Detaje të reja kanë dalë lidhur me rastin e dhunës brutale ndaj 42-vjeçarit Rigels Kaso në Tiranë. Mësohet se Kaso bisedonte në rrjete sociale me bashkëjetuesen e autorit të dhunës Bajram Gjeleshi.
Bëhet me dije se Kaso i cili jeton në Bilisht, kishte ardhur tre ditë para se të ndodhte ngjarja në kryeqytet. Gjeleshi kapi mesazhet në telefonin e bashkëjetueses me Kason, dhe la një takim duke folur në emër të saj me 42-vjeçarin në afërsi të banesës në rrugën “Sokrat Miho”.
Kaso shkoi në vendtakim me idenë se do të takonte gruan me të cilën kishte folur, por aty u shfaq bashkëjetuesi i saj. Gjeleshi dhunoi Kason me sende të forta, ku ky i fundit u dëmtua rëndë.
Rigels Kaso u gjet të nesërmen (15 korrik) me shenja dhune në mes të rrugës nga kalimtarët, ku u dërgua në spitalin e Traumës për mjekim. Mësohet se për shkak të dhunës dhe plagëve të shumta në kokë dhe trup, Kaso është futur në intubim në spitalin e Traumës ku po lufton për jetën.
Autori i ngjarjes është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij.