të dy,
një tërësi,
një simbiozë,
një harmoni…?
Pse të ndodh,
ky rrënim?!
Nuk qëndron,
jo s’ka kuptim
2.
Kjo ditë maji kaq e bukur
s’do të më ndihmojë
Epoka jonë të jetë e zhdukur
jo nuk e pranoj
Përkulur për ty
si Kulla e Pizës në vazhdimësi

Refreni:
Me thuaj diçka, më bën të besoj
Se dashuria, mund të mbaroj
Pa asnjë fkjalë, pa sqarim
Sikur të ishte një pantomimë

NË ÇDO GJENDJE

Ndoshta na duhet një sy më shumë
Për të parë a ekzistojmë vërtetë
Apo jemi hije idesh
Siç thotë Platoni vetë
Sikur shqisat t’ishin ndryshe
Bota do dukej tjetërsoj
Janë thënie idealiste
Që aq shumë s’ju besoj

Refreni:
Por një gjë ti gjithmonë dije
Unë të dua ashtu siç je
Unë të dua edhe si hije
Unë të dua dhe si ide
Në këtë botë plot hamendje
Që bëjmë pjesë në natyrë
Unë të dua në çdo gjendje
Unë të dua çdo mënyrë

2.
Çastet me ty më kthejnë n’antikë
Më bëjnë të ndjehem si Orfeu
Që për të dashurën Euridikë
Ligjet njerëzore theu

Refreni:
Por një gjë ti gjithmonë dije
Unë të dua ashtu siç je
Unë të dua edhe si hije
Unë të dua edhe si ide
Në këtë botë plot hamendje
Që bëjmë pjesë në natyrë
Unë të dua në çdo gjendje
Unë të dua në çdo mënyrë

TI NA MUNGON

Vitet kalojnë, kjo ditë assesi
Kujtime trazon
Rrugët e mbushura, plotë dhembshuri
Se ti na mungon

Refreni:
O botë rinore, me kokën mbi re
Mos u rrëmbe, nga ëndrrat pa fre
Pse kaq nxitim, në rrugët pa kthim
Që sjellin pikëllim..?!

2.
Ajo kënaqësi, mbi pasion hipur
Sa qe fatale
U nda pranvera, ashtu papritur
Si një petale

Refreni: (i njejti)

ENIGMA
(TEKST KËNGE E NJË FILMI)

Kjo që e këndoj nuk është vetëm kronikë
Por një rrëfim i ngatërruar enigmatik
Edhe unë s’e kam të qartë këtë ngjarje
Me emocione plotë, deri në qarje
Kështu ai i fliste pak a shumë asaj
Me ndjenja të përziera, plotë gëzim e vaj:
“Është për t’u habitur çka po ndodh me ne
Tash duhet ta fillojmë një epokë të re
Dashuria jonë, martesa, fenomen i rrallë
Edhe Vëllezërit Grimm s’do ta bënin përrallë
Ecuria e jetës sonë, është për t’u çuditur
Që në lindje, mjerisht, të dy të braktisur
Fati im i nxirë, fati yt i zi
E takuan njëri-tjetrin mu në at’ shtëpi
Në atë shtëpi të shkretë, në at’ jetimore
Mirëpo prapëseprapë jeta na mori për dore

Refreni:
Enigma mbeti e pa deshifruar
Me largimin tënd asgjë s’u zgjidh
Bota më duket e deformuar
Si në pikturat e stilit naïf

2.
Guximin, shpresën dhe çdo dëshirë
Na mësoi t’i piktirojmë me të njëjtën ngjyrë
Dhe gjersa lundronim në një det hareje
Një lajm u shfaq si shkrepëtimë rrufeje
Një lajm i çuditshëm që ndriçon e djeg
I bardhë dhe i ftohtë si ndonjë iceberg
Valixhet dhe ëndrrat tona i përmbysi
Stuhia i shpërndau si gjethet e një lisi
Pas atij momenti shumëçka u asgjësua
Si një kullë antike papritmas u rrëzua.. ”

Refreni:
Enigma mbeti e pa deshifruar
Me largimin tënd asgjë s’u zgjidh
Bota më duket e deformuar
Si në pikturat e stilit naïf

POPULL I DASHUR…

Është për t’u habitur çka po ndodh me ne
Jemi të mbërthyer si një Promethe
Jemi të panjohur, me shenjën iks
Mbi kulturën tonë ka rënë eklips
Ne nga dritarja vetëm shikojmë
Se si ndërrohen stinët, vitet si kalojnë
Asgjë tjetër nuk dimë të veprojmë
Si macet nën diell vetëm ëndërrojmë
A s’e shihni njerëz se si kemi mbet
Si gjeth i zverdhur, pa pigment
Popull që s’bën djersë asnjë pikë
Si pinguinët në Antartik
Politikant’ me lajka na vënë në gjumë
Se do ndreqin ura edhe ku s’ka lumë
Hamleti vjen me një thënie të re:
Të mos jesh kur je, apo të jesh kur s’je.?!

REFRENI:
Shoqëria jonë, o popull fisnik
Jemi zhytur në anakroni
Poetët merren me kronikë
Këngëtarët tanë me kakofoni

Heronjtë rrugaç dekorohen
Me lule të vyshkura në ballë
Gjërat vdesin atëherë kur harrohen
Ne jemi të harruar edhe në të gjallë

Popull i dashur mijëravjeçar
Pse kështu në anakroni
Kur të tjerët ishin barbarë
Ne u mësonim filozofi

2.
Kush na ka dënuar, nga zbresin këto ligje
Të mos kem’ hapësirë, as edhe shtigje
Faji është te ne, të tjerët pak kanë
Që s’kemi lëvizje, që s’kemi elan
Vështirë të zbërthehet rrënja katërore
Duke ecur kështu me hapa gaforrje
Pa vizion unik, me ide lara-lara
Asnjëherë kështu s’do të vemi para
Një Grusht Migjeni do na duhet
Që kësaj gjendje: mjaft t’i thuhet
Për t’i kaluar mbrapshtitë e kësaj ane
Na nevojitet një kulturë Spartane
Vetëm me një shqipe të varur në mur
Nuk mund të bëhemi patriotë kurrë
Neve na duhet shkencë e dituri
Pajtim, bashkim…dhe harmoni

REFRENI: (I njejti)

Shoqëria jonë, o popull fisnik
Jemi zhytur në anakroni
Poetët merren me kronikë
Këngëtarët tanë me kakofoni

Heronjtë rrugaç dekorohen
Me lule të vyshkura në ballë
Gjërat vdesin atëherë kur harrohen
Ne jemi të harruar edhe në të gjallë

Popull i dashur mijëravjeçar
Pse kështu në anakroni..?!
Kur të tjerët ishin barbarë
Ne u mësonim filozofi

(PËR EMIR KURTISHIN)
KOLEKSIONIST I FJOLLAVE TË BORËS

Nga dritarja e shtëpisë shikoj
Se si natyra po i dorëzohet borës
Me largimin tënd gjithçka ndryshoi
Ndjehem si flutur brenda amforës

Në telefon lexoj mesazhin tënd
“S’do të kthehem më kurrë”
Ca ethe të çuditshme, sa rëndë
Më shkaktojnë temperaturë.

Sikur dikush të më bëj sonte
Parashikim në pëllëmbë të dorës
Për ardhmërinë time do të lexonte:
Koleksionist i fjollave të borës.

I mbyllur çuditshëm si një eskim
Në këtë dhomë që më ngjanë iglù
Nga dimri që sulmon pa pushim
Dhe ti që s’je me mua këtu

Nga jashtë vërej, gjithçka në qetësi
E nënshtruar nga “gjeneral dimri”
Ndërsa unë sa shumë kam zjarrmi
Dhe sa të dridhura e përplitje trishtimi

Nuk mund të shpreh asnjë dëshirë
Se bora më duket “bukuri që vret”
Kontrast ndjenjash: shpresa e ngrirë
Dhe ardhmëria që shkrihet shpejt

Sikur dikush të më bëj sonte
Parashikim në pëllëmbë të dorës
Për ardhmërinë time do të lexonte:
Koleksionist i fjollave të borës

S’JAM UNË…S’JE TI

Në parkun e qytetit
Ndriçon hënë e zbehtë
Në një skaj të tij
Shoh dy siluetë

S’dua t’i besoj
Më ngjanë e pamundur
Në këtë vend të dashur
S’jemi ne të ulur

Në parkun e vogël
Në ulësen e vjetër
S’jam unë, s’je ti
Por është dikush tjetër

Një e dridhur malli
Më kaplon padashur
Pak edhe inati
Më bën për të plasur

Mbase edhe ti
Saherë këtu kalon
Shpirtërisht e ndjen
Të njëjtin emocion

Në parkun e vogël
Në ulësen e vjetër
S’jam unë, s’je ti
Por është dikush tjetër

DASHURIA DHE MURET

-1-
Vërtet s’e kuptoj çka po ndodh mes nesh
Çdo ditë e ndërtojmë nga një “mur kinez”
Dashuria jonë fenomen i rrallë
Edhe Vëllezrit Grimm s’do ta bënin përrallë
Ka ndryshuar bota, ndryshoi dhe Tetova
S’ka më djem Romeo po gjithë Kazanova
Edhe disa nga ju vajzat jeni aty pari
S’ka më Xhulijeta po shumë Mata Hari
Dashuria jonë një “Kullë Babeli”
Pasi ngjitet lart, prishet prej themeli
Një ditë të ndarë, një ditë në përqafim
Sërish të bashkuar, pastaj copë e grimë
Nëse unë të dua, edhe ti më do
Është për t’u habitur pse të ndodhë kjo?!
Ndoshta është efekt i botës skandaloze
I jetës së shfrenuar, tepër luksoze

REFRENI:
Dashuria jonë, muzë e arratisur
Me dëshira plotë, nëpër thasë të grisur
Si një qiell i gjërë, pa yje stolisur
Si balon i fryrë, gati për të krisur
Çuditërisht të lumtur pastaj të bezdisur
Ndalemi në vend, ende pa u nisur
-2-
S’ka më romantizëm as serenata
Dashuri idilike dhe vargje të zjarrta
Nuk ekziston më dashuri “platonike”
Veç formalitet, me shprehje Pindarike
Tashmë s’e këndojnë luginën dhe shpatin
Po sot, në fejsbuk, thonë: “ta pashë shtatin”
Ne në çdo mënyrë duhet ta shpëtojmë
Në emër të saj t’mos manipulojmë
Ajo s’ka nevojë për prapaskenë
Asaj i duhet dritë, i duhet oksigjen
Ajo nëpër shekuj ka pas t’njejtin emër
E shkruar me sy, e gdhendur në zemër
E gdhendur me buzë, e shkruar me sy
S’e ka humbur kurrë, emrin: Dashuri
Mirëpo sot siç duket është nëpërkëmbur
Janë trazuar ndjenjat, si pëllumbat e trembur

