Ballina Aktualitet LAMTUMIRË, PROFESOR ISMAIL

LAMTUMIRË, PROFESOR ISMAIL

Nga Xhelal Zejneli

 Ishte mesnatë, kur u përhap lajmi për vajtjen Tënde në qiellin e dritës së amshueshme. Ata që të njihnin, u stepën në vend. Mjekët bënë të pamundurën të të mbajnë në jetë. Ishe jo më shumë se 55 vjeç. Shquheshe për modestinë. Pikërisht për këto arsye, gëzoje respekt të thellë në mjediset ku veproje. Si profesor i filozofisë, shquheshe për urtinë. Ishe formuar në frymën platonike dhe aristoteliane, I rregullt dhe i përpiktë në punë, gëzoje respektin e madh të kolegëve Tu, të profesorëve dhe të drejtuesve të Gjimnazit. I shquar për përgatitjen profesionale të lartë, ishe i nderuar, i respektuar dhe i admiruar prej nxënësve Tu. Ishe i nderuar edhe prej prindërve të nxënësve. Gjatë gjithë kohës sa punove në shkollë, nuk pate as edhe një konflikt të vetëm me askënd. As me ndonjë kolegë, as me drejtorinë e shkollës, as me shërbimin profesional të shkollës, as me nxënësit dhe as me prindërit. Ke qenë i arsyeshëm, të shquante racionalizmi kartezian.

Ke qenë arsimdashës dhe i dhënë pas leximit të librave. Vazhdimisht i ke udhëzuar nxënësit që të ndjekin shkollimin dhe të bëhen të mirë për familjen, për shoqërinë dhe për kombin. Ndër breza nxënësish mbolle atdhedashurinë, mbolle dashurinë ndaj kombit, ndaj gjuhës shqipe, ndaj flamurit të Gjergj Kastriotit, ndaj himnit kombëtar, ndaj Kosovës së lirë, ndaj bashkimit kombëtar.

Në bibliotekën shtëpiake Tënden, veprat e Platonit, të Aristotelit, të Dekartit, të Lajbnicit, të Volterit, të Rusoit, të Hegelit, të Kantit, të Shopenhauerit, të Niçes, të Sartrit, të Hajdegerit, të Markuzes – shpesh ndodheshin, jo në rafte por mbi tryezën e punës.

Në përcjelljen Tënde për në botën e përjetshme, morën pjesë një numër i madh përcjellësish. Pranë fytyrës sate të ndritur dhe shpirtit të dëlirë e të padjallëzuar, qëndronin të përlotur nxënësit e Tu. Kishin ardhur njerëz nga të katër anët e hapësirave tona. Njerëz segmentesh të ndryshme të shoqërisë. Ti Ismail, kurrë nuk bëje dallim midis njerëzve. Ndaj të gjithëve tregoje kujdes dhe konsideratë, mu në frymën e filozofisë kantiane.

Shquheshe për tolerancë dhe solidaritet, mu në frymën e iluministëve francezë. Qëmoti i kishe flakur nga vetja vetitë e panjerëzishme, si egoizmi, smira, xhelozia. Të rinjve u sugjeroje që të udhëhiqen nga parimi i harmonisë dhe i të qenit.

Orgestit 11-vjeçar i thamë: “Babi ka vajtur në qiell, tek yjet. Do të vazhdojë të shkëlqejë që andej”. M’u kujtua dita kur më the se ju ka lindur një vajzë. Ia vura emrin Gresë. Të thashë se kështu quhet vajza e Ismail Kadaresë. Sot ajo është Dr. Gresa, mjeke e popullit.

Në çastin kur i mbylle kapakët e syve Profesor, sytë e Sharrit si dy lot të mëdhenj kishin ngrirë.

Prehu i qetë i dashur Profesor, në gjirin e tokës ilire.

VIDEO BONUS: