Han Kang, Vegjetariania, Onufri, 2019
The Boston Globe
Çfarë romani i çuditshëm ! Vegjetariania është një tekst magjepsës, i paharrueshëm, njëkohësisht i ankthshëm, çlirues dhe edukues. Ai shkon përtej çdo morali, sepse trajton revoltën ndaj vrasjes së heshtur e të trashëguar të lirisë vetjake të gruas në një shoqëri që nuk është çliruar nga paragjykimet dhe nga marrëveshjet e paravendosura. Ai gjithashtu është një tekst me karakter feminist, modern, i cili flet hapur dhe rrëfen një akt rezistence që trondit mendësinë patriarkale dhe shtron probleme të tjera që gërryejnë shoqërinë moderne, duke u shndërruar edhe në një tekst ekologjik.
Struktura:
Romani përbëhet nga tri pjesë, në të cilat tri personazhe rrëfejnë nga pikëvështrimet e tyre një histori të pazakonshme. Në qendër të subjektit është një grua e re, Jonhje, e cila pas pesë vjetësh martese ka vendosur të bëhet vegjetariane, domethënë të ushqehet vetëm me prodhime bimore. Ajo gjen strehë te kjo ide që nuk pranohet nga rrethi familjar dhe zhytet thellë e më thellë në një pështjellim të gjithanshëm, derisa heq dorë fare nga të ushqyerit. Jeta dhe vdekja e saj jepen përmes një rrëfimi tronditës, në të cilin ajo merr pjesë kryesisht në mënyrë pasive, atëherë kur është e bindur që duhet të thotë diçka, të përgjigjet, apo të pyesë. Në tekst, si në filigranë jepen arsyet e gremisjes së saj drejt botës së mosqenies.
Përmbajtja:
Pjesa e parë jep rrëfimin e të shoqit të Jonhjes, njeri i heshtur dhe i thjeshtë në dukje, disi i rëndomtë “pothuaj të gjithë librat më dukeshin kaq të mërzitshëm” (f. 3), që tregon se është martuar me këtë grua të zakonshme, jo nga dashuria, por sepse kjo lidhje i ka krijuar mundësi të jetë i pranuar në shoqëri. Sipas tij, e vetmja veçanësi e saj, bezdisëse, është se ajo rrinte pa gjimbajtëse duke lënë thithkat t’i dukeshin nën veshje. Imazh disi turbullues për të cilat lexuesi mbase imagjinon sythet e bimëve.
Kështu, një natë duke shkuar në banjë, ai e gjen Jonhjen të ulur në mes të kuzhinës, përballë frigoriferit. Pyetjes së tij se pse po rrinte atje, ajo i përgjigjet me heshtje. « Qëndron si shtatore, me një pamje, thua se nuk dëgjon asgjë. Sikur në vend të frigoriferit mbështetur në mur të ishte një sy i padukshëm njeriu apo shpirt. Mos është bërë luatike? » (f. 5). Pastaj ai i shkon pranë dhe e pyet përsëri duke ngulmuar dhe ajo më së fundi thotë: « Pashë një ëndërr » (f. 8).
Kur zgjohet në mëngjes ai, skena përsëritet. Jonhje është gjithnjë e ulur, por tashmë përballë një figoriferi të zbrazur, e rrethuar nga qeska të shumta, me mish apo me prodhime mishi të bëra gati për t’i hedhur. Me një frazë tepër koncize autorja ravijëzon edhe tiparet e drejtpërdrejta patriarkale të familjes së re: « Këmishë të hekurosur s’paska » (f. 8) ; « I ka ikur mendja » (f. 9) ; « Në tavolinën që kishte shtruar gruaja për darkë » (f. 11), etj.
Rrëfimi na shpie në një lloj marramendjeje afër çmendurisë, kur përshkruan ëndrrat e Jonhjes që shërbejnë si katalizator i ngjarjes. I shoqi nuk e kupton dhe nuk mund ta kuptojë botën e saj: “Sot duhet të tregosh anët e tua më të mira” (f. 19). Kjo thënie nuk ka ndonjë gjë qortuese, por vazhdimi i frazës: “Drejtori për herë të parë më fton mua, menaxherin, në një darkë të tillë, ku mblidhen vetëm drejtuesit e lartë të firmës dhe gratë e tyre. Ja sa më çmon” (f. 19), shpreh hapur egoizmin dhe mediokritetin e tij.