REFRENI (I njejti)

TEKST KËNGE
1.
Nga dita që të pashë, te ajo leximore
S’isha i qetë nga dridhjet shpirtërore
Sa të dobët veten gjithnjë e ndjeja
Për ta bërë me dije, asnjë fjalë s’gjeja
Saherë e shikoja tenin tënd të pastër
Sytë e mi të zi, bëheshin të kaltër
Po e përjetoja çdo metamorfozë
Që përballë teje, më lenin të paforcë
Por atë ditë vendosa, të dal ku të dalë
Mora guxim dhe t’i thashë këto fjalë:

Unë si djalë dhe si i ri
Kam detyrë nga dashuria
Që një vajze siç je ti
T’ia shpalojë ndjenjat e mia

Nuk arrita ta përfundoj
Ti më the e ngashënjyer
“Edhe mua, për ty, njësoj
Dashuria më ka rrëmbyer”

2.
Dhe kështu filloi, për ne u ngrit sipari
Dashuria çeli, siç shpërthen behari
Si shfaqje që mbeti gjithmonë premierë
Të gjitha stinët i shndërroi në pranverë
Sot më dymbëdhjetë prill, bëhet një vit
Pa parë njëri-tjetrin, s’ka kaluar ditë
Kemi mbushur me jetë çaste e momente
Uroj pra, kështu, të mbetet permanente
Fjalët tona të para saherë i kujtoj
Buzëqesh si fëmijë, kur e fiton një lojë

Refreni: (i njejti)

S’MUND TA LË PEZULL

Nga çasti që t’pashë atë mbrëmje rinore
Nuk jam i qetë nga dridhjet shpirtërore
Sa të dobët veten edhe sot e ndjej
Për ta bërë me dije, asnjë fjalë s’gjej

Duke e shikuar tenin tënd të pastër
Sytë e mi të zi u bënë të kaltër
Po e përjetoj çdo metamorfozë
Që më merr çdo gjë, më lë të paforcë

Të paktën ti që je, ndryshe nga të tjerët
Ma ndriço jetën time…kaq të errët
Më thuaj një fjalë, më jep një shenjë
Që të kem guxim ta shpreh këtë ndjenjë

Edhe kur vendos të bëhem i prerë
Përpjekjet e mia humbasin në erë
Por vrulli im rinor ma bën obligim
Mbase t’i bëj sfidë edhe fatit tim

Do t’i them të tëra, të dal ku të dal
Të gjitha mënyrat me vete do i marr
Përpara meje çdo dritë shoh të ndezur
Sepse dashurinë s’mund ta lë pezull.

PJESA E DYTË

PSE HESHTIN ARTISTËT..?!

PSE HESHTIN ARTISTËT..?

Tragjedia e popullit nuk fillon atëherë
kur shfaqen anomalitë
dhe diskriminimi i tij;
por kur ndaj këtyre gjërave heshtin intelektualët, artistët…
poetët në veçanti

Ata, me talentin dhe guximin e tyre,
duhet t’i sulmojnë ashpër
për hir të së vërtetës;
dukuritë e ndryshme negative
që kanë ngulfatur shoqërinë
në çdo sferë të jetës

Natyrisht, kjo s’është arenë e mbyllur
ku do qëronim hesapet
njëherë e përgjithmonë me të;
por, makineria e së keqes
s’mund të shkatërrohet aq lehtë,
pa bërë asgjë

Në çdo kohë, artistët dhe poetët
kanë qenë një lloj akademie
që kurrë s’ka heshtur;
me fjalë popullin e kanë ngritur
nga shtrati i vdekjes
kur ka dergjur

Mirëpo, çka ndodh me ne…
a kemi në mesin tonë njerëz
të kësaj natyre?
Padyshim, me qindra, mijëra
por, vështirë e kam ta kuptoj
heshtjen e tyre

Kemi vlera shumë të çmuara,
thesare që gjithsesi duhet
të dalin në sipërfaqe;
t’ia kthejnë shkëlqimin dhe aromën
kësaj bote të mallkuar
dhe shëmtaraqe

MIQTË E MIRË

Çdo person që e njohim është si një gjeth në drurin tonë
Disa, pa mbërritur vjeshta shkëputen dhe fluturojnë me erën
Por ka prej tyre që mbeten mes nesh përgjithmonë,
Pa e ndërruar pigmentin e tyre dhe vlerën.

Mbeten për t’na siguruar fotosintezën e gjallërisë
Janë fije lidhëse që lëshohen nga dielli në tokë.
Ata që s’kursejnë asgjë për ne, në çaste vështirësish
Do ishte shumë pak, t’i quanim vetëm shokë.

NUK ËSHTË SI DIKUR
(Vendlindja)

Nostalgjia është pikturë me ngjyra kujtimesh
Vuajtje e shkaktuar nga ëndrrat e parealizuara
Grimca të bashkuara kënaqësish e dhimbjesh
Kur shpirtin na dridhin çastet e kaluara

Ai kopshti i madh me pemë, gjelbërim e hije
Dhe një mollë majhoshe, që hahej tani
Është tretur, dhimbshëm, si epokë fëmijërie
E mbi të janë ndërtuar ngjitas ca shtëpi

Dikur kishim një të vjetër, por e mbushur plot
Tash…pesë shtëpi, por ç’e do…pa njerëz
Sepse jeta na shpërndau, kudo nëpër botë
Këtu vijmë rrallë…vetëm një muaj, verës

Për t’u çmallur më shumë dal nëpër katund
Për t’i takuar njerëzit, me ata që jam rritur
Por për fat të keq, gjysma nuk janë askund
Vendlindja më duket…kalli i shkoklitur

(A) KA SHËRIM…(?)

Jeta nuk do ia falë kurrë atij që nuk bën asnjë gabim
Por aq më pak atij që gabimin nuk e merr si mësim

Në fillim të kësaj pranvere, prisnim që gjërat të kenë një rend
Mirëpo populli ynë gjithandej, s’u mbush se s’u mbush me mend

Nëse i akuzojmë të tjerët që dikur na kanë përçarë
Pse tash në Dardani disa orvaten ta krijojnë kombin “kosovar”

E kanë ngulfatur shoqërinë me litare mjerimi disa njerëz
Kuvendet i kanë shndërruar në arena, ca ndjellakeqës

Shqipëria vazhdon të jetë Pashkovasiane me kokën në hi, e nxirë
Indiferente ndaj vëllezërve jashtë kufirit dhe bën sehir

Në Viset Lindore dhe Çamëri, populli përjeton apartheid
Si lisat e rralluar, gjithnjë e më shumë duke u krasit

Nga mjerimi dhe papunësia, populli, vazhdimisht degdiset
Duke ikur kështu, me të madhe, i sfidojmë edhe dallëndyshet

Por kësaj Toke të dërrmuar nga një popull i sajuar dhe mercenarët
Me dinjitet do ia kthejmë lavdinë, siç e kanë pasur Të Parët

Për këtë gjëmë të madhe, mendoj se është ky,
i vetmi shërim:
Të dëbohen me forcë politikanët dhe aty bëhet një dezinfektim

O shqiptarë të mërguar, porositë e Nolit kurrë mos i harroni..!
Ato: “Mbahu Nënë..” që me kurajo i shprehu nga Bostoni

Bashkë me qortimet e Konicës dhe fjalët e ëmbla të Naimit
Të marrim guxim, t’i japim fund përgjithmonë Mjerimit

URIME ME LOT
(Me rastin e tërmetit)

Kurrë s’e kam menduar
Ditën e Madhe sot
Në vend të gëzimeve
Ta festojmë me lot

Të gjithë u tronditëm
Në muajin tonë pikërisht
Shqipërinë që e goditi
Një tragjedi e trishtë

Dridhi tokë e det
Si asnjëherë më parë
Por s’na tundi ndjenjat
Të qenit shqiptarë

Kodi ynë i vjetër
Me shekuj e ka dëshmuar
Jemi aty ku duhet
Edhe pa na ftuar

Për komb e atdhe
Në luftë e rreziqe
Jemi mbledhur tog
Për të hapur shtigje

Edhe tash, çdo punë
Përgjysmë do ta lëmë
Në mënyrë dinjitoze
Ta kalojmë këtë gjëmë

Na theu fatkeqësia
Na lëndoi ky mort
Por prapë e dëshmuam
Se jemi të fortë

Urimet na janë përzier
Me ngushëllime, sot:
Për të lënduarit…zemër
Për viktimat, lot..!

Vëlladashuria kto ditë
Na ka bërë me dije
Për t’i bashkuar Trojet
Na ka mbet një fije

Ndaj shqiptarë, kudo
Ta mposhtim këtë krizë
Le të valojë flamuri
Qoftë në gjysmështizë..!

KOSOVA, Ç’KA QENË, Ç’ËSHTË DHE Ç’DO TË BËHET

“O Tokë e shenjtë, ç’po ndodh me ty..?!”
Kjo ofkëllimë gjithmonë është përsëritur
Nëpër shekuj, që atëherë kur ishe Dardani
Nga ata që u flijuan dhe nga njerëz të ditur

Ti ke qenë fisi më i madh i këtyre anëve
E shtrirë nga Astibo deri në Sirmium
Atëherë kur i shkuat në ndihmë trojanëve
Dhe kur barbarët e pëgërë vërshuan si lumë

Prej atëherë betejat nuk t’u ndalën kurrë
Ashtu siç nuk e ndalën nënat pjellorinë
Ndër vite kalitur me shprehjen: a je burrë..?
Deri sa një ditë e gëzove plotësisht lirinë

Sa trima kanë lindur me ndjenjë patrioti
Për Podrimjen ishe gjaku që nuk të fali
Për ty qau Azem Shkreli, u tret Ukshin Hoti
Luftuan duke kënduar Vëllezërit Jashari

Por sot, kur bota të dha një kurorë
Pse ke mbet’ e varur si kungull mbi mur..?
Apo për ta vërtetuar proverbin popullor:
Kur këndojnë shumë gjela, dita nuk del kurrë

Por Ti do të bëhesh…një kopsht i lulëzuar
Që të gjithë përreth do ta kenë lakminë
Kjo do të ndodhë kur do të marrën në duar
Ata që vërtet të duan dhe e çmojnë diturinë

VENDLINDJA IME

Sa më merr malli për fshatin Çiflik
Vendlindjen time, këtë idilë të vjetër
Edhe pse ato pamje më bëjnë romantik
E kam shumë vështirë ta shpreh në letër

Kam përshtypjen se gjithkund nëpër botë
Ajo që nuk duket mbetet e mistershme
Vetëm atje gjithçka, s’mund ta shpjegoj dot
E bukur, e tejdukshme dhe e pashtershme

Çdo vesë e fije bari është një bibliotekë
Dedikuar mrekullive të shumta, varg e varg
Emocionet dhe malli të lidhura si purtekë
Janë shporta e kujtimeve për ne që jemi larg

Sa më merr malli për vendlindjen time
Aq sa për Krujën, dikur Skënderbeun
Ekzistenca e saj më mbush me frymëzime
Ta dua edhe më shumë Atdheun

NJË SHEKULL HESHTJE, PËR TY MËSUES

Befas ra perdja e zezë…janari u tkurr
Frymëmarrjet e ngrira, na mbetën pezull
Për ty, Shandani ynë, në këtë teatër obskur
S’mjafton një minutë, po heshtje një shekull

Kjo gjëmë e madhe, tepër na ka vrarë
Epoka jote u këput, në mes, si selvi
Gjysma n’kacafytje, me bisha e barbarë
Gjysma tjetër me dëshprime e distopi

Për popullin që e deshe, ke thënë disa herë:
Kam dëshirë ta shoh, të lulëzojë si zambak
Për këtë pra, na duhen personalitete me vlerë
Njerëz të dijes, mbi të gjitha, një Balzak

Ke shpërthyer nga mllefi, si burrë i zoti
Atëherë kur të nxirrnin nga takti të ligët:
Armikut ia kemi ndrequr samarin qëmoti
Po si t’ia bëjmë me tradhtarët e kuislingët?!

