Ballina Aktualitet Opinione SHQIPJA NË MAQEDONINË E VERIUT ËSHTË GJUHË ZYRTARE

SHQIPJA NË MAQEDONINË E VERIUT ËSHTË GJUHË ZYRTARE

 Nga Xhelal Zejneli

Me Marrëveshjen e Ohrit si dhe me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, shqipja në Maqedoninë e Veriut është gjuhë zyrtare.

Çështja e përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoni, përkatësisht në Maqedoninë e Veriut është rregulluar me Marrëveshjen e Ohrit, të nënshkruar në Shkup më 13 gusht të vitit 2001, në gjuhën angleze.

Nënshkrues kanë qenë: kryetari i Republikës së Maqedonisë, BorisTrajkovski, kryeministri i RM-së, njëherazi edhe kryetar i VMRO-DPMNE-së, LubçoGeorgievski, kryetari i PDSh-së, Arbën Xhaferi, kryetari i LSDM-së, BrankoCërvenkovski dhe kryetari i PPD-së, ImerImeri.

Dëshmitarë kanë qenë: përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, politikani francez FransoaLeotar (FrançoisLéotard, 1942-2023) dhe përfaqësuesi i posaçëm i ShBA-së, diplomati amerikan XhejmsPerdju (JamesWilliamPardewJr., 1944-2021).

            Lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe, në Marrëveshjen e Ohrit ndërmjet tjerash  thuhet:

 

  1. Arsimimi dhe përdorimi i gjuhëve

 

  1. Lidhur me shkollimin fillor dhe të mesëm, mësimi do të zhvillohet në gjuhën amtare të nxënësve, e njëkohësisht në mbarë Maqedoninë do të aplikohen standardet e unifikuara për programet akademike.
  2. Financimi nga shteti do të sigurohet për arsimimin sipëror në gjuhët të cilën e flasin të paktën 20 për qind e popullatës në Maqedoni, e në bazë të marrëveshjeve të posaçme.
  3. Gjatë regjistrimit në universitetet shtetërore të studentëve të rinj të cilët iu takojnë bashkësive që nuk janë popullatë shumicë në Maqedoni do të aplikohet parimi i diskriminimit pozitiv, gjithnjë derisa regjistrimi nuk e shpreh si duhet përbërjen e popullatës në Maqedoni.
  4. Në tërë Republikën e Maqedonisë dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase.
  5. Cilado gjuhë tjetër të cilën e flasin të paktën 20 për qind e popullatës, po ashtu është gjuhë zyrtare, sikurse është arsyetuar këtu. Në organet e Republikës së Maqedonisë, cilado gjuhë zyrtare tjetër nga maqedonishtja mund të përdoret në pajtim me ligjin, sikurse është elaboruar më tej në aneksin B. Cilido person që jeton në njësinë e pushtetit vendor në të cilin të paktën 20 për qind e popullatës flasin gjuhë zyrtare ndryshe nga maqedonishtja mund të përdorë cilëndo gjuhë zyrtare për të komunikuar me zyrën rajonale të pushtetit qendror, kompetent për këtë komunë; zyra e tillë do të përgjigjet në atë gjuhë në mënyrë plotësuese në maqedonishte. Cilido person mund ta përdor cilëndo gjuhë zyrtare për të komunikuar me zyrën kryesore të pushtetit qendror, e cila do t’i përgjigjet në atë gjuhë, në mënyrë plotësuese në maqedonisht.
  6. Lidhur me pushtetin vendor në komunat ku bashkësia e caktuar përbën të paktën 20 për qind e popullatës së komunës, gjuha e asaj bashkësie do të përdoret si gjuhë zyrtare, në mënyrë plotësuese maqedonishtja. Në raport me gjuhët, të cilët flasin të paktën 20 për qind e popullatës së komunës autoritetit lokale në mënyrë demokratike do të vendosin për përdorimin e saj në organet publike.
  7. Në procedurat penale dhe qytetare gjyqësore të cilitdo nivel, personi i akuzuar ose cilado palë do të ketë të drejtë të përkthimit në shpenzim të shtetit të të gjitha procedurave, si dhe të dokumenteve në pajtim me dokumentet përkatëse të Këshillit të Evropës.
  8. Cilat do dokumente personale të qytetarëve që flasin gjuhën zyrtare ndryshe nga maqedonishtja po ashtu do të lëshohen në atë gjuhë, në mënyrë plotësuese në gjuhën maqedonase në pajtim me ligjin.

