Ballina Argëtim Showbiz Akuzat ndaj Herion Mustafarajt, flet sërish mbesa e Parashqevi Simakut: Jemi të...

Akuzat ndaj Herion Mustafarajt, flet sërish mbesa e Parashqevi Simakut: Jemi të tromaksur nga veprimet e tij

Mbesa e këngëtares së njohur Parashqevi Simaku, Ina Simaku, ka ngritur akuza serioze ndaj aktorit Herion Mustafaraj, duke e akuzuar për veprime të papranueshme dhe shqetësuese.

Në një intervistë për “Shqipëria Live”, Ina Simaku ka rrëfyer një përballje të pakëndshme me aktorin, duke pohuar se ai kishte hyrë pa leje në dhomën e tyre të hotelit, duke shkaktuar tronditje tek ajo dhe vëllai i saj. Ajo gjithashtu theksoi se Mustafaraj e kishte shqetësuar hallën e saj, Parashqevi Simakun, duke përmendur tema të ndjeshme që i kishin përkeqësuar gjendjen shëndetësore.

“Më duket e pabesueshme që dikush të veprojë kështu, sidomos kur halla është në një gjendje të dobët. Pa u ftuar dhe pa respektuar rregullat, ai ndërhyri gjatë një bisede. Fillimisht u shfaq në mëngjes, kur unë dhe vëllai im ishim me zonjën Elvira, një person që e falënderoj për kujdesin ndaj hallës. Ai u ul pa leje në tavolinë dhe nisi të fliste me hallën.

Zonja Elvira i kërkoi të largohej. Më vonë, në mbrëmje, ai trokiti në derën e dhomës së hallës, por vëllai im nuk e hapi derën pasi e pa përmes syrit magjik. Megjithatë, Mustafaraj përdori një kartë të hotelit për të hapur derën dhe ndërhyri përsëri”, shpjegoi Ina Simaku.

Sipas saj, situata u përkeqësua kur aktori i tha hallës: “Mos ki merak, se do të takosh burrin dhe djalin.” Kjo deklaratë e kishte shqetësuar shumë Parashqevi Simakun, duke i shkaktuar një krizë të rëndë.

Ina Simaku përfundoi duke theksuar se Mustafaraj nuk ka asnjë lidhje me familjen dhe asnjë të drejtë të ndërhyjë në jetën e tyre, duke shtuar se takimet e ardhshme të hallës me djalin dhe bashkëshortin do të realizohen vetëm falë përpjekjeve të tyre dhe të zotit Ilirjani.