Që atëherë kur njerëzit, përdornin eshkë
Dhe mezi pak bukë të thekrit haje
Kur punoje arat, apo me delet në bjeshkë
Ti me vete libra dhe fletore mbaje

Sepse ti shumë herët e ke vërejtur
Se injoranca nuk mundet me aq lehtësi
Shumë llamba tjera do duhej ndezur
Ndaj të është dashur pashtershëm energji

Jetove me dinjitet, mësuesi ynë, të lumtë!
Edhe malet rrafshoje me vepra e fjalë
S’të përballonin dot, katilat e shumtë
Të mposhtur iknin, me bisht nën shalë

Dialogjet me ty s’kishin të mbaruar
Admirues i dijes, i aftë në çdo lëndë
Elokuenca rrjedhëse si krua i kulluar
Punëtor i palodhur, kreshnik hijerëndë

Në këto ditë të vështira, siç do thoshe Ti
Tash e shoh, për kob, sa shkon sahati
Për mungesën tënde, plot melankoli
Vuan populli anembanë, jo vetëm fshati

Me shkuarjen tënde s’kemi për t’u mësuar
E dëshmojnë, ja njerëzit, te shitorja t’presin
Atë thënien filozofike, mbase “e ke harruar”
Disa persona lindin, pikërisht pasi vdesin

HERGJELAT TANË TË HASDISUR

“Sa mirë na mashtrojnë ata që i duam”.
Po të jetë nevoja, botën prapa kthejmë
Por nga thënia e Molierit nuk u mësuam
Neve na mashtrojnë edhe ata që i urrejmë

S’kemi aspak turp dhe s’na bëhet vonë
Faktit që gjithmonë ia kemi pa’ sherrin
Barbarët po na vjedhin në oborrin tonë
Ne nuk reagojmë, bile ua mbajmë fenerin

S’duhet të habitemi pse jemi të harlisur
E ardhmëria jonë vazhdimisht po ngryset
Se na përfaqësojnë ca kuaj të hasdisur
Dhe një Zekth nga prapa që i nguc te vithet

O popull i mjerë, shpresoj të ju kujtohet
Thënia e urtë nga Thesari popullor:
“Një gomar apo kalë që shpesh rrëzohet
Nuk është topall, por është qorr”.

Gomerëve tanë që ju dhamë hapësirë
E me vite të tëra livadhisën si hergjela
Do duhet t’i ndëshkojmë njëherë e mirë
T’ua lidhim këmbët, t’i rrethojëm me tela

REAGIM
(Bazuar nga titujt e veprave ruse)

Unë, i Poshtëruar dhe i fyer
Nga disa Vëllezër Karamazov
Me fjalë të rënda Kumarxhinjësh
Sikur të isha një Idiot

Nuk pata bërë asnjë Krim
Të shkruaj diçka kisha mall
Dhe s’e kuptoj pse ky Ndëshkim
Ta ndjej veten si Kufomë e gjallë!

Kisha bindjen se krijimet
I kam si Ujërat pranverorë
Si të Çehovit novelat, tregimet…
Dokror Zhivago në ditët me borë

Kur shkruaj s’dua Revizor
Tash e tutje kush më nguc
Kam vendosur ta bëj horr
Retë në pantallona t’ia fus

Do ju shpall Luftë pa paqe
Dyluftim të ashpër si Onjegini
Do t’ju sulmoj katër mijë faqe
Nëse ju shkrimet m’i nxijni

Të jem i përbuzur s’e pranoj
Shkrimet e mia të shkojnë huq
E dikush pastaj të kujtojë
Se jemi në Oborrin e Carit të kuq

Dua të jem i Qetësi di Doni
Jo si Haxhi Murati i përndjekur
Ju mund të thoni çka të doni
Për mua jeni Shpirtëra të vdekur

O Rasputina, rruga e progresit
Natyrisht që ka edhe gabime
Për ta ndërruar Këngën e lavjerrësit
Përveç kritikave, duhet sugjerime

Jam larg, por nuk Ika nga Bizanti
Si Karenina e Vronski për “sakrilegj”
As nga tmerri që mbolli desanti
Me gjendjen ekonomike isha keq

Shpresoj shpejt të më vij dita
Të bëhem Hero i kohës sonë
T’i bëj si Mjeshtri dhe Margerita
Veprat e mia që do bëjnë jehonë

DETI JON(Ë)

Në fillim të Zanafillës ishte Deti Jon(ë)
Pastaj romakët e përkthyen në Mar Nostrum
U shqetësuan hyjnitë: Zeus e Posejdon
Sepse emri i parë i përshtatej më shumë

Ata u tërbuan aq sa, u fundos Atlantida
Në ato trazime humbi rrugën Odiseu
Nga shkuma e tij e madhe lindi Afrodita
Zjarrin tek njerëzit zbriste Prometheu

Përgjatë shekujve gjërat kanë ndryshuar
Nga pushtues barbarë me plotë delire
Por askush, si këta sot, nuk kanë guxuar
Ta shesin detin, si të ishte pronë e tyre

PËR ALMIRIN

Në vendin çmendurisht të tërbuar
Ku marrëzitë, si duket, nuk kanë skaj
Një nënë me zemër të përvëluar
Qan për një pjesë të shpirtit të saj

Në anën tjetër s’e çajnë kokën fare
Disa ministra, deputetë e drejtorë
Duke u krekosur me xhaketa e kollare
Harrojnë se janë vetëm shërbëtorë

Shërbyes të një udhëheqësie satanike
Që mbrojnë kriminelët kategorikisht
Dhe i mbyllin rastet në mënyrë klasike
Duke thënë:”ka ndodhur aksidentalisht”

Kjo vrasje makabre ka dridhur malet
Për Almirin e vogël katërvjeçar
Populli nuk duhet kurrë të ndalet
Derisa drejtësia të vihet në kandar

O botë e kapluar nga ëndrrat e dimrit
O profesorë, nxënës dhe studentë
Nuk mjafton vetëm një foto e Almirit
Të shprehim ngushëllime e solidaritet

Nëse nuk ua bëjmë me dije çdo ditë
Se kriminelët patjetër duhet dënuar
Në këtë vend udhëheqësish hipokritë
Gjithmonë do të jemi të nënçmuar

Të kërkosh drejtësi në këtë vend tmerri
Ku popullit në llucë ia kanë futur këmbët
Është sikur të shkosh në sallon berberi
E të kërkosh të t’i rregulloj dhëmbët

EUTANAZI

Gjithmonë popullin e keni shkretuar
Me dallavere e rrena, rrëmbe e zhvat
Ata më parë ishin diktatorë të tërbuar
Ndërsa, ju sot, kusarë e piratë

Ju që gjithmonë keni bërë hile
E në fushata u treguat romantikë
Në fakt, të gjithë u shndërruat në skile
Dhe popullit i ratë pas shpine me thikë

Popullit tonë që është duke dergjur
Nga lëndimet e mëdha, në gjendje agonie
Që t’ia lehtësoni dhimbjet mos i jepnin tjetër
Pos një dozë të mjaftueshme eutanazie

SHKUPI

Ku ndodhet Shkupi? Më pyeti një italian
Them: një vrap kali nga shtëpia ku jetoj
Më shkurt se Martona e Filipidit spartan
Kur për fitoren e tyre, u caktua të tregojë

Shkupin e kemi afër gjithë ne shqiptarët
Ai sot do duhej të ishte kryeqyteti ynë
Por, e kanë zaptuar mizorisht barbarët
E Udhëheqësit tanë ia shtuan letargjinë

Por, ky qytet shpejt do të ringjallet
Do të bëhet Shkupi apo Justiniana prima
Atëherë kur ta marrin n’dorë intelektualët
Që janë të ndërgjegjshëm dhe trima

TË GJITHË DO TË KUJTOHEMI PËR DIÇKA

Të gjithë do të kujtohemi për diçka
Në këtë botë plot halle e zhurmë
Madje do të ketë edhe nga ata
Që do ikin pa lënë asnjë gjurmë

Për mua, mbase shumica do thonë:
Ai që jetën e mendonte si përrallë
Dashurisë me shkrime i dha jehonë
Po ai vetë, a thua e shijoi vallë..?!

Do pyesin njerëzit: e ke njohur Lirimin
Atë që tërë jetën mbeti nxënës..?
Ndonëse “pikë të dobët” e kishte arsimin
Vetë s’pati fat të jetë mësimdhënës

Disa do më bëjnë lëvdata me thasë
Se kam qenë altruist dhe i drejtë
Por, gjërat që do mbahen mend gjatë
Do jenë poezitë, të bëra në dialekt

Disa do më lavdërojnë si patriot
Pastaj do krijojnë batuta e zhargone
Madje dikush me simpati do të thotë:
Për ne do të mbetet “sinjor Alkapone”

Nga puna dhe veprimtaria, si nishan
Mjafton pak gjëra me vlerë të mbesin
Sepse, siç thotë Niçe, filozofi gjerman:
“Disa njerëz lindin, pasi të vdesin”.

Nga kjo jetë të ngarkuar me peripeci
Mbase do mbetem një libër i hapur
Nuk do doja më shumë, pos ta di
Perëndia dhe populli të jenë të kënaqur

QËRIM HESAPESH…PËR TETOVËN

Tetovën prapë e pllakosi mynxyra
Kësaj radhe të gjithëve na bëri gurë
Të strukur, me ndjenja të përpira:
“A ka mbarim, pse kështu, deri kur..?!”

Tash kot e kemi, me ofshama e klithje
Me lot krokodili, ngjyra kamaleonësh
Fajtorë jemi ne, që lamë qytetin me vite
Në duar kleptomane e neronësh

Lavdinë që ka patur nëpër kohë
S’mund t’ia kthejmë duke heshtur
Ndryshim rrënjësor dëshiron Ajo
Nga njerëz të devotshëm e të regjur

Ata që deri sot na kanë shkatërruar
Me çdo kusht në theqafje t’i çojmë
Pos kësaj, vendin ku kanë qëndruar
Në njëfarë mënyre ta dezinfektojmë

PARA SE…

Para se të mburresh me Skënderbenë
studentëve notat mos ua shit..!
Para se të flasësh për Kadarenë
sillu pak më mirë me fqinjtë..!

Para se të mburresh me Naimin
punëtorin t’mos e kesh bezdisur..!
Para të flasësh për Terezën e shenjtërimin
mos bën gazetari të porositur..!

Para se t’ju thurrish lavde Nolit e Konicës
shiko në ç’gjendje je duke jetuar..!
Para se të flasësh për trimëritë e Galicës
respekto veten, të jesh i respektuar

TETOVA Ç’KA QENË, Ç’ ËSHTË DHE Ç’DO TË BËHET

Ka vite që them: do të dalem në vendlindje
për t’mos u kthyer kurrë më në mërgim
Por saherë që vij, ma çrrënjosin këtë bindje
Padrejtësitë dhe gjendja në mjerim

Disa prej tyre na thonë: ju e keni lehtë
Të flisni, analizoni e qortoni nga larg
Vetëm ne e dimë ç’heqim në këtë vend
Që na kanë vyshkur e bërë si specat varg

Ju kuptoj shumë mirë, vetëm zihemi kot
Por në atë shtet ku ushtrohet aparthejd,
çfarë do të ndodhte, a ka kush ma thotë,
sikur të ktheheshim atje, ne krejt..?!

Shumica prej nesh, gjithashtu dhe unë
Viteve të fundit, sinqerisht jam orvatur
Kudo që të ishte, te ne të gjeja një punë
Me dëshirën më të madhe do isha ndalur

Por ne atje trajtohemi si të dorës së tretë
E asgjë nuk realizohet me objektivizëm
Duhet të kesh librezë të partisë në pushtet
Ose alternativa tjetër: me nepotizëm

Shkunduni o njerëz, kjo nuk është lojë
Largimin tonë mos e konsideroni i si ikje
Saherë Atdheu ka patur ndonjë nevojë
Aty kemi qenë, me çdo mënyrë e nxitje

Gjithkush nga ne kemi lënë nga një ëndërr
Një pjesë të familjes kemi lënë gjithashtu
Ndërsa tash njëri-tjetrin e shikojmë vëngër
Sepse “disa” kanë punuar që të jemi kështu

Kemi lënë vëllezër, motra, nënë e babà
Moshën e rinisë, përgjysmuar nga lakenjtë
Pasionet dhe dëshirat të varura në tra
Me bindjen që të kthehemi sa më shpejt

T’më kish pyetur dikush tridhjetë vjet më parë
Edhe pse me shpata Demoklenjsh ngritur
“Si e parashikon ardhmërinë e popullit tetovar?”
Gjithfarë do besoja, por jo kështu të nemitur
…..
Njerëzit në botë dallohen sipas qëllimeve
Nuk mund të ndahen në pleq e të rinj
Kur fillojnë të fryjnë erërat e ndryshimeve,
Disa rrënojnë mure, dikush ndërton mullinj.

Dy fjalë qortuese dëshiroj t’ua them
Atyre që janë pajtuar me skëterrën:
Një stuhi, mbase then ca lule e pemë
Por s’mund ta marrë me vete tërë pranverën

Nuk duhet të kemi nga përleshjet frikë,
Kur dikujt duhet t’ia bëjmë me dije
Se’ edhe nga trupat qiellorë në galaktikë
Me përplasjet e tyre shpesh lindin yje

RECITAL I SERVILËVE
Në çdo vend e në çdo kohë
Jemi të përfshirë
Ndaj veten e konsiderojmë
Si shtresa më e mirë

Dikush na quan servilë
Dikush puthadorë
Por të gjithë e harrojnë
Rolin tonë kryesor

Për shkak të xhelozisë
Gjithë këto sinonime
Nuk e dinë se edhe ne
Kemi shumë parime

Me rregullore, nga tjerët
Dallohemi në këtë pikë:
Shefave tanë të dashur
T’ju qëndrojmë besnikë

T’ju thurim lavde atyre
Për ne është esenciale
Në media e gjithandej
Në rrjetet sociale

Ato që dikush i quan
Sentenca e moto
Ne e bëjmë me hingëllima
Dhe duke vënë foto

Disa njerëz gjunjëzohen
Për atdhe e dashuri
Ndërsa ne vetëm për ata
Që kemi levërdi

Për jetëgjatësinë tonë
Kemi këtë sekret:
Kokën që përkulet shumë
Shpata nuk e pret

Për ne s’ka nevojë
Shkollë e curriculum
Për të mbërri ku duam
S’duhet mund aq shumë

Mjafton t’i bëjmë detyrat
Që na japin padronët
Fytyrën dhe ngjyrat
I ndërrojmë si kamaleonët

Si çdo punë, edhe kjo
Ka shumë kritere
Kur na caktojnë të rrimë
Me orë, prapa dere

Nëse ndodh…këta të ikin
E vijnë epërorë tjerë
Nuk e kemi aq siklet
I ndërrojmë menjëherë

Siç na mëson historia
Dhe siç vazhdon kjo botë
Servilizmi dhe tirania
Gjithnjë do jenë në modë

GRIMCA PROFILI…
(Me rastin e ditëlindjes sime)
…..
Thonë se kam lindur kur erdhi drita në fshat
Në pranverën e plotë, më dy maj
Në Tetovë për flamur bëhej demonstratë
Populli ynë edhe atëherë në hall e në vaj
…..
Kam shëtitur e vizituar vende të ndryshme
Jam takuar me njerëz të mençur e të urtë
Prej tyre jam pajisur me gjëra të dobishme
Por në shtëpinë time jam ndjerë më i sigurt
…..
Sa më brengos fakti që i takoj një epoke
Të trazirave dhe ndryshimeve të mëdha
Do na mallkojnë brezat e ardhshëm të kësaj toke
Sepse nuk bëmë aq sa duhet për ata
…..
U përpoqëm të ngjitemi në majat e larta
Me dituri, sakrifica, thonj e dhëmbë
Por kurrë s’do t’i fitojmë Medaljet e arta…
Lashtësitë të mbuluara i kemi nën këmbë
…..
Gjithmonë jemi mësuar gotën ta shikojmë
Gjysmë të zbrazur, apo gjysmë të mbushur
Por asnjëhërë nuk përpiqemi ta mësojmë
Çfarë substance ka, në të brenda, futur
…..
Njeriu e kupton se është plakur, atëherë
kur nuk jeton më me ëndrra, por me kujtime;
çastet e kaluara duken si lule të thata, pa erë
T’vëna në faqet e një fletoreje me shënime
…..
Nëse jeta më buzëqesh, ndoshta ajo di diçka
që unë nuk e di, e të cilën do duhej ta dija…
Por e shoh se nga gjërat që kanë vlerë paksa
Më besnike më ka mbetur vetëm hija
…..
Më ka thënë një plak dikur: kështu e ka jeta,
asnjë padrejtësi s’kalon tej kësaj hapësire.
Kush ndërton kështjella me gënjeshtrat e veta
Përfundon nën rrënojat e shembjes së tyre
…..
Njëzetepesë shekuj më parë, Herakliti
Shprehjen: “Panta rei” gdhendi mbi një gur
N’të njejtin lumë s’mund të hyjmë për së dyti
Se gjithçka rrjedh e s’kthehet më kurrë
…..

PSE KËTA SAMARË..?!

Një të enjte qëllova n’pazar
(Më pëlqejnë gjërat rustike)
Kur, dikund, pashë ca samarë
Ma kujtuan atë thënien satirike:

S’bëhet tjetër, gomari…gomar
S’ka rëndësi çka bart mbi shpinë
Në ka dru, libra, thasë me ar
Mjafton të mirë ta ketë tagjinë

Dikush tha: pse këta samarë?
Kjo kafshë gati nuk ekziston
Me ironi ia ktheu një dijetar:
Kemi plot në mesin tonë

ËNDRRAT NË MËRGIM

Ja çfarë ëndrrash shohim kur jemi në mërgim
Vendin më të bukur, mbi Tetovë, te llixhet
Bile shpesh këto pamje na shfaqen si vegim
Nga nostalgjia e madhe, zemra na zhuritet

Saherë e shoh veten mbi këtë urë të kaloj
Shumë pak njerëz vërej dhe lumin që flet:
“-Siç na kanë dërrmuar, të gjithëve njësoj
Kjo s’ka ndodhur kurrë, me miliona vjet

Ju po na braktisni, si troftat gjithashtu
Që s’mund të kthehen, nga digat dhe ndotja
Por, ne, malet dhe burrat, do qëndrojmë këtu
Deri atëherë, kur do shembet e tërë bota.. ”

Këto ëndrra i shohim kur jemi këtu larg
Çmallje, ankthe, qortime, gjithçka e përzier
Se dashuria për Atdheun që e kemi në gjak
Çdo ditë na ngacmon, atje për t’u kthyer

PRANVERA DHE E DREJTA E SAJ

Pranvera erdhi, edhe këtë vit, pa pritesë
Filluan të shfaqën “sponsorët” e parë
Lule, gjelbërim, në vend të brymës vesë
Dhe aty-këtu ndonjë zog shtegtar

Dhe kur pritej të bëhej pranim-dorëzimi
Në sytë e natyrës nisi të duket një haré
Nga xhelozia, ndërroi mendje dimri
Tha:” jo, ka kohë ende, nuk lëshoj pé “.

Dhe vërtet nuk vonuan gjestet cinike
Tamam siç bëjnë njerëzit, krijoi skandale
Përveç forcës së tërbuar eolike
Futi në lojë borën dhe tjera arsenale

Populli, këto ditë (…) në shtëpi i ngujuar
I paforcë për të bërë ndonjë ndërmjetësim
E ndjeu veten si bimët, i viktimizuar
Tha:” lufta për pushtet qenka një trishtim”.

Siç dihet, pranvera nuk dërëzohet kollaj
Nga të gjitha anët do të shpërthejë
Edhe populli duhet të mësojë prej saj
Se, të drejtën askush s’mund ta rrëmbejë

URIME KOSOVË…!

Vitet e fundit në shtëpinë tonë
kemi bërë një provë
Fjalën që më shumë e kemi shprehur
Është emri: Kosovë

Kjo ka ndodhur edhe më parë
Kur ishin prindërit e mi
Kosovën si temë e kemi patur
Në përditshmëri

Ajo ka qenë plagë në zemër
Për breza me radhë
Nga armiq e barbarë shkelur
Pa patur ditë të bardhë

Vit për viti Nënat e saj
Djem e bija rrisnin
Trima që, po t’ishte e mundur,
Nga njëmijë herë vdisnin

Erdhi koha, armikun e vjetër
Përgjithmonë e dëbuan
Por pastaj kriminelët e vendit
Më keq e shkretuan

Njëmbëdhjetë vjet e kemi festuar
Pavarësinë e saj
Por me zemër të copëtuar
Për mjerimin e paskaj

Shpresoj tash e tutje Kosova
Nëpër shtëpitë tona
Të përmendet, por për të mirë
T’i dale jehona

AS QEN, AS ZAGAR

“Një ide që nuk gjen vend për t’u ulur
është në gjendje të bëjë revolucion”
Kështu kanë thënë ata që s’janë përkulur
Kështu duhet të jetë edhe për popullin tonë

Sot “huliganët” prapë skërmitën dhëmbët
Të dalë nga një soj: as qen as zagar
Ikën me bisht ndër vegë, kah sytë këmbët
Kur i morën përpara ca djem shqiptarë

GJUHËT PA RRËNJË

Greqishtja e vjetër dhe latinishtja, lindën
si gjuhë skolastike; dhe si të tilla jetuan;
shkëlqyen ca shekuj dhe me dinjitet “vdiqën”
por ende pjesërisht me diçka vazhduan.

Neo-maqedonishtja që lindi si gjuhë bastarde
mendoj se do ta ketë një përfundim të mjerë;
Asnjëherë nuk mund të qëndrojë standarde,
vërshimat do ta çojnë në Detin Egje(rë)

RECITAL I SKAMNORIT

Në rregull, e kuptuam se doni të krijoni një rend të ri botëror
Por, merreni më shtruar, mos mbjellni në popull terror..!

Siç na rrëfen mitologjia, edhe perënditë në Olimp kur e tepruan
Mbetën të vetmuar, të përbuzur, aq sa edhe u harruan

Kjo botë është universale, gjithsecili ta ketë hakun
Kush jeni ju pra, që njerëzimit ia shtrydhni gjakun?

Dijeni ju, që mendoni se gjithçka arrihet me pasuri:
Nuk mund të bëhesh zot i dikujt, nëse në etikë s’je as edhe njeri

E provuan faraonët, filozofët, ca Luigja e ndonjë diktator
Por s’u bënë kurrë perëndi, përveçse pluhur e fosfor

Mund të bëni çka të doni, por do vij një ditë që do pendoheni
Kur do mbeteni të vetmuar, nuk do keni kujt t’i krenoheni

“THIRRI MENDJES”

Jeta para syve si hije na kalon
E ne bëjmë sikur nuk e vërejmë
Edhe atëherë kur ajo na fishkëllon
Kokën në anën tjetër kthejmë

Në këtë botë, në mos më tepër
Të paktën të lëmë ndonjë gjurmë
Përndryshe, si do kujtohemi nesër
Apo vetëm se bëmë shumë zhurmë

Shprehja popullore “thirri mendjes!”
Ndonëse pak ekstreme na kumbon
Nëse vazhdojmë t’i pajtohemi gjendjes
Një ditë nuk do njihemi as si plangton

Fragmente nga:
NJËMIJË E NJË VARGJE TË JETËS SIME
(Mbarimi i gjimnazit)

Nga koha bashkë me ju kaluar
Shokë të klasës e nxënës tjerë
Edhe sot e vërej se s’kam gabuar
Që zgjodha këtë tempull me vlerë

Në fillim dukeshim paksà të hutuar
Nga vise të ndryshme çdokush erdhi
Por në klasën tonë…të bashkuar
U shndërruam si drita të një bredhi

Nga shkolla të ndryshme fillore
Me çanta plotë ëndrra fëmijërie
Nga grimca të vogla qiellore
Këtu u bëmë si plejadë me yje

Të sapo dalë nga shkolla fillore
Vështirë t’i harrojmë ato përjetime
Profesorë të mirë na “morën për dore”
Me fjalë të bukura dhe udhëzime

S’kaloi shumë kohë, ne u mësuam
Me njëri-tjetrin, pastaj ata me ne
Fushat e dijes më shumë i zgjeruam
Për ne filloi një epokë e re

Ishte, si të them….një lloj betimi
Me bindjen se nuk ishim fëmijë
Që t’i rrinim besnik atij shtegtimi
Nga ku u hap një horizont i ri

Si çdo shoqëri edhe klasa jonë
E ndërtuar nga etika dhe mësimet
Që donjëherë s’na bëhej vonë
Kur e tepëronim me argëtimet

Tash erdhi koha që të ndahemi
Jo pse deshëm, po ish patjetër
Dhe aspak nuk duhet të qahemi
Po të ndjehemi si shkronjat në letër

Të ndarë…me zemër të copëtuar
Ca fjalë mirënjohëse dua t’ua them
Për emocionet që m’i keni dhuruar
Falemnderit për gjithçka, vajza e djem

Katër vjet bashkë, si një orkestër
Të gjithë t’akorduar për një simfoni
Tani të detyruar, e kemi patjetër
Ta shkëpusim këtë harmoni

Këtu mblodhëm shumë dituri
Këtu u rritem, u bëmë të mëdhenj
Pos disa gjërava, si çdo i ri
Edhe dashuria na u shtua si ndjenjë

Për këtë epokë vlen çdo krahasim
Ku ishim të shkrirë si një legurë
Pas pak klasa do mbetet sinonim
I brigjeve të lumit që i lidh një urë

Edhe pse vështirë të pajtohemi
Dhe na duket paksa e çuditshme
Prapëseprapë duhet të mësohemi
Se disa ndarje janë të natyrshme

Neve na presin detyra tjera
Rrugët e jetës s’kanë të mbaruar
E ngjashme si këtë vit pranvera
Që bën apel për të lulëzuar

Nga dallgët e fatit njohuri s’kemi
Për të Nesërmen me diell o me re
Por nëpër botë kudo që të vemi
Ne do të jemi gjithmonë: NE…

Këtu e kaluam moshën më të mirë
Që do të kujtohet përgjithmonë
S’duhet të lejojmë në asnjë mënyrë
Kjo ndarje të jetë edhe fundi jonë

NDËRMJET SUGJESTIONIMIT
DHE FTESËS SË PRANVERËS

Nga ballkoni i shtëpisë,
afër një muaj të ngujuar,
më lind një pyetje gati në vaj:
A thua, pranvera ndonjëherë,
ka qenë kaq e vetmuar,
në historinë e saj..?

Ajo prapë erdhi, si një nuse,
me tërë pajën,
gjatë gjithë dimrit përgatitur.
Por askush s’i doli para,
koçisë së saj,
me elegancë, për ta zbritur

E zhgënjyer dhe e befasuar…
pastaj ndjeu keqardhje,
kur e kuptoi, për fatkeqësinë.
Me durimin e Penelopës,
vazhdoi qëndisjen,
duke pritur Njerinë.

Tek shikoj nga ballkoni,
duket sikur aktron gjithçka,
që t’më bëjë për vete:
më buzëqesh, si fëmijët,
ma qet gjuhën,
me bilbilat shfaq koncerte.

Nëse vazhdon me provokime,
më falni shumë,
por e kam vështirë të rezistoj
Do detyrohem, në fshehtësi,
t’i lidhë çarçafët
të zbres, njëherë ta përqafoj.

ABSTENIM I MUZAVE

Ka kohë, asnjë sinjal s’arrin nga Monparnasi
Muzat janë hutuar me gjestet tona fanatike
Frymëzimet nuk vijnë as me flatra Pegasi
Qofshin ato ode, apo shprehje pindarike

Historianes Klio i është grisur pergamena
Në një kënd bëjnë sehirë Erato me Polihimninë
“Jeta juaj është tragjedi”, pëshpërit Melpomena
Keni rrënuar gjithçka, më shumë poezinë.

Si ndëshkim, ka për t’ua ngjirur zërin Euterpa
Se muzikën e keni ndotur me pluhur shundi
Këngët dhe rapsoditë dikur i kishit kryevepra
Tash vetëm zhurmë e kakofoni për asgjëkundi

Gjuhën tuaj shekullore jeni duke e zhdukur
Të zbritur dikur nga yjet, siç vërteton Urania
Marrëzitë krijuese e njerëzve të përhumbur
As frymëzim për komedi s’i pranon Talia

Fjalët ua ka ngatërruar Kaliopa, o ju të mjerë
Se s’dini t’i ruani thesaret tuaja të vatanit
Para syve ua rrëmbejnë veglat popujt tjerë
E ju do mbeteni vetëm me shkopin e tupanit

Në këtë kohë të kapluar nga gjëmë e madhe
Ku e shqetësuar është edhe Terpsihora
S’jeni të vetëdijshëm se keni nisur një valle
Valle aritmike, që e udhëheqin ca qorra”.

TË LUTEM O ZOT

Si shiu i këndshëm i një reje
Që freskon bimët në vapë
Ma mundëso o Zot e më jep leje
Pa emrin Tënd mos bëj asnjë hap

Me zë të ëmbël të përgjërohem
Si zogjtë e vegjël nëpër pemë
Pas çdo gabimi të pendohem
Më i vendosur në jetë të jem

O i Madhërishëm që t’kam në deje
Në Kur’an vetë e ke thënë Ti
Nëse bëj një hap drejt Teje
Mirësia Jote do të jetë pakufij

Të jem njeri i kujdesshëm
I pajisur me devotshmëri
Në çdo lëmi i suksesshëm
I etur shumë për dituri

Para Teje atë Ditë në gjykim
Të dal me fytyrë të ndritur
Dhe të kaloj me fluturim
Në dyert e Parajsës, pa trokitur

MESAZHI I DESHMORIT

Edhe pse kaluan shumë vite
Nga dita që s’jam në mesin tuaj
Prapë do ketë njerëz me virtyte
Që s’do lejojnë të ndjehem i huaj

Për ndonjërin do të ketë kohë
Vdekjen time ta quaj sublime
Me krenari, në një ditë si kjo
Të mbetem gjithmonë në kujtime

Ju do thoni, me zemër të plasur
E pamundur, për mua të flas
Por atyre që vërtet më kanë dashur
Në ndjenja gjithmonë do ju trokas

Mungesa ime plagë ju ka hapur
Ty nënë e dashur dhe miqëve të mi
Po Zoti do ishte më i kënaqur
Nëse vajin e ktheni në lumturi

E kuptoj nëpërmjet lotit
Se dhimbja juaj është e rëndë
Po s’kish më ëmbël se n’Emër të Zotit
Të vdesish për vendin tënd

Jeta mes jush, e shkurt qe
Si fluturat që jetojnë një çerek ore
Fakti që rash viktimë për atdhe
Do shkëlqej si ngjyra ylberore

Tani kam tjetër uniformë
Nga plagët aspak nuk vuaj
Gjaku që derdha bëhet aromë
Që shpërndahet në Pranverën tuaj

Gjallërinë time ju asnjëherë
S’keni mundësi për ta kuptuar
Ndërmjet Dëshmorëve me shokë tjerë
I Madhërishmi më ka rreshtuar

Askush prapa s’mund të na kthej
As dëshprimi juaj sa një mal
Ideja për hakmarrje mos ju rrëmbej
Se është më i mirë ai që fal

Gjestet tuaja s’janë të natyrshme
Se dhimbja me heshtje nuk hiqet
Sjellja juaj tepër e çuditshme
Neve na vranë, ndërsa ju vdiqët

Mos e humbni drjetpeshimin
Qëndroni me bindje si hekur
Ata që tradhtuan e bënë krimin
Më shumë se ne, janë të vdekur

Duhet të përkulen para së vërtetës
Të rrëfehen duke bërë pendime
Nëse nuk i brenë zëri i ndërgjegjës
Zoti do t’i bëj copa e thërrime

Ato që na lëndojnë më shumë
Dhe na vrasin me të vërtetë
Janë fyerjet që vërshojnë si lumë
Të shëmtuara nga disa kokëshkretë

Ata që flasin, gjërat pa i ditur
E në Nderin tonë ngulin thika
Shpirtin armikut ia kanë shitur
Për pasurim, apo nga frika

Gjithsecili duhet ta kuptojë
Jeta në tokë është kalimtare
Do vij një Ditë, nuk do vonojë
Do peshohen nëpër kandare

Nëse na dëshironi afër jush
E të ndjehemi edhe ne të gjallë
Bëhuni të suksesshëm në çdo fushë
Duajeni të drejtën si sytë në ballë

Qëllimet në jetë s’kanë tjera shtigje
Ta ndiqni me mësim, pra të Vërtetën
Se çdo gjë njerëzore, tërë ato ligje
Para Zotit një Ditë, do të treten

Vetëm me përpjekje dhe lexim
Horizontet do ju zgjerohen
Rrugët do t’i keni plotë ndriçim
Armiku dhe tradhtarët do rrëzohen

PROFETIT MUHAMED

Të shkruash si duhet për një si Ai
Është kënaqësi…dhe vështirë tepër
Përveç njohurive kërkon përgjegjësi
Por diçka më thotë, ta bëj patjetër

Frymëzimet nuk janë lule në livadhe
Që me lehtësi dalim për t’i mbledhur
O Zot, mos ma merr për të madhe
Nëse ndonjë fjalë s’është mirë e zgjedhur

Gjithmonë ka patur figura në botë
Gjeni të ndryshëm, njerëz me talente
Ideologjitë e tyre patën një epokë
Por nuk mbeten kurrë permanente

Edhe profetët tjerë të dërguar
Që udhëzuan e qenë të ndershëm
Patën popuj e fise për t’i këshilluar
Por prapë nuk mbetën të përhershëm

Vetëm Muhammedi, profeti i dashur
I udhëzuar nga Dituritë hyjnore
Vulosi gjithçka që ishte e pastër
Dhe përmbysi pikëpamjet mizore

Botës së ngatërruar i dha një kuptim
Luftoi injorancën deri në skaj
Dashurinë ndaj njerëzve kishte si parim
Shkencës ia ndërtoi themelet e saj

Në çdo fushë të jetës ishte i përkryer
Në mbrojtje të popullit ka qenë strateg
Atyre që, pa të drejtë e patën fyer
Me mirësinë e tij ua nbylli çdo shteg

Ai s’dinte të lexojë as të shkruaj në letër
Për ndonjë teoremë apo ligj kushtetute
Po Shpellën Hira e pati si katedër
Për zbërthimin e të Vërtetës Absolute

Thënia e tij e njohur, dritë margaritari
Që njerëzimin nga Errësira nxori:
“Ngjyra e shkrimit të një dijetari
Eshtë më e vlefshme se gjaku i dëshmorit”

FËMIJËT UROJNË

FËMIJËT JANË NJËSOJ

Tash jemi çka jemi, por s’duhet harruar
Të gjithë ne, besoj, kur kemi qenë fëmijë
Diellin, në skaj të fletës e kemi vizatuar
Dhe malet në formë M-je, vetëm me një vijë

Pak më poshtë ca kodrina e livadhe
Një shtëpi të verdhë dhe lumin aty pranë
Disa persona që duken sikur luajnë valle
Me këmbë të kthyera në të njëjtën anë

Por, në përpjekje që të del më bukur
Me fantazi shpërthyese si pranvera
S’e kuptoja pse, kur vizatonim ndonjë flutur
E bënim më të madhe se gjërat tjera

Në atë moshë të çiltër kishim duar të lira
Për botën që e mendonim ishim arkitektë
Gjërat i pikturonim siç na shkrepte dëshira
Duke e futur “atë botë” tërësisht në një fletë

Por sot që valët e jetës na kanë rrëmbyer
E jemi pajisur me karaktere të gjithfarëlloji
Po të ishte e mundur, do të ishim kthyer
Gjithë n’atë moshë, kur kemi qenë njësoj

PITER PANI KISHTE TË DREJTË

Sikur Botën ta kishin fëmijët në dorë
Çdo gjë do të ishte e barabartë
S’do ekzistonte asnjë mizor
Po do mbretëronte miqësi e zjarrtë.

Piter Pani nuk ishte fajtor
Që deshi të mbetej gjithmonë fëmijë
Se ata që prishin rendin botëror
Janë të mëdhenjtë që mbjellin marrëzi.

O ti që përvëlohesh në rërën e Saharës
I rrezikuar nga miza ce-ce
Ngjitu në majat e Kilimanxharos
Dhe bërtit me zë sa ke.

Thuaji atij që të bëri shkretim
Që mori diamantin dhe tjera minerale:
-Çfarë gjërash më solle në këmbim
Apo vetëm tmerr, varfëri dhe halle..?!

O ti fëmijë me buzë të plasura
Që mizat ta pijnë lotin në sy
Bishat e Savanës janë më të dashura
Sesa njeriu që sjell padrejtësi.

O fëmijë i mjerë, këmbë-zbathur
Me ëndrra plotë e mirazhe
Për një akullore buzët të janë plasur
Nga faji i atyre që dëfrehen nëpër plazhe.

O fëmijë i dashur nga lodrat i privuar
Që të kanë lënë vetëm me një stinë
Në mos më shumë, do të kisha dërguar
Pak Pranverë nga kopshti ynë.

NDËSHKIM PËR LUANIN

Ishin zënë luani dhe gomari në një rast
Aq keq sa u detyruan të vënë edhe bast

Meqë s’mund të merreshin vesh assesi
E vendosën ta ndajnë me gjyqësi

Shkuan duke u fjalosur te ujku i moshuar
T’ua zgjidh këtë çështje të ngatërruar

Ujku mori qëndrim, për rolin përkatës
Thirri kafshë tjera në “sallën” e gjykatës

Pasi i urdhëroi të shprehen, luani foli i pari:
Jemi zënë me këtë, se, çfarë ngyre ka bari

Dëshiroj ta vërtetoni pa bërë asnjë hile
Ai thotë ka ngjyrë t’verdhë, unë them jeshile

Pa u menduar shumë, gjyqi mori vendim:
Le që luani s’ka të drejtë, por meriton dënim

Kur e dëgjoi gomari, iku me vrap i gëzuar
Luani mbeti i shtangur dhe pyeti i befasuar:

Të nderuar, e di se gjyqi ka rregulla strikte
Por s’e kuptoj, pse për mua këto verdikte..?!

E ndërpreu ujku: kujdes, mos u bën nervoz
Për gabimin bile, do duhej t’ishim më rigorozë

Nuk dënohesh për çështjen e ngjyrës së barit
Por për faktin që ke rënë në rangun e gomarit

Vërtetë, si e lejove veten me të të diskutosh?
Duke e ditur fort mirë se kokën e ka bosh..!

UJKU DHE E DREJTA E TIJ

Të gjithë me shekuj na kanë fyer
Për dëmet e bëra dhe çdo padrejtësi
Por ai që ligjet e natyrës ka thyer
Është pikërisht faktori Njeri

Neve s’na duket se bëjmë ndonjë krim
Që kaq shumë e njollosin sojin tonë
Për gjithçka të keqe të jemi sinonim
Por marrim vetëm atë që na takon

Kush i hëngër lopët, thanë: ujku
Dhitë e dhentë..? prapë fajtorë ne
Një ditë u ankua edhe njëfarë bujku
Se i paskim shqyer pabesisht dy qe

Pastaj edhe përrallat keq i kanë thurrë
Atë me qengjin dhe ujin e turbulluar
Ne me pretekst s’kemi ngrënë kurrë
Po vetëm natyra siç na ka urdhëruar

Me kësulkuqen i kanë mashtruar
Për ne ajo përrallë është trillim i vërtetë
Mjafton ta kujtosh…ç’bënte e vetmuar
Në mes të pyllit, një plakë e shkretë..?!

Në fakt, krijesa më e ulët e kësaj bote
Del njeriu, po të bëhej realisht një test
Pa fije turpi sajoi atë thënien idiote:
“Homo hominis, lupus est..”

Ata mburren se posedojnë intelekt
Por kanë prodhuar plumbat dhe tankat
Ndaj llojit të tyre s’kanë aspak respekt
E shqyejnë njëri-tjetrin si marimangat

Ne hamë vetëm kur jemi të uritur
Por natyrshëm për nevoja “personale”
Ata s’e shikojnë sa shtazë kanë mbytur
Duke i provuar bombat nukleare

Ndoshta grykësinë e kemi prej natyre
Por e bëjmë për ta ruajtur llojin tonë
Njerëzit që vrasin edhe fëmijët e tyre
A ka ndonjë logjikë që e shpjegon..?!