*   *   *

            Ligji për përdorimin e gjuhëve

 

            Çështja e përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoni, përkatësisht në Maqedoninë e Veriut është rregulluar edhe me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, “Gazeta Zyrtare e RM-së, Nr. 7, datë 14.01.2019. Ky ligj përmban 25 nene të përfshirë në shtatë faqe. Në tre nenet e para të ligjit të sipërthënë thuhet:

Neni 1

(1) Në tërë territorin në Republikën e Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik.

(2) Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve (gjuha shqipe), gjithashtu është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, në pajtim me këtë ligj.

(3) Në të gjitha organet e pushtetit shtetëror në Republikën e Maqedonisë, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, entet dhe organizatat, komisionet, personat juridikë që kryejnë autorizime publike në pajtim me ligjin dhe institucionet tjera, gjuhë zyrtare krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj është edhe gjuha që e flasin 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe alfabeti i saj, në mënyrë të përcaktuar me këtë ligj.

(4) Në njësitë e vetëqeverisjes lokale gjuha dhe alfabeti që e shfrytëzojnë së paku 20% e qytetarëve është gjuhë zyrtare, krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj cirilik. Për përdorimin e gjuhëve dhe alfabeteve në të cilat flasin më pak se 20% e qytetarëve në njësitë e vetëqeverisjes lokale, vendosin organet e njësive të vetëqeverisjes lokale.

 

Neni 2

(1) Qytetarët kanë të drejtë ta përdorin cilëndo nga gjuhët e theksuara zyrtare dhe alfabetet e tyre nga neni 1 paragrafët (1) dhe (2) të këtij ligji, ndërsa institucionet nga neni 1 paragrafi (3) të këtij ligji si dhe institucionet tjera e kanë për obligim që t’u mundësojnë qytetarëve shfrytëzim, përdorim dhe zbatim të atyre gjuhëve zyrtare dhe alfabeteve të tyre në cilëndo qoftë procedurë, si edhe zbatim të atyre procedurave në atë gjuhë zyrtare dhe në atë alfabet.

(2) Në pajtim me të drejtën e qytetarëve që ta përdorin cilëndo nga gjuhët e cekura zyrtare nga neni 1 paragrafët (1) dhe (2) të këtij ligji në procedurat gjyqësore, administrative, ekzekutive, procedurat parahetimore dhe hetimore, procedurat penale dhe për kundërvajtje, procedurat kontestimore dhe jashtëkontestimore, procedurat për ekzekutimin e sanksioneve, si dhe procedurat tjera të parapara me ligje tjera. Gjykatat, prokuroritë publike, si dhe të gjitha organet tjera, trupat dhe institucionet tjera janë të obliguara ta mundësojnë shfrytëzimin, përdorimin dhe zbatimin e cilësdo prej gjuhëve zyrtare nga neni 1 paragrafët (1) dhe (2) dhe alfabetet e tyre në ato procedura dhe procedura tjera.

(3) Në institucionet e pushtetit shtetëror në Republikën e Maqedonisë nga neni 1 paragrafi (3) i këtij ligji, gjuhë zyrtare krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj është edhe gjuha të cilën e flasin së paku 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe alfabeti i saj në: komunikim, përdorim dhe zbatim në të gjitha procedurat e qytetarëve para të gjitha organeve të cilat e përbëjnë pushtetin shtetëror (Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Qeveria e Republikës së Maqedonisë, gjyqësia, prokuroria publike), Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë, Avokati i Popullit i Republikës së Maqedonisë, në procesin zgjedhor, arsim, shkencë, shëndetësi, kulturë, gjatë zbatimit të autorizimeve policore, në veprimtarinë radiodifuzive, noteri, përmbarim, objekte infrastrukturore, evidencën e amzës, dokumentet personale, financat, ekonomi, si dhe në sferat tjera.

Neni 3

Funksionarë të zgjedhur ose të emëruar të institucioneve nga neni 1 paragrafi (3) dhe neni 2 paragrafi (3) të këtij ligji, si dhe institucionet tjera selia e të cilave është në Shkup ose komunat në të cilat së paku 20% e qytetarëve flasin gjuhë të ndryshme nga gjuha maqedonase, në komunikimin e tyre zyrtar e përdorin gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik, si dhe gjuhën që e flasin së paku 20% e qytetarëve dhe alfabetin e saj, nëse së paku njëri prej funksionarëve të zgjedhur ose të emëruar flet gjuhë zyrtare të ndryshme nga gjuha maqedonase.

*   *   *

            Nga sa më sipër shihet në mënyrë të qartë dhe të padiskutueshme se shqipja në Maqedoni, përkatësisht në Maqedoninë e Veriut është gjuhë zyrtare.

Çështja e përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut nuk është çështje partiake. Përdorimi i shqipes është çështje kombëtare e një rëndësie madhore. Rrjedhimisht, askush s’ka të drejtë të bëjë tregti me gjuhën. Gjuha është elementi themelor i identitetit të një kombi. Kuptohet, ka edhe raste kur në një shtet flitet gjuha e ndonjë populli tjetër. Gjuhë amerikane s’ka. Amerikanët apo australianët flasin anglisht. Nuk është mirë të merren me të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe ata funksionarë apo edhe politikanë të cilët nuk kanë njohuri të mjaftueshme për këtë çështje. Po qe se nuk e ke lexuar Marrëveshjen e Ohrit dhe Ligjin për përdorimin e gjuhëve, atëherë çështjes së përdorimit të gjuhës shqipe do t’i qasesh në mënyrë diletante. Po qe se për çështjen e lartpërmendur nuk ke njohuri të mjaftueshme, atëherë mos u prononco publikisht. Me një prononcim të tillë personi publik, pushtetari apo politikani krijon huti në publik. Prononcimi i tillë – i pamatur, mund të ketë për pasojë defaktorizimin e faktorit politik shqiptar. Të thuash se shqipja në Maqedoni nuk është gjuhë zyrtare do të thotë ta çosh ujin në mullirin e armikut, do të thotë t’i bësh shërbim armikut.

Duke qenë se çështja e gjuhës është zgjidhur me Marrëveshjen e Ohrit, atëherë vënia në dyshim e karakterit zyrtar të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, zhvlerëson edhe marrëveshjen e sipërthënë. Ajo është një marrëveshje me karakter ndërkombëtar, është një marrëveshje që e ka ndalur një luftë, atë të 2001-shit.

Askush s’ka të drejtë të ruajë “pushtetin” në dëm të përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe. Për ta bërë zyrtare gjuhën shqipe, ky popull ka derdhur mund. Janë dashur dekada. Ajo që është ngritur ndër dekada dhe me shumë sakrifica, nuk mund të shembet apo të nëpërkëmbet për hiçgjë. Qëndrimi në pushtet nuk mund të bëhet në dëm të shqipes.

Për shqipen zyrtare, faktori politik shqiptar duhet të jetë një, duhet të jetë unik, i bashkuar. Tregti me gjuhën s’bëhet dot për asnjë kusht, për kurrfarë kuazipushteti.

