Ballina Aktualitet Sot protesta e opozitës në disa nga akset kryesore të vendit

Sot protesta e opozitës në disa nga akset kryesore të vendit

Partia Demokratike do të zhvillojë sot protestën e radhës të shtrirë kësaj here në disa qarqe të vendit. Për zhvillimin e kësaj proteste është mësuar se PD ka njoftuar Policinë e Tiranës për 3 orë leje. Sikurse kanë paralajmëruar demokratët, skenari ka të bëjë me bllokimin e disa akseve kryesore në vend duke nisur nga ora 17:00.

Bllokimi i akseve që ka paralajmëruar PD:

Mbikalimin e Kthesës së Kamzës, në hyrje të Tiranës
Segmenti “Casa Italia – Sheshi Shqiponja”
Rrethrrotullimi Milot
Rrethrrotullimi Shkozet
Rrethrrotullimi Bradashesh
Rrethrrotullimi Rrogozhinë
Rrethrrotullimi Levan

Sa i takon shpërndarjes së deputetëve në këtë protestë, ditën e djeshme u raportua se përfaqësuesit e PD-së do të vendosen të grupuar në secilin prej akseve të pëmendura më sipër.

Në segmentin e sheshit Shqiponja, do të jenë të pranishme degët e Tiranës dhe qarkut Dibër që do të bllokojnë hyrje-daljet në këtë rrugë dhe lëvizjen e automjeteve. Deputetët që do të jenë në këtë pikë janë Flamur Noka, Albana Vokshi, Xhelal Mziu, Petrit Doda, Asllan Dogjani, Helidon Bushati, Kreshnik Çollaku, Dhurata Çupi dhe aleatët të cilët do të jenë bashkë me qytetarët.

Në rrethrrotullimin e Milotit, do të vendosen deputetët e qarkut Kukës, Shkodër dhe Lezhë, përkatësisht deputetët Flamur Hoxha, Isuf Çela, Emilja Koliqi, Ramadan Lika, Greda Bardeli, Ludovik Hasanaj, Lindita Metaliaj, Elda Hoti, Kastriot Piroli. Tek rrethrrotullimi Shkozet, do të jenë degët e qarkut Durrës, Fushë-Kruja, Kruja, Shijaku.

Në rrethrrotullimin e Bradasheshit do të jenë degët e qarkut Korçë, Elbasan me deputetët Lefter Gështenja, Qani Xhafa, Edmond Spaho, Sorina Koti, Tomor Alizoti.

Në rrethrrotullimin e Rrogozhinës, degët Kavajë, Lushnjë, Rrogozhinë dhe Divjakë me Ilda Dhori, Dashnor Sula, Bledjon Nallbati;

Në rrethrrotullimin Levan, degët e Fierit, Gjirokastrës, Vlorë, Berat, Luan Baçi, Kasem Mahmutaj, Tritan Shehu, Bujar Leskaj.

Deputetët e tjerë Gazment Bardhi, Agron Gjekmarkaj, Oerd Bylykbashi, Jorida Tabaku Ina Zhupa, Zheni Gjergji dhe Saimir Korreshi do t’i bashkohen tubimit te sheshi Shqiponja në orën 18:00, pas përfundimit të takimit të MSA-së ku do të marrin pjesë.

Nga ana tjetër, policia ka dalë me një deklaratë zyrtare për protestën dhe i ka bërë thirrje përfaqësuesve të PD-së që në asnjë rast mos të bllokojnë qarkullimin e mjeteve dhe qytetarëve pasi kjo përbën vepër penale dhe do të përballen me pasoja sipas ligjit.

“Bllokimi i akseve rrugore është vepër penale e parashikuar nga neni 293 i Kodit Penal dhe cilido që do të ndërmarrë veprime për të bllokuar rrugët, do të përballet me pasojat që sjell shkelja e këtij neni. Ndërkohë për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve që do të qarkullojnë në akset rrugore të mësipërme, Policia e Shtetit ka ndërmarrë masa që në rast bllokimi, të devijojë qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative”, njoftoi policia ditën e djeshme.

Ky njoftim është komentuar dhe nga kreu i grupit parlametar të PD-së, Gazment Bardhi, i cili tha që Policia duhet të marrë masat pasi organizmi është i ligjshëm. Ai tha se tubimi kërkon njoftim të policisë dhe njoftimi është bërë nga sektori i organizmit pranë PD.

Njoftimi i Policisë:

Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë paraqitur kërkesën për zhvillim të tubimeve, nga ora 17:00 deri në orën 20:00 të datës 29.10.2024, në disa akse rrugore kryesore në vend, konkretisht: “Tiranë–Durrës”, pranë mbikalimit të Kamzës; “Durrës-Tiranë”, pranë mbikalimit të Shkozetit; “Kashar–Milot”, pranë kryqëzimit të Milotit; “Elbasan–Tiranë”, te rrethrrotullimi i Bradasheshit; “Durrës–Fier”, te rrethrrotullimi i Rrogozhinës dhe “Levan–Tepelenë”, te rrethrrotullimi i Levanit.

Policia e Shtetit garanton të drejtën për tubim, të drejtat dhe liritë e pjesëmarrësve në tubime, por pa cenuar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të automjeteve.

Në bazë dhe në zbatimit të ligjit “Për tubimet”, Policia e Shtetit ka ndërmarrë të gjitha masat për garantimin e rendit publik, zbatimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve dhe të pjesëmarrësve në tubime, si dhe mbrojtjen e pronave publike dhe private.

Nisur nga objekti i kërkesës së bërë për zhvillimin e tubimeve në disa akse rrugore, Policia e Shtetit iu ka kthyer përgjigjje organizatorëve se merr përsipër garantimin e tubimeve që nuk bllokojnë lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve.

Bllokimi i akseve rrugore është vepër penale e parashikuar nga neni 293 i Kodit Penal dhe cilido që do të ndërmarrë veprime për të bllokuar rrugët, do të përballet me pasojat që sjell shkelja e këtij neni.

Ndërkohë për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve që do të qarkullojnë në akset rrugore të mësipërme, Policia e Shtetit ka ndërmarrë masa që në rast bllokimi, të devijojë qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.

Gjithashtu, qytetarët që duan të udhëtojnë drejt Rinasit, me qëllim daljen jashtë vendit, duhet që për shkak të trafikut që mund të krijohet, të arrijnë në aeroport para orës 17:00, ose të përdorin rrugët alternative për të mbërritur në kohë.

Policia e Shtetit apelon dhe një herë për zbatim të ligjit dhe respektim të lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe automjeteve, gjatë orarit të tubimeve.