Neve gjithmonë na kanë akuzuar
Duke na i shtuar mëkatet sa një pirg
Por të paktën, veten s’e kemi lejuar
Të luajmë si luani, për njeriun në cirk

PJESA E LUANIT

Dikur në Afrikë, në ato vise të egra
U takuan një ditë: luani, hiena e dhelpra

Në vapën përvëluese atje në Savanë
Të dalin bashkë në gjah, në ujdi ranë

Punuan tërë ditën pak nata pa zbritur
Gjëra të shumta mblodhën sa s’e kishin pritur

Mirëpo deri vonë kishin diskutuar
Se kush do ta ndante prenë e grumbulluar

Dhelprës i erdhën befas ca parandjenja
Me këmbëngulje propozoi ta ndante hijena

Hijena në atë çast dukej fort e gëzuar
Për rolin dhe detyrën që i patën besuar

Ua caktoi barabartë, gjithsecilit hakun
Por luanit kjo ndarje ia prishi gjakun

Foli i xhindosur me qafën plot lesh:
Sa padrejtësi bëre dhe prapë vazhdon e qesh.!

U tmerrua hijena nga kjo e papritur
Foli disa fjalë me gojë të jargavitur:

Sa i përket të qeshurës ashtu e kemi natyrën
Pa më thuaj zotrote, s’e kreva mirë detyrën?

Hungëriu luani me fjalë të pista e sharje:
Hë moj pikaloshe, a kësaj i thonë ndarje?!

S’priti shumë, e goditi, fort me shputë në ballë
Mbeti pa frymë hiena, s’u bë më e gjallë

Nga ky akt i shëmtuar, nuk iu prek sedra
Kështu e vendosi gjahun ta ndajë dhelpra

Ajo ç’bëri e gjora, fak e fak pa zë
Ia dha gjithë atij, për vete s’ndali asgjë

Nga kënaqësia luani e pyeti i gëzuar:
Për këtë ndarje të mirë, kush të ka mësuar?

Foli dhelpra që dridhej si bari nën brymë:
Ma mësoi pak më parë ajo që mbet’ pa frymë

Pastaj duke ikur tha ca fjalë në heshtje:
Jemi bërë si njerëzit, s’kemi pikë ndërgjegje.

Edhe ndërmjet nesh gjërat janë përkeqësuar
Atë “Librin e Xhunglës”, do duhet rishkruar.

DHIMBJE PËR FËMIJËT NË LINDJEN E MESME

Kënaquni o ju bisha që skërmitni dhëmbët
Sepse keni gjetur ku t’i “fshini lëmët”

Nëse doni luftë ju që mbaheni superfuqi
Digjeni njëri-tjetrin, jo të vrisni fëmijë..!

Ju që përpiqeni të mbani gjithandej rend
Boll më me dokrra na shitët mend

Mos harroni se do vij një ditë patjetër
Kur Zoti do ju ndrydh si një leckë e vjetër

NJERIU I MIRË
(Dritëro Agollit)

Që atëherë kur Në rrugë dole
E dije se do jetë një udhëtim i gjatë
Nëpër Shtigje malesh e trotuare
Me Hapat e tua në asfaltë

Lufta Çlirimtare të vonoi ca
Që këtë Udhë ta fillosh në Mesditë
Po krismat e Njeriut me top
S’të ndalën ta shkruash Fytyra e dytë

Sepse ti Udhëtoje i menduar
Si Njeriu i mirë, siç e cilësojnë burrin
Guximtar si Komisari Memo
E dije se Fjala gdhend edhe gurin

E rëndë për ty ishte Mosha e bardhë
S’të linin të qetë Teshtimat e lirisë
Nga disa sejmenë Kalorës lakuriqë
Ishe I Përndjekuri i dashurisë

Zhurmat e erërave të dikurshme
Të kujtonin Nënë Shqipërinë kulluar në gjak
Sikur nuk mjaftonte ato që kishe shkruar
Popullit i the: Prit edhe pak..!

I këndove këndshëm edhe dashurisë
Për gratë i bëre “sfidë” Lekë Dukagjinit
Kërkove të pushosh në një raft librash
Po s’të lëmë “të qetë” andej-këtej Drinit

Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo
Ishte ajo që shkatërroi Arkën e djallit
Veprat tua do mbesin Trëndafil në gotë
Me tejdukshmërinë e kristalit

Dhe tash kur s’je në mesin tonë
Neve që bëjmë zhurmë e shamatë
Në shpirt do na trazojë gjithmonë
“Kolla jote e thatë…”

FILOZOFEMAT E LEPURIT

I brengosur lepuri, mbi një kodër
Filloi të qahej për gjendjen e mjeruar
Për fatin e tyre të bërë si lodër
Që tërë jetën kalojnë duke vrapuar

-S’ka bishë që s’vërsulet ndaj nesh
E kam vendosur, të dal ku të dal.
Tha lepuri, i revoltuar deri në vesh
-Do shkoj do të mbytem në ndonjë moçal

Nuk shkon kështu gjithmonë me frikë
Shprehej me dhembje lepur fatziu
Ik nga ujku, dhelpra, nga shqiponja ik
Me pushkë na gjuan edhe njeriu

S’kanë faj njerëzit që marrin si shembull
Metaforën “Frikën e lepurit në bark”…
Të flasim drejtë duke ndejt shtrembër
Nga të gjitha kafshët “dhjejmë gjak”.

Dhe duke zbritur vrapimthi malit
Para se të hudhej ndodhi një mrekulli
Ca bretkosa që rrinin aty afër
moçalit
U zhyten në ujë, të trembura prej tij

I befasuar shumë nga kjo e papritur
Ndërroi ide me shpejtësi rrufeje
-Sa gabim isha se qesh duke u mbytur
Se paska edhe dikush që ik prej meje.

U kthye në pyll me bindje të fortë
Pas asaj që ndodhi kish përfunduar:
-Që të jesh i lumtur në këtë botë
Mjafton dikend ta kesh të nënshtruar.

KAFSHËT KUNDËR EZOPIT
(SKANDAL ZOLOGJIK)

Me iniciativë të dhelprës së revoltuar
Kafshë e insekte, të gjithë ishin ftuar

U mblodhën, nga të gjitha viset e globit
Të mbajnë një protestë, kundër Ezopit

Në hapje, e kënduan himnin, ata që e dinin
Dirigjent e caktuan, maestro pinguinin

Që pa filluar tubimi, siç edhe ndodh prore
Shtazët menjëherë u ndanë, në dy tabore

Disa e mbështetën grupin e revoltuar
Të tjerët, fuqishëm duke e kundërshtuar

Pasi ishin ulur të gjithë nëpër vende
Mori fjalën dhelpra si një deputete:

Para se të filloj, dua qetësi absolute
S’më pëlqejnë aspak gjestet harbute

Ti gjirafë që e ke gafën të gjatë një muaj
Shiko mos po vjen ndonjë…”i huaj”

Edhe ti skifter, që nuk të duhen dylbi
Survejo, mos po vjen ndonjë njeri

Ju lopë, dhenë, lepuj dhe kaprollë
Mos hani çamçakëza se jeni në orë!

Hutini tha: – para se t’fillosh ligjeratën
Pse nuk e caktuat këtë tubim natën.?!

E pështyu lama, tha: nuk luajm cic-mic
A s’e shikon o i verbër, se jemi shumicë

Ca hiena befas qeshën me të madhe
Aq sa, i trembën flutura e sorkadhe

Diku në skaj u dëgjua si fliste një elefant:
I thoshte kalit të Nilit: mos u bën arrogant

Ishte gati me atë zorrën për t’i rënë:
Shko më tutje, se vendin ma ke zënë.

*******
Gjallesat e ujit s’kishin mund të shkonin
Por, ishin ujëtokësorët që i përfaqësonin

Pas një pauzë, e mori fjalën shqiponja:
Na falni pak ju…”zotërinj e zonja”

Për këtë tubim, kështu, mendja kujt i polli
Pa patur leje, pa asnjëfarë protokolli.?!

Reagoi shpejt ariu, fort i shqetësuar:
Shiko punën tënde, moj sqeplakuar..!

Deshi t’i dal në ndihmë edhe dhelpra
Po s’pati mundësi, se u kap me kthetra

Një tigër i madh Azie, lëkurën lara-lara
E kërcënoi shqiponjën me të shara

Situata edhe më keq do të eskalonte
Sikur luan mendjemadhi, t’mos reagonte

Hungëriu me të madhe, deri sa i qetësoi
Fjalimin e tij të rëndë, kështu e filloi:

E ndoqa me vëmendje, o ju të krisur
S’më pëlqen iniciativa ju që keni nisur

Më tregoni njëherë, o ju rebelë të ngratë
Ç’ju ka bërë Ezopi, që aq e keni inat..?!

Bukur dhe qartë shqiponja ju tha
Ndërsa ju u vërsulët e bëtë hata

Iu drejtua tigrit qafën duke tundur:
A paske harruar, sa herë të kam mundur

Dëgjo ti kapadai, me lëkurën vija-vija
Pesho me kujdes këto fjalët e mia:

S’kam nevojë për kundërshtarë e rivale
Mjafton t’ua lëshoj bletët, njësinë speciale

Sa i përket me ty, e dashura dhelpër
Do të merremi vesh një ditë tjetër

Nga këto fjalë dhelpra u dridh si pelte
Por deshi të bëjë, kafshë tjera për vete

Më lejoni njëherë, ta përfundoj referatin
Se aty e kam të shkruar tërë inatin:

“Siç është e njohur edhe me histori
Njeriu gjithmonë ka bërë padrejtësi

Ai ka nëpërkëmbur dinjitetin tonë
Duke na tallur me stile e zhargonë

Marrëzitë e tyre që botën kanë trazuar
Na marrin si shembull, për t’i krahasuar

U drejtua nga turma në atë kuvend
Tha: folni pra tash të gjithë me rend”!

Dikund thellë u dëgjua zëri i një derri
Edhe unë kam vërejtje për njëfarë Orwelli

Thanë ca minj dhe bretkosa të një kënete
Me ne kanë bërë gjithmonë eksperimente

Nga këto zënka kishin rënë në hall
Dikujt i shkoi mendja, e pyeti një papagall

Pse nuk flet ti, pse ashtu shikon
Ti që gjuhën e tyre e mirë e kupton..?!

Folën të gjithë, bile edhe ariu polar:
Atje në akullnajat s’e dini ç’ka ngjarë

Për disa marrëzi jam dëshmitar vet
Kanë shkatërruar terrene, sa një kontinent

Sa prej krijesave atje, kot i kanë mbytur
T’i marrin lëkurat e tyre, për t’i shitur

Aty dikun në mes këndoi një gjel cincar
“Ta bëjmë një pauzë, mbaroi ora e parë”!