*   *   *

Faktori politik shqiptar, pozitë dhe opozitë, duhet të kërkojnë që shqipja të figurojë, jo si gjuhë që e flasin mbi 20 për qind e popullatës, por si gjuhë shqipe. Sot shqiptarët janë mbi 20 % prej Struge deri në Likovë. Bëhet fjalë për rreth 700 mijë shqiptarë në trojet etnike historike, si popull rrënjës, autokton. Faktori politik shqiptar duhet ta ketë parasysh faktin se shqiptarët ballafaqohen me dy gjëra:

– e para, rënia e shkallës së lindshmërisë (e natalitetit) dhe

– e dyta, shpërnguljen e të rinjve për në Gjermani dhe gjetkë.

 

Mund të ndodhë një ditë që në ndonjë pjesë të Maqedonisë veriperëndimore numri i popullatës shqiptare të bjerë nën 20 për qind. Forcat anakronike, retrograde antishqiptare sllavo-maqedonase këtë presin. Ato do të kishin thënë: “Në këtë zonë jeni më pak se 20 për qind, ndaj ju privohet e drejta e përdorimit zyrtar të shqipes”.

Ka që thonë: “Shqipja në Maqedoni nuk është gjuhë zyrtare. Ajo është në përdorim zyrtar”. Këto dy fjali të sipërthëna nuk janë veçse lojë fjalësh, pa kurrfarë kuptimi, as politik, as juridik. Kështu gjykojnë njerëz të frustruar që s’kanë realizuar ndonjë interes meskin. Është e vërtetë se në institucione të caktuara, qoftë të nivelit qendror, qoftë të atij vendor, gjuha shqipe nuk zbatohet sikundër parashikohet me ligj. Ligji nuk zbatohet vetvetiu. Janë njerëzit ata që duhet ta jetësojnë atë. Për këtë e kanë fajin edhe vetë zyrtarët dhe funksionarët shqiptarë që punojnë nëpër ato institucione.

*   *   *

VMRO-ja nuk duhet të çelë tema që i trazojnë ndjenjat kombëtare të popullit shqiptar. VMRO-ja është parti anakronike, retrograde dhe e pareformuar. Ajo a e ka parasysh faktin se më pak se 4 për qind e serbëve në Kosovë, serbishten e kanë gjuhë zyrtare.

Faktori politik shqiptar duhet të kërkojë që gjuha shqipe të jetë zyrtare në tërë territorin e këtij vendi. Faktori shqiptar duhet të kërkojë që nxënësit sllavo-maqedonas të nisin ta mësojnë gjuhën shqipe në shkollë, duke filluar nga klasa e tretë fillore. Të jetosh në një qytet të banuar nga 80 për qind shqiptar dhe të mos e dish gjuhën e popullit shumicë absolute, kjo paraqet diskriminim klasik. Kjo ta përkujton aparteidin.

Faktori politik shqiptar në asnjë mënyrë nuk duhet të lejojë që nëpër shkollat e mesme shqipe viti shkollor të fillojë dhe të mbarojë me ekzekutimin e himnit sllavo-maqedonas. S’ka shqiptar në Maqedoninë e Veriut që e respekton simbolin shtetëror dhe himnin e këtij vendi, përpos në raste ceremoniale.

Faktori politik shqiptar duhet të kërkojë që Dita e Flamurit, d.m.th. 28 Nëntori, të jetë në Maqedoninë e Veriut festë shtetërore.

Faktori politik shqiptar duhet të kërkojë ndryshimin e himnit dhe të simbolit shtetëror të këtij vendi, për arsye se në to nuk përfshihet asnjë vlerë e historisë dhe e kulturës kombëtare shqiptare. Ultranacionalistët sllavo-maqedonas duhet ta dinë shqiptarët e kanë edhe simbolin e vet kombëtar, edhe himnin e vet kombëtar. Ata njëherazi duhet ta dinë se pa shqiptarët s’ka Maqedoni të qëndrueshme.