Ballina Argëtim VIDEO/Vajza më e bukur e Bjeshkëve, kurorën e bukurisë këtë vit e...

VIDEO/Vajza më e bukur e Bjeshkëve, kurorën e bukurisë këtë vit e rrëmbeu Liljana Lasha

Mes bukurisë së Alpeve shqiptare, në fshatin Lëpushë të Kelmendit u zgjodh më e bukura e bjeshkëve.

Ashtu si dikur motit, “Logu i Bjeshkëve” mbledh cdo vit vajzat e Malësisë dhe ato nga Diaspora që të stolisura me veshje popullore, xhubleta si veshja shekullore, ornamente karakteristike të zonës, stoli, etj, nxjerrin në pah jo vetëm bukurinë femërore, por edhe vlerat e traditat e kësaj zone.

Liljana Lasha, vajza nga Selca e Kelmendit rrëmbeu kurorën e më të bukurës së logut të këtij viti.

Festa që mblodhi banorë të zonës, turistë dhe miq nga trojet shqipfolëse e Diaspora, ka zgjatur për disa orë me radhë, ku nuk munguan interpretimet artistike.

Mes vajzave të pranishme ishte edhe Mary Camaj, që posaçërisht ka mbërritur nga SHBA për këtë aktivitet. 22-vjeçarja u bë e njohur nga të gjithë për diplomimin në Universitetin e Kolumbias e veshur me xhubletën malësore.

Historia e Logut të Bjeshkëve është e hershme. Dikur njerëzit në mënyrë formale e të paorganizuar e shprehnin simpatinë e tyre për një nga vajzat apo nuset e fshatit, duke e vlerësuar atë nga hiret e saj.

Dikur kjo ditë logu kishte karakter fetar ku në Malësi njihej si festa e bjeshkatarëve, ndaj kjo festë ka marrë emrin “Logu i Bjeshkëve”.