Ballina Kronika EMRI/ Detaje të reja nga krimi në Durrës, ky është 39-vjeçari që...

EMRI/ Detaje të reja nga krimi në Durrës, ky është 39-vjeçari që vrau fqinjin dhe kyçi derën

Ngjarja e ndodhur në Durrës ka tronditur banorët e zonës, pasi një 82-vjeçar është gjetur pa jetë në banesën e tij mbrëmjen e djeshme. Policia ka nisur hetimet dhe ka arritur të identifikojë dhe shpallë në kërkim autorin e dyshuar të krimit, një 39-vjeçar me emrin Fation Janina, i cili është fqinj i viktimës.

Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se Janina ka vrarë të moshuarin me një çekiç dhe një thikë. Gjatë bastisjes në banesën e tij, janë gjetur prova që e lidhin atë me ngjarjen: dy thika, një çekiç dhe veshje të cilat mendohet se ka përdorur gjatë krimit.

Motivi i krimit dyshohet të ketë qenë i dobët, ndoshta një konflikt i zakonshëm mes fqinjëve, por hetimet ende janë në vazhdim për të zbuluar më shumë detaje mbi shkakun e vrasjes. Policia po punon për kapjen e autorit të shpallur në kërkim.

Njoftimi i policisë:

Policia zbardh ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në lagjen nr. 13.

Vrau me thikë dhe me çekiç, për motive të dobëta, 82-vjeçarin, fshehu mjetet e krimit dhe mbylli me çelës nga jashtë derën e banesës së viktimës, pas disa orësh punë hetimore dhe profesionale në bashkëpunim me Prokurorinë, Policia zbardhi ngjarjen, identifikoi autorin e vrasjes dhe e shpalli në kërkim.

Gjithashtu, u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi i mjeteve të krimit dhe veshjeve që ka patur autori kur ka kryer krimin.

Vijon puna intensive për kapjen e 39-vjeçarit (fqinj i viktimës).

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, rreth orës 18:50 të datës 30.12.2024, kanë marrë njoftim se në lagjen nr.13, Durrës, ishte gjetur i pajetë në banesë, dyshohej i dëmtuar me mjet prerës, një 82-vjeçar.

Menjëherë kanë shkuar në vendngjarje shërbimet e Policisë, grupi hetimor, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda, Drejtori i DVP Durrës dhe në drejtimin e Prokurorisë kanë vijuar veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e autorit.

Nga këqyrja e trupit të 82-vjeçarit P. G., eksperti mjekoligjor konstatoi se kishte dëmtime të shumta të shkaktuara me mjet prerës dhe me sende të forta.

Pas një pune intensive hetimore dhe profesionale u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit të dyshuar, shtetasit F. J., 39 vjeç, banues në lagjen nr. 13, fqinj i 82-vjeçarit.

Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesën e autorit të dyshuar, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provave materiale 2 thika, 1 çekiç dhe veshjet që dyshohet se ka patur autori gjatë kryerjes së krimit.

Mjeti prerës, çekiçi dhe veshjet me njolla gjaku janë dërguar në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminime të mëtejshme.

Vijon puna intensive për kapjen e 39-vjeçarit.

Materialet u referuan në Prokurori, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.