Një mace e zezë, tha: sa i poshtër njeriu
Nëpër filma na bën kinse na mund miu

Me sy të zgurdulluar foli edhe Skifteri
Mua më krahasuan me njëfarë gangsteri

Me një Al Kapone, një fytyrë gërvishtur
Që një shtet të madh e kish katandisur

Duke u jargavitur foli edhe qeni:
Për ne ka dërdëlluar edhe La Fonteni

Më tutje një kojrillë që s’i ndalej hovi:
Neve për pes’pare na ka bërë Krillovi

Nga shpina e derrit edhe pleshti foli
Neve edhe me dasëm na bëri Agolli

Tash na krahasojnë me një lojtar futbolli
I vogël, po mendja i rri vetëm te goli

Shumë kafshë të tjera thanë: ç’kemi faj
Që aq shumë na ka fyer, Ferit Lamaj..?!

Disa fjalë gjirafa, i lëshoi nga lart
Nuk ju dëgjoj mirë, flisni më qartë.!

Dikur, si e ndrojtur, foli hardhuca jeshile
Edhe unë mendoj se na kanë bërë hile

Hapi gojën si shpella, një krokodil:
Sojin tonë e konsiderojnë, tepër katil

Aq shumë sa, kur thonë: apri-li-li-li
E përdorin thënien: fluturon krokodili.!

Mbi gur, i shtrirë, me formën si drapër
Me zë të ngjirur, foli një gjarpër:

Na akuzojnë neve se jemi helmues
Harrojnë ata vetë, sa është shkatrues

Për dredharakët që kanë huje të serta
Thonë: gjarpri s’i tregon këmbët e veta

Foli një krijesë që kërcente, e s’ndalej kurrë:
Jam nga një vend i largët, më quajnë kengur

Jam i gatshëm, kur të doni, tash menjëherë
Kush dëshiron t’më dal n’mejdan, ashtu fer

*************
Pas asaj rrëmuje, nga mesi i “sallës”
Ngriti shputën njëri, kërkoi të drejtën e fjalës

Me një elegancë, filloi pra ujku ngjyrë gri:
Ju lus të më dëgjoni, nëse ka mundësi

(Nga dialekti dukej se ishte nga Alaska)
Tha: në këtë tubim çfarë nuk paska…

Deri diku, të gjithë keni nga pak të drejtë
Por kështu nuk e di sa do ketë efekt

T’ju them që tash, se nuk kam asnjë anim
Sepse të dya palëve ju shoh gabim

Disa e lavdëroni njeriun, pse s’ju ka sharë
Ju tjerët së tepërmi hedhni tym e zjarr

Në përgjithësi, njeriu është i çuditshëm
Ndonjëherë i mirë, ndonjëherë i rrezikshëm

Gati të gjithë, i rrisin fëmijët me trillime
Kinse ujku dhe vetëm ujku bën krime

Për dëmet e bëra dhe çdo padrejtësi
Harron se është pikërisht, faktori Njeri

Neve s’na duket se bëjmë ndonjë krim
Për gjithçka të keqe të jemi sinonim

Siç dihet, marrim vetëm atë që na takon
Por ata prapë e njollosin sojin tonë

Kush i hëngër lopët, njëzëri thanë: ujku
Shpesh janë ankuar bariu dhe bujku

Se i paskim shqyer pabesisht dy qé
Dhitë e Dhëntë, kush..? prapë fajtorë ne

Ne me pretekst kurrë s’kemi ngrënë
Po vetëm siç natyra ligjet i ka vënë

Pastaj edhe përrallat keq i kanë sajuar
Atë me qengjin dhe ujin e turbulluar

Me Kësulkuqen, trillim, e kuptoni dhe vetë
Ç’bënte n’mes të pyllit, një plakë e shkretë

Ajo që na ka poshtëruar ka qenë ky gjest
Thënia idiote:”Homo huminis, lupus est”.

Mburret me intelektin, por është e kotë
Prapë krijesë më e ulët mbetet ai në botë

Kanë prodhuar armët, plumbat dhe tankat
E shfarosin njëri-tjetrin, si marimangat

Ne hamë…vetëm kur jemi të uritur
Ata, sa shtazë kot e kot i kanë mbytur?

Për nevojat dhe kënaqësitë personale
Duke i provuar ato bombat nukleare

Ndoshta grykësinë ne e kemi prej natyre
Ndërkaq ata vrasin edhe fëmijët e tyre

Për ta ruajtur llojin tonë, ne bëjmë çmos
Ata janë në gjendje, ta bëjnë detin kos

Por, kur për zgjuarsi dikend e lavdërojnë
Harrojnë ç’kanë thënë, me ne e krahasojnë

Ua them juve, që jetoni vetëm në shkretëtirë
Ne jemi gjithandej, andaj i njohim më mirë

Sidomos juve që lozni për njeriun në cirk
Ne kurrë s’jemi nënshtruar atij dhe pikë.

Iu drejtua luanit për t’i dhënë përgjigje:
Je pikërisht ti që ke thyer shumë ligje

Është e vërtetë se më quajnë kasap
Ti a s’e shikon veten, je bërë një satrap

Ja, ne me qenin jemi e njejta familje
Por këta, për interes, na e bënë me hile…

Po e them hapur mu në këtë miting
Ju qenë për ne do mbeteni kuislingë

A dëgjuat ju kone, qenë e zagarë
U mundi përtacia dhe u bëtë tradhtarë

Neveritem kur dëgjoj fjalë të çdo mënyre
Për shembull, se ju dashkan si fëmijët e tyre

Në njërën anë ju lavdërojnë se jeni “besnikë”
Pastaj ju krahasojnë me njerëzit e ligë

(Nga skaji i sallës një qen vetëm pak kujisi
Sikur u pendua, që këtë bisedë nisi)

Edhe macet, gjithashtu janë të poshtra
Që ditë e natë flejnë e rrinë nën sofra

Mendojnë se munden, me ato mustaqe si fitila
Të mësohen të këndojnë duke ngrënë bilbila

Ja edhe ti kalë, që ndjehesh i llastuar
Dhe mburresh se njeriu të ka t’preferuar

Të kanë lavdëruar kur e pushtuan Trojën
Por nuk e kuptove se ku e kishin lojën

Mos harro se ai kalë ishte prej druri
Më vonë e more vesh se ku të pruri

Disa herë të kanë barazuar me gomarin
Përveç shalës të vunë edhe samarin

Edhe ju dhi të egra s’jeni pa gjë të keqe
A s’u hodhët në lumë pse ishit kryeneqe

Si rinoqeronti që ka mbet me një bri
Kështu më duket disi, krijesa Njeri

(Nga inati rinoqeronti, duke u shkundë
Deshi t’i thotë: s’është bri, po hundë)

Edhe për ty dhelpër kam disa vërejtje
Së pari, kjo iniciativë…më ngjall urrejtje

Intrigave tuaja moti u ka dalë jehona
Që atëherë kur shfrytëzove gjurmët tona

Kurrë nuk ke patur karakter e qëndrim
Gjithmonë je identifikuar me mashtrim

Sot e paske organizuar të mbash kuvend
Për tekat tua banale të shesësh mend

Të gjitha këto krijesa i ke marrë në qafë
A nuk është ashtu, e nderuara gjirafë..?

Siç thashë më lart, njeriu është i çuditshëm
Ka kriminelë, por edhe të virtytshëm

Të dytët janë më pak në numër, e vërtetë
Por shpresoj të dominojnë sa më shpejt

Fundi i fundit ashtu siç është ta lëmë
Do merren vesh vetë, në të mirë e gjëmë

Siç e kemi të njohur në mesin e tyre
Ka patur njerëz të çdo lloji natyre

Të flasim qartë, për hir të së vërtetës
Ata më shumë dëm i kanë bërë vetvetes

Unë prapë e përsëris dhe kam dëshirë
Të bëhen shumicë njerëzit e mirë

Njëri prej tyre ka qenë Ezopi pikërisht
Që sot ju e nëpërkëmbni padrejtësisht

Nëse s’bëjnë ndryshime, vigjilent të jenë
Si dinosaurët dikur, fundin do ta kenë

Nëse s’ndërgjegjësohen, i mposht lakmia
Shkatërrimin do ju vij, nga mendjemadhësia

Andaj ju lus juve me këtë akt të mardhur
Të shpërndaheni andej nga keni ardhur

Pyeteni atë që ua njeh gjuhën, papagallin Ara
A janë të vërteta, këto që thashë përpara?

Por, i shkreti, sa u bë gati të fliste
Në sallë shpërtheu një duartrokitje

Të gjithë e aprovuan atë që ujku tha
Bile një deve, bëri tri herë :”Mashallah!”

Pas kësaj, korbi lëshoi një krokamë:
Pajtohem plotësisht, pa bërë reklamë

Njëherë dhelpra edhe mua më mashtroi
Për t’ma marrë djathin, më çoi të këndoj

E dimë se ti gjithmonë ke qenë sherrete
Por këto nxitje mund t’i mbash për vete

Njeriu është si është, s’duhet patur inat
Andaj pse e bëre gjithë këtë gallatë..?!

P. S:
Kur përfunduan dhe gjithçka u përmbyll
Ishin duke mbërri një breshkë e një kërmill

FËMIJËT UROJNË

Në këtë fundviti me kalendar
Të gjithë fëmijët e botës mbarë

Urojmë që muajt në vitin që vjen
Si ky që lamë pas, mos të jenë

Duke filluar nga muaji i parë
Të jetë i bukur, jo vetëm me acar

Gjithashtu edhe shkurti e marsi
Të kalojë dimri mbi flatra pegasi

Prilli n’bashkëpunim me muajin maj
Pranverën t’na sjellin me hiret e saj

Në muajin e dredhëzave, në qershor
Të mbarojë si gjithmonë viti shkollor

Mërgimtarët tanë, verën e nxehtë
Ta kalojnë pranë të afërmve të vet

Që të bëhet viti ende më simpatik
Muajt e vjeshtës të jenë romantikë

Mbi të gjitha dëshirojmë, ne si fëmijë
Të mos ketë më luftëra dhe epidemi

Njerëzit mos të shkaktojnë skandale
Gjithçka të kthehet në gjendje normale

Të mëdhenjtë që janë me kokën mbi re
Duhet të ulen, të mësojnë nga ne

ANIJA E ËNDRRAVE TË MIA
(për Vesën)

Liqeni ynë i bukur
Saherë të kam shikuar
Brenda thellë në vete
Të jam përgjëruar

Për një dëshirë të flaktë
Gjithmonë jam lutur
Ta kem një anije
Me plotë ëndrra mbushur

Aty të jetë një botë
Ndryshe nga kjo që kemi
Pronarë dhe udhëheqës
Ne fëmijët të jemi

Ndërmjet nesh të ketë
Harmoni, marrëveshje
Nëpër botë, kudo
Të shpërndajmë buzëqeshje

Dhe ëndrra ime e fshehtë
Që ta shuaj një mall
Për babin tim të dashur
Që moti s’e kam parë

LEXO EDHE:

LIRIM ALIJA – LIRIKA MAJHOSHE (POEZI)