Një seri ngjarjesh trondisin jo vetëm jetën e Jonhjes, por edhe jetën e atyre që e rrethojnë. I shoqi rrëfen edhe kundërshtimet e dhunshme të anëtarëve të familjes ndaj saj. I ati dhe e ëma duan me çdo kusht ta ndalojnë, sepse ndihen “të turpëruar” që vajza e tyre nuk po përmbush “rolin” e duhur si bashkëshorte, për të mbajtur shtëpinë, për t’i gatuar gjellë të mira burrit, për t’i hekurosur atij rrobat, etj. Jonhje dobësohet, nuk i afrohet të shoqit, sepse lëkura e tij bie “erë mish”, gjithçka shkon mbrapsht? Sa më tepër ngul këmbë ajo në idenë e saj, aq më shumë rritet pakuptimësia e veprimit. Një ditë, në ditëlindjen e së ëmës, tërë familja i kundërvihet me njëlloj histerie kolektive, të cilës i paraprin i ati; ai e qëllon dhe përpiqet ta detyrojë të kapërdijë me zor një copë mish. Kësaj skene të tmerrshme, ku përzihet komikja me tragjiken, gruaja e re i përgjigjet me veprimin e fundmë për të vrarë veten: ajo rrëmben një thikë dhe çan venat.
Në pjesën e dytë të triptikut, rrëfimtar është kunati i Jonhjes, i shoqi i motrës, një artist videosh, piktor margjinal. I pranishëm në festën fatale, ai e ka ngritur atë të gjakosur për ta shpënë në spital. Gjaku i saj i ka rënë mbi këmishë dhe e ka trazuar; ai nuk mund ta harrojë këtë gjë. Atij i pëlqen të pikturojë e të filmojë, por duke qenë i pakënaqur, kërkon pareshtur ide të reja, objektin ideal të artit të tij…
Toni i rrëfimit në këtë pjesë është i ndryshëm, në disa fragmente pothuajse përrallor. Një ditë prej ditësh, kur kunata e tij e divorcuar ka marrë një shtëpi me qira, ai i lutet që ta lejojë të bëhet modele në një seancë pikture nudo dhe ajo pranon. Artisti ka vegime, ai imagjinon edhe njollën mongoliane të saj (një njollë ngjyrë blu që shfaqet te disa popuj aziatikë që në lindje), për të cilën i ka folur gruaja e tij, motra e Jonhjes.
Jonhje është shëruar, madje ka fituar një gjendje të re shpirtërore dhe fizike, do të fillojë punë diku. “Vështirë ta besoje se ishte po ajo grua, e cila dikur u përpoq t’i jepte fund jetës” (f. 72). Në seancën e parë të pikturës nudo, përmbys, ai e mbush trupin e saj me lule dhe motive bimore. Një skenë madhështore, pikturë pothuajse erotike, robëruese. Piktura bimore simbolizon shkrirjen e trupit të Jonhjes me natyrën: petale lulesh, gjethe, ngjyra, pistile, kurora, shtigje, vija uji, një visore e gjallë: “Duke shkuar gjer te kodërza në vithen e majtë, ai vizatoi një lule të purpurt, të çelur krejtësisht, pastaj me penelata të trasha shënoi një pistil në ngjyrë të verdhë të theksuar. Vendi ku ndodhej njolla mongoliane, hë për hë mbeti i pastër. Por, megjithatë, përreth njollës jeshile-blu, me një furçë të madhe krijoi një sfond të theksuar me të verdhë dhe jeshile, që të veçonte njollën, e cila ngjasonte me hijen e një petali të brishtë” (f. 88).
