Ballina Shëndeti Humbi gjymtyrët nga aksidenti i tmerrshëm, rifiton shpresën nga krahu i parë...

Humbi gjymtyrët nga aksidenti i tmerrshëm, rifiton shpresën nga krahu i parë me Inteligjencë Artificiale

Sarah De Lagarde humbi njërin krah e këmbë pasi u shtyp nga dy trena në Londër. Tani ajo është  përdouesja e krahut të parë bionik me Inteligjencë Artificiale. Programi i tij mëson dhe përmirësohet me  kohën duke parashikuar më mirë lëvizjet e saj çdo herë që e përdor.

Në një intervistë për BBC, Sarah tregon detajet e aksidentit të tmerrshëm të vitit 2022.

“Në shtator 2022, u përfshiva në një aksident tragjik me tren. Po kthehesha nga puna një të premte dhe u rrëzova midis platformës dhe një treni të ndaluar në një stacion, kur treni u nis dhe më thërrmoi krahun nga pjesa e sipërme e bërrylit dhe mendova se gjërat s’mund të shkonin më keq. Më pas erdhi treni i dytë në stacion dhe më shtypi këmbën nga gjuri e poshtë. M’u ofrua një krah protezë nga Shërbimi Spitalor Kombëtar, por nuk duket si i vërtetë. Fëmijëve të mi u dukej i frikshëm. Gjithashtu nuk kishte një funksion.

Sarah arriti të kualifikohej për një krah bionik me Inteligjencë Artificiale. Ajo përshkruan sesi pajisja e avancuar funksionon vetëm përmes mendjes.

“Më pas u kualifikova për një krah mioelektrik që njihet si krah bionik. Ky është krahu që mbaj tani.   Funksionon kur unë mendoj për një lëvizje që dua të bëj dhe më pas unë lëviz muskujt dhe tendinat në një pjesë të caktuar”, ndërsa për ta ilustruar e krahason me një videolojë ku të duhet të komandosh personazhin duke shtypur butonat në një levë.

“Pjesa interesante është fakti që përdor Inteligjencën Artificiale. Çdo herë që unë e përdor, grumbullon të dhëna në një server të jashtëm. Sa herë unë lëviz, pajisja mëson të lexojë modelet dhe kthehet në Inteligjencë Artificiale gjeneruese duke parashikuar lëvizjen time të radhës”.

Sarah shprehet se në fillim nuk ishte e thjeshtë pasi për të kryer vetëm një veprim, duhet të përqendrohej e tëra aty. Me kalimin e kohës, trajnimi i pajisjes ka përmirësuar ndjeshëm shpejtësinë e lëvizjeve duke i lejuar që të kryejë dy veprime njëkohësisht. Tani koha e mendimit për veprimin deri te ekzekutimi i tij është thuajse e menjëhershme.

Megjithatë, a mund ta zëvendësojë krahun e saj?

“Shumë njerëz më pyesin nëse krahu bionik mund të tejkalojë atë të vërtetin. Ajo që kam vënë re në fakt është se dora bionike kontrollon forcën e kapjes. Është më e fortë se dora ime. Por unë mund ta udhëzoj që të prekë shumë lehtë dhe të marr një vezë nga frigoriferi pa e thyer, por njëkohësisht mund ta forcoj shtrëngimin dhe ta bëj më të fortë sa mund të shtyp një kanaçe pijeje. Teknologjia është shumë e përparuar. Gjithsesi, nuk do ta zëvendësojë kurrë krahun tim biologjik. Kam mësuar ta shoh si mjet ndihmës. Mund të bëjë shumë. Jam entuziaste për zhvillimin e tij të ardhshëm. Por mendoj se në këtë moment jemi thjesht në fillim të kësaj teknologjie”, përfundon ajo.

/tvklan.al