Shoqata për Gazetarët në Maqedoni (SHGM) ka publikuar dy udhëzues se si të komunikojnë politikanët dhe funksionarët e Maqedonisë së Veriut me gazetarët gjatë kësaj periudhe, transmeton Portalb.mk.
“Udhëzuesi i radhës duhet të shërbejë si shembull mbi të gjitha për pushtetarët, të cilët disa herë në konferencë për media kanë pasur komunikim jo të përshtatëm me disa nga gazetarët”, sqaroi SHGM-ja.
Ata kërkojnë që “ky lloj komunikimi nuk duhet të bëhet praktikë”, duke vlerësuar se gazetarët janë zëri i qytetarëve.
“Mos tregoni arrogancë dhe mosinteresim”, ishte këshilla e parë e SHGM-së për pushtetarët, duke kërkuar që ta anashkalojnë edhe sarkazmën, shfaqjen e superioritet dhe mosdurim.
Në Udhëzuesin e parë kërkohet që pushtetarët mos të hedhin fajin te të tjerët, mos të fshehin informacionet, mos t’i shmangen pyetjes, mos të thuhen fjalë të paqarta dhe të zbraztë.
“Mos jepni informacione të gabueshme ose kontradiktore, ajo do të krijojë mosbesim dhe spekulim. Mos e shfrytëzoni tragjedinë për marketing politik. Mos premtoni diçka që nuk mund ta realizoni”, thuhet në Udhëzues, duke rekomanduar që mos të sulmohen kundërshtarët politik.
SHGM-ja kërkoi nga pushtetarët mos të fajësojnë mediat për përhapje të panikut, ndërkohë ka publikuar edhe Udhëzuesin e dytë si duhet të sillen politikanët.
“Politikanët dhe funksionarët duhet të tregojnë më shumë empati dhe njerëzi. Shprehni bashkëdhimbje të sinqertë, dhe jo vetëm deklarata të përgatitura. Shprehni mirëkuptim dhe respekt ndaj familjarëve të viktimave. Toni juaj dhe gjuha e trupit të shprehin brengosje”, thuhet ndër të tjera në Udhëzuesin se di duhet të sillën funksionarët dhe politikanët.
@tetovanews
@tn.lajmelokale