Jonhje është e qetë, e hijshme në natyrshmërinë e saj, nuk ka kureshtje të tepruar për hapësirën e panjohur (vendi ku punohet për videon, është studioja e një miku të kunatit artist). Qëndrimi i saj nuk ngjall mëshirë, thotë ai një çast, por shpreh një vetmi të thellë. Duke vështruar Jonhjen, artisti sjell ndër mend ish-burrin e saj “njeri që nuk besonte në asnjë vlerë, përveç kënaqësive trupore dhe të mirave materiale […] (f. 88).
Ata e vazhdojnë punën. Pas një pushimi të shkurtër, ajo zhvishet sërish për seancën e dytë dhe shtrihet po me aq natyrshmëri në shpinë, tashmë për t’u pikturuar nga përpara. Piktori ishte joshur një ditë duke e parë rastësisht të lëvizte nudo, kur kishte dalë nga spitali dhe kishte ardhur të strehohej përkohësisht te e motra. Deri atë çast ai nuk kishte dyshuar për bukurinë e saj. Këtu shkëlqen përkthimi i Hudhrit:
«Për herë të parë pa një trup që kaq shumë fliste për veten […]
Nga klavikula deri te gjoksi ai i pikturoi një lule të madhe me ngjyra të verdha dhe të bardha. Nëse shpinën ia zbukuronin lulet e natës, gjoksin ngjyrat e shndritshme të ditës. Zambaku njëditor ngjyrëportokalli kishte çelur mbi barkun e dobësuar, kurse petalet e mëdha e të vogla të praruara kishin rënë çrregullisht mbi kofshë » (f. 91).
Seancat e pikturës që përshkruajnë sesi transformohet trupi nga mish në lule, sidoqoftë zënë një vend qendror në tekst. Artisti e filmon Jonhjen e pikturuar me një model mashkullor. Videoja është në pornografike, por në të vërtetë bëhet fjalë për një kalkulim: “Mendoi për muzikën në sfond të filmit të tij, por në mendje i vinte vetëm heshtja e ngjashme me vakumin. Lëvizjet e brishta të trupit […], lakuriqësia, sythet e luleve që po çelnin dhe njolla mongoliane – harmonia e heshtjes që të kujton përjetësinë, kuintesencën e gjithçkaje të gjallë” (f. 98). Arti ka fuqi çliruese.
Pas videos artistike përzier me vegime erotike, piktori ndërkohë i lutet një mikes së tij piktore, ish e dashur, që t’ia pikturojë trupin me lule. Ashtu i pikturuar ai shkon në shtëpinë e kunatës, e humbet kontrollin dhe bën dashuri me të. Ai filmon një skenë të njëmendët, skenë dashurie. Jonhje ka gjetur në ato çaste edhe qetësinë, prandaj thotë: « Mbase, s’kam për ta parë më atë ëndërr » (f. 122). Kjo është një lumturi e përkohshme, e cila paguhet shtrenjtë, sepse skena zbulohet dhe ata të dy i internojnë në një spital psikiatrik…
Në pjesën e tretë dhe të fundit rrëfen Inhje, motra e Jonhjes, grua që ka njohur njëlloj suksesi me shitoren e produkteve të bukurisë. Ajo merr përsipër edhe kujdesin për Jonhjen. Kuptohet, ajo është ndarë nga i shoqi. Pas zbulimit të videos pornografike, artistin e mbyllin në një spital psikiatirk. Pas disa kohësh ai kaloi në paraburgim, doli nga burgu dhe nuk u rishfaq më, kurse Jonhje qëndron ende e internuar, sepse është grua, dhe në shoqëritë me mendësi patriarkale dënimi për gruan është shumë më i rëndë.
Të duket sikur ky tekst është i veçuar, por pasi e lexon, ai ngallmohet me lëndën dhe i jep tonin krejt romanit. Inhje është i vetmi njeri i familjes që nuk i ka shkëputur lidhjet me Jonhjen, jeta e së cilës, e mbyllur në një spital psikiatrik, është një ferr i vërtetë. Jonhje herë pas here humbet vetëdijen; një herë madje nuk është kthyer nga shëtitja e lejuar dhe e kanë gjetur në pyll (sepse spitali është mes një pylli), në këmbë, drejt si të ishte një pemë. Shëndeti i saj keqësohet dita-ditës, se ajo kundërshton të ushqehet. Inhje përpiqet më kot, i shkon në spital rregullisht, i përgatit ushqime, por Jonhje më në fund i thotë: « Motër, mos më sill asgjë. […] Tani unë nuk kam nevojë të ha më » (f. 156). Dhe shuhet dalngadalë në mënyrë të pamëshirshme.
Edhe për Inhjen që mban shtëpinë dhe djalin duke punuar në shitore, jeta është e vështirë. As ajo nuk ka qenë e lumtur. S’e ka kuptuar sa duhet të shoqin që ishte i dhënë pas kërkimit artistik, megjithëse është përpjekur ta shmangte nga punët e rëndomta që mund t’i hanin kohë. Veç kësaj, ata nuk janë martuar me dashuri. Megjithatë, ai ka pasur momente poetike, të cilat janë shuar me përdhunë nga vrazhdësia e jetës. Në një moment, kur familja e tyre ishte bërë me fëmijë, ajo ka parë shkëlqim në sytë e tij; ai e pati filmuar atë dhe të birin që kishte filluar të ecte. “Sytë e tij shndrisnin me një dashuri për jetën, të panjohur prej saj, kur ai i foli :
– A mund të bëjmë një animacion […] që pas çdo hapi të Çiut të çelin lule, si në filmin e Hayao Miyzakit ? Jo, jo lule, por sikur fluturojnë fluturzat ? Ah, sa bukur do të ishte, po ta filmonim në ndonjë lëndinë? (f.140).
Sigurisht, edhe Inhje bie viktimë e zakoneve barbare: ajo e lajmëron vetë urgjencën psikiatrike. Pasi janë ndarë dhe i shoqi ka dalë nga paraburgimi, nuk ia krijon atij mundësinë të shohë djalin që është krijesë e përbashkët. Me një lloj purifikimi shpirtëror dhe mendor, më vonë ajo arrin të bëjë një monolog të brendshëm duke përsiatur për të gjetur arsyet që e patën shtyrë të motrën të bëhet vegjetariane e të sëmuret mendërisht, por edhe përse nuk arriti ajo vetë ta kuptonte sa duhet të shoqin artist: “Vuante sikur të gjithën po e gëlltiste një gropë, ndiente një frikë të tmerrshme dhe njëkohësisht, një qetësi të çuditshme që e përshkonte këtë frikë” (f. 176, 177). Me pyetjet dhe arsyetimin e saj se ajo video nuk ishte në fund të fundit seksuale, Inhje shndërrohet në një farë mënyre në zëdhënëse e autores: “A mund të kishte ndodhur që Jonhje tashmë prej kohësh dhe më shpejt sesa njerëzit e zakonshëm, kishte kaluar përmes dhimbjes dhe pagjumësisë […] (f. 178) etj.
Argumentimi
Ndryshe nga titulli, që mund të bëjë të mendosh, në tekst nuk hasen shpjegime për motivet që e shtyjnë një grua të bëhet vegjetariane, as ligjërime militante, për ekologjinë, as ligjërime dietetike apo fetare. Futja e Jonhjes në një regjim të ngrëni vegjetarian është fillimi i kundërshtimit të saj ndaj marrëdhënieve patriarkale, prej të cilave ajo do që të dalë për të qenë e lirë.
Hang Kang-u na dhuron një roman me pjesë, në të cilat ndihen tonalitete dhe ngjyra të veçanta, regëtima të ndryshme. Kjo ndarje stilistike i ka dhënë tekstit një natyrë të gjallë si të ishin tri burime të kulluara që nxitojnë të derdhen në një lumë të rrëmbyeshëm. Një çudi koreane që e hasim edhe te të tjerë autorë apo edhe në ndonjë film, diçka e mistershme në të cilin çmenduria është dy hapa larg njeriut normal.
