Ballina Kronika Si ndodhi atentati ndaj shqiptarit në Itali, trupi u gjet nga bashkëshortja...

Si ndodhi atentati ndaj shqiptarit në Itali, trupi u gjet nga bashkëshortja dhe djali, pistat e hetimit

Beni Arshiaj, 37 vjeç, u vra në mënyrë mafioze mbrëmjen e së dielës, në provincën e Pizës. I riu shqiptar ndodhej në furgonin e tij, ku autorë ende të paidentifikuar, u afruan dhe lëshuan mbi të breshëri plumbash.

Atentati i mirëmenduar rezultoi fatal për 37-vjeçarin, teksa “alarmin” për ngjarjen e rëndë e ngriti fqinja e tij që kishte dëgjuar të shtënat.

Ajo lajmëroi familjen për të shtënat, dhe trupi i pajetë u gjet nga bashkëshortja dhe fëmijë i viktimës. Viktima ishte baba i dy fëmijëve.

Si ndodhi atentati?

Ai ishte në furgonin e tij kur ndodhi gjithçka.

Nga një rindërtim fillestar duket se dy vrasësit ndodheshin në një motoçikletë dhe më pas u larguan nëpër rrugët e qytetit. Sipas raporteve paraprake, janë qëlluar të paktën 5 plumba.

Prokuroria ka urdhëruar që trupi të transportohet në spital ku në orët në vijim do të bëhet ekspertiza e autopsisë.

Policia ka marrë celularin e viktimës për të kuptuar nëse mund të ketë të dhëna që ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes. Në këto orë hetuesit po analizojnë të gjitha kamerat e sigurisë në zonë. Asnjë pistë nuk përjashtohet./vizionplus.tv