Ballina Aktualitet “Shqipëria dëshmon se bashkëjetesa është e mundur”, 10 vite nga vizita historike...

“Shqipëria dëshmon se bashkëjetesa është e mundur”, 10 vite nga vizita historike e Papa Françeskut në Tiranë

Këtë të shtunë, 21 shtator, shënohen 10 vite nga vizita historike e Papa Françeskut në Shqipëri.

Kjo do të shënonte edhe vizitën e parë të tij evropiane që nga fillimi i papnisë. Gjatë vizitë së tij, Papa Françesku u takua me krerët më të lartë të vendit.

Ati i Shenjtë përqafoi popullin e sprovuar nga diktatura komuniste dhe përforcoi në fe bashkësinë katolike, inkurajoi forcën e dialogut ndërmjet feve, në perspektivën e së mirës së përbashkët.

Papa Bergoglio erdhi në Shqipëri 21 vite pas Papës shenjt Gjon Pali II, i cili, më 25 prill 1993, rivendosi hierarkinë e Kishës katolike të dalë nga vitet e tmerrshme të persekutimit ateisto-komunist.

Fjalët e Papës Françesku ishin krejt të qarta. “Askush – tha Ati i Shenjtë – të mos e mendojë se mund ta përdorë Zotin si mburojë, ndërsa planifikon e kryen akte dhune! Askush të mos e përdorë fenë si pretekst për vepra kundër dinjitetit të njeriut dhe të drejtave të tij”. E, më pas, gjatë takimit me krerët fetarë në Universitetin Katolik, shtoi: “Të vrasësh në emër të Zotit është sakrilegj i madh!”. Shqipëria, përsëriti disa herë, “dëshmon se bashkëjetesa është e mundur”.

Papa i nxiti të rinjtë të mësojnë nga shembulli i martirëve. Martirët! Shumë më tepër se 40 të parët, fytyrat e të cilëve mbushnin rrugën kryesore të Tiranës, Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

“Shqipëria – tha Papa Françesku gjatë meshës në sheshin Nënë Tereza – është tokë martirësh: shumë e kanë paguar me jetë besnikërinë e tyre. Nuk kanë munguar sprova guximi të madh e koherence në dëshminë e fesë”.

10-vjetori i vizitës së Papës Françeskut në Tiranë, më 21 shtator 2014 u përkujtua edhe në takimin Mesdhetar “Med24”, i cili u mbajt në Tiranë nga 15  deri më 21 shtator.

Në një klimë entuziazmi rinor dhe bashkimi kishtar, u përkujtua 10 vjetori i vizitës së Papa Françeskut në vendin tonë. Në Katedralen e Shën Palit, në Tiranë, ku njëkohësisht po zhvillohet edhe takimi Mesdhetarë, Med.24, Mesha e shenjtë u kremtua nga Kardinali E.T. Kardinali Cristobal Lopez Romero. Kjo Meshë gjeti të bashkuar mbarë hierarkinë kishtare të vendit tonë dhe një numër të madh ipeshkvinjsh nga vende të ndryshme të Detit Mesdhe./vizionplus.tv