Ballina Aktualitet Opinione SERBIA – PROBLEM I BALLKANIT DHE JO ZGJIDHJE E TIJ

SERBIA – PROBLEM I BALLKANIT DHE JO ZGJIDHJE E TIJ

 Nga Xhelal Zejneli

Shoqëria serbe – vite drite larg një katarze morale

“Perëndimi duhet të punojë në forcimin e sovranitetit të Kosovës, të heqë dorë nga ‘marrëzia’ siç është realizimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe ta detyrojë Serbinë të heqë dorë nga irredentizmi. Çështja nuk është ajo që duket si një kompromis i drejtë në letër, por si do ta përdorë Serbia një entitet të tillë në praktikë. Në praktikë, Serbia mbetet e përkushtuar ndaj politikës nacionaliste të rimarrjes së Kosovës, kështu që çfarëdo autonomie institucionale për serbët në Kosovë do të ndërtohej në atë mënyrë derisa të krijohet brenda shtetit të Kosovës, një shtet irredentist serb, që do të përdorej për ta përmbysur tërë Kosovën ose për ta copëtuar atë.” – Prof.Marko Atila Hor (Marko AttilaHoare, 1972- ), historian britanik

*  *  *

Kriza e madhe lindore filloi në vitin 1875 me shpërthimin e kryengritjeve dhe të luftërave në territoret e Ballkanit që ishin nën sundimin osman. Kriza rezultoi me ndërhyrjen e fuqive ndërkombëtare dhe përfundoi me Marrëveshjen e Berlinit në korrik të vitit 1878. Që atëherë e deri në ditët tona, Rusia ndjek politikë antishqiptare.

*  *  *

Dialogu i Brukselit dhe qëndrimi nebuloz i Perëndimit – Problem i dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, nuk është kryeministri Albin Kurti. Problem është Serbia, e cila nuk kërkon të drejta për serbët e Kosovës, kërkon territor për vete.

Për t’u mbyllur me sukses dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, Uashingtoni, Berlini, Parisi dhe Londra duhet t’i paraqesin Beogradit kërkesa të caktuara.

Një prej kërkesave do të ishte: Ta ndërpresë gjenocidin e heshtur që e ushtron në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë). Në Kosovë kërkon asociacion, ndërsa në Kosovën lindore:

 

  1. a) e ndalon përdorimin e flamurit kombëtar shqiptar;
  2. b) nuk është në gjendje të sigurojë as tekste shkollore;
  3. c) i shuan adresat e shqiptarëve;

ç) nuk investon asnjë euro për zhvillimin e ekonomisë së asaj zone.

 

Rajonin e sipërthënë, Serbia e ka shndërruar në geto. Para gjenocidit të sipërthënë, fuqitë perëndimore heshtin. Është absurde të kërkosh krijim asociacioni në veri të Kosovës dhe t’i mbyllësh sytë para gjenocidit serb në Kosovën lindore.

Perëndimi duhet të kërkojë nga Beogradi që ta heqë Kosovën nga Kushtetuta e Serbisë ku figuron si pjesë e saj. Të kërkojnë nga Beogradi që politikanët serbë kur të japin betim, të mos e përmendin Kosovën si “pjesë e Serbisë”.

Për çfarë dialogu mund të flitet, kur në kushtetutën serbe Kosova figuron si pjesë e Serbisë.

Perëndimorët duhet t’i thonë Beogradit se serbët në Kosovë i gëzojnë të gjitha të drejtat, që s’i ka asnjë bashkësi etnike në BE. Ç’kërkon Beogradi përtej kësaj?! Dihet, kërkon territor.

Perëndimorët duhet t’i thonë Beogradit se kërkesa për territor është në kundërshti me filozofinë politike të BE-së. Sipas parimeve politike të BE-së, problemet midis popujve duhet të zgjidhen duke u siguruar bashkësive etnike të drejta demokratike dhe jo ndryshim kufijsh midis shteteve.

A s’e shohin perëndimorët se Serbia në rajon ndjek politikë destruktive. Ajo ka synime hegjemoniste, ekspansioniste, dominuese. Ndjek politikë force dhe kanoset me luftë. Përpos aspiratave territoriale ndaj veriut të Kosovës, Serbia ka aspirata hegjemoniste edhe ndaj Kroacisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi. Ajo pandeh se Maqedoninë e ka ndër sqetull kur të dojë dhe si të dojë.

A s’e shohin perëndimorët se Serbia është me Rusinë, me Kinën, me vendet e BRIKS-it (Brazili, Rusia, India, Kina, Afrika e Jugut). Asnjë prej tyre s’e ka njohur Kosovën. A s’e vërejnë perëndimorët se Serbia ka blerë armë dhe është armatosur nga Rusia. Serbia është i vetmi shtet i Evropës që nuk i ka vënë sanksione Rusisë për agresionin e saj ndaj Ukrainës. Shqiptarët në shkallë kombi e kanë dënuar agresionin rus ndaj Ukrainës, ndërsa një përqindje e madhe e popullit serb e mbështesin luftën ruse në Ukrainë.

Herë pas here Vuçiqi mban do fjalime. Fjalimet e tij janë ëndrra për një Serbi të Madhe. Retorika e tij përputhet plotësisht me diskursin politik dhe ultranacionalist të MilloradDodikut të Republikës Serbe të BH-së.

Perëndimorët duhet ta vërejnë se Serbia ndjek politikë klerofashiste dhe nacional-socialiste. Vuçiqi e vazhdon politikën e Millosheviqit dhe të vojvodës së çetnikëve, VoisllavSheshelit. Atëherë del se midis Kosovës dhe Serbisë as ka dialog as ka pasur diç të tillë. Ç’dialog mund të presësh prej epigoneve të nacional-socialistëve, radikalëve dhe çetnikëve serbomëdhenj. Ç’dialog pret prej përfaqësuesve të klerit fashist antishqiptar serbomadh?! Ata s’e kanë vendin në tavolinat e zyrave të Brukselit. Të tillët e kanë vendin në Hagë, ku të ballafaqohen me akuza për krime lufte, për krime kundër njerëzimit, për gjenocid të kryer ndaj shqiptarëve.

Perëndimi duhet t’i kërkojë Beogradit të miratojë rezolutë ku t’u kërkojë falje shqiptarëve për krimet e kryera në vitet 1998-1999. Serbia duhet t’i paguajë Kosovës zhdëmtim për politikën kolonialiste ndaj Kosovës që nga viti 1912 e këndej.

I ashtuquajturi dialog midis Kosovës dhe Serbisë ka mbi dhjetë vjet që ka ngecur. Përse?! Për arsye se në dialog, në mënyrë të tërthortë ka qenë e përfshirë Rusia, kjo e Putinit dhe e Lavrovit. Moska i sugjeron Beogradit: “Në dialogun me Kosovën mos pranoni asgjë më pak se një republikë serbe, një shtet brenda shtetit. Pas jush qëndrojmë ne!”
Për çfarë dialogu mund të flitet: Në një anë Serbia kërkon asociacion, kurse në anën tjetër, në kushtetutën e vet Kosovën e quan pjesë të Serbisë! Në një anë kërkon asociacion, e në anën tjetër thotë se pavarësinë e Kosovës s’ka për ta njohur kurrë. Dhe Uashingtoni, Berlini, Parisi e Londra heshtin.

Pas rënies së Millosheviqit, fuqitë e Perëndimit duhej t’i kishin kërkuar Serbisë të transformohet, shoqëria serbe të përjetojë katarzë. Kjo nuk ndodhi. Nga kjo del se politika e Millosheviqit dhe e Sheshelit nuk paska rënë. Ajo vazhdon nëpërmjet epigoneve të tyre – Vuçiqit, TomisllavNikoliqit, IvicaDaçiqit, AleksandarVulinit, MiloradDodikut, dy të fundit të shpallur nga Uashingtoni persona të padëshiruar.