Ëndrrra në tekst shërben si katalizator për një kërkim më të thellë të fatit njerëzor. Copëzat e ëndrrave të Jonhjes shpërndajnë në tekst dritën e tyre të errët, si : “Në trarët e gjatë prej bambuje vareshin trupa të mëdhenj, të kuq, kafshësh të therura” (f. 10); « Ti i inatosur më nxite […] jepi, jepi shpejt ! Duart lëvizën aq shpejt, sa qafa më digjte si furrë. Befas, dërrasa ku presim mishin ra […] Pikërisht atëherë preva gishtin (f.17) ; « […] pse gjithçka më duket si e panjohur ? Mos hyra diku nga dera e prapme. […] Errësirë. Gjithçka është dystuar si një njollë e zezë (f.28), “[…] qeni që më kafshoi në këmbë është varur te motaçikleta e babait. […] Babai e vari qenin në pemë” (f. 41).
Në pesë vjet martesë, përkushtimi i Jonhjes për familjen nuk u bë kurrë i dyanshëm. Ajo priste shumë që t’i ndryshonte jeta. Madje i shoqi, protagonist i pjesës së parë, duke rrëfyer, bën pak a shumë pa dashur edhe portretin identitar të saj: “Ajo i kryente të gjitha detyrimet e një gruaje fare të zakonshme pa kurrfarë ngutjeje, duke i justifikuar kështu pritjet e mia? Çdo mëngjes zgjohej […] dhe shtronte tavolinën […] kursimet e saj i derdhi në buxhetin familjar […] jepte mësime me kohë të pjeshme në një institut […] etj. (f. 2). “Nëse kishte ndonjë tërheqje për të, ky ishte leximi” (f. 3).
Ajo e kuptoi se i shoqi nuk e llogaritste fare, ikte në mëngjes e kthehej në mesnatë, me idenë e trashëguar se gruaja duhej të kujdesej për mbajtjen e shtëpisë, larjen, hekurosjen e rrobave, përgatitjen e ushqimit…Faji ishte i mendësisë patriarkale me të cilën ishte rritur dhe edukuar ai, por edhe i atij vetë. Ai ishte njeri egoist. Ndonjëherë mbase kishte një ndershmëri që shkonte gjer në ngurtësi, i padurueshëm, i paaftë për patos apo për për lurtime. Prandaj, kur edhe familja iu kundërvu, Jonhje arriti në përfundimin se askush nuk mund ta ndihmonte, askush nuk mund ta shpëtonte, përveç vdekjes. Dhe në spitalin psikiatrik klith: “Përse nuk më lini të vdes? (f. 166).
Vegjetariania në roman është një grua që kërkon të marrë në dorë kontrollin për trupin dhe shpirtin e vet, me një mënyrë kundërshtimi që trondit strukturat patriarkale të familjes e të shoqërisë, në të cilën gruaja është në shërbim të burrit dhe nuk gëzon para ligjit të drejta si ai. Pra, e kontrolluar në familje, e rrahur nga i ati në fëmijëri, viktimë e patriarkalizmit edhe në moshë të rritur, duke hequr dorë fillimisht nga mishi, ajo mendon se e lë territorin kafshëror, sinonim i dhunës së përgjithshme për të hyrë në perandorinë soditëse bimore.
Filli që e shtyn përpara ngjarjen është “sëmundja e çuditshme”, “e papritur”, nga e cila kishte filluar të vuante Jonhje. Në fakt, ajo nuk vuan nga ndonjë sëmundje, por nuk i pranon kodet patriarkale që drejtojnë familjen dhe shoqërinë, nuk përshtatet me modelin që duan t’i imponojnë. Pas mbylljes në spitalin psikiatrik, ajo kërkon vdekjen. Kjo ndodh përgjithësisht kur një njeri nuk kuptohet nga bota që e rrethon dhe del nga norma. Skena e famshme, gjatë festës familjare dhe akti vrastar i Jonhjes, e shndërron rrëfimin në një satirë të mprehtë shoqërore.
Nën veshjen mizore dhe poetike të rrëfimeve që janë në kufijtë e fantastikes, autorja ndërton një histori të dhimbshme të një personazhi që i ka humbur lidhjet me realitetin. Ajo nuk ia jep shumë herë fjalën heroinës kryesore; lexuesi e krijon portretin e saj moral dhe fizik përmes asaj që rrëfejnë të tjerët për të. Pra, lexuesi më në fund e kupton se Jonhje rrethohet nga një botë patriarkale, se ka vuajtur keqtrajtimin qysh në fëmijëri dhe martesa e saj ka qenë një dështim.
Libri vë në dukje në një mënyrë fshikulluese kodet që udhëheqin edhe shoqërinë koreane: kodet bashkëshortore (një kurorëshkelëse deri në vitin 2015 ndëshkohej me mbyllje në psikiatri), profesionale, familjare. Edhe Jonhje ndëshkohet. Egërsia e familjes përballë mospranimit të saj të vendosur, si dhe ligji fyes për gruan, sjell mohimin nga klani familjar dhe braktisjen në vetmi.
Stili
Dhe e gjithë kjo është dhënë në pak faqe. Universi i Han Kangut është i frymëzuar prej budizmit, në variantin soditës, i afërt me një lloj shamanizmi. Personazhet e saj, edhe në romane të tjera shpesh përshkruhen si trupa, nga falimentimi i këtij të fundit. Shkrimi i saj, sipas studiuesve, sidoqoftë i ka rrënjët në epokën tonë. Ajo e vendos shikimin mbi çështjet themelore të Koresë, lidhur me tranzicionin demokratik pas viteve ’90 dhe liberalizmit të shfrenuar ekonnoik të sotëm.
Romani është një mrekulli, sepse ka epërsi mbi caqet e gjinisë letrare, duke u ushqyer me poezi çka përbën edhe forcën e tij. Aty ndërthuren natyrshëm e mrekullueshmja, fantastikja dhe realiteti i ashpër: “ndihej një forcë si e pemëve të rritura në pyje të virgjëra; ata u bënë të ngjashëm me dy petale; të gjitha pemët qëndrojnë kokëposhtë; sikur kjo plagë ishte bërë më e madhe se trupi i saj dhe po e gëlltiste në një vrimë të zezë; sikur shtëpia po ia shtypte trupin; fytyra e vdekjes; çfarë pëshpëritin zëlartë pemët në agim; në ijen e Jonhjes çelin lule, etj.. Lexuesi është njëherësh i tronditur, por edhe i mrekulluar nga mënyra se si shkrimtarja kundërshton ato realitete që mbysin të bukurën dhe sublimen. Ajo pohon se trupi i gruas metaforikisht është objekt bukurie. Jonhje shndërrohet në një vepër arti dhe për pak çaste ajo i shpëton botës së zhurmshme dhe vrastare. Ajo ndihet shumë mirë në studion e pikturës, por edhe artisti zbulon bukurinë e së natyrshmes.
« Gjatë dyzet vjetëve të jetës së tij, as edhe një herë nuk e kishte provuar këtë gëzim plot dritë që dukej sikur buronte qetësisht nga një skutë e fshehtë thellë tij dhe derdhej në majën e penelit » (f. 91, 92).
Autorja arrin të krijojë një tension dramatik mes bukurisë së shkrimtarisë së saj “[…] trupat e tyre dukeshin herë si petale, që plekseshin me njëri-tjetrin, herë si një organizëm i vetëm, ku bashkoheshin lule, kafshë, njerëz” (f. 120), e dhunës së brendshme, shpirtërore të personazheve.
Zëri i Jonhjes, pylli ku bie një shi i zi dhe fytyra e saj me syrin që kullon gjak, i thyejnë netët e saj të gjata si copëra porcelani duke krijuar ndriçime tronditëse në roman.
Me tre nëntituj domethënës, romani Vegjetariania është si i gdhendur në mermer. Ai luan vazhdimisht në vajtje dhe ardhje drejt botës së brendshme të personazheve dhe botës që i rrethon duke përzier fantazmat me realitetin.
Përfundime
Vepra e Han Kang-ut trajton probleme të mprehta të epokës sonë. Kur e mbaron së lexuari, këtë libër, njeriu rishikon bindjet e veta dhe perceptimin që ka për familjen, për lidhjet e anëtarëve të saj dhe të shoqërisë. Vegjetariania ka një forcë të jashtëzakonshme, edhe tërheqëse, edhe pikëlluese. Pak nga pak sensuale, bimore, poetike, e lodhshme, robëruese, e çmendur, ajo mbrun të gjitha llojet e përshtypjeve dhe ndjesive që na zhysin në arsyet e vërteta të udhëtimit të saj teposhtë, drejt vdekjes. Në këtë botë të mbushur me marrëzi dhe krime, në të cilën ngre krye herë pas here ligji i më të fortit, gjithkush mund të lëkundet e të bjerë në humnerë në momente hutimi apo edhe gabimi njerëzor.
Kundërshtimi i Jonhjes, megjithatë është një veprim paqësor kundër normave të ngurta që shkatërrojnë familjen. Vegjetarizmi i saj është një mënyrë për të treguar se zakonet e ngurta dhe dallimet në të drejta, prishin rëndë barazpeshën në shoqëri.
Romani është befasues për temën, për strukturën e tij të përkryer, për mënyrën e gjallë të rrëfimit dhe jep mundësinë për një meditim rreth identitetit dhe përgjegjësisë së njeriut në jetë. Edhe pse i ka rrënjët në kulturën koreane, ai mbetet një simbolikë e fuqishme universale që dikton rishikimin e raporteve tona me botën dhe me jetën duke u shndërruar në një klithmë të dëshpëruar përpara vdekjes.
Autorja shqyrton temat e identitetit dhe lirisë njerëzore me një ndjeshmëri të madhe duke përzier dhunën, çmendurinë dhe erotizmin. Marrëzia i prek thuajse të gjithë personazhet e tjera që marrin pjesë në ngjarje.
Lexuesi, përveç përsiatjes, nuk mund të rrijë pa bërë edhe pyetje si: Në çfarë lakmie është kredhur njeriu? Përse është larguar aq shumë nga natyra, derisa ka arritur në shumë raste ta shohë mjedisin natyror si një armik që duhet zhdukur? Përse shumë prej nesh nuk janë më lexues? Përse ka humbur dashuria për bimët dhe kafshët që kishin të parët tanë? Deri ku do të shkojmë duke i konsideruar të tjerët si kundërshtarë në vrapimin e shfrenuar drejt pushtetit dhe pasurisë?
Megjithëse paraqet një vizion disi pesimist për jetën njerëzore në përgjithësi, romani është një mënyrë për të kërkuar kuptimin e jetës. Edhe autore të tjera koreane e kanë prekur këtë temë, por Han Kang-u i ka dhënë frymë bashkëkohore veprës së saj.
Vegjetariania është një roman që duhet lexuar dhe rilexuar nga burrat dhe gratë. Ai është një libër i ashpër e i dhunshëm, por i domosdoshëm për të kuptuar veten dhe të tjerët dhe për të parë sesi paragjykimet brejnë edhe shoqëritë e ashtuqajtura të zhvilluara.
Pak nga historia e jetës
Han Kang është shkrimtare koreano-jugore. Ajo fitoi Çmimin Nobel në letërsi për vitin 2024. Në ceremoninë e dhënies së Çmimit u vlerësua “për prozën e saj të fuqishme poetike, e cila shpalos brishtësinë e jetës njerëzore; për stilin e saj poetik dhe eksperimental”. Ajo u quajt “një novatore në prozën bashkëkohore” dhe se « puna e saj përfshin një gamë të gjerë zhanresh, ku përshkruhet dhuna, pikëllimi dhe patriarkalizmi”.
Autorja është gjithashtu një ish-fituese Çmimit Ndërkombëtar Man Booker më 2016 për romanin Vegjetariania. Ajo është vajza e romancierit Han Seung-won dhe ka lindur në qytetin Gwangju të Koresë së Jugut. Ka studiuar për letërsi në një universitet të Seulit. Veprat e saj të para të botuara ishin disa poezi dhe një tregim i shkurtër. Pastaj ajo iu përkushtua prozës së gjatë me romane. Han Kang është përkthyer në më shumë se 30 gjuhë, midis tyre edhe në shqip.
@tetovanews
@tn.lajmelokale