Pas disfatës së nazizmit, në Gjermani erdhën politikanë të cilët e bënë denacifikimin e shtetit. KonradAdenhaueri (1876-1967) ishte i pari kancelar i Republikës Federale Gjermane të sapoformuar. Demokrat pragmatik dhe mbrojtës i palodhshëm i Evropës së bashkuar. Gjatë udhëheqjes së Gjermanisë së pasluftës në vitet 1949-1963, e ndryshoi pamjen e saj dhe rrjedhën e historisë së Evropës. Ai dhe politikanët e tjerë të brezit të tij thanë: “Vetëm me një Evropë të bashkuar mund të arrihet paqja e përhershme”.

Kancelari Vili Brant (WillyBrandt, i lindur HerbertErnstKarlFram, 1913-1992) vizitoi Poloninë. Në paraditen e 7 dhjetorit të viti 1970, para përmendores së kryengritjes në geton e Varshavës vendosi kurorë. U spraps nja-dy hapa dhe kokulur ra në gjunjë. Mbi granitin e lagët qëndroi tridhjetë sekonda. Duke e ndjerë se skena sakaq do ta merrte dheun, fotografët bënë çmos për ta fotografuar. Në kujtimet e veta, kancelari shkruan: “Mbi humnerën e historisë gjermane, nën barrën e miliona të vrarëve, e bëra atë që e bën njeriu kur i ndalet gjuha”. U gjunjëzua si mëkatar, duke u bazuar në motivet e krishtera. Ishte lutur që t’u falet gjermanëve.

*  *  *

Serbia është e prapambetur për të nxjerrë politikanë që do t’u kërkonin falje shqiptarëve për ato që kanë bërë.

Trazirat në veri nuk i shkakton Kosova, i shkakton Beogradi. Perëndimorët këtë duhet t’ia thonë prerë Beogradit. Në veri të Kosovës veprojnë grupe terroriste serbe. Ato grupe i ka krijuar Beogradi bashkë me Moskën. Ato mbështeten dhe financohen nga Beogradi. Prej Serbie, ata sjellin armë në veri.

Duke qenë se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, ka të drejtë të ushtrojë sovranitet mbi tërë territorin e saj; të luftojë strukturat paralele të mbështetura nga Serbia; të luftojë dhe ta parandalojë kontrabandën, krimin e organizuar dhe anarkinë. Serbët e Kosovës janë peng i Beogradit. Serbia ua ka ngulfatur atyre hapësirën demokratike, ua ndalon atyre integrimin në institucionet e shtetit, integrimin në shoqëri. Qëllimi i Beogradit duhet: ndarja e Kosovës, shkëputja apo amputimi i një pjese të territorit të saj. Çudi sesi perëndimorët nuk i kërkojnë Vuçiqit që Kosova lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegje) të ketë statusin e një entiteti.

Më kot Serbia e vë në dyshim shtetësinë e Kosovës. Në Kosovë mbizotëron rendi dhe rregulli si në asnjë vend të Ballkanit Perëndimor. Për nga rendi dhe shkalla e demokracisë, ajo krahasohet me vendet e BE-së. Pikërisht kjo i pengon Serbisë.

Trazirat e paradokohshme në veri nuk i shkaktoi qeveria e Kosovës. I shkaktoi Beogradi. U vunë në veprim kriminelët, bandat dhe hordhitë serbe, të mbështetura nga Moska. Ata sulmuan forcat KFOR-it, plagosën 90 pjesëtarë të tyre. Plagosën pjesëtarë të policisë së Kosovës dhe gazetarë, dogjën vetura të policisë dhe të gazetarëve. Për habi, Përendemi reagoi butë, për të mos thënë heshti.

Nuk ka dialog të suksesshëm derisa Serbia vazhdon të jetë e përkëdhelura e BE-së dhe e ShBA-së. Serbia ekziston vetëm në saje të investimeve perëndimore. Hiqi ato investime, ajo do të ballafaqohej me krizë të thellë ekonomike. Do të kishte varfëri, skamje, papunësi, probleme sociale, morale dhe të gjitha të këqijat që vijnë pas tyre. Megjithëkëtë, Serbia nuk i është mirënjohëse Perëndimit. Mendtë i ka në Rusi dhe në Kinë. Vetëm në ndërmarrjet gjermane në Serbi, janë punësuar 80.000 vetë.

Serbia është e keqja dhe shëmtia e Ballkanit. Është tragjedi e rajonit por edhe e vetvetes. Është turpi i Evropës. Ajo s’e ka vendin në Këshillin e Evropës. Derisa të mos i japë fund ideologjisë cardushaniste, asaj duhet t’i ndalohet hyrja në BE. S’e ka vendin as në OKB.
Për habi, Perëndimi i cakton masa ndëshkuese Kosovës demokratike e cila, me mjete të shtetit ligjor synon të vendosë rend në tërë territorin e vet.

*  *  *

Nuk ka shqiptarë në botë, përpos ndonjë esat pashë toptani që do të pranonte apo që do të nënshkruante themelimin në Kosovë të një republike serbe, d.m.th. të një shteti brenda shtetit. Të supozojmë se një ditë në Kosovë vjen një qeveri tjetër. Ata që ne i quajmë aleatë tanë, i kërkojnë kryeministrit të ri ta nënshkruajë marrëveshjen e Brukselit dhe shtojcën e saj të Ohrit, sipas rendit që e kërkojnë Vuçiqi dhe MiroslavLajçaku. Të mos harrojmë: Beogradi kërkon asociacion me ingjerenca apo me kompetenca ekzekutive. Si do ta parandalonte një qeveri e ardhshme shndërrimin e këtij farë asociacioni në republikë serbe apo në shtet brenda shtetit?! Ç’do të bënin dhe ç’do të thoshin atëherë, këta që sot e fajësojnë kryeministrin e përtashëm, Albin Kurtin?!

Kosova nuk është çështje partiake, nuk është çështje e VV-së, e PDK-së, e LDK-së, e AAK-së, e Nismës … Kosova nuk është çështje e analistëve mercenarë, e mediumeve të shitura dhe të blera. Është çështje e popullit të saj. Kemi menduar se s’ka më shqiptarë të ndershëm. Por, del se aty-këtu ende gjendet ndonjë sish. Në vitet ’80 të shekullit XX, shtypi i Beogradit, të ndershëm i quante ata shqiptarë që shanin Shqipërinë dhe lëvdonin Jugosllavinë. Fatin e Kosovës nuk do ta përcaktojnë pseudoanalistët, as mediumet e kontrolluara prej qendrave antikombëtare. Fati i Kosovës martire nuk do të mbetet në duart e politikanëve që nuk e kanë besimin e qytetarëve të saj.

*  *  *

Amerika duhet: sa më parë ta pranojë Kosovën në NATO, në Këshillin e Evropës, në BE; t’ia pranojë asaj liberalizimin e vizave; të investojë në ekonominë e saj; t’u kërkojë vendeve të BE-së që t’i pezullojnë investimet në Serbi dhe t’i orientojnë në Kosovë. Kështu dhe vetëm kështu arrihet marrëveshja me Beogradin. Ndryshe, çfarëdo dialogu me hienat, nuk është veçse punë Sizifi.

Shqiptarët në Ballkan nuk kërkojnë kurrfarë drejtësie të posaçme, ngase ndaj tyre nuk është bërë kurrfarë padrejtësie e veçantë, por padrejtësi e përgjithshme, padrejtësi historike.

Më 22 shtator 2023